Siç dihet, më 27 qershor, kryeministri Rama u dorëzoi zyrtarisht krerëve të BE-së në Bruksel propozimin mbi mbajtjen e mundshme të një Konference ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve Serbi – Kosovë.
Natyrisht, në një situatë të tillë hedhja e një kësaj ideje nga Shqipëria, anëtare e NATO-s, e Këshillit Jo të Përhershëm të KS të OKB-së dhe si vend fqinj në parim duket normal. Vetëm se momenti, mënyra si u veprua dhe mungesa e transparencës lidhur me këtë hap që erdhi pas dorëzimit të draftit mbi Asociacionin pa asnjë konsultim paraprak, le për të dëshiruar si në planin etik dhe atë diplomatik. Veç faktit domethënës se propozimi për një konferencë tip “Dayton 2” mbi Kosovën është hedhur qysh në vitin 2010 e në vijim nga Rusia dhe Serbia.
Natyrisht që projekte të tilla ndihmojnë propozuesit e tyre për të rritur dozat e protagonizmit në politikën e jashtme, pavarësisht nga “këllqet” e vërteta gjeopolitike, për të shkëputur vëmendjen publike nga hallet dhe telashet brenda vendit, ca më tepër kur siç tregon përvoja edhe aleatët tanë i nxjerrin “ prapa liste” për hir të stabilitetit, në dëm të demokracisë dhe interesave madhore realpolitike.
Gjithsesi, Kryeministri Rama është në të drejtën dhe terrenin e vet për të bërë propozime të kësaj natyre, edhe pse të sforcuara. Vetëm se duhet të jetë i vetëdijshëm se nuk mjafton thjesht të hedhësh një propozim të këtij formati, sado vullnet mirë të jetë, por të krijosh bindje te të gjitha palët e tjera të interesuara dhe të përgatitesh për të marrë dhe përgjegjësi lidhur me organizimin e saj, pa ua lenë “ në derë apo në dorë” të tjerëve. Ashtu sikundër të dëgjojë dhe të mirëpresë kundërshtimet dhe rezervat e rradhës, pa demonizuar të tjerët, si për “Ballkan i Hapur” që më në fund u mbyll, sepse askush nuk është “pronar” i të vërtetës.
Problemi tjetër madhor është se konferenca që propozohet nuk është “fjalë goje”, “ të hedhësh një gurë në lumë” apo dhe “të bësh profetin”! Ajo është mision dhe sfidë mamuthiane, me plot të papritura dhe pengesa. Kjo mbasi dhe “katalogu” i pyetjeve, çështjeve dhe problemeve të saj është i shumëllojshëm. Për t’ia bërë sa më të lehtë lexuesit, larg teorizimeve boshe, le të ndalemi më poshtë te elementët kryesorë të një konference të tillë. Krahas literaturës dhe përvojës së pasur ndërkombëtare, autori i shkrimit mbështetet te praktika personale diplomatike, si pjestar në disa grupe pune për përgatitjen e konferencave ndërkombëtare, të cilat janë beteja të vërteta diplomatike në Tiranë, Bruksel, Berlin, Vjenë dhe gjetkë.
Çështja e parë madhore që shtrohet në kancelaritë perendimore përpara se të shprehen pro ose kundër kësaj ideje është se sa përkatësore dhe e mundshme është një konferencë e tillë dhe sidomos suksesi i saj për një zgjidhje të qëndrueshme. Veçanërisht në një rajon si Ballkani Perendimor, ku kanë dështuar jo një e dy, por disa konferenca ndërkombëtare të sponsorizuara nga aleatët tanë perendimorë dhe me pasoja tragjike. Këtë fat pati plot 30 vite më parë Konferenca dhe procesi i paqes për Bosnien, i kryesuar nga dy “peshat e rënda” të diplomacisë amerikanë dhe britanike, ish Sekretari amerikan i Shtetit, Cyrus Vance dhe Lord Owen. Më vonë, megjithë lëshimet e shumta që iu bënë Milosevicit, ai nuk pranoi duke çuar në dështimin e Konferencës së famshme të Rambujesë në shkurt 1999. Dihen pastaj shumë konferenca dhe forume të tjera të çdo formati në 25 vitet e fundit për rajonin tonë me emra që tingëllojnë muzikë, Procesi i Berlinit me samite në Berlin, Paris, Romë, Varshavë, Londër, Vjene, Sofie, Tiranë dhe gjetkë.
