Në Kuvendin e Kosovës sërish kanë ndodhur përplasje midis deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, dhe të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Opozita po tenton që të pengojë mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme që u thirr nga 41 deputetë.
Ata fillimisht bllokuan foltoren, teksa Kuvendi miratoi në lexim të dytë Projektligjin për çmimet e produkteve medicinale. Pas votimit, pati shtyrje mes deputetëve të mbledhur pranë foltores.
Në sallën plenare gjenden edhe pjesëtarë të mbrojtjes së afërt të kryeministrit Albin Kurti.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca paralajmëroi deputetët që po bllokojnë foltoren se mund t’i përjashtojë nga seanca.
“Deputetëve të cilët nuk po e lirojnë foltoren ua jap vërejtjen me paralajmërim për largim nga seanca”, tha Konjufca.
Seanca e jashtëzakonshme vjen pasi vazhdimi i seancës së rregullt u ndërpre.
Opozita ka vendosur pranë foltores pano ku shkruan “Zdravo” [‘Përshëndetje’ në gjuhën serbe] me portretin e shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Mimoza Kusari-Lila, dhe atë të kryeminstrit Albin Kurti.
Paraditen e 13 korrikut, gjatë seancës fillestare kishte përleshje fizike mes deputetëve dhe anëtarëve të Qeverisë, teksa opozita po kritikon pushtetin për shkak të publikimeve të disa përgjimeve ku është përfshirë Kusari-Lila. Ajo ka pranuar që ka zhvilluar një bisedë me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq. Lëvizja Vetëvendosje ka qenë kritike e vazhdueshme ndaj personave që kanë mbajtur kontakte me Radoiçiqin.
Deputetët opozitarë nga Partia Demokratike të Kosovës (PDK) kanë sulmuar fizikisht kryeministrin Albin Kurti dhe pjesëtarë tjerë të Qeverisë.
Para se të sulmohej, Kurti në Kuvend foli për Radoiçiqin, dhe se si është tërhequr fletarrestimi ndaj tij në vitin 2021, disa ditë para se të formohej Qeveria e tij.
“Kur kanë qenë qeveritë e mëhershme, ky kryekriminel ka qenë në Mitrovicë, ka qenë në Prishtinë. Tash, kontributi ynë, është që është në një hotel në Kopaonik, në Serbi”, ka thënë Kurti.
*Video: Dhunë në Kuvendin e Kosovës
Pasi zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi largoi dhe grisi nga foltorja një foto-montazhë të kryeministrit me hundë të zgjatur që opozita ia kishte vendosur aty, deputeti Mërgim Lushtaku hodhi ujë në drejtim të Kurtit, e pastaj të Bislimit.
Në atë moment, në mbrojtje të të dyve doli ministri i Financave Hekuran Murati, të cilin Lushtaku pastaj e shtyu fizikisht me duar. Bislimi goditi me shishen e tij me ujë deputetin Lushtaku, i cili më pas pati përplasje fizike edhe me minstren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Në të njëjtën kohë, deputeti Hajdar Beqa, goditi ministrin Murati në fytyrë.
Grushte u shkëmbyen mes të dyja palëve.
Nga përleshja, Kurti, i rrethuar me sigurimin dhe ministrat e tij, u shtye dhe u përplas në një nga ulëset e Kuvendit pranë foltores.
Policia e Kosovës, e thirrur nga kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, dhe mbrojtja e afërt e kryeministrit, ndërhynë për t’i ndalur përleshjet. Ata qëndruan brenda në sallën e Kuvendit, deri sa kryeministri u largua nga aty.
Më herët, Konjufca tha se “kjo që ndodhi në Kuvendin e Kosovës është me të vërtetë e papranueshme, përdorimi i dhunës është edhe i ndëshkueshëm, i dënueshëm nga të gjithë ne”, tha Konjufca duke shtuar se “nëse ka pasur sulm fizik në Kuvendin e Kosovës, ai do të trajtohet prej ligjit, ashtu siç thonë ligjet tona dhe organet e rendit”
Më vonë, Konjufca dënoi dhunën dhe tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pajtuar që të heqë dorë nga fjalimi i tij, që u ndërpre për shkak të përleshjeve fizike.
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, tha se në Kuvend “nuk është hedhur asgjë”, por u “provokua me mjete demokratike, performative”, një akt dhe një qëndrim i një grupi opozitar.
Hoxha tha se partia e saj ka adresuar një çështje shumë të rëndësishme dhe “nëse për ju çështje e parëndësishme është çështja e diskutimeve me njeriun që ka fletëarrest dhe që është në listën e zezë të Amerikës, [nënkryetari i Listës Serbe, Milan] Radoiçiq, dhe dëshironi ta normalizoni duke prodhuar skandale, për mua është e pafalshme”.
Eliza Hoxha, e cila foli në emër të grupit parlamentar të PDK-së, bëri thirrje që Kuvendi i Kosovës të shpërbëhet dhe vendi të shkojë “sa më shpejt” në zgjedhje, pasi tha se audio-incizimet “zbardhin komunikimin dhe raportet e pushtetit të Albin Kurtit me Listën Serbe dhe Milan Radoiçiqin”.
“Çfarë duhet të ndodhë më shumë për ta kuptuar që ju jeni të kapur nga krimineli që është në listën e zezë të Amerikës, që ka urdhërarrest nga Prokuroria. Nuk mjaftojnë as dorëheqja e as shkarkimi sepse koordinimin e keni të përditshëm me Radoiçiqin, e jo me shqiptarët e as me ndërkombëtarët”, tha Hoxha gjatë fjalimit të saj në Kuvend.
Para se të sulmohej, Kurti në Kuvend foli për Radoiçiqin, dhe se si është tërhequr fletarrestimi ndaj tij në vitin 2021, disa ditë para se të formohej Qeveria e tij.
“Kur kanë qenë qeveritë e mëhershme, ky kryekriminel ka qenë në Mitrovicë, ka qenë në Prishtinë. Tash, kontributi ynë, është që është në një hotel në Kopaonik, në Serbi”, ka thënë Kurti.
Milan Radoiçiq është nënkryetar i Listës Serbe, i cili kërkohet nga autoritetet e Kosovës dhe është gjithashtu në listën e zezë të SHBA-së për “përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar”.
Ai kërkohet nga Kosova nën dyshimet se është përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor, të njohur si “Brezovica”.
Radoiçiq përmendet në një aktakuzë edhe si “udhëheqës i grupit kriminal”, i cili planifikoi vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Megjithatë, urdhërarresti për Milan Radoiçiqin u tërhoq në mars të vitit 2021 pa asnjë shpjegim.