Në qytetin e Pejës, rreth 80 kilometra larg Prishtinës, të dielën u përurua monumenti përkujtimor “9/11 Kujtim dhe Miqësi”, për nder të viktimave të sulmeve të 11 shtatorit të viti 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nismë e Rotary Club Peja, ky monument është i pari i këtij lloji në Evropën Juglindore.
Kryetari i Rotary Club Peja, Arbër Asllani, në një bisedë me Zërin e Amerikës tha se ky monument është edhe simbol i miqësisë së thellë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
“Kemi qenë fillimisht në kërkim të një cope autentike të metalit nga Kullat Binjake në New York dhe pas shumë përpjekjeve e kontakteve më në fund kemi hasur në një donacion nga departamenti i zjarrfikësve në New York, saktësisht nga zoti Carl Sheets, i cili e ka dhuruar një pjesë metalike për Rotary Club Peja. Gjithsesi kjo do të shërbejë si shtyllë e miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Amerikës, ajo që ne mund të bëjmë për Amerikën është shumë e vogël sepse i ka të gjitha, por çfarë mund të bëjmë ne është të bashkëndjejmë”, tha ai.
Një kompani lokale në Pejë, ka kryer punimet në këtë monument në bazë vullnetare. Drejtori i saj Ibrahim Selimaj, tha se mundësia për të dhënë ndihmën e tij në këtë proces, ishte nder jetësor për të.
“Rrugëtimi im jetësor ka qenë thellë i frymëzuar nga vlerat amerikane, këto vlera janë të trasuara në familjen time, bashkë me të cilët sot e kemi nderin jetësor të dhurojmë këtë memorial në përkujtim të viktimave. Ne gjithmonë do të jemi falënderues ndaj popullit dhe qeverisë amerikane që ndihmuan popullin e Kosovës në momentet më vendimtare të historisë sonë”, tha zoti Selimaj.
Atasheu ushtarak në ambasadën amerikane në Prishtinë, koloneli Darrick Mosley, tha se ky monument është dëshmi e lidhjeve të ngushta ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.
“Këtu në Pejë, banorët dhe vizitorët mund të vijnë te ky monument për të nderuar dhe kujtuar të dashurit e tyre dhe ata që janë prekur nga sulmet e tmerrshme të 11 shtatorit. Ky monument po ashtu mund të ua kujtojë atyre kuptimin e 11 shtatorit si thirrje për veprim, thirrje për shërbim dhe për një përbashkim të pashoq që na afron të gjithëve”, tha ai.
Më herët gjatë ditës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe zëvendës ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Alyson Grunder, vendosën kurora lulesh pranë pllakës përkujtimore për viktimat e 11 shtatorit, që është ngritur brenda oborrit të qeverisë së Kosovës.
Ata theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve përballë kërcënimeve terroriste duke nënvizuar se Kosova do të qëndrojë përgjithmonë bashkë me popullin amerikan në kërkim të drejtësisë.
“Me 11 shtator 2001 shtetasit amerikan ishin në një ndër sulmet terroriste më të tmerrshme në historinë e njerëzimit. Por atë ditë nuk u sulmua vetëm Amerika, u sulmuam të gjithë ne që besojmë në po të njëjtat vlera, në vlerat e lirisë dhe demokracisë. Që nga ajo ditë populli Kosovës çdo ditë ka qëndruar me popullin amerikan, i kemi bashkuar forcat në mbrojtje të këtyre vlerave dhe në luftim të terrorizmit”, tha presidentja Osmani.
“Populli i Kosovës qëndron pranë popullit amerikan dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dëshmuan edhe pas 11 shtatorit se janë komb i njerëzve të lirë e të barabartë dhe se nuk bëjnë kompromis me vlerat e tyre. 21 vjet më vonë ne nderojmë kujtimin për viktimat dhe shprehim dhembshurinë e solidaritetin tonë për atë ngjarje të rëndë”, tha kryeministri Kurti.
“Unë isha në New York atë ditë të kobshme të vitit 2001, duke shërbyer në një mision të Kombeve të Bashkuara dhe mund ta merrni me mend tronditjen. Çdo qenie njerëzore do të tronditej nga një veprim aq i urrejtshëm që të vetmin synim kishte shpërndarjen e frikës dhe vrasjen e sa më shumë njerëzve. Por në javët e muajt pas sulmeve ne u ngritëm nga dashuria e madhe, mbështetja dhe solidariteti nga partnerët e miqtë tanë në mbarë globin, duke përfshirë këtu Kosovën”, tha zëvendës ambasadorja amerikane Grunder.
Çdo vit, 11 shtatori shënohet në forma të ndryshme në Kosovë, ku roli i Shteteve të Bashkuara vlerësohet i pazëvendësueshëm në procesin e çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës por edhe për proceset e ardhshme politike në Kosovë përfshirë edhe atë të integrimeve euroatlantike.
Komentet