Lojtarët e Kosovës, gjatë intonimit të himnit, para ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës kundër Spanjës.
Doruntina Baftiu
Mesfushori 19-vjeçar, Lindon Emërllahu, u zgjodh pjesë e skuadrës së Kosovës për herë të parë në shtator të këtij viti, para ndeshjes kundër Irlandës Veriore në kuadër të Ligës së Kombeve. Ai u ftua nga trajneri Alain Giresse edhe këtë muaj, kur Dardanët zhvilluan dy ndeshje miqësore.
Këto dy ndeshje – të mërkurën kundër Armenisë dhe të shtunën kundër Ishujve Faroe – u zhvilluan përderisa 32 ekipe kombëtare të tjera po përgatiteshin për kampionatin prestigjioz botëror “Katari 2022”.
Emërllahu tregoi se edhe pse Dardanët mbetën jashtë Kupës së Botës, ky kampionat ka qenë temë diskutimi mes futbollistëve, ndërsa shton se dy skuadrat që ai vetë do t’i mbështesë janë Zvicra dhe Argjentina.
“Besoj që është ndjenjë e mirë të luash në Kupën e Botës. Normalisht, do të ishte një ndjenjë e papërshkrueshme që të paraqitesha me Kosovën në Kupën e Botës”, u shpreh mesfushori i Ballkanit, kampionit në fuqi të Kosovës në futboll, për Radion Evropa e Lirë.
Futbollisti 19-vjeçar, i cili këtë sezon luajti në gara evropiane me Ballkanin, beson se Dardanët në të ardhmen do të mund ta arrijnë kualifikimin në turne të tillë pasi që thotë se “Kosova ka një ekip shumë të mirë me lojtarë me përvojë”.
Çka ndodhi në kualifikimet për këtë Botëror?
Më 20 mars 2021, Kosova mësoi kundërshtaret e saj në kualifikimet për Kupën e Botës “Katar 2022”. Edhe pse fillimisht i ra shorti të jetë pjesë e Grupit A, Dardanët u zhvendosën në Grupin B, pasi Serbia veçse ishte zgjedhur për atë grup dhe dy vendeve nuk u lejohet nga FIFA të përballen mes vete.
Në Grupin B, Kosova u përball me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë. Pas tetë ndeshjeve të zhvilluara, mes 28 marsit dhe 14 nëntorit të vitit 2021, Kosova radhitej e fundit në grup, me gjithsej pesë pikë të grumbulluara.
Rrugëtimin në këtë grup, Dardanët e nisën me një humbje me rezultat 3:0 nga Spanja në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku mbyllën ndeshjen me dhjetë lojtarë pasi Bernard Berisha, që ishte inkuadruar në lojë vetëm në minutën e 83-të, u përjashtua nga loja me dy kartonë të verdhë.
Kosova i dha fund ciklit të ndeshjeve në Grupin B me barazim 1:1 me Greqinë në Athinë, në stadiumin olimpik “Spyros Louis”, ku shënoi Amir Rrahmani pas një harkimi brenda 11-metërshit nga Edon Zhegrova në minutën e 76-të.
Mes këtyre dy ndeshjeve, Kosova e arriti edhe një fitore historike në stadiumin “Batumi Arena”, ku mposhti Gjeorgjinë me rezultat 1:0. Fitoren Dardanëve ua siguroi autogoli i mbrojtësit gjeorgjian, Davit Khocholava, i cili devijoi gjuajtjen me kokë të Vedat Muriqit. Kjo mbetet fitorja e parë dhe e vetme e Kosovës në kualifikime për Kupën e Botës.
Kjo fitore dhe dy barazime të tjera kundër Greqisë ia siguruan Kosovës pesë pikët e grumbulluara në këtë fazë.
Të pamjaftueshme për kualifikim në Kupën e Botës, tani kosovarët mund t’i përcjellin dy futbollistët me prejardhje nga Kosova që luajnë për ekipin kombëtar të Zvicrës: Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin.
Sytë drejt “EURO 2024”
Këta dy futbollistë mund të luajnë kundër Kosovës më 9 shtator dhe 18 nëntor të vitit të ardhshëm, gjatë kualifikimeve për Kampionatin e ardhshëm Evropian, që do të mbahet në Gjermani.
