Mungesa e harmonizimit të veprimeve
Zgjedhja e kryetarit të ri të Kosovës do të mbahet mend gjatë. Roli i tij parësor si simbol i unitetit u cënua keq që pa u zgjedhur, sidomos kur ai me arrogancën e huliganit fyu dhjetëra mijëra protesues që denonconin paudhësitë e tij: ‘ikën me bisht ndër shalë’, e tha me gojën e tij, me çka dëshmoi se atë ditë ai ishte përgatitur ta përgjakë Kosovën…
Për anën tjetër, atë të ‘shprehjes së lirë të vullnetit’ të deputetëve, po dalin për çdo ditë të dhëna frikësuese; shantazh dhe blerje e tyre, si në pazar, me para e me ofiqe. Shtoji kësaj edhe aminin e Beogradit, atëherë del qart në pah se kryetar me kaq shumë kundërshtues Kosova nuk ka pasur asnjëherë.
Natyrisht, opozita ka mundur të jetë shumë më efektshme po qe se do të mendonte pak më shumë dhe po qe se do të ishte më unike në aksionin e kundërshtimit.
Së pari, pa gaz e pa dhunë, por duke i ndarë rolet paraprakisht kanë mundur me orë të tëra ta zhveshin, nga foltorja e Kuvendit, pretendentin për kryetar me një mal faktesh se ai asnjëherë nuk ka përfaqësuar asnjë vlerë të Kosovës; as unitetin, as idealizmin, as shtetndërtimin, as ëndërrën e pjesës dërrmuese të popullit për një shtet normal.
Së dyti, duke punuar seriozisht për përvetësimin e deputetëve të LDK-së, jo vetëm të atyre që ishin deklaruar edhe publikisht se nuk do ta votonin kurrë Thaçin për kryetar të Kosovës, por edhe me të tjerët, duke iu drejtuar atyre me fakte për detyrimin që kishin ndaj votuesve të tyre…
Dhe në momentin e fundit të dalin nga Kuvendi duke e prishur kuorumin.
Kjo mënyrë kundërshtimi do të ishte shumë më e efektshme se ajo që pamë atë ditë në Kuvend dhe rreth tij.
Betejat që e presin opozitën
Demonstrata e 17 shkurtit ishte një fitore e madhe morale e opozitës, jo vetëm për pjesëmarrjen masive, por edhe për sjelljen qytetare të demonstruesve. Pikërisht ky fakt e frikësoi aq shumë Thaçin dhe pulenët e tij, sa që me të përfunduar demonstrata dolën në një konferencë të jashtzakonshme për shtyp dhe, nga frika e paniku, nuk dinin as çka po flasin. Ky fakt do të duhej të jetë një mësim i mirë për opozitën që në të ardhmën ta evitojë çdo formë dhune.
Në javët që vijnë të njëjtat forma që u pëdorën për t’i blerë ose për t’i thyer deputetët e LDK-së, do të përdorën për ta përçarë opozitën, prandaj është në detyrën e liderëve të saj, që, pavarësisht dallimeve në koncepte, të ndërtojnë një platformë të përbashkët veprimi mbi tri shtylla themelore:
1. Demaskimin në Kuvend, në konferenca për shtyp etj., të keqqeverimit, duke nxjerrë në pah me fakte shëmbujt e korrupsionit, kapjes së shtetit, rrënimin e sistemit të drejtësisë, të arsimit, të shëndetësisë…
Kjo nënkupton edhe formimin e një grupi të ekspertëve që përgatisin të dhënat dhe dijnë të punojnë me opinionin… Vlen të përmend një shëmbull flagrant: javë më parë, njëri prej kryepushtetarëve, deklaroi në një televizion nacional, pa iu dridh çerpiktë: ‘askush nuk e di gjatë shkrimit (të një marrëveshjeje) se a reflekton ajo në frymën e Kushtetutës’!
Në një vend normal, kjo deklaratë skandaloze e një pushtetari do t’i kushtonte atij me dorëheqje të menjëhershme…
Por në Kosovë askush, madje as mediet e as opozita nuk e përmendi fare.
2. Organizimin, bashkë me OJQ- të, të tryezave, konferencave, debateve të ndryshme ku do të ftoheshin ekspertë shqiptarë dhe të huaj për të debatuar për probleme të mprehta siç është dialogu në Bruksel, demarkacioni i kufijve, dështimet në privatizim, siguria, rreziqet nga terrorizmi, universiteti, shëndetësia… Pse të mos ftohen nga opozita Mark Weller, Noel Malkolm, Pëllumb Xhufi etj., që kanë dije e përvojë të jashtëzakonshme për procesin e shtetformimit të Kosovës por edhe ekspertë boshnjakë nga Sarajeva që kanë përvojë në përballje negociatash etj… me Serbinë dhe jeniçerët e saj në Bosnje e Hercegovinë?
