Republika e Kosovës është në prag të zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare, të planifikuar të mbahen më 14 shkurt, pasi Gjykata Kushtetuese vendosi se formimi i qeverisë së qershorit të vitit të kaluar ishte jo-kushtetues, vendim i cili shënoi rrëzimin e qeverisë së vendit për herë të dytë brenda vitit 2020, shkruan Anadolu Agency (AA).
Pas luftës së Kosovës në vitin 1999, vendi ka mbajtur shtatë zgjedhje parlamentare, respektivisht në vitet 2001, 2004, 2007, 2010, 2014, 2017 dhe 2019, por ato nga viti 2010 e këndej të gjitha të parakohshme. Kjo tregon një paqëndrueshmëri serioze politike në vend sa i përket koalicioneve qeverisëse, të cilat kryesisht janë arritur me vështirësi dhe me një shumicë të thjesht në parlament, pas çka kanë dështuar si pasojë e qëndrimeve të kundërta për çështje të ndryshme në politikën e brendshme dhe të jashtme të vendit.
Kuvendi i Kosovës përbëhet nga një dhomë 120-anëtarëshe, prej të cilave 10 janë të rezervuara për përfaqësuesit serb dhe 10 për përfaqësuesit e pakicave të tjera në vend. Pasi vendi ka një sistem multi-partial, me shumë parti dhe sistem të përfaqësimit proporcional dhe vende të garantuara për përfaqësuesit e pakicave, deri tani asnjë parti nuk ka arritur e vetme të sigurojë një shumicë parlamentare dhe kryesisht mosmarrëveshjet brenda koalicioneve të shumicës kanë çuar në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Zgjedhjet e fundit të 6 tetorit të vitit 2019 u shpallën pasi kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dha dorëheqje kur u ftua nga Gjykata Speciale për Krime Lufte në Hagë në cilësinë e të dyshuarit. Ai për dorëheqjen u arsyetua se atje do të paraqitet si qytetar dhe jo si kryeministër i Kosovës.
Në zgjedhjet e 6 tetorit, për herë të parë pas themelimit në vitin 2004, Lëvizja Vetëvendosje me kandidat për kryeministër kryetarin e saj, Albin Kurti, e cila grumbulloi më shumë vota, arriti të sigurojë një shumicë parlamentare në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) të Isa Mustafës, e cila kandidat për kryeministër kishte Vjosa Osmanin, si dhe me disa subjekte të pakicave.
Që në fillim të bisedimeve për koalicion midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së kishte mos përputhje për ndarjen e posteve. Ata formuan grupe punuese nga të dyja palët për të afruar programin e qeverisë dhe në fillim të muajit shkurt të vitit 2020 ata arritën një marrëveshje pas çka në Kuvend u votua qeveria e re.
Brenda një viti dy qeveri të rrëzuara
Mosmarrëveshjet midis koalicionit qeverisës vazhduan edhe më tej dhe pothuajse dy muaj më vonë, më 25 mars të vitit 2020, qeveria e kryesuar nga Kurti u rrëzua në një votë mosbesimi, e iniciuar nga partneri i saj qeverisës, LDK, e cila nuk u pajtua me vendimin e kryeministrit për shkarkimin e ministrit të brendshëm nga radhët e LDK-së.
Ish-kryeministri Kurti, në lidhje me vendimin për shkarkimin e ministri Agim Veliu u arsyetua se ai përhapi panik gjatë pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) dhe “nuk qëndroi në një linjë me kabinetin qeveritar sa i përket shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme” në vend.
Më vonë, pasi vendi për një kohë u drejtua nga një qeveri teknike, më 3 qershor të të njëjtit vit, me një shumicë të thjeshtë prej 61 votash u miratua qeveria e re e vendit me kryeministër Avdullah Hotin, të propozuar nga LDK-ja, e cila arriti marrëveshje koalicioni me AAK-në, Nismën Socialdemokrate, Listën Serbe, si dhe parti të tjera të pakicave. Kjo lëvizje erdhi pasi presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi, më 30 prill mori vendim për t’ia propozuar Kuvendit të Kosovës kandidatin e ri të LDK-së për formimin e qeverisë, respektivisht Hotin.
Qeveria e re nuk u pranua nga Lëvizja Vetëvendosje, me arsyetimin se ajo duhej të formohet përmes zgjedhjeve të reja parlamentare dhe sipas tyre ajo qeveri e kryesuar nga Hoti ishte jo-kushtetuese dhe “pa fituar kurrë në zgjedhje”.
