Janë bërë 13 vjet që kur Kosova, shteti më i ri në Evropë, shpalli pavarësinë e saj nga Serbia duke u bërë shtet sovran, me institucione të pavarura dhe me simbole unike shtetërore brenda Ballkanit Perëndimor, raporton Anadolu Agency (AA).
13 vjet pas pavarësisë, shteti kosovar vazhdon të përballet me sfida brendapërbrenda territorit dhe në marrëdhëniet e tij me vende të jashtme.
Jashtë territorit të saj, Kosova vazhdon të përballet ende me Serbinë, udhëheqësit shtetërore të të cilës kanë vazhduar me diskursin e tyre të mosnjohjes së pavarësisë si dhe duke e konsideruar Kosovën si “tokën e tyre”.
Institucionet kosovare megjithëse ka kohë që nuk kanë bërë ndonjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, që nga shtatori i vitit 2020 nëpërmjet një marrëveshje e cila u nënshkrua në Washington midis Kosovës dhe Serbisë, kryeministri kosovar Avdullah Hoti pranoi që Kosova të pauzojë në përpjekje për t’u anëtarësuar në çfarëdo mekanizmi ndërkombëtarë (përjashtim bëjnë njohjet e reja).
Brenda territorit të saj, Kosova vazhdon të cilësohet nga institucione e organizata të huaja të Bashkimit Evropian (BE) ende si vend me korrupsion, varfëri, krim të organizuar dhe sistem të brishtë të arsimit dhe shëndetësisë, në një kohë kur, sikurse e gjithë bota, ajo po përballet me pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19).
Rruga e Kosovës drejtë pavarësisë
Gjatë periudhës së Jugosllavisë, Kosova ishte rajon brenda Republikës Federale Serbe. Edhe pse kushtetuta jugosllave i dha Kosovës autonomi në vitin 1974, ajo u shfuqizua nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit në vitin 1989.
Pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1991, lufta e përgjakshme e cila në fillim shpërtheu në Kroaci, pastaj në Bosnjë e Hercegovinë, më pas u përhap edhe në Kosovë.
Operacioni i ushtrisë, policisë dhe njësive paramilitare serbe në vitin 1998 ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e cila kërkonte pavarësi, mori fund në vitin 1999, pas operacionit 78-ditor të NATO-s. Lufta la të vdekur rreth 13 mijë kosovarë, nga të cilët mbi tetë mijë ishin shqiptarë, ndërkohë që mbi një milion kosovarë të grupeve të ndryshme etnike, nga të cilët 800 mijë shqiptarë, braktisën shtëpitë e tyre.
Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës vazhduan në intervale të ndryshme kohore që nga periudha e luftës në Kosovë.
Kriza e parë e përmasave më të mëdha pas luftës ndodhi në vitin 2004. Gjatë këtyre ngjarjeve, që u quajtën si “Trazirat e Marsit”, 19 persona humbën jetën, nga të cilët 11 shqiptarë dhe 8 serbë, kurse qindra të tjerë u plagosën.
Në raportin e vitit 2005 nga Kai Eide, diplomati norvegjez i emëruar si Përfaqësues Special në Kosovë nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të OKB-së, Kofi Annan, u rekomandua fillimi i negociatave për statusin përfundimtar të Kosovës.
Në vitin 2005, Annan e emëroi Martti Ahtisaari-n si Përfaqësues Special në Kosovë. Në vitin 2007, Ahtisaari i prezantoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së raportin në të cilin thuhej se Kosova duhet të jetë e pavarur. Nga ana tjetër, Serbia e refuzoi këtë, duke rekomanduar “autonomi të mbikëqyrur”.
Në linjë me Planin e Ahtisaari-t dhe Rezolutën 1244 të OKB-së që parashihte vendosjen e një misioni ndërkombëtar në vend, më 17 shkurt të vitit 2008 Kosova shpalli pavarësinë.
Pas kësaj, Serbia dërgoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) ankesë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe në korrik të vitit 2010 mori përgjigjen se Pavarësia e Kosovës “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”.