Shortin që e vendosi Kosovën në Grupin I – bashkë me Zvicrën, Izraelin, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Andorrën – Federata e Futbollit e Kosovës e cilësoi si short të favorshëm, pasi tha se “iu shmang top-gjigantëve të futbollit evropian”.
Pas shortit, trajneri i Dardanëve, Alain Giresse, ishte shprehur veçanërisht i emocionuar për ndeshjet kundër Zvicrës, teksa shtoi se “duhet të shohim si mund të kualifikohemi”.
“Tani na mbetet të përgatitemi mirë, t’i vëzhgojmë kundërshtarët tanë dhe të përgatitemi për të qenë në kushtet më të mira që nga muaji mars dhe për ta filluar këtë cikël kualifikimesh me ambicie”, tha Giresse.
Faza kualifikuese nis në muajin mars dhe përfundon në nëntor të vitit të ardhshëm. Dhjetë fituesit dhe dhjetë nënkampionët e grupeve kualifikohen drejtpërdrejt në “EURO 2024”, ndërsa tri vendet e tjera plotësohen përmes fazës së play-offs.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, kishte thënë se “ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi në të gjitha drejtimet për t’u kualifikuar. Është momenti ynë”.
Nga Grupi I, edhe para fillimit të kësaj faze kualifikuese, Izraeli e ka të siguruar kualifikimin të paktën në fazën e play-offs për shkak të performancës së tyre në Ligën e Kombeve.
Fituesve të grupeve të Ligave A, B dhe C iu takon nga një vend në play-offs për kualifikim në EURO 2024. Nëse ata e sigurojnë kualifikimin edhe pa play-offs, atëherë vendi i tyre i shkon skuadrës më të mirë të radhës në ligën e tyre. Kosova u radhit e dyta në grupin e saj në Ligën e Kombeve, në Grupin 2 të Ligës C, të cilin e fitoi Greqia me gjashtë pikë më shumë.
Komplikime potenciale: Ndeshjet kundër Rumanisë
Mesfushori Drilon Cenaj është ndër të paktët futbollistë kosovarë që ka luajtur në Rumani, njëra nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Por, Cenaj thotë se kjo nuk pati ndikim negativ në përvojën e tij sa luante për Pandurii Targu Jiu gjatë viteve 2018 dhe 2019.
“Unë kurrë në atë kohë nuk kam pasur probleme pse jam shqiptar. Edhe lojtarët, edhe krejt kryesia e klubit e kanë ditur që jam shqiptar, por e kanë ditur që kam edhe pasaportë hungareze, kështu që nuk ka pasur ndonjë problem”, thotë për REL-in, Cenaj, që tani luan për Prishtinën.
Futbollisti 25-vjeçar thotë se bashkëlojtarët dhe tifozët ishin të kënaqur me të në aspektin profesional dhe nuk iu interesonte prejardhja e tij, përveç kur e pyesnin për situatën në Kosovë dhe për vizitat e tij aty.
Por, politika dhe sporti nuk janë mbajtur gjithmonë të pavarura nga njëra-tjetra.
Një ditë pas shortit për kualifikimet në EURO 2024, Federata e Futbollit e Rumanisë u raportua nga mediumi rumun GSP të ketë vënë dyshime mbi organizimin e ndeshjes kundër Kosovës.
“Duke marrë për bazë situatën gjeopolitike, Federata e Futbollit të Rumanisë do të ketë dialog me Qeverinë e Rumanisë për të mësuar kushtet për ndeshjet në të cilat përfaqësuesja jonë do të takohet me Kosovën”, u cituan të kenë thënë nga Federata rumune.
Federata e Futbollit e Kosovës tha për REL-in se “ne sigurisht se kemi kontaktuar me Federatën rumune, por ata asnjëherë nuk kanë shprehur dyshime në lidhje me zhvillimin e ndeshjes”.
“FFK-ja ka marrëdhënie të mira dhe korrekte me Federatën rumune, ashtu sikurse me çdo federatë tjetër”, thanë nga FFK-ja.
Megjithatë, Ministria e Sportit e Rumanisë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Federata rumune ka kërkuar sqarime nga qeveria për kushtet në të cilat mund të zhvillohet ndeshja kundër Kosovës.
Ata kanë thënë se është propozuar themelimi i një grupi punues të përbërë nga Ministria e Sportit, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Federata e Futbollit e Rumanisë pasi që thanë se ndeshja kundër Kosovës e sjell “një situatë që e pretendon një kontekst specifik ndërkombëtar”.
