Dy fjalë për autorin
Një nga këndvështrimet e mia është besimi tek brezi i ri që do ta bëjnë këtë vend të bekuar me emrin Shqipëri. Fatmirësisht, nuk gjykoj se janë dëshira romantike e idealiste, ngaqë veç të tjerash, as mosha s’ma lejon.
Një person i tillë, që ma rrit besimin është edhe drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, prof.as. dr. Ardit Bido, i cili ka lindur në Sarandë më 20 korrik 1987.Emrin ia kisha dëgjuar për mirë si një studiues serioz dhe me të ardhme, por me Arditin jam njohur nga afër në një konferencë shkencore ndërkombëtare në Shkup më 29-31 gusht 2012 dhe patejtër në vijim. Bido është studiues i njohur i marrëdhënieve ndërkombëtare, me fushë të ngushtë studimi raportin mes politikës, marrëdhënieve ndërkomëtare, fesë dhe pakicave. Ai ka mbrojtur gradën “Doktor i Shkencave” në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës, lëmë në të cilën ka kryer edhe studimet Master. Ciklin e parë të shkollës së lartë e ka përfunduar për Gazetari në të njëjtin universitet.
Në katalogun e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, kemi 48 regjistrime bibliografike të gjetura, nga të cilat, në 8 regjistrime Bido është përgatitës, rencesent ose redaktor dhe, krahas dhjetëra studimeve të botuara në revista shkencore e kumtesave të mbajtura në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, ai është autor i monografisë “Kisha Ortodokse Shqiptare: një histori politike (1878-1937)”, botuar në serinë më të aklamuar në fushën akademike për raportin fe – politikë, nga shtëpia botuese “Routledge”; Tiranë: “Trifon Xhagjika”, 2011. Gjithashtu, Bido është autor i monografisë “Koncesioni editorial i shtypit shqiptar në epokën e biznesit”, Tiranë: UET Press, 2016, si dhe botimit më të ri e ndër më të rëndësishmit deri më sot “Beteja për 20 përqindshin: Fluiditeti i identitetit, statistikat demografike dhe implikimet politike në Konispol dhe Himarë”, Tiranë: Dudaj, 2023, tekst me 250 faqe, në shqip dhe greqisht.
Ardit Bido ka një përvojë disavjeçare në shtypin e shkruar dhe mediat audiovizive, si dhe ka menaxhuar departamentet e komunikimit të disa institucioneve akademike, shtetërore dhe private. Prej vitit 2012, pedagog pranë Departamentit të Gazetarisë të Universitetit të Tiranës dhe pranë Universitetit Metropolitan Tirana. Ai ka pasur angazhime publike dhe komunitare, duke përfshirë drejtimin e disa organizatave rinore, pjesëmarrjen në borde drejtuese universitare e kërkimore dhe zgjedhjen si nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Njësisë nr. 9 në Tiranë. Ardit Bido ka ndjekur një seri kursesh e trajnimesh profesionale lidhur me komunikimin dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të organizuara nga NATO, Ambasada Amerikane në Tiranë, etj., në Shqipëri, Belgjikë, Luksemburg, Serbi, e disa vende të tjera. Përveç gjuhës amtare shqipe, zotëron gjuhët angleze e greke dhe ka njohuri të gjuhëve italiane e franceze. Ardit Bido është një studiues i ri serioz, i besueshëm, i pashmangur nga ballafaqimet, sa i vërtetë aq trim fjalës së shkruar dhe i ligjërimit të folur, i spikatur për seriozitetin, vëmendjen dhe këmbënguljen në fushën studimore që rrok, intelektual fisnik, sa atdhetar po aq qytetar, akademik me formim e mendim bashkëkohor eurpoian.
Libri i gjallë i identitetit
Me librin monografik “Beteja për 20 përqindshin: Fluiditeti i identitetit, statistikat demografike dhe implikimet politike në Konispol dhe Himarë” prof.as. dr. Ardit Bido ka realizuar dhe botuar një vepër shkencore, që përbën edhe një punë patriotike e demokratike, pa shkarë në kurthet e shkrepave apo honeve nacionaliste.
Nga ana strukturore, teksti i përmbush kriteret që kërkon monografia shkencore, sepse paraqitet si një studim të gjerë e të hollësishëm shkencor, që trajton një çështje të veçantë siç është gjendja ndëretnike në zonën bregdetare të Shqipërisë së Jugut dhe eksploron deri në imtësi për temën që trajton; përmban një përshkrim të detajuar të metodologjisë së hulumtimit të caktuar, prezantimin e rezultateve të kërkimit dhe interpretimin e tyre, gjithashtu, si profesonist i klasit të parë me arkivat dhe dokumentacionin, e paraqet në rrjedhën e procesit dokumentin e duhur me vlerat tipologjike dhe faktike, si dhe faktorëve me interes për procesin përmes mjeteve grafike dhe fotografike, dhe të dhënave të shkruara.
