Flamuri i Kosovës, foto ilustrim
Shefi i kabinetit të Ministrisë së Jashtme të Kosovës, Jetlir Zyberaj ka thënë se në ditët në vazhdim, përmes kanaleve diplomatike, do të sqarohen deklaratat e bëra nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan kundrejt kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Presidenti Erdogan ka kërcënuar kryeministrin Haradinaj, pas qëndrimeve të këtij të fundit, i cili është deklaruar kundër deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi.
“Nëpërmjet kanaleve diplomatike në ditët në vijim do të sqarojmë arsyet e deklaratave të bëra nga presidenti Erdogan, në pajtim me marrëdheniet e mira që kemi si dy shtete dhe të parimeve të barazisë së shteteve sovrane dhe mospërzierjes në punët e brendshme”, ka shkruar Zyberaj në Facebook.
Zyberaj ka shtuar se Kosova ka institucionet e veta, që udhëhiqen nga të zgjedhurit e popullit.
Të enjten në Kosovë janë arrestuar dhe më pas deportuar për në Turqi gjashtë shtetas turq. Pesë prej të dëbuarve ishin punonjës në shkollat “Mehmet Akif” në Kosovë, ndërkaq i dëbuari tjetër ishte mjek turk.
Krerët institucionalë në Kosovë kanë thënë se nuk kanë qenë në dijeni të këtij operacioni. Për këtë fakt, kryeministri Haradinaj, të premten ka shkarkuar nga detyra ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj dhe shefin e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, Driton Gashi.
Erdogan ka thënë se Haradinaj “do të paguajë” për këto qëndrime, duke thënë se që kur kryeministri i Kosovës “mbron ata që punojnë për të bërë grusht shtet ndaj Republikës Turke”. aa
Komentet