Por, lidhur me këtë propozim të bërë nga Federata rumune më 11 tetor ende nuk është vendosur pasi që po pritet një vlerësim nga Drejtoria e Ballkanit Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rumanisë.
Në të kaluarën, Kosova ka luajtur edhe me Kombëtare të tjera, vendet e të cilave nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Greqia dhe Qipro nuk e kishin cilësuar problematike, ndërsa një ndeshje kundër Ukrainës ishte zhvendosur në Poloni.
Vitin e kaluar, Federata e Futbollit e Spanjës gjithashtu kishte pretenduar se nuk do ta lejojë ekipin e Kosovës të luajë me flamurin e vendit, por në fund ndeshja ishte zhvilluar normalisht.
UEFA, organi qeverisës i futbollit në Evropë, në një përgjigje për REL-in, ka theksuar se nëse Rumania refuzon të luajë, do të ndiqen rregullat e përcaktuara në rregulloret në fuqi. Sipas këtyre rregullave, cilado skuadër që refuzon të luajë humb ndeshjen me rezultat 3:0, por rrezikon edhe të humbasë vendin në “EURO 2024”.
Berat Gjimshiti luajti në fundjavë ndeshjen e tij të 200 me fanellën e Atalantës, duke qenë pjesë e sfidës në ët cilën skuadra e tij mori kreun e klasifikimit të kampionatit.
Një arritje e rëndësishme për mbrojtësin, i cili është kthyer në një element shumë të rëndësishëm të këtij klubi, me statistikat që tregojnë qartësisht përse. Rezulton se që nga viti 2019 e deri më sot, ai ka koleksionuar 600 duele ajrore të fituara, 392 topa të vjedhur ndaj kundërshtarëve, 257 pasime të ndaluara dhe 790 duele në tokë të fituara.
Në këtë mënyrë, ai është lojtari i cili ka numrin më të lartë të statistikave të përgjithshme në krahasim me të gjithë shokët e repartit të mbrojtjes, ndërsa në dy sezonet e fundit, rezulton se ka qenë numri 1 brenda skuadrës në secilën prej këtyre statistikave.
Ekipi Kombëtar i Kosovës në fotografinë zyrtare para fillimit të ndeshjes Rumani – Kosovë, në stadiumin e Bukureshtit | Foto: FFK
Federata e Futbollit të Kosovës ka publikuar kalendarin e ndeshjeve, që Kombëtarja e Kosovës do t’i zhvillojë gjatë kualifikimeve për Kampionatin Botëror të Futbollit, i cili mbahet më 2026 në SHBA, Meksikë e Kanada.
Kosova garon në Grupin B, ku ndodhen edhe Zvicra, Suedia e Sllovenia.
Sipas FFK-së, dardanët këtë cikël kualifikues e nisin më 05.09.2025 si mysafirë kundër Zvicrës dhe tri ditë më pas ballafaqohen në shtëpi me Suedinë.
UEFA ka konfirmuar kalendarin e plotë të ndeshjeve, që do të luhen në kuadër të kualifikueseve për Botërorin 2026. Serbia do ta nisë rrugëtimin e saj kundër Shqipërisë në stadiumin “Arena Kombëtare.
Ky takim, më 7 qershor të vitit 2025 në orën 20:45, do të luhet pa praninë e tifozëve serbë. Kjo pasi UEFA ka dënuar federatën serbe, që dy ndeshjet e ardhshme në transfertë t’i luajë pa tifozë.
Udhëtimi i parë ndodhi të jetë në Tiranë. Ndërkohë nuk dihet nëse tifozët kuqezi do të lejohen në Serbi.
Kjo për shkak të incidenteve të 10 viteve më më parë, që ndodhën në Beograd. Dhe pse tifozët shqiptarë mungonin, sërish trazirat e serbëve sollën ndërprerjen e ndeshjes, që më pas u fitua 0-3 në tavolinë nga Shqipëria.
Shqipëria zbuloi ditën e sotme kundërshtarët me të cilët do të përballet në kualifikueset e Botërorit. Shorti i vuri përballë kuqezinjtë me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën në Grupin F.
Rrugëtimin skuadra e Silvinjos do ta nisë të premten e 21 marsit në orën 20:45 në transfertë. Pas 3 ditësh, më 24 mars, Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë në shtëpi ndaj Andorrës, në orën 20:45.
