Luiza Gega e ka nisur këtë javë me një surprizë. Atletja është “vizituar” herët sot në mëngjes nga Agjencia Ndërkombëtare e Anti-Dopingut (WADA) për një kontroll të befasishëm.
Është vetë 28-vjeçarja që e bën të ditur lajmin përmes një postimi në “Facebook”, të cilin e shoqëron me një foto nga formularët e analizave të gjakut dhe të urinës. “Si fillim jave që është, duhej dhe një duble Doping Control që në 6 të mëngjesit. Mos më kini zili ju që s’bëni sport elitar, se nuk ka zgjime me muzikë”, shkruan vrapuesja, e cila duket se e ka marrë me sportivitet këtë procedurë.
Ndërkohë, Gega ka zgjedhur sërish profilin e saj social për të informuar mbi fazën e riaftësimit. Përmes një postimi në faqen e saj zyrtare në “Facebook”, 28-vjeçarja ka bërë me dije se thuajse është rikuperuar 100% nga dëmtimi që pat pësuar dy muaj më parë, pas Europianit të Amsterdamit. Dëmtim që ndikoi jo pak tek atletja shqiptare që në Lojërat Olimpike “Rio 2016” garoi e dëmtuar në 3000 metra me pengesa. Për pasojë, flamurmbajtësja e Shqipërisë në Olimpiadë nuk arriti objektivin e saj në Brazil.
“Mbaroi stërvitja edhe për sot”, thotë Gega për fansat dhe miqtë e saj pasi ka mbyllur stërvitjen në stadiumin “Elbasan Arena”. Më tej ajo shton: “Jam e lumtur, pasi jam rikuperuar pothuajse 100%. Tani, çdo ditë e më shumë në fokus për objektivat e radhës”, shprehet atletja shqiptare, që do të rikthehet në pistë në aktivitet zyrtare vetëm vitin e ardhshëm.
Atletja ka vetëm pak ditë që i është rikthyer pistës, pasi ka qenë e dëmtuar dhe më së shumti ka kryer palestër e fizioterapi.
Komentet