Kosova që nga nëntori ka rritur me 100 përqind tarifat doganore për importet nga Serbia. Një reagim ky ndaj pengimit që i bëri Serbia antarësimit të Kosovës në Interpol pak më parë. Këto imponime reciproke krijojnë uverturën e një ashpërsimi kërcënues të krizës mes serbëve dhe kosovarëve. Ndërsa BE-ja shtyn sërish liberalizimin e dëshiruar prej kohësh të vizave për qytetarët e Kosovës, që gjë e ushqen edhe më shumë zhgënjimin prej BE-së. Etapa pasuese e përshkallëzimit kërcënon tani më 14 dhjetor. Parlamenti në Kosovë do të vendosë hapjen e procesit të themelimit të një ushtrie të vetën. Më keq nuk bëhet. Aktualisht, politikanët janë duke bërë fakt të kryer një zgjidhje afatgjatë të çështjes së Kosovës, po kjo është e ndryshme nga ajo që mendojnë ndërmjetësuesit europianë.
Çfarë ka ndodhur?
Pas vitesh të tëra bllokimi në një „konflikt të ngrirë,” për herë të parë më 2018 në arenën ndërkombëtare u diskutua dhe u bisedua hapur për këmbim territoresh dhe zhvendosje kufijsh midis Serbisë dhe Kosovës, – një thyerje e madhe tabush në sistemin europian të vlerave! Vetë presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kolegu i tij kosovar Hashim Thaçi, e hapën këtë temë dhe biseduan për të. Ideja kryesore është, që territoret me shumicë popullsie serbe në Veri t’i (ri)jepen Serbisë, kurse territoret me shumicë shqiptare në Jug të Serbisë t’i jepen Kosovës.
Adelheid Feilcke
Askush nuk flet më zyrtarisht për këtë lloj zgjidhjeje, pas një grindjeje të ndodhur gjatë një takimi të zhvilluar në Bruksel në verë, nga i cili presidenti serb u largua me zemërim, për të dalë disa ditë më vonë përpara popullsisë serbe në Veri të Kosovës, e për ta përbetuar atë ndaj kursi të njohur prej kohësh: Kosova është Serbi. Asnjë gjurmë për kompromis nuk duket. Ndërsa në Kosovë presidenti Thaçi, u kritikua ashpër nga qeveria për planet e tij të ndarjes. Kryeministri Ramush Haradinaj, me të cilin Thaçi ka qenë bashkëluftëtar në luftën e Kosovës, mobilizoi politikën dhe publikun kundër këmbimit të territoreve.
Por, megjithë paralajmërimet e shumta nga politika europiane, kryesisht nga Gjermania, për të mos vendosur kufij etnikë, tema nuk është hequr nga tavolina. Herë pas here thuhet se Vuçiq dhe Thaçi, vazhdojnë bisedimet. Ndërkohë ndikimi i BE-së, që drejtoi për vite me radhë dialogun midis vendeve, është duke rënë dukshëm: Për shtetet e Ballkanit nuk ekzistojnë më stimujt tërheqës dhe sigurisht as shumë potencial kërcënues: Perspektiva e pranimit të Serbisë, që në fillim të vitit u tha jo fort e qartë për vitin 2025, nuk përmendet sot prej askujt në Bruksel me ndonjë datë konkrete. Edhe në Kosovë, e cila nuk është njohur ende si shtet i pavarur nga pesë vende anëtare të BE-së, nuk ndihet më euforia e dikurshme për BE-në, pas shtyrjes për të disatën herë të liberalizimit të vizave, megjithëse vendi i ka plotësuar kushtet. Kështu popullsia kosovare mbetet e vetmja në rajon, që vazhdon të mos lejohet të udhëtojë e lirë “për në Europë”.
Zhgënjimi i kosovarëve
Zhgënjimi i kosovarëve është shumë i madh. Të gjithë kosovarët kanë familjarë në Gjermani, ose në ndonjë vend tjetër të BE-së. Kosova jeton prej lëvizjeve midis këtyre dy botëve. Rrugëzgjidhja e vetme është një pasaportë, që siguron lirinë e udhëtimit. Këtë pasaportë e ka fqinji jugor, Shqipëria. Kryeministri shqiptar Edi Rama, u pati premtuar hapur kosovarëve se do t’u japë pasaportën shqiptare, nëse BE refuzon sërish liberalizimin e sistemit të vizave. Koha për këtë ka ardhur.