Libri ka edhe një bibliografi të pasur me burime parësore, dytësore dhe tretësore, ka tabela e statistika, 9 shtojca, 12 harta dhe 20 fotografi. Në shtojca gjejmë përqindjen e grekëve në Himarë dhe Konispol, diapazonin e vetëdeklarimit, minoritetit dhe fluiditetit në këto dy bashki, përbërjen etnike, gjuhësore dhe fetare sipas vendbanimeve të pesë bashkive të Jugut: Konispol, Finiq, Sarandë, Delvinë dhe Himarë; të dhënat e kombësisë sipas Regjistrit të Gjendjes Civile për vendbanimet e bashkive Himarë dhe Konispol; të dhënat etnike për vendbanimet e bashkisë Konispol në censusin e vitit 1923 dhe në censusin e vitit 1945, sipas ndarjes së sotme administrative, si dhe të dhënat gjuhësore për vendbanimet e Bashkisë Himarë në në censusin e vitit 1923 dhe në censusin e vitit 1945, sipas ndarjes së sotme administrative. Në ballinën e librit janë dy harta të bashkive ku funksionon dygjuhësia dhe bashkitë e pretenduara nga pala greke në pesë bashkitë e Jugut; po ashtu dhe evoluimi i pretendimeve të palës greke.
Autori rrok këto çështje të domosdoshme: si krijohet identiteti etnik dhe kombëtar; fluiditeti i identitetit etnik dhe kombëtar; vetëdeklarimi si forma e vetme e vetidentifikimit dhe vetëdeklarimi i rremë; Himara: 14.5% grekë është maksimumi i vetidentifikimit; Konispoli: 13% grekë është maksimumi i vetidentifikimit; kërkesat greke për Himarën dhe Konispolin pas vitit 1991; përhapja e influencës greke, legjislacioni shqiptar e grek dhe “testet” e viteve 2011 e 2015; si dhe zhvillimet në prag të censusit.
Ky punim vjen në kohën e duhur, duke na sjellë një qasje shumëpërmasore mbi një çështje tepër të komplikuar. Të gjithë e kemi të qartë gjendjen që mbas 18 Shtatorit 2023 nisi një tjetër regjistrim i popullsisë dhe i banesave në Republikën e Shqipërisë, në të cilin, edhe këtë herë është përfshirë një seksion i pyetjes opsionale për vetëdeklarimin etnik dhe fetar të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.
Siç shprehet në parathënien e librit, prof.as.dr. Sonila Boçi, historiane: “Nga pikëpamja teorike, punimi i është shmangur qasjes primordiale të përkatësisë etnike” dhe fakti që autori nuk diskuton mbi bazat e nacionalizmit etnik, përkundrazi, ka zgjedhur një kontekst modernist, duke iu referuar identitetit si koncept varialbël, i negociueshëm shoqërisht, i varur nga një sërë faktorësh e konceptesh politike e shoqërore, ia rrit librit vlerat historike, diplomatike dhe politike. Autori i referohet identitetit fluid, një identiteti që nuk është tërësisht i përcaktuar, nuk është tërësisht i qartë dhe që mund të shfaqet si një shumësi identitetesh, si në rastin e popullsisë së Gollobordës, si një identitet rajonal, si në rastin e goranëve, apo të jetë i ndryshueshëm si rezultat i kontekseve (apo presioneve) politike.
Për autorin, ligji shqiptar për shtetësinë e dyfishtë, hapja e disa shkollave private në Himarë që operonin jashtë kontrollit të autoriteteve shqiptare, ligji për varrezat e ushtarëve grekë e shumë vendime të tjera të institucioneve shqiptare janë pika të dobëta, një sinjal alarmi për përbërjen e ardhshme etnike të rajoneve në Shqipërinë e Jugut, veçanërisht në ato krahina në të cilat ekzistojnë identitete fluide (të lëvizshme, të papërcaktuara qartësisht).
Për mendimin tim, “Beteja për 20 përqindshin…” nuk është evolucion, por është një revolucion shkrimor qytetar, në të gjitha përmasat që rrok shkrimi i fjalës së lirë, asaj së vërtetës që, ashtu siç e dimë ne, duhet ta njohin brezat dhe të jetë e regjistruar në kujtesën historike të kohës. Tema është aktuale, e nxehtë, e guximshme, po aq jetësore e ndërkohë, që puna do usta qosheje për ta skalitur gurin për të zënë vendin atje ku i takon.