Pavarësinë e Kosovës, shumë shtete evropiane, përfshirë edhe Turqinë, e njohën menjëherë. Sot, 117 shtete e njohin Kosovën si shtet të pavarur.
Ndërkaq, me bllokimin e Rusisë, e cila është mbështetësja më e madhe e Serbisë në arenën ndërkombëtare, Kosova ende nuk ka arritur të sigurojë ulëse (anëtarësim) në OKB.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, koncentrimi në Washington gjatë vitit 2020
Në vitin 2011, filloi procesi i bisedimeve teknike mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve të të dyja shteteve, megjithëse ato nuk kanë zgjidhur konkretisht asgjë dhe shpeshherë edhe janë ndërprerë, përfshirë vitet e fundit.
Viti 2018 filloi me tensione kur lideri serb i nismës qytetare në Kosovë, “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviç, më 16 janar u vra në një atentat në veri të Mitrovicës, para zyrës së tij. Takimi i cili planifikohej në po atë datë në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, ishte anuluar me tërheqjen e palës serbe.
Ndërsa po në 2018, në nëntor, Kosova i vendosi tarifë prej 100 për qind produkteve të importuara me origjinë serbe si dhe atyre që vijnë nga Bosnjë e Hercegovina. Kjo ndodhi vetëm një ditë pasi Kosova nuk mundi të anëtarësohej në Organizatën Ndërkombëtare Policore – INTERPOL, si rezultat i fushatës së Serbisë kundër anëtarësimit të saj.
BE, por edhe SHBA, e kundërshtuan nga fillimi një vendim të tillë nga Kosova dhe i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta shfuqizojë tarifën 100 për qind, por një gjë e tillë nuk ndodhi për muaj me radhë, gjë që po ashtu la “të ngrirë” procesin e dialogut.
Me ardhjen në pushtet të kryeministrit të atëhershëm, Albin Kurti, në prill të vitit 2020, u bë zëvendësimi i tarifës 100 për qind me reciprocitet “ekonomik e politik” përballë Serbisë. Por, edhe reciprociteti u hoq nga kryeministri, që erdhi në pushtet në qershor të të njëjtit vit, Avdullah Hoti, i cili tha se me këtë veprim “po hiqen pengesat e dialogut Kosovë-Serbi”.
Pas heqjes së tarifës, takimet në kuadër të rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi, për të cilin BE tha se po shkon drejtë fazës finale, filluan në muajin korrik të vitit 2020 në Bruksel, midis kryeministrit Hoti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, me temë ekonominë dhe të pagjeturit.
Derisa pas takimit Hoti-Vuçiç, dialogu vazhdoi me takime ndërmjet delegacioneve dypalëshe në nivel ekspertësh në Bruksel, me po të njëjtat tema.
Ndërkaq, më 4 shtator, pas takimit në Bruksel, kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiç u takuan në Washington të SHBA-së, në Shtëpinë e Bardhë, ku në prani të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, nënshkruan marrëveshje për “normalizim ekonomik midis të dyja vendeve”, e cila nga pala kosovare u konsiderua si marrëveshje historike.
Marrëveshja, ndër të tjera, përfshin gjithashtu që Kosova të pauzojë për një vit përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare (përjashtim bëjnë njohjet e reja). ndërkaq obligon Serbinë të ndalojë çfarëdo fushate kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe njohje të reja të shtetësisë.
Njohja nga Izraeli, si “thyerje e bllokadës së njohjeve për Kosovën”
Shteti i Izraelit zyrtarisht është bërë vendi i 117-të që njeh pavarësinë e Kosovës. Kjo njohje erdhi vetëm disa ditë para përvjetorit të pavarësisë, saktësisht më 1 shkurt, ku gjithashtu Kosova dhe Izraeli nënshkruan për formalizimin e marrëdhënie të plota diplomatike nëpërmjet Ministrave të Jashtëm, në një takim virtual.
Kryeministri tani në detyrë, Avdullah Hoti, pas përfundimit të këtij takimi, tha se marrëveshjet me Izraelin, derivojnë nga Marrëveshja e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë në Washington, ku Hoti kishte zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në prezencë të ish-presidentit Trump, me ç’rast Netanyahu kishte shprehur gatishmërinë e Izraelit për ta njohur Kosovën.