Dy ndeshjet e radhës janë në qershor 2025. Ndeshja Shqipëri – Serbi do të luhet më 7 qershor, në orën 20:45. Pas 3 ditësh, më 10 qershor, kuqezinjtë do të udhëtojnë në transfertë për t’u përballur me Letoninë. Takimi do të luhet në orën 20:45.
Në shtator, skuadra kuqezi do të luajë vetëm një ndeshje në shtëpi. Takimi Shqipëri – Letoni do të luhet më 9 shtator, në orën 20:45.
Edhe në tetor, në program është vetëm një ndeshje në transfertë. Ndeshja Serbi – Shqipëri do të zhvillohet më 11 tetor, në orën 20:45.
Shqipëria do të mbyllë rrugëtimin në kualifikueset e Botërorit 2026 në muajin nëntor. Sfida Andorrë – Shqipëri do të luhet më 13 nëntor, në orën 20:45.
Ndeshja e fundit do të luhet në stadiumin kuqezi “Arena Kombëtare”. Supersfida Shqipëri – Angli do të luhet më 16 nëntor, në orën 20:45.
“The Sun” ka pasqyruar situatën në grupin K për kualifikueset e Botërorit 2026.
Aty ndodhet Anglia, të cilës goglat i rezervuan përballë Shqipërinë, Letoninë, Andorrën dhe Serbinë.
Këto të fundit raportohen dhe si testi i vështirë duke i bërë kështu “dalje” kuqezinjve të Silvinjos. Kujtojmë se Shqipëria në të gjashtë përballjet me Anglinë njeh vetëm humbje.
Media britanike ka prekur rivalitetin mes Shqipërisë dhe Serbisë. Në pasqyrimin e saj tregon dhe për situatat e fundit që kanë ndodhur dhe pse të dyja përfaqësueset nuk kanë qenë duke u ndeshur bashkë.
“The Sun” ka krijuar një sondazh ku pyet ndjekësit e saj, për rivalin më të vështirë të grupit. Me 72.3% votuesit kanë zgjedhur Serbinë. Shqipëria ka 17% të votave, ndërsa Andorra 7.3% dhe Letonia 3.4%. Panorama
Anglia është një nga kundërshtarët e Shqipërisë në grupin K, për kualifikueset e Botërorit 2026. Trajneri Tuhel ishte i pranishëm në Zyrih, ndërsa më pas një video u postua me mesazhin e tij drejtuar tifozëve.
“Përshëndetje të gjithë tifozët anglezë, sot ishte një ditë emocionuese. E dimë grupin tonë, katër kundërshtarë të fortë si Serbia, Shqipëria, Letonia që është një sfidë e re për ne, dhe Andorra.
Mezi pres të filloj në janar dhe mezi pres t’ju shikoj në mars ku do të luajmë ndeshjet e para. Të vazhdojmë bashkë. Përshëndetje më të mira nga Zyrih, shihemi së shpejti”, shprehet Tuhel.
Datat e sfidave nuk janë vendosur akoma. Çfarë dihet është se ky rrugëtim nis në mars dhe mbyllet në nëntor.
Nico Elvedi i Zvicrës në duel me Strahinja Pavloviqin e Serbisë gjatë një ndeshjeje të Ligës së Kombeve, tetor 2024.
Shtëpia e futbollit evropian, UEFA, e ka dënuar të premten Federatën e Futbollit të Serbisë për sjellje raciste të tifozëve serbë në dy ndeshje të Ligës së Kombeve, përfshirë për përpjekjet e tyre për ta djegur flamurin e Shqipërisë në Zvicër.
Vendimi u bë i ditur të premten, pak orë pasi shorti i FIFA-s i vuri Serbinë dhe Shqipërinë në të njëjtin grup kualifikues për Kupën e Botës 2026 – që nënkupton se ato do të përballen ndërmjet veti dy herë, vajtje-ardhje.
Të hënën, komiteti ekzekutiv i UEFA-s pritet të konfirmojë se Serbia dhe Shqipëria do ta organizojnë bashkërisht Kampionatin Evropian të futbollit për nën 21-vjeçarët në vitin 2027.
Gjatë ndeshjes Zvicër –Serbi në nëntor, tifozët serbë u xhiruan duke tentuar t’ia vënë zjarrin një flamuri të Shqipërisë.