Vërtet që Ardit Bido është i ri më moshë, aty te 35 vjeç a diçka më shumë, por ai, pikërisht ai është zëri i brezit, i kohës në skenën e historisë; është një studiues serioz dhe i besueshëm si burim referencial brenda dhe jashtë vendit, sepse shkruan shqip, anglisht dhe greqisht; ndërkohë që edhe një koleg i fushës apo të tjerë, patjetër mund t’ja verifikojnë të dhënat lokale të punimit nëpërmjet krahasimtarisë disiplinore të fushave apo nënfushave shkencore.
Debati shqiptaro-grek mbi praninë ose jo të pakicës greke në Bashkinë Himarë dhe në Bashkinë Konispol është debat ekstremesh: pala greke pretendon senë to, pjesa dërmuese e ortodoksëve janë grekë dhe pala shqiptare pretendon se numri i minoritarëve është i papërfillshëm.
Në botimin studimor “Beteja për 20 përqindshin…” trajtohet fluiditeti i identitetit etnik që ekziston në tri fshatra të Bashkisë Himarë: Himarë Fshat, Dhërmi dhe Palasë, si dhe popullsia vllahe në Bashinë Konispol, duke analizuar edhe se sa është maksimumi dhe minimumi i individëve që vetidentifikohen si grekë. Po ashtu, trajtohet me vëmendje dhe seriozitet të lartë edhe nëse ka pasur rritje artificiale të numrit të personave të vetëdeklaruar si grekë, e nëse po, sa dhe si kanë ndikuar në këtë aspekt politikat shtetërore të Greqisë apo grupet e veçanta të interesit.
“Beteja për 20 përqindshin…” është studimi më i plotë deri më sot për çështjet delikate të identitetit etnik në Himarë dhe Konispol, ku përplasjet politike mes shtetit grek dhe atij shqiptar kanë qenë një provë force, që u rishfaq me hapjen e Shqipërisë ndaj botës në fillim të viteve 1990.
Është vlerësuar nga shumë autoritete të shkencave humane, ndërkohë që për këtë libër autori “ka zbritur vetë në bazë e gju më gju me popullin”, në kuptimin real të fjalës, pa kërkuar përfaqësi të zgjedhur personash në takimet e zhvilluara në tri bashki të qarkut të Vlorës: Konispol, Himarë dhe në qytetin e Vlorës.
Studiuesi Ilir Ikonomi e vlerëson autorin Ardit Bido, tashmë të stërvitur në rrjedhat e turbullta të historisë politike të Kishës Ortodokse Shqiptare, që na jep një tablo shteruese të zhvillimeve që kanë çuar në paqartësitë e sotme rreth identitetit etnik në këto dy bashki.
Akademiku Matteo Mandalà, profesor i Albanologjisë në Universitetin e Palermos, Itali e vlerëson studimin e Ardit Bidos si një kontribut të vyer, pasi shqyrton jo vetëm pasaktësitë e shumta që mbushin literaturën historiografike dhe shtypin e përditshëm, por hedh dritë mbi një realitet që në të vërtet është shumë më i ndërlikuar se ç’paraqitet nga përshkrimet sempliciste që gëlojnë sot kudo. Si rezultat i këtij studimi na shpaloset para syve një pasqyrë shumë më autentike, e natyrisht, edhe më e besuseshme, e gjendjes aktuale ndëretnike në këto treva të Bregdetit të Jugut të Shqipërisë. Profesori arbëresh shkruan: “Dy janë shtyllat ku mbështetet analiza e Bidos: nga njëra anë, përdorimi rreptësisht shkencor i metodologjive dinamike të cilat zbatohen sot në kërkimet sociologjike rreth entiteteve që përgjithësisht përmblidhen me termin “etni”; nga ana tjetër, shtënia në punë e të dhënave statistikore rreth shpërndarjes hapësinore dhe peshës sasiore të anëtarëve të të dy etnive, shqiptare dhe greke”.
Është një ogur i mirë që ky studim ndjek zgjidhje të reja për vështirësitë e vjetra. Bido thellohet në dinamikën e identitetit etnik në tre fshatra të Himarës dhe të minoritetit vllah. Përtej përcaktimeve konvecionale të statusit të pakicës siç paraqitet nga qeveria greke dhe ajo shqiptare, studimi ngre shqetësime thelbësore që lidhen me fushën e drejtësisë tranzicionale postkomuniste.
Studiuesja Ines Angeli Murzaku, PhD, profesore e Feve në Universitetin Seton Hall, New Jersey, SHBA tërheq vëmendjen tonë: “Veçanërisht, ai nëvizon ndërthurjen e ndërlikuar të çështjeve që lidhen me statusin e pakicës fetare brenda këtij konteksti”.