Kjo do të ndikonte që, së pakut, protokoli i ‘dialogut’ me Serbinë të ndryshojë krejtësisht, sepse, ka kohë, që në kuloaret e BE-së qarkullojnë anekdota që të bëjnë me vjellë për shëmbuj papërgjegjësie skandaloze, të ‘përfaqësuesve’ tanë, të cilët as për nga morali, as për nga vullneti e as për nga dija nuk do të guxonin të përfaqësonin as fatin e sorrave të Kosovës, e lëre më fatin e njerëzve dhe kufijtë e territorit të saj.
3. Organizimin e herëpashershëm të protesave gjatë të cilave duhet të evitohen me çdo kusht konfliktet me policinë; Motiv për protesta duhet të jenë problemet me të cilat populli përballet në çdo minut të ditës. ‘Zajednica’ dhe demarkacioni nuk duhet të jenë tash për tash motiv për protesta, sepse që të dyja, falë opozitës, përkohësisht janë bllokuar.
4. Formimin e një trupi të përbashkët që do të mund të quhej Qeveria e ardhshme, por kurrsesi qeveri në hije ose kabinet për qeverisje të mirë çfarë pati formuar Thaçi e C°, sepse doli që ai ishte kabinet kryesisht për kapjen dhe rrënimin shtetit.
Ky do të duhej të ishte një trup ekspertësh i fushave të ndryshme që do të shpërfaqte alternativën e opozitës, përspektivën e një qeverisjeje ndryshe, demaskimin e kapjes së shtetit dhe të gjitha formave të keqqeverimit.
Puna, analizat dhe pikëpamjet e këtij ekipi të ekspertëve do të shpërfaqeshin në një faqe të posaçme elektronike, kur opinioni, mediet dhe njerëzit e interesuar do të mësonin për vizionin që ka për vendin një elitë e re, një opozitë e vendosur ta bëjë Kosovën një shtet ndryshe, një shtet normal.
Efekti i veprimtarisë së këtij ekipi do të ishte dyfish i dobishëm, së pari do të përgatiste kuadro të rinj për mirëqeverisje nesër; së dyti do të ndihmonte ata kuadro vullnetmirë të pozitës që të mos bëhen pjesë e rrënimit të shtetit.
Sfidat e opozitës
Thaçi e C° dhe mediet e shumta që ai i financon dhe i kontrollon do të zhbirilojnë çdo të çarë të opozitës, çdo skutë e vrimë të saj, për të futur pykat e veta. Ata do ta intensifikojnë propagandën e tyre duke u shërbyer edhe me gënjeshtrat më të shëmtuara.
Tehu i sulmeve të Thaçit dhe kukullave të tij mund të koncentrohet kryesisht në këto pika :
* ‘Ky apo ai eksponent i opozitës ka bërë këtë ose atë, ka thënë kështu ose ashtu’. Opozita e as opinioni i gjerë nuk duhet të tunden para kësaj propagande shterpë, sepse çdo njeri ka të drejtë të reflektojë, të përmirësohet, t’i korrigjojë gabimet madje dhe fajet e tij.
* ‘Opozita është kundër Amerikës…’, Amerika ka investuar shumë në shtetbërjen e Kosovës dhe në mbrojtjen e Shqipërisë. Prandaj si askund në botë Ajo, me të drejtë, adhurohet nga të gjithë shqiptarët. Por aleatë dhe dashamirë të Amerikës nuk mund të jenë kurrë ata që e zhvatin, ata që e shkërmoqin, ata që e rrënojnë shtetin e vet. Tipat si Thaçi e C° në Amerikë do të përfundonin kaherë në burg, e besa edhe në karrigën elektrike.
* ‘Opozita po do të na prish me Europën, sepse është për bashkim kombëtar…’ Në këtë pikë opozita, konkretisht lëvizja Vetëvendosje, duhet ta ndryshojë taktikën e saj. Për arsyen e thjeshtë se asnjë projekt mbarëshqiptar, sado i vogël qoftë, nuk mund të realizohet pa e çrrënjosur mafinë që i ka kapur subjektet kryesore dhe shtetet tona për fyti. Detyra parësore e elitës së Kosovës është që ta bëjë këtë shtet normal, shtet të mirëfilltë, shtet të së drejtës, shtet të fortë, shtet, ku institucionet respektohen nga të gjithë qytetarët… E kjo kërkon shuuumë punë dhe shumë vjet. Fundja është faktuar se çdo këmbëngulje, qoftë edhe retorike, për bashkim kombëtar shkon në favor të Thaçit e C°, të cilët pastaj, përmes papagajve digjital, e amplifikojnë gjoja rrezikun për ndryshime kufijsh, në të gjitha kancelaritë e huaja ku arrijnë t’i fusin hundët… Prandaj kjo retorikë, aktualisht, nuk është as në interesin e Kosovës e as në interesin e shqiptarëve.