Çështja e dytë madhore është përse kjo Konferencë dhe tani? Kur as 4 muaj më parë të dyja palët janë dakordësuar në Ohër sipas planit historik franko-gjerman me mbështetjen amerikane dhe europiane? A është kjo konferencë dështim i tyre dhe aq shpejt? Apo vetëm për shkak të tensionimit të situatës në veri dhe 4 komunave atje? Pra si do ta justifikojnë liderët Euro-Atlantikë mbajtjen e kësaj konference te parlamentet dhe publiku, sepse atje ka demokraci të vërtetë dhe askush nuk guxon të ndërmarë nisma të tilla pa pyetur askënd! Pastaj, dihet se konferencat të kësaj natyre mblidhen zakonisht pas një lufte ose konflikti të dhunshëm ndërmjet palëve ndërluftuese. Ndërkohë që konfikti i armatosur midis Serbisë dhe Kosovës ka mbaruar 24 vite mw parë; Kosova është shtet i pavarur prej 15 vitesh, i njohur nga mbi 100 shtete, dhe bashkë me Serbinë janë në rrugën e integrimit europian, të pranishme në dhjetra nisma rajonale dhe në 12 vitet e fundit janë përfshirë në dialog të mbështetur nga BE-ja dhe SHBA-të.
Vijmë te aspekti i tretë jetik, kush do të jetë nismëtari dhe organet drejtuese që do të merren dhe me përgatitjet paraprake të kësaj Konference, BE-ja, SHBA-të, Franca, Gjermania, Shqipëria, apo dikush tjetër? Dhe kjo jo e lehtë për t’u përcaktuar, sepse janë në lojë shumë shtete dhe secili do vendin e vet.
Më tej vjen pyetja shumë jetike, se cilat vende do të ftohen, mundësia e pranisë dhe kontributit të tyre dhe cilat jo? Po nëse ndonjë prej këtyre vendeve apo dhe Serbia do të kërkojë si kusht dhe praninë e ndonjë vendi tjetër si Rusia, Kina, etj çdo të bëhet? Nga ana tjetër, nëse deri tani dhe aty do të jenë më të mëdhenjtë Euro-Atlantike, atëhere, ç‘duhen vende të tjera, qoftë dhe të BE-së, të cilat, veç ngatëresave dhe telasheve nuk kanë dhënë ndonjë gjë në këtë drejtim? Le pastaj pese vendet anëtare dhe Spanja si kryesuesja e saj e radhës që nuk e njohin Kosovën. Mund të ndodhë si te thënia jonë” shumë mami e nxjerrin fëmijën çyryk”!
Këta komponentë kanë shumë rëndësi për një fillim të mbarë të përgatitjeve të Konferencës, besueshmërinë dhe suksesin e saj. Tani, na falni, por një konferencë e tillë e nxehtë dhe delikate të organizohet nga Shqipëria, ca më pak e vetme këtu njëherë pjaca “ bie shumë” Plus, konferenca është një “ kafshatë më e madhe se sa mund ta kapërdijmë” ne. Nuk është si te Samiti i BE-së në Tiranë më 6 Dhjetor e as i Berlinit në Tetor, të cilat ishin “ bukë e djathtë” “ dhe me lugë në brez” për ne.
