Njëzet e pesë vjet më parë, NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, duke shënuar kësisoj fillimin e fundit të luftës gati dyvjeçare në Kosovë.
Fushata filloi pak ditë pasi që Beogradi refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen e negociuar në Rambouillet për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani së bashku me ambasadorë të vendeve të NATO-s bënë nderime te pllaka përkujtimore në qendër të Prishtinës, kushtuar ushtarëve të KFOR-it që kanë humbur jetën gjatë shërbimit në Kosovë.
“Njëzet e katër marsi ishte vërtet ditë e shpresës së madhe sepse për herë të parë, aleancat e botës demokratike u bënë bashkë për të parandaluar shfarosjen e popullit të Kosovës nga regjimi i atëhershëm gjenocodal i (Sllobodan) Millosheviçit dhe së bashku me shumë e shumë shtete të tjera partnere arritëm që Kosova më në fund të bëhet e lirë”, tha presidentja Osmani.
Presidentja Osmani tha se Kosova shumë shpejt do të ulet në NATO përkrahë miqve të cilët i qëndruan pranë në momentet më të vështira dhe “do ta kthej këtë borgj duke ndihmuar në vendet e tjera”.
Në Kosovë 24 marsi vlerësohet si një ditë me rëndësi vendimtare për historinë e vendit, ndërsa zyrtarët e Beogradit e cilësojnë Serbinë si viktimë të, siç thuhet, agresionit të NATO-s.
Për 78 ditë sa zgjati fushata ajore, në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve. Mbi 10 mijë veta u vranë, mbi 800 mijë u ndoqën nga Kosova, ndërsa rreth 5 mijë të tjerë në fund të luftës llogariteshin si të zhdukur.
Më 10 qershor të vitit 1999, NATO-ja nënshkroi marrëveshjen me ushtrinë jugosllave për tërheqjen e saj të plotë nga Kosova, ndërsa dy ditë më vonë, trupat paqeruajtëse të KFOR-it hynë në Kosovë, duke i dhënë fund luftës por edhe sundimit të Beogradit.
Nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj me mbështetjen perëndimore, por vazhdon të kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.
Kosova dhe Serbia për më shumë se një dekadë janë përfshirë në një proces bisedimesh të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, në kuadër të të cilit përfaqësuesit e të dyja vendeve u pajtuan vitin e kaluar të zbatojnë një plan të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për përmbushjen e aspiratave të tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian.