Kam shkruar një seri opinionesh për gjendjen kritike ku ndodhet shtypi i lirë. Në Shqipëri liria e shtypit është nën censurë dhe autocensurë, çdo ditë Edi Rama zbulon një hallkë të re për të prangosur fjalën e lirë.
Në mënyrë agresive prej katër vitesh tentakulat e këtij regjimi hibrid kanë shtrirë kthetrat në diasporë, duke kapur shoqata e individë si dhe duke përhapur “shtypin e partisë” edhe përmes portalit Diaspora Shqiptare, që e boton Ministria e drejtuar nga ministri i përçarjes të diasporës Pandeli Majko.
Normalisht kur një gazetare, botuese dhe bashkpunëtore prej 12 vitesh e Diellit ngre një shqetësim, kryeredaktori i një gazete të krijuar nga emra të mëdhenj, do të duhej të dilte personalisht të shprehte qëndrimin e tij.
Në vend të kësaj, u gjet një mënyrë aspak e denjë për t’iu përgjigjur shqetësimeve të mia me një pseudolajm nga korrespondenti i Diellit, sikur të jetë fabrikuar në guzhinën e komiteteve të partisë të punës, ku gjithçka është përzier si një sallatë ala macedonia, që edhe të merret si përgjigje, edhe të mos merret, pra gjëra të thëna si nëpër mjergull, ku vetëm i interesuari mund të kuptojë diçka por assesi lexuesi dhe opinioni publik. Këto lloj lajmesh janë tërësisht dizinformuese.
Prej kohësh kam shprehur qendrimin se zv/editori i Diellit dhe anëtarja e kryesisë e Vatrës kanë një këmbë tek Dielli e Vatra dhe këmbën tjetër tek portali i Pandeli Majkos.
Kam 30 vjet gazetare dhe gjithmonë iu referohem fakteve për të gatuar pastaj metaforat!
Për këto konstatime të miat, – Dalip Greca, (nuk e di se në emrin e kujt), u mbrojt me sulm, duke i dënuar dy botuesit e voal.ch që kanë të paktën mbi çerek shekulli që kontribuojnë në shtypin e lirë të diasporës, duke ua hequr të drejtën e botimit tek Dielli, që ka të paktën dhjetra herë më pak lexues se voal.ch, me pretendimin se paskemi botuar deklarata të fraksionit të Vatrës – si dhe meqë Z.Buçpapaj ishte pjesëtar i simpoziumit të organizuar nga fraksioni ku morën pjesë personalitete të shquara, unë po përmend Eleni Kocaqin.
Kjo do të thotë që, tash e mbas Dielli i perënduar i Vatrës ka për të censuruar edhe zonjën Kocaqi dhe personalitetet e tjera të nderuara për të njëjtën arsye?!
Unë mendoj se Dielli na e ka ndaluar të drejtën e botimit, (sikur tim eti diktatura dhe mua po ashtu, sepse isha bija e tim eti) edhe për të mos botuar shkrimin tim ku denoncoj ambasadorin e Shqipërisë në Zvicër Ilir Xhelil Gjoni por edhe si mbyllje dere ndaj vijës politike të voal.ch, në opozitë të plotë me establishmentin e korruptuar shqiptar të politikës, kur prej kohës të Dritan Mishtos Vatra u hapi dyert atyre politikanëve që sot janë në Hagë.
Korrespondenti i Diellit, në një lajm ku janë të përziera disa syresh si një kakofoni, kërkon të bëjë sa më tepër zhurmë, që askush të mos marrë vesh si është puna vërtetë.
A merr vesh publiku se çfarë shkruan korrespondenti i Diellit si më poshtë ?
“Ministri Shqiptar i Diasporës, z. Pandeli Majko, pasi ka mësuar nga Ambasada Amerikane” (për një Zoom takim me disa pjestarë të diasporës midis tyre edhe tre nga kryesia e Vatrës – shpjegimi im EB), “menjëherë ka kontaktuar me mesazhe pjesëmarrësit individualisht në këtë takim, ndër ta edhe vatranë, dhe ju ka ofruar atyre komunikim e këmbim idesh. Cdo interpretim tjetër nuk përkon me të vërtetën.”
Nuk ka asnjë lloj keqinterpretimi sepse është e qartë si drita e diellit strategjia e qeverisë të korruptuar të Tiranës të fusë në kthetra diasporën, të penetrojë nëpër institucionet e Perëndimit me njerëzit e vet që i reklamon përmes klientëve të saj dhe mediumeve qeveritare që i ka nën kontroll nga RTSH, portali i Majkos e shkon deri tek Dielli.