Veç kësaj, Shqipëria ka “konflikt interesi” tashmë jo më me Kosovën si vend vëlla, por si avokatja e zjarrtë e Beogradit deri në Bruksel, Nju Jork dhe gjetkë në kuadrin e “Ballkan i Hapur” që më në fund bëri mirë që u mbyll! Ndërkohë, Kryeministri Rama vazhdon të ketë (mos)komunikim negativ dhe jo luajal me qeveritarët e Kosovës, ku kanë mbizotëruar sulmet, kritikat dhe qortimet publike e pa asnjë etikë ndaj saj, në një asimetri të theksuar me lëvdatat ndaj Serbisë. Dëshmia më e qartë dhe ulëritëse, por jo e vetme, ishte refuzimi i Kryeministrit Kurti për ta pritur Ramën më 6 Korrik në Prishtinë. Mirëpo këto veprime hedhin hije të mëdha dyshimi për një ndërmjetësues nga Shqipëria me një konferencë të tillë; kjo mbasi ndërmjetësuesit dhe negociatorët ndërkombëtarë nuk bëhen “brenda natës”, ata përgatiten me vite e dekada, ama me kujdes që të mos kenë asnjë “ cen” të tillë në jetëshkrimin e tyre politik dhe diplomatik. Në këto kushte, me Ramën ndërmjetësues, qofsha i gabuar, por nuk e di sa të gatshëm do të jenë Prishtina, por dhe Beogradi e të tjerë të ulen në tryezë në këtë konferencë hipotetike. Justifikimet diplomatike sajohen lehtë fare nga kushdo.
Vijmë pastaj te pyetja tjetër madhore se cila do të jetë tema qëndrore dhe nëntemat, synimi gjeopolitik i kësaj Konference dhe efektet e tjera anësore? Pra, përse do të “ kyçen” liderët e Kosovës dhe Serbisë dhe kur do të quhet i realizuar qëllimi?
Lidhur ngushtë me sa sipër vjen përcaktimi i vendit dhe koha e zhvillimit të Konferencës. Ca më tepër kur në Qershor dhe Nëntor 2024 do të jenë zgjedhjet europiane dhe presidenciale në Europë dhe në SHBA, me fushatat përkatëse që po trokasin te porta. A mund të bëhet brenda këtij viti kjo Konference, përballë këtyre problematikave që duan kohë të “kopsiten”? Kur dhe axhenda e “të mëdhenjve” është e tejmbushur qysh tani. Po mbas vitit 2024, a nuk është ca si vonë?
Aspekti tjetër po aq, madje dhe më i rëndësishëm është përcaktimi një “vije të kuqe”, dmth çështje që nuk do të lejohet të jenë objekt i kësaj Konference, si bie fjala ndarja apo shkëmbimi i territoreve apo çdo ide tjetër që rrezikon të hapë “ Kutinë e Pandorës”. Ky është rrezik real, përderisa ti thëret këtë konferencë, nuk përjashtohet të ketë zëra që duke përfituar nga kjo konferencë do të thonë “përse të mos i hyjmë me themel çështjes së Kosovës, pa asnjë paragjykim dhe tabu”!
Jo dhe aq e lehtë sa duket do të jetë dhe përcaktimi i raporteve të drejta lidhur me përdorimin e “ shkopit dhe karrotës” ose “kulaçit dhe kërbaçit”, dmth shpërblimet dhe sanksionet përkatëse nëse nuk do të zbatohen vendimet e Konferencës. Sepse në lojë do të jenë serioziteti dhe forca konkluduese e organizatave ndërkombëtare dhe besueshmëria e vetë kësaj Konference.
