Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Italia kanë në vëmendje Ballkanin Perëndimor. Kjo është konfirmuar nga një deklaratë e përbashkët e presidentit Joe Biden me kryeministren Georgia Meloni, pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë. Konkretisht theksuan përkushtimin e përbashkët për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen për integrimin euroatlantik të rajonit.
Kosova, tensionet në veri dhe problemet me Serbinë ishin gjithashtu pjesë e bisedës mes Biden dhe Melonit.
Ata u pajtuan për të përforcuar koordinimin në favor të qetësimit të situatës dhe pajtimit, si dhe pranuan rolin kyç të QUINT-it. Shtetet e Bashkuara mirëpresin përkushtimin e qeverisë italiane në Ballkanin Perëndimor, përfshirë përmes kontributit të forcave të armatosura italiane në misionet e KFOR-it, EULEX-it dhe EUFOR Althea.
Deklaratë Biden-Meloni
Megjithatë nuk sqarohet se çfarë hapash do të ndërmarrin për zgjidhjen e krizës aktuale mes Prishtinës dhe Beogradit. Për ta qartësuar këtë ndoshta mund të ndihmojë vizita që pritet të zhvillojë në Kosovë, Këshilltari i lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Më herët, i dërguari i posaçëm i administratës Biden për Ballkanin Perëndimor, Gebriel Escobar, dëshmoi në kongres lidhur me zhvillimet në rajon. Ai foli me shqetësim të madh për raportet e trazuara të Kosovës me aleatët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-të dhe Bashkimin Europian.
Escobar kërkoi nga Beogradi, por kryesisht nga Prishtina që të zbatojë marrëveshjen e Ohrit, duke konfirmuar se do të sjellë njohje të reja për Kosovën. Zyrtari i Departamentit të Shtetit konfirmoi se aspirate e Uashingtonit është që Kosova të jetë anëtare e NATO-s, BE-së dhe që të ketë një ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. syri.net