Kombëtarja zvicerane ka futbollistë që kanë lidhje familjare me Shqipërinë apo Kosovën, përfshirë kapitenin e saj, Granit Xhaka.
UEFA tha se komiteti i saj disiplinor e akuzoi Federatën e Serbisë për “sjellje raciste dhe/apo diskriminuese” në Zvicër, më 15 nëntor, si dhe në shtëpi kundër Danimarkës tri ditë më vonë.
UEFA tha se ia ndaloi federatës serbe të shesë bileta për dy ndeshjet e ardhshme të kombëtares jashtë vendit në garat e UEFA-s, si dhe e urdhëroi t’i mbyllë pjesë të stadiumit për dy ndeshjet e ardhshme në shtëpi.
UEFA gjithashtu e ka gjobitur federatën serbe me 173.000 euro në total.
Serbia është dënuar nga UEFA edhe në të kaluarën për incidente të ngjashme.
Ndeshjet mes Serbisë dhe Shqipërisë në kualifikimet e vitit të ardhshëm për Kupën e Botës do të jenë të parat prej se ato u takuan në kualifikimet për Kampionatin Evropian të vitit 2016.
Ndeshja në Beograd në tetorin e vitit 2014 u braktis në mënyrë kaotike, pas futjes së një droni që barte një flamur nacionalist shqiptar mbi fushë. REL
Shqipëria është në Grupin K, bashkë me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën, në kualifikueset e Botërorit 2026. Tifo-grupi “Tifozat Kuq e Zi”, menjëherë pas hedhjes së goglave, nuk kanë hezituar që të bëjnë një postim në rrjetet sociale.
“A jemi live”- shkruan TKZ, përkrah fotos përkatëse. Tifozët e kombëtares premtojnë spektakël në kualifikuese, duke i ndihmuar kuqezinjtë për objektivin madhor, kualifikimin në Botëror.
Bajer Leverkusen mposhti të martën 1-0 Interin në Ligën e Kampionëve. Goli i Nordi Mukiele në minutën e fundit të ndeshjes i dha tri pikë “Aspirinave”, duke bërë që italianët të pësojnë humbjen e parë pas gjashtë ndeshjeve në këtë turne. Nëse lëmë pas Mukiele, që si autori i golit të vetëm u shpall lojtari i ndeshjes, një rol kyç në mesin e fushës për gjermanët kishte edhe Granit Xhaka. Mesfushori shqiptar “fiku” rivalët me performancën e tij dhe sipas “SofaScore” me notën 7.9 është futbollisti i dytë më i vlerësuar i takimit.
Xhaka bëri 113 prekje, ndërsa nga 104 pasime ai kompletoi 98, me 94 përqind saktësi. Ai kishte katër topa të gjatë të saktë, ndërsa fitoi katër nga katër duele. Mesfushori shqiptar kishte edhe dy pasime kyçe dhe një ndërhyrje të saktë. Pas ndeshjes Graniti tha se duhet të punojnë për të marrë të tjera pikë. “Të gjithë duhet të punojmë shumë deri në Krishtlindje. Ne kemi nevojë për pikë, nëse luajmë në mënyrë kaq të kontrolluar, fitojmë ndeshje. Ndaj Interit ishim totalisht dominuese. Është fakt që ata nuk e goditën në asnjë rast portën tonë”, tha Xhaka. Bajer Leverkusen grumbullon 13 pikë në renditje.
VLERËSIMI NGA KLINSMAN – Ndërkohë legjenda gjermane, Jyrgen Klinsman, e ka lavdëruar mesfushorin shqiptar, Granit Xhaka. Klinsman deklaroi se Xhaka jo vetëm në fushë, por edhe në dhomat e zhveshjes është lider. Kështu ka raportuar të martën për “Bild”. 60-vjeçari ka shtuar se Xhaka është prej futbollistëve kryesor te skuadra e Bajer Leverkusenit. “Kur vjen puna për të udhëhequr ekipin, askush nuk është si Granit Xhaka.
Ai është lideri, futbollisti kryesor në dhomat e zhveshjes. Pa dyshim edhe Florian Virc po bëhet një futbollist gjerman i jashtëzakonshëm”, ka thënë Klinsman. Xhaka është duke e kaluar edicionin e dytë te skuadra e drejtuar nga trajneri Ksabi Alonso. 32-vjeçari në sezonin e parë me klubin gjerman e fitoi titullin e kampionit në Bundesligë, Kupën dhe Superkupën e Gjermanisë, sikurse ishte finalist edhe në Ligën e Europës. Graniti është i lidhur me “Aspirinat” deri në verën e vitit 2028.