Letra e presidentit Biden përmend njohjen e ndërsjellë Kosovë-Serbi
Qeveria e Kosovës me kryeministrin tani në detyrë, Hoti, shumë shpesh gjatë vitit 2020 ka përmendur se dialogu Kosovë-Serbi është drejtë finalizimit dhe qëllimi është përmbyllja e këtij procesi me njohje reciproke të pavarësisë.
Por, njohjen e pavarësisë së Kosovës e ka mohuar si mundësi presidenti serb, Vuçiç.
Në këtë çështje, në një letër të dërguar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, me rastin e 15 shkurtit – Ditës së Shtetësisë së Serbisë drejtuar presidentit Vuçiç, presidenti Biden e ka inkurajuar homologun serb drejt marrjes së “reformave të nevojshme shtetërore” duke përfshirë edhe njohjen reciproke me Kosovën.
“Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen e qëllimit të Serbisë për integrimin evropian dhe ju inkurajojmë të vazhdoni të ndërmerrni hapa të vështirë për të arritur atë qëllim, përfshirë reformat e nevojshme dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën, e cila është fokusuar në njohjen reciproke”, shkroi Biden.
Duke komentuar letrën e presidentit Biden, Vuçiç tha se çështja e njohjes së ndërsjellë Kosovë-Serbi nuk përmendet në asnjë dokument.
“Kam pranuar urimin, e falënderoj (presidentin Biden). Sa i përket njohjes, ajo nuk përmendet në asnjë dokument. Ne e kuptojmë se kjo është politikë e re amerikane. Ka pasur përpjekje për të imponuar këtë frazë”, tha Vuçiç.
Letrën e presidentit Biden për presidentin Vuçiç ku përmendet njohja e ndërsjellë midis dy vendeve, Kosova e ka mirëpritur nëpërmjet ministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla.
Ajo ka thënë se “vetëm me përfshirjen e SHBA-së, me qëndrimin e tyre të palëkundur se duhet të ketë njohje reciproke, mund të arrihet marrëveshja finale e cila do të kontribuonte në paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe më gjerë”.
Zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare dhe ndryshimi i ekuilibrave
Pasi qeveria e Hotit në Kosovë u rrëzua me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, më 14 shkurt të vitit 2021 në vend u organizuan zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Në këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje (VV) nën udhëheqjen e Kurtit, arriti t’i dyfishojë votat e zgjedhjeve të vitit 2019 kur arritën 25,49 për qind.
VV në zgjedhjet e 14 shkurtit arriti të fitojë 47,85 për qind. Pas saj, në vend të dytë është radhitur Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 17,41 për qind të votave, ndërsa partia e cila deri më tash ka qenë në Qeverinë e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka marrë 13,08 për qind të votave. PDK fitoi në 17,41 për qind, ndërsa AAK-ja arriti 7,43 për qind.
Fituesi i dalluar i zgjedhjeve, kandidati për kryeministër Kurti, në deklaratën e tij të parë, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në lidhje me dialogun me Serbinë, u shpreh se “nuk do ta kemi prioritet formimin e ekipit të dialogut me Serbinë”.
Ndërkaq, që nga muaji shtator i vitit 2020, nuk ka pasur më takime të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Edhe pasi dialogu ka rifilluar në korrik të vitit 2020, palët kanë pasur qëndrime të kundërta për shumë pika, sidomos rreth krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilën Kosova ka refuzuar të flasë, ndërkaq Serbia ka insistuar që ai të formohet pasi ka argumentuar se ky është obligim që del nga Marrëveshja e Brukselit.
BE vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që ta zbatojë Marrëveshjen për Asociacionin, duke rikujtuar se Kosova “ka marrë obligim për këtë edhe përmes miratimit të saj në Kuvendin e Kosovës”.
Në Kosovë, shtet me 1 milion e 780 mijë banorë, shumicën e banorëve e përbëjnë shqiptarët, ndërsa jetojnë edhe grupe të tjera pakicë, siç janë serbët, boshnjakët, turqit, goranët, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët.
Komentet