Kombëtarja e Kosovës e ka mposhtur 1:0 Armeninë në një ndeshje miqësore të premten në kryeqytetin armen, Jerevan, në atë që ishte debutim për trajnerin e ri të verdhekaltërve, Franco Foda.
Milot Rashica e shënoi golin e vetëm dhe të triumfit për ta nisur epokën e trajnerit gjerman në kampin e “Dardanëve” në stadiumin republikan “Vazgen Sargsyan” në Jerevan.
Kosovarët ishin më të mirë se vendësit në përgjithësi dhe krijuan më shumë raste shënimi, por nuk ishin në gjendje t’i konkretizonin ato.
Në fillim të shkurtit, Foda nënshkroi kontratë dyvjeçare e gjysmë me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), e cila do ta mbajë atë në krye të ekipit kombëtar kosovar deri më 31 qershor 2026.
Përballja me Armeninë ishte e para nga dy miqësore që Kosova i luan këtë muaj. Ajo do të përballet me Hungarinë të martën në Budapest.
Emërimi i Fodës e ka ngjallur entuziazëm sadopak në komunitetin e futbollit kosovar, i cili është ende në pritje të kualifikimit të Kosovës në një turne të madh për herë të parë prej se u pranua në UEFA dhe FIFA më 2016.
Foda është ish-futbollist, ndërsa si trajner i ka udhëhequr disa klube austriake, gjermane dhe zvicerane. Ai ishte për një kohë edhe në krye të Kombëtares së Austrisë.
Ai e mori në dorë ekipin kombëtar të Kosovës në kohë për t’u përgatitur për edicionin e katërt të Ligës së Kombeve, që nis në shtator, si dhe për kualifikimet për Kupën e Botës 2026, që nisin në mars 2025.
Kosova vjen nga një fushatë zhgënjyese kualifikuese për Kampionatin Evropian 2024 vitin e kaluar nën drejtimin e ish-trajneri Alain Giresse, pasi u radhit e parafundit në Grupin I kualifikues, me 11 pikë nga 10 ndeshje.
Kjo u cilësua si ndër dështimet më të mëdha të Kombëtares prej ekzistencës së saj.
Kosova nuk ka marrë pjesë asnjëherë në një turne të madh futbolli, si Kupa e Botës apo Evropiani, dhe fushata e fundit kualifikuese për EURO 2024 shihej si shansi më i mirë deri tani në katër fushata kualifikuese për këto dy gara.REL