Pavarësia e Kosovës përpara se të kualifikohej si “një rast klasik i secesionit të një pjese të një shteti sovran”,siç shprehen serbët, do të duhej të kundrohej, në fakt, si një “anulim aneksimi ilegjitim”.
Në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare kishte rënë vetë Serbia, e cila me 1912 e aneksoi Kosovën nëpërmjet pushtimit ushtarak, pas një agresioni të saj në Perandorinë Osmane,edhe pse qysh prej kohësh Kosova kishte identitetin e vet historik dhe etnik,të shoqëruar me legjitimitetin e çlirimit të vet,qoftë nga pushtimi osman(1912), qoftë nga pushtimi fashist(1944),edhe pse kishte integritet gjeografik,demografik dhe kulturor të saj të pavarur.
Serbia,në vend se të pranojë veprimin e saj ilegal që ka bërë duke shkelur “me të dyja këmbët” ligjiet ndërkombëtar,me aneksimin e Kosovës, tash përdor një “argument” të paqëndrueshëm shkencërisht,historikisht dhe aktualisht, për të “ruajtur sovranitetin mbi Kosovën”të cilin,si dëshmojnë faktet,e mbajti në mënyrë jo legjitime për një periudhë shumë të gjatë,pa pyetur asnjëherë popullin shumicë të Kosovës dhe pa i marrë atij pëlqimin.
Kosova është pushtuar gjatë luftërave ballkanike 1912-1913,në kundërshtim me aspiratat e shqiptarëve që kishin shprehur në Lëvizjen Nacionalçlirimtare 1878-1912.
Shqiptarët ishin kundër përfshirjes së tyre në shtetin serb,përkatësisht jugosllav
Serbia,edhe pse “mori legalitetin ndërkombëtar” për pushtimin e Kosovës,në asnjë mënyrë nuk mundi ta arsyetojë legjitimitetin e veprimit të saj.
Përveç kësaj,qëndrimet serbe ndaj Kosovës që i referohen historisë janë dyfish të pathemelta. Janë të pathemelta në aspektin metodologjik të cilësimit të karakterit kombëtar të territorit,meqë po të merrej historia si kriter,me gjithë realitetet nacionale-territoriale bashkëkohore,Hungaria do të kishte të drejtë të vinte dorë mbi pjesën jugosllave të Panonisë,Bullgaria dhe Hungaria do të rivalizonin rreth Beogradit, Greqia do të vinte dorë mbi Stambollin,Shqipëria mbi Janinën, Meksiko mbi Floridën dhe Kaliforninë, Suedia mbi Norvegjinë dhe Finlandën, Gjermania mbi pjesët e rajoneve të Shlezisë dhe të Sudeteve, Danimarka mbi Shlezvikun, Iraku mbi Kuvajtin,etj.,etj.!
Qëndrimet serbe ndaj Kosovës,janë të pabaza edhe në aspektin e së vërtetës materiale,meqë Kosova,përkundër pohimeve me karakter të tillë,”nuk është as djep i popullit serb,as djep i shtetit serb”.
Ambiciet imperialiste me “të drejta historike”nuk kanë mundur t’i mbrojnë Anglia,Franca,Spanja,Portugalia,Holanda që,siç është e njohur,”me shekuj kanë mbajtur vende e popuj të shumtë”. Prandaj,me shkatërrimin e perandorive koloniale,janë krijuar mbi 120 shtete të reja.
Serbia ka qenë nën sundimin e Perandorisë Osmane për afro pesë shekuj (1389-1878),Spanja kishte pushtuar tërë Amerikën Latine në fillim të shekullit XVI. Edhe rusët nuk kanë përmendur ndonjëherë “të drejtat historike”mbi Ukrainën.
Argumentet historike flasin bindshëm se serbët janë vendosur në Kosovë me rastin e zgjerimit të shtetit serb në këtë drejtim nga Nemanjiqët. Në territorin etnik shqiptar,për pasojë pushtimesh, në Mesjetë dhe në kohën e Perandorisë Osmane,janë vendosur pakica sllave,turke dhe rome. Pakica sllave është shtuar ndjeshëm me kolonizimin e dhunshëm në mes të dy luftërave botërore, megjithatë, kurrë nuk ka arritur të jetë mbi 10% të popullatës në tërësi.
