Kundërshtia e fundit ka qënë mbi “rastin Suedi”. “Një shembëllim për t’u ndjekur në rrugën e një normaliteti të ri”: kështu e ka përcaktuar në një konferencë shtypi të 30 prillit Mike Ryan, shefi i programit të emergjencave shëndetësore të Organizatës botërore të shëndetësisë. Por që nga fillimi i emergjencës agjensia ka mbështetur efektshmërinë e të kundërtit “shëmbëllim kinez”, pra të një kundërveprimi ndaj epidemisë, të përqëndruar veçanërisht mbi masa mbylljeje tepër t’ashpra. Këto javë presidenti amerikan Donald Trump e ka sulmuar Organizatën botërore të Shëndetësisë, duke e quajtur “filokineze” e duke ndërprerë derdhjen e kuotave të përkatësisë.
Por n’adresë të agjensisë – mandati i së cilës përmban edhe mbikqyrjen dhe parandalimin e emergjencave shëndetësore botërore – janë ngritur kritika nga shumë anë. Mbulesat e gojës: në fillim të përcaktuara “të kota”, pastaj mbas shumë kohe të këshilluara; porosia për të përdorur tamponët vetëm për ata që kishin shënja të dukëshme , në fillim, për të bërë një prapakthim të papandehur duke këshilluar që të përdoren sa më shumë; ngadalësia e përgjithëshme e OBSH për të shpallur njërën pas tjetrës gjëndjet e gatishmërisë së përgjithëshme që çuan në një pandemi ”që është larg të qënit e mundur” (kështu tha drejtori i agjensisë Tedros Adhanom Ghebreysesus). OBSH a mund të kishte qënë më e efektëshmenë luftën kundër koronavirusit?
Një agjensi shumë “filokineze”
Padia më politike është ajo e paraqitjes shumë “filiokineze”. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka pezulluar financimet amerikane të OBSH (janë 17-18 përqind të bilancit) që e përcakton “qole” të Kinës”; por edhe nënkryeministri japonez Taro Aso ka këshilluar polemikisht t’a ripagëzojnë “Organizata Kineze e Shëndetësisë”. Çështja e Taivanit, ende e papranuar mes Shteteve antare të OBSH (sepse republikë de facto jo e njohur nga Kina, megjithë një përballim shëmbullor me epideminë, që ka patur në këto kohë një jehonë të gjërë ndërkombëtare, dhe një kryeartikulli t’ashpër të Wall Street Journal që e ka përcaktuar OBSH “Lost in Beijing”, e humbur në Pekin.
Vonesat në temën e përcjelljes “nga njeriu te njeriu”
Virusi u rendit për të parën herë në një laborator të Wuhanit më 27 dhjetor. Kina i përcolli të dhënën OKB dy javë më vonë, më 10 janar. Por drejtori i përgjithshëm Ghebreysesus tuitoi edhe një herë: “Shpejtësia dhe tejpamja e Kinës në këtë dallgë është tronditëse”. N’ato ditë Taivani lajmëroi (më kot) organizatën për rrezikun e përcjelljes njerëzore të virusit, po ashtu sikurse mjeku -hero kinez Li-Wenliang (pastaj i vdekur me Covid-19): nuk bëhet asgjë. Më 14 janar Ghebreysesus tuiton përsëri. “Nuk ka prova që virusi përcillet nga njeriu tek njeriu” Sapo ka takuar Xi Jingping në Pekin, duke i lëvduar tejpamjen. Më tutje, ndërsa bota e tërë nuk i besonte të dhënat zyrtare të njoftuara nga Republika Popullore (vetë autoritetet e së cilës, në prill i ripanë në ngritje të përmbajtur), Organizata Botërore e Shëndetësisë vazhdonte t’i mbante për të sakta: përfshirë edhe vërejtjet e ardhura nga Wuhani mbi përcjelljen e virusit ndërmjet njerëzve. “OBSH nuk kishte mjete për t’i vërtetuar në vend” ka thënë Larry Gostin, funksionar i OBSH, tek New York Times.” Ose, nëse duam të jemi më pak të mëshirshëm, nuk ka bërë asgjë për t’a vërtetuar, i besoi Kinës”.
Pacientët asintomatikë
Në fazat e para të pandemisë, një hulumtim i Hong Kongut kundërshtoi të dhënat kineze: nuk peshojnë pacientët asintomatikë. Por një raport i OBSH: “Pacientët asintomatikë janë të rrallë, e vështirë se përcjellin mikrobin” Në mars një studim i botuar në revistën Science i vesh asintomatikëve përgjegjësinë e 80 % të infektimeve. Që aty e mbrapa OBSH pushon së zvogëluari rolin, dhe më një prill epidemiologia e saj Maria van Kerkhove porosit në leksionin e Gjenevës,“rëndësinë e gjurmimit të asintomatikëve që shpejt a vonë do të arrijnë të zhvillojnë shenjat”.
