Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës njofton se vendimi i Qeverisë për masa të reciprocitetit mbi tregtinë me Serbinë, mbetet në fuqi, deri në arritjen e një marrëveshjeje për njohjen reciproke të certifikatave të ADR-së, të cilat lëshohen nga autoritetet përkatëse për transportimin e materialeve që konsiderohen të rrezikshme.
Një një komunikatë për media, kjo ministri rithekson gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për zgjidhjen e problemeve bilaterale përmes dialogut.
“U bëjmë thirrje edhe një herë autoriteteve të Serbisë që të reflektojnë ndaj kësaj situate, duke arritur marrëveshje për njohjen reciproke të certifikatave përkatëse të ADR-së”, thuhet në komunikatë.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për zbatimin e masës së recipricitetit në raport me Serbinë është marrë më 21 mars dhe ka pasuar mosnjohjen e certifikatave ADR të kompanive nga Kosova që importojnë derivate të naftës nga Serbia.
Kryeministri i Serbisë, Aleksander Vuçic, ditë më parë, ka thënë se Qeveria e tij po punon për zgjidhjen e këtij problemi dhe se është në kontakt të drejtpërdrejtë me Brukselin.
Komentet