Lëvizjet tektonike në Kosovën parazgjedhore të këtyre ditëve janë ende në vijim e sipër dhe konfiguracioni i përftuar prej këtyre lëvizjeve është ende i pakryer, çka nuk na e mundëson të kemi një përfytyrim më shterues apo të themi ndonjë fjalë më përkufizuese për atë që po ndodh sot në politikën e vendit e çka do të kemi pas zgjedhjeve të 11 qershorit 2017.
Tektonika, për ata lexues që mund të mos e dinë mirë, është shkenca që studion dukurinë gjeologjike që karakterizohet nga zhvendosjet, fundosjet, tronditjet, përplasjet dhe rivendosjet e formacioneve gjeologjike dhe që rezulton me formimin e relieveve nënujore dhe mbiujore, siç janë vargmalet, gumbujt malorë, funddetet, fund oqeanet, luginat, pllajat, ultësirat e tjerë. Këtë dukuri e shkaktojnë forca të brendshme të planetit.
Në Kosovën parazgjedhore kemi figura deri tash të pavarura që aderojnë në një formacion të caktuar politik, duke u distancuar nga një formacion tjetër apo grupacion tjetër partiak, për t’u gjendur brenda ditës apo brenda së nesërmes në një rigrupim të madh formacionesh politike, së bashku me ato formacione prej të cilave janë trembur, prej të cilave kanë qenë të përndjekur apo të përfrikësuar, për të cilat kanë pasur antipati, kanë pasur zhgënjime të panumërta.
Më e bujshmja e të gjitha lëvizjeve ishte shpallja sot e koalicionit PDK-AAK-NISMA, e cila kandidon për kryeministër Ramush Haradinajn, figurën më legjendare të mbijetuar nga lufta dhe paslufta e Kosovës: komandant i UÇK-së për zonën Operative të Dukagjinit në vitet 1998-1999, vëlla i heronjve Luan Haradinaj dhe Shkëlzen Haradinaj, nënkomandant i TMK-së, prej vitit 2000 kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Kryeministër i Kosovës nga dhjetori 2004 deri në mars të vitit 2005, i dorëzuar vulllnetarisht dy herë në Hagë i akuzuar për krime lufte dhe i shpallur i pafajshëm dy herë nga Tribunali Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në Ish Jugosllavi. Prej 4 janarit të këtij viti, deri para pak ditësh, Ramush Haradinaj ishte i ndaluar në Francë me një urdhërarrest të Serbisë dhe u lirua përsëri si i pafajshëm, pavarësisht se Serbia me të gjitha kapacitetet e saj juridike, diplomatike, mediatike ishte e përqëndruar në synimin e saj për ta ekstraduar në Beograd dh për ta vënë në bankën serbe të drejtësisë. Qëndrimi i Ramush Haradinajt përsëri me një dinjitet të pashoq që i bën krenar të gjithë shqiptarët, kudo që janë, e ngriti në një zenit tjetër popullaritetin e figurës së tij.
Votën e tyre për Ramushin Kryeministër do ta jepnin pa ngurim shqiptarët në Shqipëri, në Maqedoni, hapësira të tjera shqiptare jashtë Kosovës apo edhe në diasporë, por partia e Ramushit, AAK, me votat që merr në Kosovë, nuk ia siguron atij zgjedhjen në këtë post. Kandidimi nga koalicioni parazgjedhor PDK-AAK-NISMA e sjell më pranë realizimit të këtij synimi.
Pas lufte gjithnjë në opinion është përmendur ideja për një koalicion të partive të dala nga lufta, me çka kuptoheshin PDK dhe AAK e më vonë edhe NISMA, parti e dalë nga një fraksion i PDK-së. Mirëpo përplasjet e trashëguara nga koha e luftës dhe të thelluara pas luftës e pa zyrtarizimit të pavarësisë së Kosovës, të frymëzuara nga tundimi për të uzurpuar frytet e luftës dhe nga etja për të pasur monopolin e pushteteve, i ka kundërvënë, i ka përplasur, i ka larguar, i ka mbivënë e nënvënë derisa sot, i ka bashkëafruar drejt bashkëngjitjes përsëri.
Megjithatë, ky bashkim duket i sforcuar e i detyruar nga një rrethanë e caktuar siç është fillimi së shpejti i proceseve gjyqësore për krime lufte nga ana e Gjykatës Speciale të Kosovës me seli në Hagë. E di gjithkush, nuk është vetëdijësimi për rolin dhe përgjegjësinë ndaj zhvillimeve të sotme e të ardhshme të shtetit të pavarur e sovran të Kosovës, sa është instinkti i përballjes me drejtësinë ndërkombëtare që i shtyn Kadri Veselin e Hashim Thaçin për ta bërë kryeministër Ramush Haradinajn. E di gjithkush se Ramush Haradinaj vë në dispozicion, me këtë rast, një kapital të jashtëzakonshëm moral, të pakrahasueshëm me atë të Veselit, Thaçit e bashkëpunëtorëve të tyre.
Askush, nga ana tjetër, nuk e vë në dyshim aftësinë, përkushtimin, dëshirën dhe vizionin e Haradinajt përballë sfidave që e presin edhe për shkak të rritjes së agresivitetit të Serbisë dhe ringjaljes së armiqësive millosheviçiane të saj ndaj Kosovës e shqiptarëve.
Në dyshim është siniqeriteti, besnikëria, korrektësia, konstrutiviteti, koherenca e partnerëve të koalicionit që e ka kandiduar Ramush Haradinajn për Kryeministër të Kosovës.
Me kontribut shumë të madh e shumë vendimtar në proceset para luftës, gjatë dhe pas luftës LDK-ja e më vonë Vetëvendosja janë dy formacione të mëdha politike të Kosovës. Nëse këto të dyja dhe AKR-ja bashkohen në një koalicion parazgjedhor, atëherë do të kemi përballë njëra tjetrës dy rigrupime të mëdha politike. Dhe, çfarëdo rezultati zgjedhor të dalë nga 11 qershori, do të kemi një qeveri me mbështetje të fuqishme popullore e një opozitë, po ashtu, me mbështetje të fuqishme popullore.
Komentet