Nga shkurti, në Kosovë do të nisë imunizimi i djemve me vaksinën kundër papilloma virusit (HPV), pasi një vaksinë e tillë nisi të administrohej për vajzat vitin e kaluar.
Në një konferencë për media, të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, u tha se që nga nisja e procesit të imunizimit, 10.000 vajza janë vaksinuar kundër këtij virusi.
Çfarë është papilloma virusi (HPV)?
Papilloma virusi (HPV) është një infektim që transmetohet seksualisht. Pothuajse të gjithë personat që janë seksualisht aktivë, në një moment të caktuar të jetës infektohen me këtë virus, por në shumicën e rasteve nuk shfaqin simptoma.
Në grupin e HPV-së hyjnë më shumë se 200 lloje të viruseve. Në shumicën e rasteve, ky virus nuk shkakton shqetësim, por infektimi me disa lloje të tij mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore dhe kancer.
HPV-ja mund të prek lëkurën, zonën gjenitale dhe fytin.
Prezervativët mund të ndihmojnë në mbrojtjen kundër infektimit me HPV, por nuk ofrojnë mbrojtje të plotë.
Më 2019, HPV-ja vlerësohet se ka shkaktuar 620.000 raste të kancerit te gratë dhe 70.000 raste të kancerit te burrat, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Rastet e kancerit me HPV mund të parandalohen përmes vaksinimit të hershëm.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se nisja e imunizimit të djemve me vaksinën HPV është hap thelbësor drejt parandalimit të sëmundjeve serioze.
“HPV është virus i rrezikshëm. Kanceret që mund të shkaktohen nga ky virus nuk bëjnë dallime dhe vaksinimi i djemve është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për të mbrojtur edhe ata nga pasojat shëndetësore në të ardhmen”, tha Vitia.
Sipas tij, HPV shkakton probleme shëndetësore edhe te djemtë edhe te vajzat si dhe lloje të ndryshme të kancereve.
Kosova vitin e kaluar futi në kalendarin e imunizimit vaksinën HPV. Vajzat e vaksinuara janë të moshës 11-12 vjeç.
E njëjta grup-moshë e djemve synohet të imunizohet, thanë nga MSH-ja dhe IKSHPK-ja, përfaqësuesit e të cilëve u bënë thirrje prindërve që të imunizojnë fëmijët e tyre.
Autoritetet bënë të ditur se veçse janë shpërndarë në nivel vendi, dozat e kësaj vaksine do të jepen falas.
Paralelisht me nisjen e imunizimit të djemve, do të vazhdojë edhe vaksinimi i vajzave.
Më 2022, Kosova kishte siguruar dozat e para të vaksinës, marrja e së cilës është e rekomandueshme, por jo e detyrueshme.
Që nga nisja e dhënies së kësaj vaksine, Fetije Fetaj, nga IKSHPK tha se nuk është raportuar për asnjë rast që ka pasur efekte të rënda anësore.
Rekomandimet për vaksinat HPV
Sipas një studimi të bërë më parë nga organizata “Cancer Research”, me seli në Britani, vaksina HPV zvogëlon rastet e kancerit të qafës së mitrës për gati 90 për qind.
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se vaksinat HPV funksionojnë më mirë nëse ato administrohen para ekspozimit ndaj papilloma virusit.
Klinika Mayo në Shtetet e Bashkuara thotë se vaksina HPV i jep trupit një mënyrë të sigurt për të ndërgjegjësuar sistemin imunitar për HPV-në. Kjo nënkupton se trupi e ka më të lehtë që të pastrojë gjurmët e virusit, nëse një person infektohet më vonë me të.
Ndërkaq, OBSH-ja rekomandon që vajzave nga mosha 9 deri në 14 vjeç të vaksinohen me një apo dy doza. Rekomandimi njëjtë vlen edhe për vajzat dhe gratë të moshës 15 deri në 20 vjeç.
OBSH, ndërkaq, rekomandon dy doza, në një interval prej gjashtë muajsh, për gratë më të vjetra se 21 vjeç.
“Një minimum prej dy dozash dhe kur është e mundshme edhe prej 3 dozash mbeten të nevojshme për ata persona që dihet se e kanë të kompromentuar sistemin imunitar apo janë të infektuar me HIV”, thuhet në rekomandimet e organizatës.
OBSH po ashtu thotë se përveç vaksinimit të vajzave 9-14 vjeç, para se të nisin të jenë seksualisht aktive, rekomandohet që të vaksinohen edhe djemtë, kur është e mundur.
Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e sëmundjeve (CDC) thonë se vaksina HPV nuk rekomandohet për personat mbi 26 vjeç.
Por, vaksinimi i personave mbi 26 vjeç e deri në 45 vjeç mund të bëhet vetëm me rekomandimin e mjekut.
“Vaksina HPV sjell pak përfitime në këtë grup-moshë, për disa arsye, përfshirë edhe atë se më shumë njerëz të këtij grupi veçse mund të jenë ekspozuar ndaj HPV-së”, thuhet në ueb-faqen e CDC-së.
Vaksina HPV në kalendarin e vaksinimit të disa vendeve të rajonit
Në disa vende të Ballkanit Perëndimor, vaksina HPV është në kalendarin e detyrueshëm të vaksinimit. E fundit që futi në kalendar këtë vaksinë ishte Shqipëria, në nëntor të bitit 2022.
Në shtator të po atij viti, Mali i Zi kishte nisur administrimin e kësaj vaksine.
Maqedonia e Veriut e ka këtë vaksinë në kalendar që nga viti 2013 dhe vaksina është e detyrueshme për grup-moshën 12 deri në 26 vjeçe dhe jepet në tri doza.
Në kalendarin e vaksinimit të Serbisë është po ashtu HPV. Në këtë shtet, kjo vaksinë rekomandohet të merret, por nuk është e obligueshme.
Vaksina HPV jepet edhe në Bosnje e Hercegovinë, ndonëse nuk është e obligueshme. REL