Prishtinë – Dita e hënë (25 shtator) do të jetë ditë zie kombëtare në nderim të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë pas një sulmi të organizuar nga një grup kriminal ende i paidentifikuar saktë për organet e rendit.
Ishte një sulm terrorist.
Gjithçka filloi në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit, kur një grup i armatosur rëndë në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – qëlluan me armë zjarri mbi trupat e Policisë së Kosovës, duke shuar jetën e një zyrtari policor.
Grupi që ngriti në nivele të larta shkallën e egërsisë në veri, sipas autoriteteve kosovare, nuk ka qenë në përbërje të civilëve të rëndomtë që ngrenë krye herë pas here në këtë zonë, por ka ngërthyer brenda vetes së paku 30 pjesëtarë të trajnuar, ushtarakë e paramilitarë serbë,
“Sulmi ka ardhur dhe po vazhdon akoma nga njësitet profesionale të përgatitura dhe me një përbërje prej mbi 30 personave, të uniformuar, të maskuar dhe të pajisur ushtarakisht, me mjete të blinduara dhe armë të rënda të llojeve të ndryshme”, tha paraditen e së dielës Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Svecla, përmes një kumtese në rrjete sociale.
Pjesëtarët e këtij grupi, pas vrasjes së policit kosovar në krye të detyrës dhe plagosjes së tre policëve të tjerë, gjetën strehë në Manastirin e Banjskës, ku u barrikaduan për orë të tëra dhe shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së diel, duke tentuar të provokonin kryengritje më të gjërë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, grupin e personave që kreu sulm të armatosur në Veri, ku mbeti tragjikisht i vrarë një oficer policie e cilësoi “formacion profesionist” të mbështetur e finacuar nga Serbia. Ai tha se shteti do të ngadhënjejë gjithmonë kundër bandave dhe dhunuesve të rendit e ligjit.
“Bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal, profesionist, i cili e ka planifikuar dhe përgatitur gjatë këtë çfarë ka kryer sot. Nuk paraqet një bandë të kontrabandës, por një strukturë mercenare, e cila është e përkrahur politikisht, financiarisht e logjistikisht nga Beogradi”, tha kryeministri.
Kjo bandë që cenoi sigurinë dhe paqen në veriun e trazuar të vendit, u neutralizua nga Policia e Kosovës dhe operacioni policor gëzoi mbësheje të gjërë ndërkombëtare. Tre pjesëtarë të bandës terroriste u vranë, tre të tjerë u plagosën dhe gjashtë u arrestuan, ndërsa të tjerët u arratisën në Serbi.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) folën me gjuhën ekzakte. Jeffrey Hovenier, ambasadori amerikan në Prishtinë, dënoi ashpër “sulmet e dhunshme dhe të orkestruara” ndaj Policisë së Kosovës, ndërsa kërkoi që dhunuesit të mbahen përgjegjës dhe të përballen me drejtësinë.
“Policia e Kosovës ka legjitimitet të plotë për të garantuar sundimin e ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ne e pranojmë dhe respektojmë rolin e saj si përgjigja e parë ndaj emergjencave dhe situatave të krizës”, tha ambasadori Hovenier herët në mëngjes.
Reagimi i Bashkimit Evropian (BE) ndaj vrasjes së policit kosovar në krye të detyres nga një bandë e organizuar terroriste fillimisht ishte ngurrues. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, kërkoi “vërtetimin e fakteve” për sulmin ndaj policisë.
Megjithatë, ndonëse e dënoi “në termat më të ashpër të mundshëm” sulmin ndaj organeve të rendit dhe kërkoi që “autorët përgjegjës të përballen me drejtësinë”, njëkohësisht bëri thirrje që “të gjitha palët” t’i ndalin “veprimet armiqësore” në veriun e vendit që tash e një kohë nuk gjen prehje.
“Më shumë jetë të pafajshme janë në rrezik nga vijimësia e akteve armiqësore rreth Manastirit të Banjskës. Këto sulme duhet të ndalen menjëherë”, tha kryediplomati evropian përmes një komunikate, derisa bëri thirrje që palët të punojnë në de-përshkallëzimin e situatës.
Në deklaratën e dytë, tonet ishin më të ashpra. U hoqën të gjitha dilemat. Dhuna ndaj Policisë së Kosovës u cilësua “sulm i tmershëm terrorist dhe frikacak”, derisa Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, thjesht bëri thirrje që palët t’i kthehen negociatave për normalizimin e marrëdhënieve.
“Dënoj fuqishëm sulmin e tmerrshëm kundër Policisë së Kosovës. Dhuna e çfarëdo forme është absolutisht e papranueshme. Zemra ime shkon për viktimat, familjet dhe kolegët e tyre. Autorët duhet të dalin para drejtësisë. Të gjithë duhet t’i kthehen dialogut menjëherë”, tha diplomati sllovak.
Të gjithë ishin njëzëri në dënimin e sulmit ndaj Kosovës dhe shprehjen e solidaritetit, përfshirë shtetet e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe), derisa nuk munguan as reagimet nga shtetet fqinje, përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, por edhe Kroacinë.
Për sulmin dhe vrasjen e rreshterit policor, përvec niveleve të larta shtetërore, kanë reaguar edhe ish-diplomatë, eurodeputetë, gazetarë, studiues të fushave të ndryshme e vëzhgues të zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, duke u pozicionuar krah Kosovës dhe kundër akteve destabilizuese të Serbisë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një konferencë për media në Beograd, mohoi cdo lidhje me grupin terrorist që vrau një polic dhe shkaktoi pasiguri të madhe në veri. Ai akuzoi për gjithçka të ngjarë kryeministrin Kurti dhe bashkësinë ndërkombëtare, duke përdorur retorikë lufte dhe armiqësore.
“Fajtori për atë që po ndodhë në veri – me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare – është Kurti. Gjatë gjithë kohës ka provokuar dhe vazhdon të provokojë. Dhe më vjen keq që një grup i serbëve ka rënë në provokimet e tij. Kurti dëshiron konflikt dhe luftë”, tha ai në konferencën e tij të jashtëzakonshme.
Ai tha ndër të tjera se sulmi i së dielës në fshatin Banjskë, ndodhi për shkak se, ashtu papritmas “disa serbë të Kosovës” u rebeluan duke ngritur barrikada dhe duke nxitur më pas reagimin e Policisë së Kosovës. Ua faturoi të gjithën serbëve kosovarë. Megjithatë, vrasjen e “një polici shqiptar” e dënoi.
“Serbët dhe jo njerëzit nga Serbia qendrore, siç gënjyen në mediat e Prishtinës, por nga Kosova u rebeluan, duke mos dashur të vuajnë më nga terrori i Kurtit. Në asnjë mënyrë, nuk dua ta justifikoj vrasjen e një polici shqiptar dhe as nuk mund ta justifikoj. Është një akt i dënueshëm”.
Raundi i fundit i negociatave diplomatike nën kujdesin e BE-së përfundoi me pozicione të acaruara nga të dy palët dhe me “pasione të pashuara” dhe ndërsa diplomatët në Bruksel e Uashington po e humbin gradualisht kontrollin, skenën kanë filluar ta zotërojnë bandat krimnale të inkursuara nga Serbia.