Futbollisti i Vushtrrisë, Erjon Morina, ka ndërruar jetë pasi për më shumë se një muaj ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Lajmin e hidhur për vdekjen e 22-vjeçarit e ka dhënë babai i tij përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Ylli babit ike ne qiell. Na thave zemrat Erjon! Do jetojme te ngrysur me kujtimet me te bukura per ty! Do jesh ylli qe do na ndriç gjithmonë”, ka shkruar Ilir Morina.
Në fund të tetorit, Morina kishte mbetur i shtrirë në fushë gjatë stërvitjeve me Vushtrrinë. Më parë kishte luajtur edhe te Prishtina e Drenica.
FIFA ka konfirmuar se Arabia Saudite do të jetë organizatore e Kupës së Botës 2034. Kjo është arritja më e fundit e mbretërisë së pasur në naftë, e cila ka bërë shpenzime masive për sportet të nxitura nga Princi i kurorës Mohammed bin Salman.
Vendimi vjen pas një periudhe 15-mujore përgjithësisht jotransparente, gjatë të cilës presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino e orientoi procesin drejt Arabisë Saudite pa një vend tjetër kandidat dhe pa pranuar pyetje.
Sipas grupeve të të drejtave të njeriut vendimi do të vendosë në rrezik jetët e punëtorëve emigrantë. FIFA dhe zyrtarët sauditë thonë se organizimi i kupës 2034 do të përshpejtojë ndryshimin, duke sjellë ndër të tjera edhe më shumë liri dhe të drejta për gratë.
Spanja, Portugalia dhe Maroku do të jenë mikpritës të përbashkëta të turneut të vitit 2030, ka konfirmuar FIFA. Tre ndeshje në turneun e vitit 2030 do të zhvillohen gjithashtu në Argjentinë, Paraguaj dhe Uruguai për të shënuar 100 vjetorin e kompeticionit.
Mikpritësit për të dy Kupat e Botës u konfirmuan në takimin e jashtëzakonshëm të Kongresit të FIFA-s. Të 211 vendet anëtare të FIFA-s u përfaqësuan në takim përmes një takimi në internet të organizuar nga zoti Infantino në Zyrih.
Vendimi për t’i dhënë Arabisë Saudite, Kupën e Botës 2034 pritet të sjellë gati një dekadë vëmendje të shtuar ndaj ligjeve saudite të punës dhe trajtimin e punëtorëve, përgjithësisht nga Azia Jugore, që nevojiten për të ndërtuar dhe përmirësuar 15 stadiume, së bashku me hotele dhe rrjete transporti, përpara mbajtjes së kupës me 104 ndeshje.
Një prej stadiumeve është planifikuar të jetë 350 metra mbi nivelin e tokës në Neom – një qytet modern që nuk ekziston ende – dhe një tjetër që do të ketë emrin e princit të kurorës, është projektuar të ndërtohet në një kodër 200 metra të lartë pranë Riadit.
Gjatë procesit, FIFA pranoi një shqyrtim të kufizuar të gjendjes së të drejtave të njeriut në Arabinë Saudite, që u kritikua gjerësisht këtë vit në Kombet e Bashkuara.
Aktivistët dhe grupet e të drejtave të njeriut saudite dhe ndërkombëtare e paralajmëruan FIFA-n se nuk ka nxjerrë mësime nga përgatitjet shumë të kritikuara të Katarit për të organizuar Kupën e Botës 2022.
Mbretëria planifikon të shpenzojë dhjetëra miliarda dollarë për projekte të lidhura me Kupën e Botës, në kuadrin e projektit të gjerë të princit të kurorës, Vizioni 2030, që synon të modernizojë shoqërinë dhe ekonominë saudite. Në thelb të projektit janë shpenzimet për sportet nga Fondi për Investimet Publike prej 900 miliardë dollarësh, të mbikëqyrur nga princi. Kritikët e kanë quajtur një “pastrim nëpërmjet sporteve” të reputacionit të mbretërisë saudite.
Princi ka ngritur lidhje të afërta pune me zotin Infantino që nga viti 2017, duke zgjedhur përafrimin në vend të konfrontimit, siç ndodhi gjatë projektit të debatueshëm të golfit LIV.
