Shtëpia evropiane e futbollit, UEFA, vendosi se Kosova është përgjegjëse për braktisjen e ndeshjes kundër Rumanisë, duke e humbur atë me rezultat zyrtar 3:0.
UEFA tha se Kosova humbi lojën në tavolinë për shkak se ishte përgjegjëse për ta luajtur atë deri në fund dhe me braktisjen e saj, ajo shkeli nenin 25.01 të Rregullores së Ligës së Kombeve të UEFA-s.
“Federata e Futbollit e Kosovës të dënohet me 6.000 euro për sjellje të pahijshme të ekipit të saj”, tha UEFA.
Në ndeshjen futbolliste në kuadër të Ligës së Kombeve, lojtarët e Kosovës u larguan nga fusha në minutën e 92-të, pasi u ankuan për thirrje raciste nga tifozët rumunë në Arenën Kombëtare në Bukuresht.
UEFA shqiptoi 50.000 euro gjobë për Federatën rumune të Futbollit dhe e dënoi me një ndeshje pa prani të tifozëve “për sjelljen raciste apo diskriminuese të mbështetësve të tij [sa i përket brohoritjeve ksenofokike dhe antihungareze]”.
Kjo federatë u dënua edhe me 30.000 euro për transmetim të mesazheve provokuese politike “që nuk janë të përshtatshme për ngjarje sportive”.
Federata rumune u dënua me 9.000 euro për hedhje të gjësendeve, me 4.500 euro për ndezje të fishekzjarrëve, 8.000 euro për përdorimin e laserëve, 12.500 euro për pengim gjatë antonimeve të himneve kombëtare dhe 14.000 dollarë për bllokim të korridorit në stadium.
Në minutën e 92-të të ndeshjes mes Rumanisë dhe Kosovës, kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, udhëzoi ekipin që të largohej nga fusha.
Ai tha se në stadium kishte thirrje “Serbia, Serbia” dhe “Kosova është Serbi” nga tifozët vendës. Rrahmani deklaroi se e kishte njoftuar gjyqtarin e ndeshjes “së paku tri herë” para se ekipi i Kosovës ta braktiste fushën.
Rrahmani dhe shtabi teknik e ekipit verdhekaltër i udhëzuan futbollistët të largohen nga fusha dy minuta pa përfunduar ndeshja në Arena Bukuresht, kur rezultati ishte 0:0, derisa lojtarët e Rumanisë qëndruan në fushë.
Pas diskutimeve për rreth një orë mes gjyqtarit të ndeshjes dhe përfaqësuesve të të dyja kombëtareve, lojtarët e Kosovës nuk pranuan të ktheheshin në fushë edhe pse u ishte thënë se kushtet ishin përmirësuar për vazhdimin e ndeshjes së ndërprerë në minutën e 92-të.
Gjyqtari danez Morten Krogh u kthye në fushë dhe i kërkoi ekipit rumun ta rinisë lojën dhe e pezulloi atë më pas, sipas rregullores së UEFA-s.
Pas kësaj, UEFA hapi procedurë disiplinore ndaj dy kombëtareve.
Kombëtarja rumune në futboll një ditë pas ndeshjes kishte falënderuar tifozët e saj për “mbështetjen” dhe “sjelljen” gjatë lojës me Kosovën.
“Është për keqardhje gjesti i ekipit mysafir, që zgjodhi të largohej nga fusha pa pajtimin e referit, refuzoi ta përfundonte ndeshjen në fushë në frymën e lojës fer, që reflekton mungesë të respektit jo vetëm për futbollin, por edhe për ata si futbollistë profesionistë”, tha Kombëtarja e Rumanisë, shtetit që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Ndërkaq, Federata e Futbollit të Kosovës më 16 nëntor dënoi ashpër “provokimet dhe sjelljet raciste” gjatë ndeshjes në Bukuresht.
“Thirrjet si ‘Kosovo is Serbia’ dhe ‘Serbia, Serbia’, fishkëllimat gjatë intonimit të himnit kombëtar të Kosovës, hedhja e gjësendeve të forta në stadium dhe veprime të tjera ofenduese e provokuese ishin të pranishme gjatë gjithë ndeshjes, duke krijuar një atmosferë të papranueshme dhe jo të sigurt për lojtarët tanë”, u tha në reagimin e FFK-së.
Paraprakisht, FFK-ja la të kuptohet se do të ankohet në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Zvicër (CAS), nëse UEFA vendos ia jep fitoren Rumanisë
CAS-i ka rrëzuar shpesh vendimet e UEFA-s apo të shtëpisë botërore të futbollit, FIFA.
Kjo është hera e dytë në dy vizitat e fundit të Kosovës në Bukuresht brenda një viti që ndeshja është ndërprerë për shkak të thirrjeve të tifozëve vendës kundër Kosovës.
UEFA e gjobiti Federatën e Futbollit të Rumanisë me 52.000 euro, si dhe e dënoi me një ndeshje pa tifozë, pas një hetimi për disa shkelje gjatë ndeshjes kualifikuese për Euro 2024 kundër Kosovës në shtator 2023.
Atëbotë, ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës në Bukuresht ishte ndërprerë për rreth një orë, pasi tifozët vendës kishin bërë thirrje dhe e kishin shpalosur një pankartë “Kosova është Serbi”, para se të rifillonte pas qetësimit të situatës dhe heqjes së pankartës. REL