Kosova dhe Shqipëria do të bojkotojnë ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel për letërsi për autorin austriak, Peter Handke, për shkak të qëndrimeve të tij ndaj luftërave në hapësirat e ish Jugosllavisë, përfshirë edhe të të Kosovës.
Peter Handke ishte kundërshtar i bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë për shkak të Kosovës dhe mbajti fjalim në vitin 2006 në funeralin e ish udhëheqësit serb, Sllobodan Milosheviç, i cili vdiq në Hagë atë vit derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid.
Ministri në largim i Kosovës, Behgjet Pacolli, udhëzoi ambasadoren në Suedi që të “bojkotojë ceremoninë”, duke theksuar se “shkrimtari që mbështeti Millosheviçin për gjenocidin e tij në Bosnjë e Kosovë, nuk e meriton çmimin Nobel”.
Duke u solidarizuar me Kosovën, ministria e Jashtme e Shqipërisë tha se ambasadori në Suedi nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e së martës.
Pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë megjithatë e mbështesin ndarjen e çmimit.
“Çfarëdo që ka shkruar për serbet e ka shkruar mirë dhe me të drejtë”, tha Dimitrie Dimitriç, nga fshati Hoçë e Madhe.
Por, Milazim Krasniqi, në Hoçën e Vogël, rreth 80 kilometra në jugperëndim të Prishtinës, një fshat me 40 të vrarë gjatë luftës në Kosovë, tha se kishte mbetur pa fjalë nga lajmi për ndarjen e çmimit.
Më shumë se 10 mijë veta ishin vrarë nga forcat e policisë dhe uhstrsië serbe gjatë luftës në Kosovë. Analsti Shkelzen Maliqi i tha Agjencisë së lajmeve Associated Press se ndarja e një çmimi të tillë për autorin austriak është e papranueshme…
Ceremonia e Nobelit bojkotohet edhe nga Turqia, Kroacia, Bosnja, Maqedonia e Veriut…
Ambasadori i Turqisë në Stockholm, Hakki Emre Yunt, u tha medieve turke se nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel për letërsinë ndonëse është i ftuar.
Ministria e Jashtme e Kroacisë shkroi se ambasadori i saj në Suedi nuk do të marrë pjesë në ceremoni “për shkak të ndarjes së çmimit personit të angazhuar në mbështetjen e politikës serbomadhe të Sllobodan Millosheviçit, në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar”.
Kryesuesi i Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, Zhelko Komshiç, tha se “presidenca boshnjake nuk e ka autorizuar askënd që të marrë pjesë në ndarjen e çmimit Nobel”.
Ministri i Jashtëm i Kosovës në largim, Behgjet Pacolli falënderoi në rrjetin social twitter ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut Nikola Dimitrov “ për bojkotimin e ceremonisë për ndarje të çmimeve Nobel. Maqedonia ka qëndruar me ne në kohërat më të vështira, gjatë viteve ’98-99, kur Millosheviç kreu krime në Kosovë. Handke nuk ka përkrahur viktimat si Maqedonia e Veriut, por e ka përkrahur Millosheviçin”, shkroi ai.
Në një postim tjetër ai tha ka marrë konfirmim nga Afganistani për bojkotimin e ceremonisë.
Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 i dha fund sundimit serb në Kosovë dhe nëntë vjet më pas Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila kundërshtohet nga Serbia.
* Mbështetur edhe në agjencinë e lajmeve Associated Press
Komentet