Menjëherë pas votimit të qeverisë së re, më 11 qershor Lëvizja Vetëvendosje dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese “anti-kushtetueshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit të deputetit Etem Arifi” në seancën parlamentare për votimin e qeverisë së re, duke u bazuar në nenin e Kushtetutës së Kosovës, e cila thotë se mandati i deputetit “humb ose bëhet i pavlefshëm” nëse i njëjti është dënuar për ndonjë vepër penale me vendim gjyqësor në 3 vitet e fundit.
Arifi, një deputet i Partisë së Ashkalinjëve për Integrim (PAI), derisa ka votuar pro themelimit të qeverisë së re me kryeministër Hotin, ka qenë i shpallur fajtor nga Gjykata e Apelit për veprën penale të mashtrimit me subvencione me 1 vit e 3 muaj burgim efektiv, por vuajtja e dënimit i ishte shtyrë për disa muaj.
Më 22 dhjetor të vitit 2020, pas shqyrtimit të kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje, Gjykata Kushtetuese mohoi votën e deputetit Arifi, vendimtare në shumicën e thjeshtë të qeverisë së Hotit me mbështetjen e 61 deputetëve, si dhe urdhëroi presidentin e vendit të shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare në afat prej 40 ditësh.
Ushtruesin e detyrës president të vendit tashmë e kishte marrë kryeparlamentarja Osmani nga radhët e LDK-së, që pasoi dorëheqjen e Thaçit ndaj të cilit u ngrit akuza për krime lufte në Gjykatën Speciale për Krime Lufte në Hagë. Osmani, e cila nuk kishte qëndrime të njëjta me politikat e partisë së saj dhe shfaqte mbështetje në politikat e lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, më 7 janar të këtij viti pa mëdyshje shpërndau legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës dhe shpalli zgjedhjet e parakohshme parlamentare për më 14 shkurt të këtij viti.
Ky vendim i presidentes në detyrë po ashtu udhëzoi Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) të ndërmarrë veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Paraqitja e pengesave vazhdon edhe në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit
Në procesin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 14 shkurtit, KQZ ka kontestuar kandidimin për deputet të dhjetëra kandidatëve nga disa parti politike në vend, ndër të cilët është edhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti, duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila ndalon kandidimin e të gjithë atyre që kanë qenë të dënuar në tre vitet e fundit, ashtu si në rastin e deputetit Arifi nga radhët e PAI-t, vota e të cilit u mohua dhe shpalli si jo-kushtetuese qeverinë e kryesuar nga Hoti.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kurti nuk do të mund të kandidojë për deputet deri në shtator të vitit 2021, pasi Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli atë fajtor për dy vepra penale, respektivisht “për përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, veprime këto që lidhen me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015.
Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli Kurtin fajtor në janar të vitit 2018, dënim i cili u vërtetua nga Gjykata e Apelit më 18 shtator të vitit 2018. Për veprat në fjalë, ndaj Kurtit u shqiptua një dënim prej 1 vit e gjashtë muaj burgim me kusht.
Sipas Kurtit, partia e të cilit paraqiti ankesa ndaj vendimit të KQZ-së në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe në Gjykatën Supreme, ankesa të cilat u mohuan, institucionet e shtetit duhet ta ndjekin “vullnetin e popullit të vetëdijesuar të Kosovës si asnjëherë më parë dhe jo t’i vihen përballë tij”. Ai po ashtu ka këmbëngulur se në zgjedhjet e 14 shkurtit do të jetë bartës i listës së partisë së tij, duke përsëritur këtë qëndrim edhe në fushatën zgjedhore që filloi më 3 shkurt dhe do të vazhdojë deri më 12 shkurt, dy ditë para zgjedhjeve.
Ndërsa presidentja në detyrë, Osmani, vendimin e KQZ-së e ka quajtur “të paprecedentë me agjendë politike që me çdo kusht nuk duhet të përsëritet”. Ajo po ashtu ka theksuar se si presidente e vendit ka për detyrim që të sigurojë “funksionimin kushtetues të institucioneve të Kosovës”, ndërkohë presidenca në reagimin e saj ndaj vendimit të KQZ-së deklaroi se “dënimi me kusht nuk krijon pasoja juridike”.
