Pas pranimit të Kosovës në disa mekanizma sportiv ndërkombëtar, të rinjtë në Prishtinë, konsiderojnë se gjeneratat e reja do të kenë mundësi që talentin e tyre që kanë për futboll ta tregojnë jo vetëm në Kosovë, por edhe në arenën ndërkombëtare.
Ata, në anketën e përjavshme VOX, theksojnë se për të ndihmuar të rinjtë në zhvillimin e talentit duhet edhe përkrahja e institucioneve.
Bafti Krasniqi, i cili studion për drejtimin e shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, thotë se Kosova është e mbushur me talentë të rinj që luajnë mirë futboll.
“Talentë ka në Kosovë, por ajo që u mungon atyre është hapësira ku ata mund ta tregojnë atë talent”, tha Krasniqi.
Edhe Agron Rama, konsideron se me anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar sportiv, si të rinjtë, por edhe vet Kosova do të përfitojë.
“Unë mendoj se kemi shumë talentë për futboll, dhe në krahasim me trevat e tjera në rajon Kosova ka talentë më së shumti. Patjetër që mendoj se Kosova duhet të bëjë më shumë për të interesuarit e futbollit që të zhvillohen më shumë”, tha Rama.
Në Kosovë, në vitin 2002 është themeluar edhe Klubi i Futbollit të Femrave.
Ermira Berisha e cila studion psikologji, thotë se kur flasim për talentët e sportit, në veçanti ata për futboll, nuk duhet të harrohet që në ketë drejtim ka edhe femra të interesuara dhe të talentuara për këtë sport.
“Ka edhe shumë femra të talentuara, kështu që unë mendoj se Kosova ka talentë dhe do të arrijë shumë në këtë drejtim. Deri më tash na ka munguar hapësira që të shprehemi. Deri tash femrat nuk kanë pasur shumë besim për të treguar talentin e tyre, por tash besoj se gjërat do të ndryshojnë”, tha Berisha.
Arian Krasniqi është optimist se futbolli i Kosovës me talentët që ka, do të arrijë suksese të mëdha në të ardhmen.
“Me kalimin e kohës, me trajnime, Kosova do të arrijë suksese, kështu shpresojmë dhe e duam Kosovën”, tha Krasniqi.
Institucionet e Kosovës, duhet të investojnë më shumë në infrastukturën sportive në mënyrë që sportistët të aftësohen sa më shumë në sportet që preferojnë, thotë Shpresa Berisha.
“Insitucionet duhet të punojnë më shumë për sportet në Kosovë në mënyrë që gjeneratet e reja ta tregojnë veten e tyre në sport, të kenë mundesi më shumë të tregojnë aftëesitë dhe jo vetëm të flas dikush për ne. Kosova ka shumë talentë sidomos ne futboll”, tha Berisha.
Por, Drita Isufi mendon se Kosova ka më shumë talentë për muzikë sesa për futboll.
“Për muzikë ndoshta ka më shumë talentë sesa për futboll”, tha shkurt Isufi.
Petrit Haliti, me profesion teknik dentar, shpreh besimin e plotë se Kosova është një vend me shumë talente futbolli.
“Shqiptarët gjithmonë kanë pasur talent për futboll, por nuk kanë pasur mundësi se si të tregohen. Shikoni ekipet e Zvicrës dhe Shqipërisë, se si ata në emër të Kosovës janë ku janë. Gjërat që po i bën lojtari Messi, gjenerata e më hershme në Kosovë, i kanë bërë këtu në stadionet tona”, tha Haliti.
Ndërkombëtarizimi i sportit të Kosovës, sidomos i futbollit, si sporti më i popullarizuar në botë, ka qenë agjendë e të gjitha federatave të sportit dhe institucioneve qeveritare, që nga paslufta, e sidomos, pas shpalljes së pavarësisë së vendit, në shkurt të vitit 2008.
Anëtarësimi në UEFA do t’i mundësojë Kosovës afirmimin në garat ndërkombëtare, pjesëmarrje në ngjarjet dhe kampionatet që organizohen nga kjo federatë.
Po ashtu, edhe klubet e Kosovës do të përfitonin, duke u bërë pjesë e garave evropiane.
Anëtarësimi në UEFA, ishte kushti i parë për pranimin e Kosovës në Federatën Botërore të Futbollit, FIFA. Kosova u bë anëtarja e 210-të e kësaj federate.
Pas anëtarësimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA, e ka përmbyllur kaptinën e ndërkombëtarizimit të futbollit të Kosovës, të paktën në kontinentin e vjetër.
Komentet