Përpjekjet e Rusisë për të rritur ndikimin në rajonin e Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën, janë evidente, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe njohësit e zhvillimeve në vend. Megjithatë, sipas tyre, shtrirja e këtij ndikimi në Kosovë, është shumë më i vogël, në krahasim me disa nga vendet e rajonit.
Në rubrikën e përjavshme “Fokus” të Radios Evropa e Lirë, përpjekjet për shtrirjen e influencës ruse në Kosovë ata i shohin më tepër përmes ndikimit në mediet e disa vendeve të rajonit, kryesisht të atyre të Serbisë, të cilat më pas reflektojnë në përpjekje për krijimin e opinionit, në veçanti te komuniteti serb në Kosovë.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Valon Murtezaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se përpjekjet e Rusisë për të dominuar në rajon tashmë janë të qarta.
Në këtë kontekst, sipas tij, përpjekjet për shtrirje të influencës ruse edhe në Kosovë, janë evidente.
“Ka të dhëna për fonde të shtuara nga ana e Rusisë, në fusha të ndryshme të veprimtarisë. Ajo që ka qenë shumë evidente është mbulimi mediatik i ngjarjeve nga mediet e fuqishme ruse, të cilat shpeshherë pastaj edhe i kanë shtrembëruar realitetet, ashtu siç u ka konvenuar atyre, ne i kemi pasur disa raste, brenda në Kosovë, por edhe në rajon”, thotë Murtezaj.
Burim Ramadani nga Qendra Kërkimore për Politikat e Sigurisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se Federata Ruse, në strategjinë, të cilën e ka në të ashtuquajturën “lufta informative”, për vendosjen e agjendave në opinionet publike të vendeve të ndryshme, një qasje të tillë e ka të drejtuar edhe ndaj Kosovës.
“Kjo, kryesisht ndikohet përmes prodhimit të lajmeve të rrejshme, ndikimit në krijimin e opinionit, në dobësimin e qasjes, përkatësisht perceptimit pozitiv që e ka populli i Kosovës për shtetet perëndimore dhe në rend të parë, në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkaq, pjesa tjetër, sigurisht që është e ndërlidhur me aspektin e biznesit, përkatësisht me praninë e biznesit të kompanive të lidhura me Rusinë”.
Të hyrat ruse në Kosovë
Bazuar në të dhënat statistikore që i posedon Banka Qendrore e Kosovës për sektorin e jashtëm sipas shteteve, të hyrat financiare nga Rusia në Kosovë, sipas zyrtarëve të kësaj banke, janë shumë të vogla.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, përmes rrjetit elektronik, zyrtarët e Bankës Qendrore të Kosovës, i kanë cilësuar të hyrat ruse në Kosovë, “gati të papërfillshme, krahasuar me shtetet tjera”.
“Të dhënat për Rusinë në databazën tonë, janë kryesisht import i mallit. Importet e mallrave nga Rusia në 2015 ishin 9.9 milionëeuro, ndërsa në 2016 ishin 12.4 milionë euro. Nuk kemi të bëjmë me investime. Pra, bëhet fjalë për import të mallrave nga Rusia”, thuhet në përgjigjen e Bankës Qendrore të Kosovës.
Edhe njohësit e zhvillimeve ekonomike në vend e kanë vlerësuar minor ndikimin rus në ekonominë e Kosovës, përveç në komunat veriore të vendit, të banuara me shumicë serbe.
Kjo pjesë e Kosovës, sipas tyre, mbetet me interes për politikën ruse. Iinfluencën ruse, ata e shohin të kalojë nëpërmjet Serbisë drejt veriut të Kosovës, duke bartur potencial destabilizues për të ardhmen.
Ramadani shpreh mendimin se ndikimi rus në Kosovë më shumë është i shprehur në zonat e banuara me komunitetin serb, përfaqësuesit e të cilit janë të lidhur drejtpërdrejt me strukturat e Serbisë.
“Besoj që ka ndikim goxha të drejtpërdrejtë në Kosovë, duke mos lejuar, sidomos komunitetin serb, që të besojë në ekzistencën e shtetit të Kosovës”, thekson Ramadani.
