“Në historinë njerëzore, shkrimtarët shpesh i kanë dhënë kahun kombeve në çastet më të vështira të historisë, duke artikuluar idenë e lirisë”, shkroi të hënën presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas lajmit se u vdiq shkrimtari I njohur shqiptar, Ismail Kadare.
Ajo shkroi se Ismail Kadare “ishte gjeniu shqiptar, njeriu e shkrimtari i cili tërë jetën dhe veprën e vet ia kushtoi dashurisë ndaj tokës, gjakut e vendit të shqiptarëve, duke krijuar një trashëgimi të pakundshoqe adhurimi e lavdie ndaj vendit e kombit të vet”.
Presidentja Osmani vuri theksin te siç tha, lartësimi që i bëri Ismail Kadare gjuhës, kulturës e letërsisë shqipe.
“Populli i Kosovës, sikur i gjithë populli shqiptar, sot është në zi. Ai humbi kolosin e dijetarin më të njohur shqiptar, humbi mbështetësin e pandalshëm të së drejtës së popullit shqiptar në Kosovë për të jetuar i lirë e i mosvarmë e promovuesin e pandalshëm të kësaj të drejte gjithandej botës. Humbi shkrimtarin e papërsëritshëm, të cilit si Presidente kisha nderin t’ia dorëzoja shtetësinë e Kosovës kohë më parë, sikurse edhe Urdhrin “Hasan Prishtina”, shkroi mes tjerash presidentja Osmani.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti tha se “ne humbëm shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave, bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë”.
Në një postim në rrjetet sociale ai tha se porsa hymë në gjysmën e dytë të vitit 2024, Kadare mbylli sytë përgjithmonë. “Por sytë tanë kanë parë e do të shohin shumë më mirë për shkak të imagjinatës dhe dijes së Ismail Kadaresë. Kur ai mbyllte sytë në të gjallë të tij dhe mendohej për malet e Shqipërisë dhe greminat e historisë, teksa qëndiste mijëra faqe me shqipe të bukur si qiell, ne kolektivisht shikonim më qartë e dukeshim më mirë, mendonim më thellë e mësonim më shumë. Arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij. Anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë”, shkroi kryeministri Kurti.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, shkroi se “sot bota shqiptare u zgjua në zi. U nda nga jeta Ismail Kadare, shkrimtari i përmasave ndërkombëtare, ai i cili për shumë dekada i dha letërsisë shqipe dhe asaj botërore kryevepra, që do mbesin gjithmonë referenca për kulturën dhe letërsinë, si vlera universale që kapërcejnë kufijtë nacional”.
Kolosi Ismail Kadare, thuhet në një postim në rrjetet sociale, përmes veprave të tij, i ka dhënë nder e dinjitet të përbotshëm artit, kulturës dhe gjuhës shqipe.
“Kadare do të mbetet ikonë e letërsisë, mjeshtër i papërsëritshëm, një intelektual i shquar, një patriot i përkushtuar dhe një zë i fuqishëm që përfaqësonte denjësisht Shqipërinë në botë. Nga sot Shqipëria dhe bota e letërsisë humbën një personalitet të madh, i cili u shua vetëm fizikisht por vepra e tij është e përjetshme; siç dhe emri e kontributi i tij në kulturën dhe letërsinë botërore do të mbetet i përjetshëm”, thuhet mes tjerash në postimin e zotit Abdixhiku.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se “sot nuk ka emër më të madh ndër shqiptarë, se sa emri Ismail Kadare. Jo vetëm se ai mbetet emblema e letërsisë, e krijimtarisë dhe e krenarisë shqiptare, por sepse ishte shqiptari më i famshëm në Glob”.
Duke theksuar se Ismail Kadare e lartësoi Kombin, Shqipërinë dhe që letërsinë e një kombi të vogël e futi në analet e letërsisë së përbotshme. Zoti Haradinaj shkroi se “ne sot e kemi humbur gjeneralin e letrave shqipe, e kemi humbur ambasadorin e krijimtarisë shqiptare në Botë, e kemi humbur Ismail Kadarenë, emri i të cilit i ngërthen në vete krejt vlerat më të larta që mund t’i ketë njeriu”!