PRISHTINË – Ministri i Financave, Bedri Hamza dhe udhëheqësi i delegacionit të Qeverisë Gjermane, Dirk Schattschneider, sot në Prishtinë nënshkruan Protokolin ndërmjet dy qeverive me të cilën konfirmohen zotimet e Gjermanisë për Bashkëpunim Teknik dhe Financiar për vitet 2018-2019, në vlerë prej 60.05 milionë euro, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media pas nënshkrimit të protolollit, udhëheqësi i delegacionit të Qeverisë Gjermane, Schattschneider deklaroi se, “Gjermania zotohet për bashkëpunim teknik dhe financiar për këtë vit dhe vitin e ardhshëm në vlerë prej rreth 60 milionë euro. Ky zotim do të implementohet për projekte të ndryshme, në prioritet fusha e demokracisë, shoqërisë civile dhe të administratës publike”.
Schattschneider shtoi se, “Si fushë e dytë mbështesim zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe mbështesim Kosovën duke krijuar perspektiva për popullatën, veçanërisht për popullsinë e re, gjeneratën e re”.
Ai tha se në fushën e tretë në fokus është mbështetja e efiçiencës së energjisë, energjisë së ripërtëritshme dhe të trajtimit të ujërave të zeza, të cilat sipas tij, shërbejnë për të përmirësuar drejtpërdrejt kushtet e jetesës së qytetarëve të Kosovës.
Ministri Hamza deklaroi se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje i siguron Kosovës mbi 60 milionë euro financim, para grant dhe pa kthim. Ai me këtë rast i falënderoi institucionet gjermane, popullin dhe taksapaguesit gjermanë që me taksat e tyre vazhdojnë fuqishëm të përkrahin zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Gjermania është një nga donatorët më të mëdhenj në Kosovë. Sot marrëveshja ka peshën prej mbi 60 milionë euro financim ku do të përfitojnë sektorët e energjisë, ambientit, arsimit, sektorit privat, definitivisht këto prioritetet dhe nevojat e Kosovës”, tha ai.
Komentet