Turqia mbështet dialogun Kosovë-Serbi për të arritur marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur, për të mirën e të dy vendeve, tha të hënën ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu pas një takimi në Ankara me ministren në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve në Turqi, Anadollu, Çavusoglu në një konferencë për media ka thënë se gjatë takimit u diskutua për raportet dypalëshe, në veçanti për lidhjet ekonomike mes dy vendeve, të cilat sipas tij, po zhvillohen “por ka ende hapësirë për përmirësim”.
Duke deklaruar se kompanitë turke ofrojnë punë për 10 000 njerëz në Kosovë, Çavusoglu tha se ata synojnë të rrisin këtë numër në të ardhmen.
Çavusoglu tha gjithashtu se ata diskutuan mënyra për të inkurajuar kompanitë për të rritur investimet turke në Kosovë dhe për të forcuar fushën e mbrojtjes dhe bashkëpunimit ushtarak.
Ndërsa, ministrja në detyrë, Haradinaj-Stublla tha përmes një statusi në rrjetin social, Facebook, se në takim është diskutuar edhe për qasjen e Kosovës në vaksinën anti-COVID19. Sipas saj, Turqia ka ofruar mbështetje për bashkëpunim të ngushtë në këtë drejtim.
Më 25 dhjetor ministri i Shëndetësisë i Turqisë, Fahrettin Koca ka thënë se Turqia do të pranojë dërgesën e saj të parë të vaksinës kineze kundër koronavirusit – Sinovac pasi testet paraprake të brendshme treguan se ishte 91% efektive. Ankaraja në ditët e ardhshme do të nënshkruajë gjithashtu një marrëveshje me Pfizer/BioNTech për 4.5 milionë doza, duke e lënë të hapur mundësinë që të blejë 30 milionë më shumë nga gjigandi farmaceutik amerikan dhe partneri i saj gjerman, ka thënë Koca.
Mediat në Turqi raportojnë se Çavusoglu ka kërkuar nga Kosova që të vazhdojë bashkëpunimin kundër lëvizjes “Feto”, duke e quajtur atë një rrezik edhe për Kosovën.
Në mars të vitit 2018, me kërkesë të autoriteteve turke, autoritetet kosovare patën arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë shtetas turq. Dëbimi i tyre është thënë se është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova. Ankaraja dyshon se ata janë anëtarë të organizatës “Hizmet” (Turqia i referohet si FETO), të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen. Këtë të fundit, autoritetet turke e fajësojnë për një përpjekje për grusht-shtet në Turqi në vitin 2016, kurse institucioni “Gulistan” konsiderohet i tij.
Pesë prej shtetasve turq të dëbuar ishin punonjës të shkollës “Mehmet Akif”, që operon në kuadër të “Gulistanit” në Kosovë, ndërkaq personi i gjashtë ishte një mjek turk.
Komisioni Hetimor Parlamentar i Kuvendit të Kosovës në shkurt të vitit 2019 pati identifikuar 31 shkelje ligjore gjatë procesit të arrestimit dhe dëbimit nga Kosova të 6 shtetasve turq, në mars të vitit 2018. rel
Komentet