Ndeshja e parë të këtij kampionati u luajt duke filluar nga ora 13 ndërmjet Estonisëdhe Britanisë së Madhe, ndërkaq, ndeshja e dytë nisi në orën 15: 15, ndërmjet Ishujve Faroe dhe Australisë.
Ndeshja ndërmjet mikpritëses së këtij kampionati, Kosovës, dhe Armenisë luhet nga ora 18 në Prishtinë.
Eugen Saraçini, kryetar i Federatës së Hendbollit të Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë se Kampionati Botëror i Hendbollit, që po mbahet në Kosovë, u organizua për herë të parë, si format i tillë. Pas aplikimit të shumë vendeve për të qenë mikpritës të këtij kampionati, sipas Saraçinit, Kosova e fitoi mundësinë që ta organizojë atë.
“Po presim që në ndeshjen ndërmjet Kosovës dhe Armenisë të bëhet hapja solemne. Kjo është shumë me rëndësi për Kosovën dhe për të gjithë dashamirët e hendbollit dhe sportit, për arsye se po krijohet një atmosferë sportive në Kosovë. Është mundësi e mirë që të shikohet se ku kanë arritur shtetet me organizimin e hendbollit, si dhe për ta evoluuar edhe cilësinë e hendbollit në shtetet, të cilat janë pjesëmarrëse në këtë kampionat”, ka deklaruar Saraçini.
Ai shpjegon se Kampionati Botëror i Hendbollit që po mbahet në Kosovë, iu takon formatit të vendeve ku hendbolli po zhvillohet dhe në të do të marrin pjesë: Kosova, Australia, Ishujt Faroe, Armenia, Andora, Bullgaria, Kameruni, Kina, Estonia,Britania e Madhe, Irlanda, Letonia, Shqipëria, Malta, Moldavia e Uruguai.
“Çka do të thotë kjo? Këto shtete, jo që janë shtete me hendboll të dobët, por janë shtete që kanë zhvilluar hendbollin shumë më herët. Është evidente që këto vende janë pjesë e projekteve të ndryshme, të cilat ndihmohen nga Federata Ndërkombëtare e Hendbollit dhe kështu është krijuar një fond i ekipeve përfaqësuese të shteteve të ndryshme, të cilat quhen ‘vende në zhvillim të hendbollit’”, ka shpjeguar ai.
Dhënia e mundësisë Kosovës që të organizojë edicionin e parë të Kampionatit Botëror të Hendbollit për vendet në zhvillim, sipas Saraçinit, vjen si një shpërblim për punën që ka bërë Federata e Hendbollit të Kosovës, jo vetëm për t’u bërë e barabartë me vendet tjera në sportin e hendbollit, por edhe për të kontribuar për zhvillimin e këtij sporti:
“Kjo është një festë. Shpërblim si një festë. Mirëpo, për këtë shpërblim është punuar shumë në Federatën e Kosovës dhe pas tenderimit kemi fituar edhe mundësitë për organizim”.
Kampionatit Botëror në hendboll për shtetet në zhvillim do të zhvillohet nga e shtuna deri më 26 qershor. Ndeshjet do të zhvillohen në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë dhe në Palestrën e Sportit ‘Shani Nushi’ në Gjakovë.
Federata e Hendbollit të Kosovës është pranuar në Federatën Evropiane të Futbollit me të drejta jo të plota në vitin 2004.
Pas një dekade, me 2104, ajo u bë pjesë me të drejta të barabarta e Federatës Evropiane të Hendbollit dhe më pas edhe të Federatës Botërore të këtij sporti.
Komentet