Mbi bazë të këtyre fakteve, konkluzioni është shumë i qartë:ishin pikërisht agresioni, pushtimi dhe aneksimi serb i Kosovës që shkelen ligjin ndërkombëtar, e jo e kundërta, që pavarësia e Kosovës “dhunon të drejtën ndërkombëtare”.
Historia është dëshmitare për politikën shkombëtarizuese;
për krimet e mëdha ndaj shqiptarëve gjatë viteve 1912-1918;
për planet gjenocidale serbe për shfarosjen e shqiptarëve;
për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi dhe për shpronësimin e fshatarësisë dhe për kolonizimin serbo-malazias,e tjera.
Kosova nuk ishte pjesë e Serbisë dëshmojnë faktet historike dhe juridike:
-Kosova nuk ishte në përbërjen e shtetit sovran dhe të pavarur të Serbisë me subjektivitet juridik ndërkombëtar të pranuar në Kongresin e Berlinit 1878;
-Kosova nuk ishte në përbërjen e Serbisë në Kuvendin e Dytë të AVNOJ-it(1943);
– Kosova nuk ishte në përbërjen e Serbisë gjatë konstituimit të saj si njësi federale në Këshillin Antifashist të Çlirimit Popullor 1944;
-Kosova nuk ishte pjesë përbërëse e Serbisë në strukturën e Asamblesë Kushtetuese të Jugosllavisë me rastin e shpalljes së Republikës Federative të Jugosllavisë 1945;
– Kosova nuk u inkuadrua në Serbinë sovrane,veçse në përbërje të Serbisë Federale në kuadër të Jugosllavisë Federative,gjatë pushtimit ushtarak në Kosovë1945!
Vendimi mbi të ardhmen e Kosovës nuk mund të injorojë pozitën kushtetuese të Kosovës në ish-Jugosllavi, me gjithë faktin se ajo nuk gëzonte statusin e republikës por, ç’është e vërteta,ishte pjesë përbërëse e ish-Jugosllavisë,me territor dhe kufijtë e vet,të cilët nuk mund të ndryshoheshin pa pëlqimin e saj.
Kosova ishte drejtpërsëdrejti e përfaqësuar në Federatën e ish-Jugosllavisë,po sikurse republikat e saj,e jo nëpërmjet Serbisë,sepse ashtu do të kishim një situatë paradoksale të inkuadrimit të Serbisë në Serbi dhe të tri Serbive me tri vota në Federatë,ndërsa njësitë tjera do të kishin nga një votë. Me identitet politiko-territorial të vetvetes, me kushtetutë të vetën, Kosova ishte njësi konstitutive-federale e Federatës multinacionale të Jugosllavisë. Mosnjohja e statusit të republikës për Kosovën nuk mund të anashkalojë faktin e “origjinës jo sllave të popullatës të saj shumicë shqiptare.
Periudha 28 shkurt 1998 deri me 10 qershor 1999 vetëm sa i ka tejkaluar rastet e veçanta dhe ka marrë përmasat më të përgjithshme të gjenocidit të pushtetit serb ndaj shqiptarëve!
Rrënimi i autonomisë së Kosovës me Amendamentet në Kushtetutën e Serbisë,akt ky që ndodhi me 28 mars 1989, u bë në udhë jo legjitime. Edhe po të mos ekzistonin mangësitë esenciale rreth deklarimit në Kuvendin e Kosovës, mangësi këto që janë dëshmuar, mosekzistimi i vullnetit të lirë,si pasojë e presioneve të jashtëzakonshme politike,e bën edhe deklarimin mbi ndërrimin kushtetues-jo-kushtetues.