Rusia “larg syve, larg zemrës”
Në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, funksionojnë të paktën dy organizata, të cilat janë të regjistruara në Beograd dhe që angazhohen për fuqizimin e bashkëpunimit me Rusinë.
Verolub Petroviq, anëtar i shoqatës së miqësisë ruso – serbe, kohë më parë i pati thënë Radios Evropa e Lirë se vizitat nga Rusia në Kosovë, janë të vështira për shkak të problemit të vizave.
“Të jem i sinqertë, larg syve dhe larg zemrës, bashkëpunimi tash për tash është i njëanshëm, pra më shumë nga ana e jonë, sesa nga ana e tyre”, thotë Petroviq.
Marko Jakshiq, nga Partia Demokratike e Serbisë, lider i serbëve të veriut të Kosovës, i cili i takon taborit të kundërshtuesve të integrimit të serbëve në institucionet e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndikim rus në Kosovënuk është vërejtur.
“Rusia e ka zyrën e saj në Prishtinë, por ndonjë veprimtari të madhe, unë nuk e kam vërejtur. Përshtypja ime është që përafërsisht Rusia e mbështet politikën e Beogradit ndaj Kosovës. Vetëm t’ua përkujtoj që rusët i kanë inkurajuar serbët që të dalin në zgjedhjet lokale dhe parlamentare të Kosovës”, thekson Jakshiq.
Por, autoritetet e Kosovës kanë shprehur dyshimet se veprimet e Serbisë, si dhe serbëve që jetojnë në veri të Kosovës, në fillim të këtij viti, kanë reflektuar influencën ruse, të paktën në mentalitetin politik të tyre. Zëvendësministri Murtezaj i quan këto veprime si mjaft provokuese.
“Ne i kemi parë dy gjestet e fundit që kanë qenë super-provokuese: treni në veri dhe përpjekja për ndërtimin e murit. Ju e keni parë që ai tren është quajtur edhe si ‘treni rus’. Pra, të gjitha këto na bëjnë që të besojmë për përpjekjen e Rusisë që të shtrijë ndikimin apo që të destabilizojë. Pra, të shkaktojë një konflikt destruktiv”, thekson Murtezaj.
Por, Jakshiq, përjashton mundësinë që i ashtuquajturi “treni rus”, të cilin autoritetet e Serbisë e kishin nisur nga Beogradi për në Mitrovicë, me mbishkrimin “Kosova është Serbi”, në 20 gjuhë të ndryshme, si dhe me ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe me freska ortodokse serbe, të ketë qenë vërtet tren që reflekton përpjekjen për influencë ruse.
“Sa i përket ‘trenit rus’, unë mendoj që ai ishte më shumë fushatë marketingu në prag të zgjedhjeve presidenciale. Jo, sepse varet se cilat janë këtu interesat ruse ndaj Kosovës. Çfarë do të thotë kjo? Rusia nuk mundet që në njërën anë ta inkurajojë kthimin e Kosovës në përbërjen e Serbisë, e në anën tjetër ta shkëpusë Krimenë apo pjesët e të ashtuquajturës Rusia e re. Dua të them se Rusia nuk ka asnjë interes që të luftojë që Kosova të kthehet përsëri në përbërje të Serbisë, kur i ka këto probleme”, shprehet Jakshiq.
Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, kanë theksuar se shoqëria e Kosovës, si tërësi, përfshirë edhe lidershipin politik dhe institucionet qeverisëse, janë të orientuara plotësisht drejt perëndimit dhe kjo e bën tepër të vështirë ndikimin e Rusisë në Kosovë.
Megjithatë, kah mesi i muajit mars, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte paralajmëruar themelimin e Ushtrisë së Kosovës, për shkak se, siç ka thënë ai, “ngurrimi i Bashkimit Evropian që të përshpejtojë integrimin e Kosovës dhe shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor, u ka hapur rrugë ndikimeve tjera në rajonin e Ballkanit”.(REL)
Komentet