“Nëse bashkësia ndërkombëtare thotë se Vuçiçi nuk e di se ku janë të zhdukurit, është duke bërë hajgare, sepse Vuçiçi i di ku janë. Presidentit të Serbisë duhet t’i ngrihet aktakuzë sikurse Putinit”.
“Duke fshehur krimet dhe gjenocidin e kryer në Kosovë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç meriton të ndiqet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, sikurse që po i bëhet aktualisht presidentit rus, Vladimir Putin”, thotë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Ai tha se kur flitet për fshehjen e krimeve, siç është rasti me mos-zbardhjen e fatit të personave të zhdukur apo të rrëmbyer me dhunë gjatë luftës, Vuçiç dhe regjimi serb po bëjnë krim të rëndë kundër njerëzimit.
“Serbia ka pasur nevojë për një protektorat ndërkombëtar për shkak të krimeve të luftës”, thotë Konjufca, duke iu referuar zhvillimeve të përgjakshme në Kosovë gjatë viteve ‘99 – 2000, por edhe atyre në Bosnje gjatë viteve të ’90-ta.
Ai thotë se Vuçiç dhe shteti serb, e dinë fort mirë se ku janë fshehur trupat e shqiptarëve të vrarë e rrëmbyer me forcë gjatë luftës.
Çështja e të pagjeturve apo zhdukurve të luftës, është një nga pikat urgjente në kuadër të marrëveshjes së fundit mes Kosovës dhe Serbisë, e përcaktuar edhe me aneksin e veprimit të miratuar në Ohër.
Serbia, kishte provuar që t’i ikë kësaj pike, por pas katër tentimeve, ajo është futur si çështje urgjente.
“Personat i kanë rrëmbyer me dhunë, i kanë zhdukë, nuk dihet as për fatin e as për trupat e tyre. Për këto se ku janë ata, unë mendoj që nuk ka shaka dhe se për Zotin bashkësia ndërkombëtare bën hajgare nëse thotë se Vuçiqi nuk e din”, thotë Konjufca.
“Ai e din, por mund të thuhet se Vuçiçi nuk po don me tregu”, nënvizon ai.
Konjufca rikujton edhe veprimin e trishtë të autoriteteve serbe kur kishin vendosur që të ndërtonin poligonin në Batajnicë mbi eshtrat e shqiptarëve të vrarë, krim ky që ishte zbuluar më pas.
“Vuçiç që ka qenë pjesë e pushtetit të Millosheviçit e që e din ku janë të pagjeturit”, thekson Konjufca, duke ftuar edhe Hagën që të merret me këtë çështje.
Marrë parasysh të gjitha këto veprime, Konjufca thotë se kushtet ekzistojnë që edhe Vuçiçit t’i ngritet një ndjekje penale ndërkombëtare sikurse Putinit. /TV1