Në një ceremoni virtuale, ministrja e Jashtme e Kosovës Meliza Haradinaj – Stublla dhe ministri i Jashtëm i Izraelit, Gabriel Ashkenazi hodhën firmat në marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dyja vendeve.
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer dhe ambasadorët amerikanë në Prishtinë dhe në Jerusalem.
Në dy skena, në Prishtinë dhe në Jerusalem të stolisura me flamujt e Kosovës, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, të dy ministrat e vlerësuan historike marrëveshjen e sotme.
“Vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit është një hap i rëndësishëm, historik dhe emocionues. Sot në mëngjes morra një kërkesë zyrtarë për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem dhe padyshim e miratova, dhe mezi pres ta shoh të hapet, shpresoj shumë shpejt”, tha ministri Ashkenazi.
Ministrja në detyrë e jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj, tha se Kosova ka pritur gjatë arritjen e kësaj marrëveshjeje, e cila e bën Izraelin shtetin e 117 që e njeh Kosovën.
“Në këtë ditë të rëndësishme ne hapim një kapitull të ri në lidhjen historike ndërmjet vendeve tona, të cilat janë sfiduar për të ekzistuar si popuj dhe si shtete. Shtetet tona kanë qëndruar pranë njëri tjetrit në momentet më të vështira dhe sot fillojmë një udhëtim si dy shtete”, tha zonja Haradinaj.
Të dyja palët falënderuan Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se përfshirjen e tyre nuk do tw ishte e mundur ngjarja e ditës sw sotme.
“Jemi më shumë se falënderues ndaj aleatit tonë të përjetshëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që jo vetëm na kanë shpëtuar nga gjenocidi i luftës por i kanë dhënë edhe jetë vullnetit të popullit tonë për demokraci dhe liri, në formën e Republikës së Kosovës”, tha zonja Haradinaj.
“Në këtë rast dua të falënderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përpjekjet e tyre që të promovojnë paqen kudo në botë dhe për të përparuar marrëdhëniet e Izraelit me vende me të cilat nuk kishte marrëdhënie diplomatike më parë”, tha ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi.
Më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, Kosova dhe Serbia nënshkruan dakordimin për normalizimin ekonomik ndërmjet tyre në praninë e ish presidentit amerikan Donald Trump.
Pjesë e dakordimit ishte edhe pajtim i Izraelit për njohjen e Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Dokumenti që u nënshkrua ndarazi parasheh që Kosova të hap ambasadën e saj në Jerusalem, ndërsa Serbia të lëvizë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem.
Në marrëveshjen e sotme thuhet se aspektet teknike të këtij vendimi, përfshirë edhe akreditimin e ambasadorëve “do të jenë objekt i diskutimeve të mëtejme përmes kanaleve normale diplomatike”.
Kosova ka emëruar zonjën Ines Demiri të ngarkuar me punë ndërsa emërimi i ambasadorit do të bëhet më vonë.
Komentet