Vonesa për të thënë: “Është pandemi” dhe parashikimi (bosh) i shtatorit
Vetë përcaktimi i “pandemisë”, që vetëm OBSH është e ngarkuar zyrtarisht t’a thotë, ka ardhur kur prej kohësh të gjitha zonat e planetit ishin të prekura nga urgjenca: më 11 mars. Më parë kishin qënë një sërë raportesh qetësuese: vetëm më 28 janar kërcënimi i epidemisë kineze ishte bërë “i lartë”, nga “i përmbajtur” për pjesën tjetër të botës. E megjithatë që në shtator, në një raport të titulluar “A World at Risk”, Organizata Botërore e Shëndetësisë paratha edhe një kërcënim “shumë real” të “një pandemie shumë vdekjeprurëse të shkaktuar nga një mikrob patogjen i rrugëve të frymëmarrjes, që do të mund të vriste deri në 50 – 80 milionë njerëz e do të fshinte 5 % të ekonomisë botërore”. Arsyet e hamendësuara: kryesisht përhapja aksidentale ose me qëllim e një virusi të frymëmarrjes të renduar në laborator. “Bota nuk është gati për këtë” përmbyllej raporti. Alarmi ra në zbrazësirë i tejkaluar nga realiteti: pandemia globale nga koronavirus që u vërtetua më vonë erdhi shumë shpejt, vetëm pak javë më mbrapa.
Mbrapakthimi mbi tamponët
Së fundi ka kritika edhe në pështjellimin e direktivave të OBSH përsa i përket testimeve sierologjike, tamponëve dhe mbulesave te gojës. Mbi tamponët: direktivat e para të OBSH, që ndoshta kanë ndikuar edhe në mungesën dramatike të testeve e tamponëve në shumë Vënde, ashtu si edhe n’Itali, kanë qënë që të përdoren “vetëm në rastet e dyshuara”. Pra vetëm tek njerëzit me shenja frymëmarrje të mprehta apo kontakte të sigurta me pozitivët, ose me të dyja rastet. Vetëm më 16 mars drejtori Ghebreyesus tuiton: “Ka vetëm një mesazh për të gjithë shtetet antarë: testime, testime, testime”. Andrea Crisanti, mikrobiolog i Universitetit të Padovës që ka bashkërenduar përgjigjen e Venetos ndaj epidemisë, ka kritikuar OBSH sepse nuk ka këshilluar me njëherë tamponët për asintomatikët.
Mbrapakthimi mbi mbulesat e gojës
Edhe mbi nevojën për të vënë mbulesat e gojës, njoftimet e OBSH dhe direktivat e saj Vëndeve, kanë qënë shpesh në kundërshti me njëra tjetrën. Në fazat fillestare të pandemisë agjensia u shpreh qartë: janë të kota për t’u mbrojtur, t’u lihen mjekëve dhe infermierëve. Përsëri më 6 prill Ghebreyesus porosiste: “Këshillojmë përdorimin e mbulesave mjekësore të gojës atij që është i sëmurë apo duhet të kujdeset për një njeri të sëmurë, ose Vëndeve në të cilët larja e duarve dhe qëndrimi në distancë janë të vështirë të zbatohen. Na shqetëson fakti që përdorimi në masë i këtyre mbulesave nga ana e njerëzve mund të rëndojë mungesat”. Pastaj mbrapakthimi. Dy ditë më pas eksperti OBSH Mike Ryan shpiegon: “Mund të jenë të dobishme në luftën e përgjithëshme ndaj pandemisë”. Më 13 prill zëdhënësi i OBSH David Navarro thotë se “Mbajtja e tyre duhet të bëhet normë”.
Të shëruarit “nuk janë imunë”
Së fundi polemika e mbrapme mbi imunitetin e fituar nga të shëruarit: nuk ka asnjë provë, ka deklaruar OBSH pak ditë më parë, që njerëzit e shëruar nga Covid-19 kanë kundërtrupa në gjëndje që t’i mbrojnë nga një infeksion i dytë. Në këtë pikë të pandemisë ”nuk ka mjaft dukuri që venë në dukje efektshmërinë e imunitetit të dhënë nga kundërtrupat për të siguruar “një pashaportë imuniteti” apo një “certifikatë lirie nga rreziku”. Por është një maturi e drejtë vetëm në teori, simbas shumë imunologëve: deri sot nuk ka siguri të njerëzve të sëmurur dy herë nga Covidi. Një studim i fundit në revistën Nature Medicine zbulon se “në të gjithë të sëmurët hasen kundërtrupa brënda 19 ditësh nga shfaqja e Covidit”.
“Corriere della Sera”, 2 maj 2020 Përktheu Eugjen Merlika
Komentet