Rezultati për Arabinë Saudite dhe FIFA-n ishte përparimi pa pengesa drejt miratimit të organizimit të Kupës së Botës 2034, me kundërshti të pakëta nga zyrtarët e futbollit dhe përgjithësisht nga lojëtaret e futbollit për gratë. Investimet e vazhdueshme saudite për futbollin ndërkombëtar pritet të rriten.
FIFA krijoi një kategori të re më të lartë sponsorësh për Kupën e Botës, për firmën shtetërore të hidrokarbureve Aramco. Gjithashtu, financimet saudite pritet të mbështesin Kupën e Botës 2025 në Shtetet e Bashkuara, një projekt në të cilin është përfshirë personalisht zoti Infantino.
CONCACAF, një konfederatë për futbollin në Amerikën Veriore, nënshkroi një kontratë disavjeçare me Fondin saudit të Investimeve Publike. Stadiumet saudite mirëpresin organizimin e lojërave për Italinë dhe Spanjën për kampionatin Super Cup, si dhe gati 50 federata anëtare të FIFA-s kanë nënshkruar marrëveshje me federatat saudite.
Klubet saudite të futbollit, në pronësi të Fondit të Investimeve Publike, kanë bërë shpenzime të mëdha gjatë dy viteve të fundit për blerjen dhe pagesat e lojëtarëve si Cristiano Ronaldo, Neymar, Karim Benzema dhe Sadio Mane, duke futur kështu qindra miliona dollarë në futbollin evropian.
Kjo influencë ka qenë thelbësore gjatë bisedimeve për të rënë dakort se në cilët muaj do të zhvillohet Kupa e Botës 2034. Periudha nëntor-dhjetor që u shfrytëzua nga Katari në vitin 2022 për të shmangur të nxehtin ekstrem të verës, komplikohet për vitin 2034 nga muaji i shenjtë i Ramazanit që vazhdon deri në mesin e dhjetorit. Gjithashtu, në atë periudhë Riadi pritet të organizojë edhe Lojërat Aziatike.
Një opsion i mundshëm dhe ndoshta më i përshtatshëm për klubet dhe kampionatet evropiane do të ishte janari 2034, pasi Komiteti Olimpik Ndërkombëtar tha se nuk shikon probleme për shkak të afërsisë me mbajtjen në shkurt 2034 të Lojërave Dimërore Olimpike në Salt Lake City, Utah, të Shteteve të Bashkuara. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka arritur dhe një marrëveshje të rëndësishme komerciale me Arabinë Saudite për organizimin e Lojërave të reja Olimpike Esports.
6 muaj pa prekur fushën me këmbë në një ndeshje zyrtare në Premier League ishin një përjetësi për Armando Brojën. Merr fund makthi për “bomberin” kuqezi, me Brojën që bëri debutimin zyrtar me fanellën e Everton në sfidën kundër Wolves.
Armando Broja u hodh në fushë në minutën e 83-të pasi Everton kishte mbyllur llogaritë me “ujqërit” teksa kryesonte 4-0. Brojës i mjaftuan pak minuta në fushë për të treguar të gjithë potencialin e tij shpërthyes.
Në përfundim të ndeshjes, Broja mori duartrokitjen e tifozëve dhe të gjithë lojtarëve të Everton, ndërsa sulmuesi kuqezi nuk e fshehu gëzimin për rikthimin e tij në fushë pas një pauze kaq të gjatë:
“Përshëndetje të gjithëve, përshëndetje tifozëve të Evertonit. Faleminderit shumë që erdhët në ndeshjen time sot, jam i lumtur që u riktheva nga dëmtimi dhe të jem në fushë, është një moment shumë i veçantë për mua. Jam shumë i lumtur për rikthimin, ishte një fitore e mrekullueshme. Do jemi sërish të shtunën dhe ju presim ndaj Liverpulit. Faleminderit shumë që erdhët, do të thotë shumë”, u shpreh Broja.
Jo vetëm fitorja 4-0, trajneri Sean Dyche u shfaq i kënaqur edhe për rikthimin e Armando Brojës: “Në thjesht dëshironim ta përfshinim në lojë. Ai ka pritur një kohë të gjatë, ka punuar shumë, shumë fort”, u shpreh trajneri i Everton.bw
Komentet