Të paktën 127 persona kanë vdekur teksa një avion pasagjerësh, teksa po ulej preku pistës, u kaplua nga flakët dhe u përplas për një mur në Aeroportin Ndërkombëtar Muan të Koresë së Jugut, thanë autoritetet.
Avioni shkoi në Korenë e Jugut nga Bangkoku i Tajlandës me 181 persona në bord dhe tentoi të ulej pak pas orës 09:00, sipas kohës lokale, në aeroportin në jug të Seulit, tha Ministria jugkoreane e Transportit.
Ky është aksidenti më i rëndë ajror ku është përfshirë një kompani ajrore jugkoreane në tri dekadat e fundit dhe është aksidenti më vdekjeprurës, sipas autoriteteve në Seul.
Në videot e publikuara në rrjetet sociale mund të shihet avioni i llojit Boeing 737-800 duke rrëshqitur në pistë dhe nuk duket se ka pajisje për ulje, para se të përplaset në një mur dhe të shpërthejë në flakë.
Dy anëtarë të ekuipazhit, një burrë dhe një grua, u shpëtuan nga pjesa e bishtit të avionit, tha zëdhënësi i zjarrfikësve në Korenë e Veriut, Lee Jung-hyun, duke shtuar se është arritur që të shuhet zjarri.
Autoritetet tani kanë nisur të kërkojnë në zonat përreth për trupa të mundshëm të pasagjerëve.
Dy anëtarët e ekuipazhit po trajtohen në spitale me lëndime nga mesatare deri të rënda, thanë autoritetet.
Disa orë pas rrëzimit, familjarët e pasagjerëve u mblodhën në aeroport, teksa atyre u janë dhënë letra që të shkruajnë detaje për familjarët e tyre.
Ky është aksidenti më i rëndë ajror ku është përfshirë një kompani jugkoreane që nga viti 1997, kur një avion i Korean Air u rrëzua në Guam, duke lënë të vrarë më shumë se 200 persona.
Hetuesit po shikojnë nëse faktorët e rrëzimit të avionit mund të jenë goditjet nga zogjtë apo kushtet atmosferike, tha Lee. Agjencia e lajmeve Yonhap citoi autoritetet e aeroportit të kenë thënë se goditjet nga zogjtë mund të kenë shkaktuar mosfunksionimin e pajisjeve për uljen e avionit.
Kulla e Kontrollit kishte lëshuar një paralajmërim për goditje nga zogjtë pak pasi pilotët shpallën emergjencë brenda fluturakes, tha një zyrtar i Ministrisë së Transportit, duke mos specifikuar nëse avioni ishte goitur nga zogjtë.
Pothuajse një minutë pasi pilotët njoftuan për situatën, ata nisën përpjekjen e tyre të dështuar për t’u ulur, tha zyrtari.
Agjencia News1 raportoi se një pasagjer i kishte dërguar mesazh një familjari të tij, duke thënë se një zog kishte goditur krahun e avionit.
Në mesin e pasagjerëve ishin dy shtetas të Tajlandës, ndërkaq pjesa tjetër besohet se janë nga Koreja e Jugut, tha Ministria e Transportit në Seul.
Avioni Boeing 737-800, që operohej nga Jeju Air, ishte prodhuar më 2009. Shefi ekzekutiv i Jeju Air kërkoi falje për aksidentin dhe gjatë një adresimi televiziv ai u përkul për të shprehur keqardhje. Ai tha se ende nuk dihet shkaku i rrëzimit, duke shtuar se fluturakja nuk kishte pasur asnjë aksident të mëparshëm dhe nuk kishte tregues se kishte ndonjë problem në avion dhe tha se do të bashkëpunojë me autoritetet për hetimet.
Kur avioni u largua nga aeroporti i Bangkokut, Suvarnabhumi, nuk ishte raportuar për kushte anormale, tha presidenti i aeroporteve të Tajlandës, Kerati Kijmanawat.
E themeluar më 2005, kompania Jeju Air është një kompani ajrore me kosto të ulët që operon në rrugët ndërkombëtare për në Japoni, Tajlandë dhe Filipine, si dhe kryen fluturime të shumta brenda Koresë së Jugut. REL
Komentet