Gjithashtu, shumë e rëndësishme në diplomaci, që shpesh dhe aleatët tanë e harrojnë, kërkohet përgjigja ndaj pyetjes madhore “what comes next? Me fjalë të tjera, çdo të ndodhë pas asaj Konference në vijimësi dhe me forumet përkatëse. Themi kështu se ka patur konferenca të suksesshme por që kanë dështuar shpejt gjatë zbatimit. Kështu, në Tetor 1998, Clintoni “ mbylli me kyç” diku pranë Uashigntonit Netianahun dhe Arafatin për 9 ditë, u pa dhe “tymi i bardhë” por brenda 2 muajve asaj i “ doli tymi i zi”! Të njëjtin fat patën konferencat me marrëveshjet ndërkombëtare të formatit të Normandisë nën hyqmin franko-gjerman “Minsk 1 dhe 2” në vitin 2015; ato jo vetëm nuk sollën asgjë për Ukrainën, por ia shtuan oreksin Putinit që 7 vite më vonë filloi agresionin ushtarak ndaj saj.
Së fundi, duke parë gjithë këto pyetje me spec, vështirësi, pasiguri dhe të panjohura të tjera, kur nuk ka kurfarë garancie për sukses padyshim që është më e udhës të hiqet dorë nga kjo konferencë. Në vend të saj të kërkohet koherencë, dmth zbatimi i formave dhe dimensioneve të tjera më efektive të diplomacisë së krizës dhe të ec e jakeve, diplomacisë shtrënguese me masa dhe sanksione po të jetë nevoja ama për të dyja palët në mënyrë përpjestimore dhe jo më “me hatër”!. Ca më tepër, kur nuk kanë kaluar ende as 6 muaj nga dakordësimi “historik” ka shumë vend dhe rezerva për vazhdimin me konseguencë të demarsheve diplomatike në të dyja vendet. Duke filluar nga shtensionimi i gjendjes në veri duke zbatuar pikë për pikë sugjerimet e Këshillit Europian dhe të SHBA-ve. Pastaj, Kosova të mbledhë ekspertët më të mirë dhe të vlerësojë versionet e shumta të Asociacionit dhe mbi atë bazë të përcaktojë tekstin e saj për t’ia dorëzuar ndërmjetësuesve ndërkombëtarë. Ndërkohë, Serbisë t’i kërkohet me ngulm të tregojë frymë afrimi dhe pajtimi me Prishtinën, të kërkojë ndjesë për krimet e të kaluarës, të heqë brenda një afati të caktuar preambulën kushtetuese që e përcakton Kosovën pjesë të saj, çka do ti çelte rrugën njohjes së Kosovës, si thelbi i gjithë konfliktit, duke i dhënë fund fushatave të çnjohjeve të saj, mospengimit të antarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, etj.
Ja pse, nisur nga këto mori pengesash dhe pyetjesh pa përgjigje bindëse për idenë e një konference ndërkombëtare për Kosovën, mos të habitemi kur liderë kryesorë perendimorë por dhe të tjerë të thonë” faleminderit, por “ është shumë herët, le të punojmë për Ohrin dhe shtensionimin në veri, pastaj shohim e bëjmë”. Në fakt, deri tani, SHBA-të, Franca, Gjermania, Britania, Italia por dhe vende të tjera nuk kanë patur ndonjë reagim, ca më pak entusiazt, duke nënvizuar se i takon ndërmjetësuesit të BE-së të vendosë për hapat e rradhës. Edhe kryeministrat e Holandës dhe Luksemburgut në takimet e tyre në Beograd dhe Prishtinë më 3/4 Korrik theksuan zbatimin e Marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, pa e përmendur fare konferencën. Sa për mbështetjen e Presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel, ajo ishtë thjesht personale dhe kërkon miratimin e 27 vendeve antare, çka nuk u përmend fare as në Samitin e BE-së në Bruksel më 29/30 Qershor.
Së fundi, propozimi për konferenca të kësaj natyre mund të kthehet dhe në shashkë tymuese, ajo mund të shërbejë për të fituar pak kohë dhe për protagonizëm diplomatik, por asgjë më tepër; madje kujdes, se “ në vend të vemë vetullat mund të nxjerrin sytë”! Kosova me të drejtë nuk kërkon konferencë, por sekuencë, konsekuencë dhe koherencë ndërkombëtare!