E ardhmja e Kosovës nuk mund të kundrohet e krahasueshme me secesionizmin në disa nga vendet e botës. Këtë duhet ta kenë parasysh ato shtete që ende mbahen të rezervuara ndaj pavarësisë së Kosovës. Ato do të duhej që t’i kërkojnë dhe t’i gjejnë pikat e përbashkëta të Kosovës me disa vende të botës që janë pajtuar me heqjen e sovranitetit mbi territore të tjera.
Kosova nuk duhet krahasuar me secesionizmin në disa anë të tjera të botës,ku lëvizjet secesioniste nuk janë duke vepruar në territore të aneksuara që në mënyrë të njëanshme (kundër vullnetit të popullit dhe të sovranëve të mëhershëm) u janë bashkuar shteteve aktualisht ekzistuese, por ato janë duke operuar në territore që kanë qenë pjesë e këtyre shteteve në kohën kur këto shtete kanë filluar së ekzistuari.
Kosova i përmbush të gjitha kriteret e qenies shtet i pavarur dhe sovran
Nëse bëhet fjalë për territorin,në OKB janë të anëtarësuara 34 shtete me territor më të vogël se sa Kosova.
Nëse bëhet fjalë për popullatën,në OKB janë të anëtarësuara 58 shtete me popullatë më të vogël se sa Kosova.
Nëse bëhet fjalë për pranimin ose jo të shteteve të reja në OKB,në periudhën prej 1990-2002,në OKB janë pranuar 34 shtete të reja.
Mbi bazën e argumenteve dhe fakteve që u theksuan,në vija të përgjithshme,statusi i ri politik,juridik dhe ndërkombëtar i Kosovës duhet të jetë ekuivalent, pa asnjë mëdyshje,me pavarësinë dhe sovranitetin,me subjektivitet të njohur ndërkombëtar, në gjithë territorin e saj,pra të sigurojë zbatimin unik të ligjit,përfshirë pjesën veriore të Kosovës.
Të ashtuquajturat komuna me “shumicë serbe” që në propozimin e ambasadorit Martti Ahtisaari kanë fituar shumë kompetenca shtesë,në emër të një projekti të decentralizimit asimetrik, territorial dhe etnik, që përkundër qëllimit më të mirë që mund të jetë menduar,kërcënon me rrezikun që të jetë i dëmshëm për të ardhmen e Kosovës dhe integritetin territorial te saj.
Për Kosovën janë të papranueshme përsiatjet dhe kërkesat serbe për krijimin e dy etniteteve ose për ndarjen e Kosovës. Ato përsiatje injorojnë faktin për kuantume dhe proporcione relative demografike dhe kombëtare, shprehimisht të ndryshme në Kosovë.
Më në fund,theksojë edhe faktin tjetër se Kosova nuk paraqet “territor diversifikativ etnik të karakterit enklavë”.
Prandaj, izolimi i dhunshëm politik i një pjese të territorit të Kosovës,përkundër kompromiseve shumë të dhimbshme që ka bërë Delegacioni i Kosovës me decentralizimin,zonat e mbrojtura për rreth trashëgimisë serbe dhe procedurat favorizuese legjislative për minoritetet,do t’i kundërvihej drejtpërsëdrejti entitetit burimor politik të atij territori dhe do të ishte në diskoordinim të drejtpërdrejtë me të.
Kosova është në pritje të një rezolute të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të cilën do të duhej ta karakterizonin:
- Qartësia politike,juridike dhe ndërkombëtare e statusit të Kosovës që do të mënjanonte ambiciet lidhje me të.
- Subjektiviteti i plotë ndërkombëtar i cili Kosovës do t’i hapte mundësinë e anëtarësimit në mekanizmat ndërkombëtare,përfshirë aty edhe OKB-në.
- Integriteti territorial i vendit, që do të siguronte shtrirjen e qeverisjes së institucioneve të Kosovës dhe zbatimin unik të ligjit në gjithë hapësirën e saj.
- Shteti funksional i Kosovës,që do të mund të pengonte invalidimin e mundshëm të tij.
Është kohë e fundit që Kosova të dalë nga një “rreth i mbyllur”në të cilin ndodhet për më shumë vjet.
Vend i Lekës;28.08.2018
Komentet