Së fundmi, më 14 janar, pas mosmarrëveshjeve brenda LDK-së që çoi në ndarjen e rrugëve të Osmanit dhe kësaj partie politike, Osmani nënshkroi marrëveshje me Kurtin për të kandiduar së bashku në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe pas nënshkrimit në një konferencë të përbashkët për media u njoftua se Kurti do të kandidojë për kryeministër, ndërsa Osmani për presidente.
Në fletë votimin e miratuar nga KQZ për zgjedhjet e 14 shkurtit, lista e kandidatëve për deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë 110 numra, por në të do të figurojnë vetëm 107 emra të kandidatëve për deputetë, kjo pasi Kurtit dhe dy anëtarëve të tjerë të kësaj partie iu pamundësua pjesëmarrja me vendim të prerë nga Gjykata Kushtetuse, në numrin rendor të të cilëve në listën zgjedhore do të mbetet hapësira bosh pa emrat e tyre.
Sipas analizave të bëra në debate në mediat vendore nga njohës të rrethanave kushtetuese, Kurti dhe të tjerët që u është mohuar e drejta e kandidimit për deputet, nuk do të mund të bëhen pjesë e legjislativit në Kuvend, por, ata do të mund të ushtrojnë çfarëdo detyre zyrtare në ekzekutivin e vendit.
Pra, në rast të fitores së Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti do të mund të ushtrojë postin e kryeministrit, ashtu sikurse edhe kandidatët tjerë për deputetë të mbetur jashtë liste të cilët mund të emërohen në pozita të larta qeveritare. Por kjo mund të ndodh deri në momentin që ndonjë person apo subjekt politik të paraqesë kërkesë për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së tyre në Gjykatë Kushtetuese, vendimi i të cilës mbetet i paqartë nëse më pas mund t’i shkarkojë ata ose jo.
Akuzat e ngritura në Hagë ndaj udhëheqësve të vjetër të politikës ndoshta janë fundi i “epokës së qeverisjes së shtetit nga individë ushtarako-politikë”?
Në publikun e gjerë, në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit vërehet një mbështetje e madhe për Lëvizjen Vetëvendosje të kryesuar nga Kurti, si dhe për Osmanin, gjë e cila i hap rrugën një “epoke të re” që pritet të qeverisë vendin tani e tutje.
Ndërkohë, në Gjykatën Speciale për Krime Lufte në Hagë vazhdon procesi gjyqësor për të dyshuarit për krime lufte, përfshirë edhe të akuzuar të cilët që pas luftës së Kosovës kanë udhëhequr shtetin e Kosovës. Ndaj personave që është ngritur akuzë në Hagë për krime lufte janë edhe ish-presidenti Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli. Thaçi deri në vitin 2016 ishte kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), por për të marrë postin e presidentit në bazë të detyrimeve kushtetuese e liroi këtë post për Veselin, i cili aktualisht udhëheq këtë parti që ishte në pushtet për 12 vite deri në zgjedhjet e kaluara të vitit 2019.
Gjykata Speciale, respektivisht Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, janë institucione të përkohshme me mandat dhe juridiksion të përcaktuar për krime që u kryen në Kosovë midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000 nga persona me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë.
Akuzat ndaj udhëheqësve të Kosovës, por edhe personave të tjerë me veprimtari të ndryshme në UÇK, filluan me ftesën e Gjykatës Speciale për ish-kryeministrin Haradinaj për të dëshmuar në Hagë dhe pas asaj kohe dhjetëra anëtarë të UÇK-së janë ftuar në Hagë për të dëshmuar pasi u ngritën akuza për krime lufte kundër tyre.
Thaçi dhe Veseli, të cilët aktualisht janë në paraburgim në Gjykatën në Hagë, janë ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe kanë luajtur një rol kyç në pavarësinë e Kosovës, por edhe pas pavarësisë kanë vazhduar të qëndrojnë në krye të shtetit.
Akuzat në Hagë kanë tronditur politikën e udhëhequr nga ish-komandantët e vendit, duke dhënë shenjë për fundin e një “epoke ushtarako-politike”. Thaçi dhe Veseli, të cilët kanë luajtur një rol kyç në pavarësinë e Kosovës dhe kanë udhëhequr vendin pas pavarësisë, nuk do të kandidojnë në zgjedhjet e 14 shkurt të Kuvendit të Kosovës, me çka dy kandidatët më të favorizuar për të fituar zgjedhjet mbeten Kurti dhe Osmani, por ende mbetet e paqartë çfarë do të ndodh me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, pas vendimit të KQZ-së për mos certifikimin e kandidaturës së tij për deputet.
