Dihet që numrat (statistikat) e ekonomisë së një vendi janë pakashumë ngjashëm si “temperatura e trupit”, që e masim me termometër. Kur e masim, nëse t’jetë optimale… bukur, gëzohemi, e dimë që s’jemi të sëmurë : )
Kuptohet, temperatura trupore duhet t’jetë stabile, organizmi ashtu funksionon – thonë shkencat dhe doktorët. Temperaturës së trupit nuk i ka hije me akrobacionet herë lart, herë poshtë, herë… si t’i teket.
Pakashumë ngjashëm është dhe me “stabilitetin ekonomik” të një vendi. Stabile ekonomia = (baraz) me stabilitetin e temperaturës. Vlen për të gjitha vendet e botës njësoj, anise ne e kemi fjalën për Kosovën (si shembull).
Volumi ekonomik dhe rritet, psh. injektohen investime të reja nga BE-ja, vjen z. Pacolli nga Zvicra, gjatë vitit ndërtohen + disa fabrika, rritet indeksi i prodhimtarisë, avancohet efikasiteti financiar… etj. plot këso faktorësh mund t’jenë të ndryshueshëm (kah e mira, apo dhe e kundërta, kah e keqja).
Mirëpo ekonomia si “organizëm” kompleks pritet ta ruajë stabilitetin e vet, edhe kur “rritet” thuase duhet rritur me kujdes. Duhet ruajtur balansi, duhet në përpjestim të drejtë me të gjithë faktorët rreth e rrotull. Madje duhet patur kujdes dhe me përpjestimin e zhdrejtë.
Afërmendsh, nuk është e hijshme që ekonomisë t’ia ngjet “gripi… as grepi”. S’është e lavdërushme t’ia nis me kollitjen, me C-vitaminat, me çajrat kamomile, me djersitjen etj etj. Sa për dhimbje fyti, sa për zënie hundësh ekonomike dhe për rehabilitimin në shtratin e spitalit… as që guxon kujt t’i shkojë mendja : )
Në fakt, tani në muajin Shkurt, ende s’ka çelur pranvera dhe faktet e temperaturës ekonomike kosovare janë fare “Shkurt”. Sipas raportit të ASK (Agjencisë së Statistikave të Kosovës) të dhënat nga “Tregtia e Jashtme të Mallrave të Kosovës” flasin për një deficit tregtar më të lartë për 9.9 % në muajin Janar 2024, në raport me periudhën e njëjtë të v. 2023, gjegjësisht në vlerë prej 319.7 milionë €, krahasuar me deficitin prej 291.5 milionë € në v. 2023.
Dmth. rreth 28 milionë € janë mangut, s’po themi se ekonomisë kosovare ia ka “ngjitur grepi… gripi” dhe se 28 milionë € janë shpenzuar për C-vitaminat. Por nëse kjo ju duket “pak” atëherë si krahasim-qartësim, bie fjala eksportet e Kosovës me të gjitha vendet e CEFTA-s ishin 21.8 milionë €.
Ose gjatë Janarit 2024, vlera e mallrave të Kosovës eksportuar në vendet e gjithë botës (eksporti global kosovar) ishte 20.1 milionë €.
[ fotoja, burimi: prishtinainsight – tregu multietnik në Fushë-Kosovë, 2019 ]