Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli ka hapur sot solemnisht në ambientet e ministrisë kryesimin e Kosovës në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore apo SEECP-it, në prani të ambasadorëve të vendeve mike.
Pacolli e quajti të rëndësishme për Kosovën këtë detyrë, posaçërisht pasiqë kjo po ndodhë në të njëjtin vit kur Kosova po kryeson Fondin e Ballkanit Perëndimor (WBF) dhe Iniciativën Rajonale për Migrim Azil dhe Refugjatë (MARRI).
Duke treguar prioritetet e Kosovës në këtë proces, Pacolli tha se Kosova do të jetë kryesuese në SEECP deri në korrik të vitit 2020.
“Kosova synon të kontribuojë tutje për një mjedis të paqes, të sigurisë, të marrëdhënieve fqinjësore të mira, të stabilitetit, duke kapërcyer ndarjen përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe koherente ndaj bashkëpunimit rajonal dhe duke promovuar integrimin evropian. Kryesimi i Kosovës do të jetë një vazhdimësi e parimeve të kartës së SEECP, deklaratave të samitit të SEECP dhe do të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha shtetet pjesëmarrëse të SEECP-së dhe strukturat relevante rajonale dhe ndërkombëtare”, tha Pacolli.
Ai tutje tha se në këtë aspekt, janë vendosur tri prioritete të Kosovës. Fokusimi në lidhshmërinë ekonomike. Fokusi tek rinia, si një nga asetet kryesore të shoqërisë dhe fokusi në kulturë dhe turizëm, për të cilën pikë tha se Kosova dhe rajoni kanë nevojë për ri-brendim dhe rizhvillim.
“Kur flasim për prioritetet, procesi i integrimit në Bashkimin Evropian mbetet synimi ynë kryesor, përmes të cilit gjatë kryesimit tonë do të listojmë të gjitha prioritetet tona. Do të përpiqemi të përdorim strategjinë më të mirë të Ballkanit Perëndimor duke shpresuar dhe dëshiruar që Ballkani Perëndimor të mbetet prioritet i udhëheqësisë së re të BE”, tha Pacolli.
Në këtë konferencë u bë e ditur se si aktivitet i parë që do të mbahet në shtator të vitit 2019 me kryesimin e Kosovës në këtë proces, do të jetë takimi joformal i ministrave të Punëve të Jashtme të SEECP-së në New York, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Kosova iu bashkua kuadrit të SEECP-së për bashkëpunim rajonal në Samitin e Parisit në vitin 2014. aa
Komentet