* ‘Këta nuk po e respektojnë Flamurin’;
Kjo është një demagogji e shpëlarë e atyre që në emër të shtetit, po e rrënojnë shtetin. Vitin e kaluar, gjatë pushimeve të verës janë organizuar në Kosovë me mijëra dasma. Kushdo që ka udhëtuar nëpër Kosovë, ka mundur të konstatojë se në njëqind sosh, vetëm në 2 apo 3 dasma përdorej flamuri i Kosovës. Kjo jo për meritën e opozitës, por nga një qëndrim spontan i njerëzve të thjeshtë, të cilët kur i pyesje jipnin dy sqarime :
* Ky flamur i është imponuar Kosovës arbitrarisht, nga diplomatë mujshorë, diktatin e të cilëve e ka pranuar me temena një elitë politike me litarin e mëkateve në qafë.
* Ky flamur, me hartën në mes i gjason si veza vezës flamurit të Bosnje e Hercegovinës, e i cili personifikon mungesën e sovranitetit dhe integritetin e nëpërkëmbur territorial.
* ‘Këta po e kundërshtojnë Gjykatën speciale’. Në fakt Gjykatës speciale më se shumti i frikësohet Thaçi e C°, sepse ajo për ta është themeluar. Opozita, prandaj nuk duhet të merret fare me Gjykatën speciale, sepse as nuk e ka formuar as nuk mund ta ndalë. Ajo vetëm duhet të shprehë drojën se Gjykata do të përdoret si Euleksi, jo për të ndëshkuar kriminelët, por për të disiplinuar pushtetarët e inkriminuar, në mënyrë që në ‘dialogun’ me Serbinë të sillen ashtu siç e pamë: si pulat e lagura… Opozita për më tepër duhet të nënvizojë në vazhdimësi, se personi që ka kryer krime, kushdo qoftë ai, duhet të përgjigjet para drejtësisë… S’ka gjë më të turpshme dhe më të dënueshme se sa prapa ëmblemës së UÇK-së të fshihen shkelësit e idealeve të saj, vrasësit, rrënuesit dhe plaçkitësit e shtetit.
Përfundim
Opozita është dhe do të jetë nën presion të shumëfishtë, nga kundërshtarët e saj, që kanë në dorë të gjitha levat e shtetit… ; aty këtu edhe nga ndonjë diplomat i patakt, por sidomos nga tentakulat e shërbimeve serbe, të cilat e dijnë se, nëse Kosovën e udhëheqin idealistët, burra të zotë që as nuk thehen e as nuk blehen, Serbia dhe nëna e saj, Rusia, do ta humbin njëherë e përgjithmonë luftën me Kosovën dhe me shqiptarët.
Opozita duhet të ruhet sidomos nga soji i akademikëve të SHIK-ut, sepse, tashmë, dihet botërisht se këta tipa të pështirë askënd nuk e kanë dëmtuar më shumë se LDK-në , duke e kthyer gradualisht por sigurt në një karakatinë.
Opozita duhet të mësojë edhe nga shëmbulli i njërit prej eksponentëve të saj, të cilit pasi iu fut nën lëkurë një nga lyftyrat e shikut, në momentet kyçe, kur ai mund t’i ndryshonte gjërat dhe mund të forcone opozitën e me këtë edhe Kosovën, duke dëgjuar ‘këngën e sirenës’, e bënte krejtësisht të kundërtën…
Përfundimisht opozita, nëse do të luajë rolin e saj deri në fund, ajo duhet të jetë unike dhe e vendosur në misionin e saj për ta bërë Kosovën një shtet funksional, një shtet të mirëfilltë. Nëse ajo dëshmon me vepra se po përpiqet sinqerisht e seriozisht për realizimin e këtij misioni, ajo, gjithsesi, do të ketë mbështetjen masive të qytetarëve.
Sepse njerëzit e Kosovës janë stërlodhur nga Thaçi, nga kukullat, skrrajat dhe banditët e tij.
per here te par jo shume afer te kam pa ne Basel (CH) 1998, (ne nje demonstrate) me ngjave ne oficert gjerman, sipas gjysherve qe pershkruanin ata si njerz te zotet dhe me qendrim shume burreror, normalisht se kam edhe njohuri jo te pakta per ty si personalitet me pikepamje kombtare (isha dhe une i ilegales)
ky shkrim me pelqeu dhe besoj dhe dua qe Opozita te e ket ne konsiderate edhe per faktin se, ti, i perket nje plejade te kohes dhe deshmise per atdhedashuri e veprim konkret per çlirim dhe bashkim
besoj dhe deshiroj qe ne te ardhemene punime tua te hyjn ne pune per te mire edhe kosoves edhe opozites
sdo te ishte keq edhe po te angazhoheshit drejtperdrejt ne opozite