Formimi i Asociacionit lë në duar të Serbisë rreth 30 për qind të territorit të vendit
“Këto dëme akoma më të mëdha po i bëjnë me krijimin e ”Zajednicës”, duke lejuar krijimin e një mini-shteti serb brenda territorit të Republikës së Kosovës. Formimi i Asociacionit të Komunave Serbe lë jashtë kontrollit të Republikës së Kosovës dhe në duar të Serbisë rreth 30 për qind të territorit të vendit. Kështu që, me krijimin e këtij asociacioni, po krijohet një mini-shtet brenda Kosovës, ku do të ketë kompetenca shtesë në gjyqësi e polici, si dhe në arsim dhe shëndetësi”, shprehet analisti Faik Krasniqi
Formimi i asociacionit të komunave serbe në Kosovë është një mini-shtet në territorin e Kosovës. Në bisedimet me Beogradin, pala kosovare u tregua totalisht e papërgjegjshme, duke bërë lëshime e kompromise të vazhdueshme në dëm të Kosovës dhe në favor të Serbisë, duke ia mundësuar asaj të përzihet në tërë brendinë e Kosovës. Formimi i këtij asociacioni, do të bëjë që Kosova gjithmonë të ketë probleme dhe me këtë rast Serbinë do ta ketë brenda Kosovës. Kosova ndonëse ka arritur të dalë jashtë Serbisë, ajo ka lejuar “Zajednicen”, që Serbinë ta sjellë dhe mbajë brenda Kosovës në tërë territorin e saj në plot 10 komunat brenda Kosovës. Se Asociacioni do të jetë një mini-shtet brenda Kosovës e thotë edhe Frashër Krasniqi nga lëvizja ‘Vetëvendosje’. “Asociacioni i Komunave ose “Zajednica” do të jetë mini-shtet brenda Kosovës. Ajo do të ketë buxhet të ndarë, ekonomi të ndarë, sistem juridik të ndarë, polici të ndarë, arsim dhe shëndetësi të ndarë. Kjo nënkupton që praktikisht ai do të jetë një republikë brenda Republikës së Kosovës, me gjasë që të bëhet edhe më e fuqishme se sa vetë republika jonë. Ne mendojmë që ky asociacion nënkupton ndarje dhe segregacion dhe është e kundërta e integrimit të vërtetë të serbëve në shoqërinë tonë. Ne mendojmë që segregacioni që po imponohet përmes “Zajednicës” është në shpërpushje me të drejtat elementare të njeriut dhe është kundër interesit edhe të serbëve lokalë”, shprehet Krasniqi për “Kosova Sot”. Ky projekt, sipas tij, është kryekëput interes i Serbisë në kuadër të planeve të saj ekspansioniste…
Komentet