VOAL- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi sot – të Premten – shkarkimin e të gjithë zyrtarëve rajonalë të ngarkuar me rekrutimin e ushtrisë për të çrrënjosur një sistem korrupsioni që lejon veçanërisht rekrutët të shpëtojnë nga ushtria.
“Pasurimi i paligjshëm, legalizimi i fondeve të përfituara në mënyrë të paligjshme, fitimet e paligjshme, transporti i paligjshëm i rekrutëve përtej kufirit. Zgjidhja jonë: të shkarkojmë të gjithë komisarët ushtarakë”, njoftoi Zelensky në Telegram.
Presidenti njoftoi gjithashtu se “përpara emërimit të krerëve të rinj” të rekrutimit ushtarak rajonal do të bëhet një inspektim nga SBU, shërbimi i sigurisë së Ukrainës. “Për dy javë do të ketë një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes për këtë çështje. Do të merren gjithashtu vendime”, premtoi Zelensky. Këtë e raporton Ukrainska Pravda.