Në mesditën e së martës, Kosova nënshkroi marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian., duke shënuar kësisoj edhe hapin e parë të vendosjes së marrëdhënieve kontraktuale me BE-në.
Marrëveshja e cila u nënshkrua në një ceremoni në Strasbourg, përmbylli negociatat për këtë marrëveshje që filluan në tetor të vitit 2013. Në korrik të vitit 2014 Kosova dhe Komisioni Evropian hodhën inicialet e tyre në marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që paraqet hapin e parë zyrtar drejt anëtarësimit të plotë në BE.
Marrëveshja për stabilizim asocim me Bashkimin Evropian u sigurua pas angazhimit të Kosovës në bisedimet me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se kjo është ndër ditët më të rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
“Sot, vendi im, në mënyrë zyrtare ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, konfirmuam vullnetin e qytetarëve të Kosovës drejt perspektivës eurointegruese dhe hapjen e një kapitulli të ri për Kosovën. Kjo Marrëveshje vulos rrugën e Kosovës drejt BE-së, rrugë e cila nuk ka kthim, por i hapë mundësi Kosovës drejt reformimit, përshtatjes dhe implementimit të reformave në të gjithë sektorët. Është rrugë e forcimit të demokracisë dhe ndërtimit të shtetit të së drejtës, rrugë e stabilitetit politik dhe e perspektivës ekonomike, rrugë e përfundimit të tranzicionit drejt një ekonomie funksionale të tregut, e forcimit të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe e zgjidhjeve politike”, theksoi kryeministri Mustafa.
Shefja e politikës së jashtme të bashkimit Evropian, Federica Mogherini, pret që marrëveshja të hyjë në fuqi sa më parë që është e mundur. “Pas kësaj do të ketë shumë të mira për njerëzit e Kosovës dhe për Bashkimin Evropian, për stabilitetin dhe integrimin e rajonit. Është një moment i mirë” tha ajo.
Komisioneri i BE-së për politika të fqinjësisë dhe negociata të zgjerimit, Johannes Hahn, tha se vërtetë është një arritje e madhe në marrëdhëniet dypalëshe, në veçanti kur është fjala për aspiratat evropiane të Kosovës . “Është një ditë e madhe për të gjithë ne, duke falënderuar ekipet tona, pa të cilat kjo gjë nuk do të ishte arritur. Mezi pres që të jem në Kosovë javën e ardhshme dhe të çojmë deri në fund atë për të cilën jemi marrë vesh sot dhe të shohim për mundësitë se si ta zbatojmë, sepse tash është koha për zbatim”, tha zoti Hahn.
Bashkimi Evropian është zotuar të mbështes Kosovën në rrugëtimin e saj evropian nëpërmjet procesit të stabilizim asociimit, një politikë e ngritur për nxitjen e bashkëpunimit me vendet e Ballkanit Perëndimorë dhe bashkëpunimin rajonal. Marrëveshjet e stabilizim asociimit janë pjesë thelbësore e këtij procesi. Për të mbështetur reformat e domosdoshme, Bashkimi Evropian ka ndarë 11.7 miliardë euro për ndihmë para anëtarësimit për Ballkanin Perëndimorë dhe Turqinë, për periudhën ndërmjet viteve 2014 – 2020, nga të cilit 645.5 milion euro janë ndarë për Kosovën.
Nënshkrimi i marrëveshjes, ndodhi në një periudhë kur autoritetet po përballen me përplasje me partitë opozitare të cilat kanë bllokuar tash e më shume se një muaj edhe punën e parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve me Serbinë. Mospajtimet më të thella pasuan marrëveshjen për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe që parasheh një shkallë të gjerë autonomie për këtë komunitet.
Partitë opozitare kërkojnë tërheqjen e nënshkrimit nga marrëveshjet që i shohin si të dëmshme për shtetësinë e Kosovës. Skena dhune përshkuan punën e parlamentit natën e se premtes duke thelluar mospajtimet.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga javën e kaluar filloi një seri takimesh me udhëheqësit e partive politike për të gjetur një rrugëdalje, ndërsa është shprehur e gatshme që të dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjet e kundërshtuara nga opozita.
Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike, i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Beogradi pret që brenda këtij viti të hapen kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim. Por, autoritetet në Serbi janë shprehur të pakënaqura me përmbajtjen e kapitullit të 35-të të këtyre negociatave që sipas tyre përmban një numër të artikujve që paragjykojnë statusin e Kosovës dhe janë të drejtuara kundër interesave kombëtare serbe. Sipas zyrtarëve serb, në kapitullin e 35-të nuk përmendet prerazi njohja e Kosovës nga Serbia, por kapitulli e nënkupton këtë gjë.
Komentet