Profesori i Universitetit të Parisit, Nezir Kraki tha në një lidhje me skype për Task Force me gazetaren Sonila Meço, në Syri Tv, se për herë të parë, Kosovës nuk po i kërkohen lëshime në tryezë me Serbinë.
Duke komentuar takimin e Brukselit i cili parashihet si përmbyllës i procesit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, Kraki tha se nëse do të kemi asociacion të komunave serbe, ai do të jetë sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.
Sipas tij, kjo është e reja dhe pjesa më e rëndësishme e draftit që po diskutohet me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve.
“Serbia shkon në Bruksel për të folur rreth një dokumenti i cili i kërkon Serbisë që të pranojë realitetin e Kosovës. Brenda atij dokumenti është hera e parë që Kosovës nuk i kërkohet asnjë lëshim i ri, asnjë koncesion i ri. Ajo ç’ka Kurti ka thënë në Kuvendin e Kosovës, përmendet respektimi i marrëveshjeve të mëhershme. Por në angazhimet e marra më herët, ka qenë një angazhim për krijimin e komunave me shumicë serbe, por që është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Ajo pjesë e atij angazhimi nuk vlen më. Tashmë është duke u rithënë, nëse do të ketë diçka, do të ketë diçka të re në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Dhe këto togfjalësh, Kushtetuta e Kosovës, respektimi i kuadrit ligjor, këto janë shumë të rëndësishme. Për herë të parë nga pavarësia e deri sot, Kosova në raport negociues me Serbinë është më e favorshme. Dhe këtë herë plani është menduar më shumë për Serbinë se si t’i mundësohet Serbisë ‘ex-strategie’ nga utopia e saj dhe pretendimi i saj për Kosovën, se sa të pajtohet Kosova me diçka. Për njohjen Serbia ka probleme me ne, Kosova nuk ka probleme“, tha Kraki.