Më tutje korrespondenti i Diellit vijon: “Për të qenë transparentë, VATRA asnjëherë nuk ka marrë pjesë si organizatë në Samitet e Diasporës dhe nuk është në kontakt apo në bashkëpunim me Ministrinë Shqiptare të Diasporës, as si institucion, as me gazetën e Diasporës, organi i kësaj Ministrie.”
Autorja e këtij shkrimi nuk do të lodhej fare nëse do të ishte e vërtetë çfarë i konsumon si retorikë korrespondenti i Diellit, ndërsa veprohet 180 gradë ndryshe, pra tjetër thuhet e tjetër veprohet.
Kur konstatova se zv/editori i Diellit dhe anëtarja e kryesisë e Vatrës bashkëpunojnë me portalin e Majkos këtë shqetësim e ndava së pari me vetë anëtaren e kryesisë, pastaj me Dalip Grecën, e pastaj me ndonjë Vatran apo anëtar të kryesisë së Vatrës.
Për hir të së vërtetës, Dalip Greca nuk ka pranuar se zveditori apo anëtarja e kryesisë të Vatrës bashkëpunojnë me portalin qeveritar të Pandeli Majkos. Edhe kur ia kam çuar linqet, Dalip Greca ka bërë një sy qorr, në pozicion totalisht konformues.
Korrespondenti i Diellit, në lajmin që citoj më sipër e akuzon qeverinë e Edi Ramës se: “Arsyeja e mosbashkëpunimit” (të Diellit dhe Vatrës – shënimi im) “qëndron në faktin se Vatra i ka konsideruar samitet, takimet, eskursionet turistike, fasadë në ndihmë të Qeverisë dhe asgjë më shumë. Kujtoni takimet fasadë me mjekët shqiptarë në botë me kryeministrin, apo samitet, ku çdo përfaqësuesi i jepej 3 minuta për prezantim, dhe kaq!!!! Vatra, përmes gazetës së saj Dielli, ka mbajtë qëndrim kritik dhe vazhdon të ketë të njëjtat qëndrime”.
Kështu shkruan por de facto zv/editori dhe anëtarja e kryesisë së Vatrës botojnë tek portali i Pandeli Majkos.
Dhe për të justifikuar këtë, korrespondenti i Diellit në mënyrë makiaveliste vulgare del në konkluzionin se “Publikimet që merren prej tyre” (dmth të zv/editorit të favorizuar & katapultuar të Diellit e anëtares të kryesisë të Vatrës – sqarimi im EB) ne nuk kemi arsye që t’i ndalojmë.”
Po si nuk paskan arsye! Po a nuk thonë më sipër se Vatra ka arsye që nuk bashkëpunonon me qeverinë!
Po a mund të ketë shtyp të lirë të orekestruar nga një qeveri që ka uzurpuar çdo pushtet, përfshi edhe pushtetin e katërt ?!
Po pse a nuk e di korrespondenti i Diellit se politika e Tiranës është një hienë grabitqare e lirisë së shtypit të lirë!
Këtu korrespondenti i Diellit, që zgjedh të dalë pa emër e mbiemër, gënjen dhe, kur një gazetar gënjen, nuk ka të drejtë as morale të quhet gazetar. Veç klient!
Portali qeveritar i diasporës, që shpërdor fondet e marra nga Perëndimi, e ka monopolizuar “fjalën e lirë” përmes kanaleve të besuara, sepse kuti politik është themeli i këtij portali, çka bie ndesh me pavarësinë që ka informimi publik. Jo më kot ish zyrtarë e drejtorë të Ministrisë të Diasporës janë kthyer në drejtues dhe menaxherë të tij.
Anëtarja e kryesisë së Vatrës është “autore” tek portali i Pandeli Majkos, po ashtu edhe zv/editori i favorizuar i Diellit, që sjell në portalin e Vatrës yjet e PS, ndërkohë që Dielli ka ngritur shpatën e censurës ndaj botuesve të voal.ch me kontribute mbi çerek shekulli në diasporë, jo si rrogëtarë, por si gazetarë, autorë dhe editorë që mbrojnë me guxim të vërtetat e vështira të këtij fillimshekulli, që i ka faktorizuar shqiptarët nga Zoti dhe Perëndimi, por i ka penguar dhe po i mban peng nga klasa politike shqiptare e korruptuar me shërbëtorët e tyre deri në diasporë.
Rrugaçëri e vërtetë! Në mes të New Yorkut dhe në mes të vendit të demokracisë!