Edhe diçka tjetër i ofron Shqipëria fqinjit verior: lidhjet ekonomike. Me këtë Shqipëria bëhet një alternativë e fortë ndaj Serbisë, prej së cilës Kosova ka qenë deri tani e varur ekonomikisht. Por, kur Serbia pengoi Kosovën të bëhet anëtare e Interpolit, Kosova menjëherë rriti tarifat doganore mbi mallrat serbe, duke paralizuar thuajse krejtësisht importet. Pavarësisht nga thirrjet dhe paralajmërimet e ndërmjetësuesve dhe ekspertëve ndërkombëtarë, qeveria kosovare vazhdon të këmbëngulë në vendimin e saj, duke prerë kështu linjat më të rëndësishme të tregtisë nga Serbia. Boshllëkun e krijuar e plotëson tani Shqipëria.
Pak ditë pas fillimit të konfliktit doganor, në qytetin kosovar të Pejës u zhvillua një takim që tërhoqi vëmendjen: Më 26 nëntor qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë u takuan nën moton: një popull, një gjuhë, një ëndërr. Të dy kabinetet qeveritare ranë dakord për synimet e përbashkëta dhe me ndikim të gjerë në fushën politike, ekonomike dhe kulturore: Së bashku në rajon dhe drejt Europës, me dy koka por me një zë, ishte mesazhi i qartë dhe patetik i takimit, që politikanët e manifestuan me një fotografi në grup, duke bërë simbolin e shqiponjës dykrenare shqiptare. Një simbol i urryer ky në Serbi.
Ky solidaritet me Shqipërinë do të thotë një dinamikë e re në rajon: Kosova tani do të bëhet e pavarur nga Serbia jo vetëm politikisht por edhe ekonomikisht. Ata që vuajnë janë serbët e Kosovës veriore, që janë shkëputur nga Serbia, por refuzojnë edhe futjen në strukturat kosovare. Kufijtë etnikë brenda Kosovës janë thelluar.
Interesat e rusëve dhe të amerikanëve
Nuk përjashtohet mundësia që zhvillimet e javëve të fundit të çojnë në ndarjen faktike të Kosovës, dhe në afat të gjatë krijimin e një federate të pjesës së mbetur të Kosovës, me Shqipërinë. Analistët dhe politikanët e rajonit janë duke luajtur tashmë me këtë skenar.
Një përfytyrim traumatik ky për serbët. “Shtëpia e varfër Kosovë” ndonëse ekonomikisht nuk ka ndonjë domethënie të madhe për Serbinë, rëndësia e saj është e argumentuar më shumë në mënyrë emotive se sa racionale, duke e ankoruar fort Fushë Kosovën në memorjen kolektive të serbëve si bërthamën historike të Serbisë.
Edhe vringëllimat e shpatave i përshtaten kësaj perspektive: Serbia kërcënon me luftë, nëse Kosova do të vendosë të premten krijimin e një ushtrie të vetën dhe do të dërgojë trupa në veri. Edhe nëse në Kosovë janë dislokuar katër mijë ushtarë ndërkombëtarë të KFOR-it, që duhet të sigurojnë kufijtë dhe paqen, nuk përjashtohet mundësia e një aksioni të Serbisë për mbrojtjen e popullsisë serbe në veri. Kështu të paktën kërcënon kryeministrja serbe, Ana Brnabic: “Unë shpresoj, që ne asnjëherë të mos na duhet të mobilizojmë ushtrinë”, formulon ajo me vetëdije në mënyrë evazive. Kështu do të realizohej faktikisht spostimi i kufijve, sikurse janë duke diskutuar politikisht Vuçiq dhe Thaçi.
Ndonjë përshkallëzim tjetër ushtarak i situatës ka pak gjasa që të ndodhë, sepse Kosova ndodhet nën mbrojtjen direkte të Amerikës, duke pasur me Bondsteel-in një nga bazat më të mëdha amerikane jashtë SHBA-së. Ambasadori i SHBA-së, ndryshe nga përfaqësuesit e tjerë të NATO-s, është shprehur tashmë pozitivisht për krijimin e ushtrisë. Një qendrim disi më të rezervuar ka shprehur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg. Themelimin e ushtrisë ai do ta marrë si shkas për të rishqyrtuar angazhimin e NATO-s në këtë vend. Më alarmuese tingëllojnë tonet nga Moska, sipas së cilës: Krijimi i një ushtrie kosovare mund “të kishte pasoja të rënda jo vetëm për popullsinë serbe në rajon, por edhe për sigurinë në mbarë Ballkanin.”
Komentet