Këta dy kandidatë më të favorizuar për të fituar zgjedhjet në Kosovë, në zgjedhjet e vitit 2019 ishin kandidatë për kryeministër të dy partive të ndryshme politike, përkatësisht Lëvizja Vetëvendosje me Kurtin që grumbulloi numrin më të madh të votave, pasuar nga LDK-ja me Osmanin që u rendit partia e dytë me më shumë vota të grumbulluara.
Kurti, i lindur më 25 mars të vitit 1975 në Prishtinë, njihet si veprimtar aktiv politik që nga koha e para luftës, kur ishte pjesëmarrës në protesta të shumta studentore e sidomos për protestën historike studentore të 1 tetorit të vitit 1997 ku ishte udhëheqës i protestës. Pas luftës, në vitin 2004, themeloi Lëvizjen Vetëvendosje dhe që nga ajo kohë ka qenë aktiv në politikën e vendit, por deri në vitin 2019 nuk ka qenë asnjëherë në pushtetin qendror. Partia e tij ngritjen dhe jehonën më të madhe e ka pasur me një shtresë të rinjsh kosovarë që revoltën e tyre ndaj pushtetit e shprehnin me protesta në rrugë.
Osmani, e lindur më 17 maj të vitit 1982 në Mitrovicë, është juriste e diplomuar që është inkuadruar në politikë që në adoleshencë si aktiviste e LDK-së. Deri në zgjedhjet e fundit të vitit 2019, pas të cilave u zgjodh kryeparlamentare dhe më pas mori postin e presidentit në detyrë, ajo ishte deputete e LDK-së në Kuvendin e Kosovës për tre mandate, ndërsa në dy mandatet e fundit ishte gruaja më e votuar në Kosovë.
Ndër partitë tjera të mëdha që do të kandidojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit janë LDK-ja me kandidat për kryeministër Avdullah Hotin dhe PDK-ja me kandidat për kryeministër Enver Hoxhaj. Ndërkohë, ish-kryeministri Haradinaj do të jetë bartës i listës në partinë e tij, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), por siç është njoftuar, ai nuk synon postin e kryeministrit, por atë të presidentit të vendit.
Gjatë dekadës së fundit, zgjedhjet nuk ishin rruga e zgjidhjes së “krizës parlamentare” në Kosovë
Zgjedhjet e 14 shkurtit, edhe pse shihen si një shpresë për një “qeveri të shpëtimit” të Kosovës nga thellimi i krizës politike dhe ekonomike, shikuar në prizmin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të dekadës së fundit ato kanë thelluar më tej krizën parlamentare, duke ndikuar negativisht në ekonomi, por edhe në axhendën ndërkombëtare të vendit.
Edhe pse çështja e Kurtit mbetet në dilemë nëse do të paraqiten pengesa pas zgjedhjeve të 14 shtatorit për shkak të ndalimit për të kandiduar për deputet deri në shtatorin e këtij viti, sipas kalkulimeve dhe analistëve në media Lëvizja Vetëvendosje me gjasë do të sigurojë të paktën 40 ulëse në Kuvendin e Kosovës dhe do t’i duhen të paktën 20 vota nga partitë tjera për të siguruar shumicën parlamentare prej 61 deputetëve.
Bazuar në praktikat e kaluara, Kuvendit të Kosovës i nevojitet një shumicë parlamentare më e fuqishme, me mbështetje të më shumë deputetëve, që të hapërojë përpara për të nxjerr vendin nga kriza dhe për të zbatuar axhendën ndërkombëtare të vendit.
Populli kosovar, i cili kaloi vështirësi dhe telashe të mëdha në luftën e Kosovës, nuk ka gëzuar në mënyrën e duhur pavarësinë e tij të vitit 2008, me zgjedhje të jashtëzakonshme të mbajtura në dekadën e fundit dhe me pengesa të shumta në procesin e ndërtimit të shtetit, veçanërisht me “embargon” ndërkombëtare ndaj vendit e cila akoma lufton për liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian (BE), pavarësisht plotësimit të kushteve të kërkuara.
Komentet