Është një zakon i çuditshëm tek njeriu, që i thonë obsesion, i cili përsëritet shpesh dhe e bën atë nganjëherë qesharak; dëshirë e tepruar dhe e vazhdueshme për të bërë diçka, zakonisht të padobishme, është ves, huq, që shfaqet jo vetë tek njerëz të veçuar, por rrëmben edhe grupe të caktuara shoqërisht ekstremale, siç janë nacionalistët politikë apo sillogjet greke, qarqet ekstreme nacionaliste greke si “Agimi i Artë” sikurse paraqet shqetësimin e tij prof. dr. Bardhosh Gaçe, sepse sillogjet greke prodhojnë irredentizëm, kur gjejnë shteg, si në rastin kur tek shteti ka struktura nacionaliste.
Studiuesi Gazmend Kapllani është profesor i Studimeve Shqiptare në Universitetin e Çikagos, SHBA, ndërkohë shkrimtar, dramaturg, gazetar dhe mbrojtës i të drejtave të emigrantëve shqiptarë në Greqi. Ja si e vlerëson ai këtë libër: “I pari studim me të vërtet serioz mbi “obsesionin” e shtetit grek me pakicën etnike greke: një “obsesion” që u ringjall fuqishëm pas Luftës së Ftohtë kur shqiptarët dhe grekët “u takuan” sërish në kushtet e një pabarazie të skajshme: Greqia si “e ftuar” e historisë dhe Shqipëria si një shtet katërcipërish i dështuar dhe i shkretuar nga regjimi komunist. Që atëherë dhe deri më sot ky “obsesion” – në mënyrë paradoksale i vetmi element që i ka mbijetuar Idesë së Madhe (Megali Idea) të shekullit XIX – i bën marrëdhëniet mes dy vendeve t’i ngjanë vazhdimisht një kardiograme të çakërdisur”.
Kam bindjen se “Beteja për 20 përqindshin…” është një dritare e hapur jo vetëm për studiuesit, politikanë dhe diplomatët, sigurisht jo vetëm për qytetarët e qarkut të Vlorës, banorët e pesë bashkive të bregdetit jugor e veçanërisht për ata të Palasës, Dhërmiut, Himarës apo edhe Konispolit, kush ka “mizën në kësulë”, që kthjellon logjikën njerëzore, ku shikimi rrok hapësirat e qarta të mendimit dhe gjykimit, bazuar në fakte, përbashkime, përveçime, kode, zakone, tradita, domosdoshmërisht në dokumente të Arkivit Qendror të Shtetit, në ligje, konventa ndërkombëtare, amendamente, vendime etj.
Docent Odise Çaçi, intekeltual atdhetar nga Palasa në takimin e Vlorës u shpreh qartë, prerë dhe saktë mbi ADN-në shqiptare të Himarës, por edhe për identitetin e tyre, historikisht krejt i njëllojtë me shqiptarët e tjerë përqark, që është i njëjtë me identitetin kombëtar shqiptar, për të qenët autokton në këto troje, në këto vende qysh në fillimet e jetës njerëzore, pavarësisht rrjedhjeve që si fjalë kyçe kanë pasur sidomos interesin e vogël. Çaçi pruri në përditshmërinë e kujtesës sonë albanologun e ndritur Eqerem Çabej, ku ndali në faktin se prof. Çabej në vitin 1936 flet për “Shqiptarizmin e Himarës”: … Fakti që të tre katundet në fjalë përdorin greqishtë si gjuhë të përgjithshme në këto brezat e fundit asht rrjedhja e marrëdhanjeve të ngushta sidomos tregtare qi ka pas Himara me ishujt grek, asht edhe rrjedhja e propagandës së vazhdueme sistematike të kishës greke. Kjo ka qënë sidomos qysh prej kohës së Katerinës së II. të Rusisë e nacjonalistëve e grekve për greqizimin të shqiptarëve të jugut. Por Himara ka qënë dhe asht një krahinë shqiptare, ku sundojnë edhe sot cilësit e racës shqiptare ma fort se në disa krahina të tjera të Shteti t’onë. Për origjinën shqiptare flasin qartë zakonet krejt shqiptare labe të tynë, për këtë origjinë flasin emrat e familjeve dhe të vendeve (toponomastik). Sidomos flasin këngët e vajtimet e tyne të cilat janë në shqip, zakonet në lindje, martese e vdekje si edhe festat e ndryshme të vitit., se në folklorë ruhen sekretet e vjetra të jetës etike, se gjuha greke që ata kanë adoptue keto tre fshatra pa dyshim janë më të reja se zakonet e vjetra shqiptare që kanë, sepse zakonet janë shprehje ma konservatore të jetës shpirtënore të nji populli se sa gjuha, duhet shtuar se grat e moçme flasin dhe dijnë sot shqip në katundet Himarë, Dhermi e Palasë. Të tri këto katunde e dinë vetë fare mirë shqiptarzimin e tyre dhe e kanë me çdo rastë këtë të vërtetë janë një fis me labrit e Vlorës e të Kurveleshit, me të cilët bajnë edhe sot krushqi… Banorët e Palasës tregojnë se rrjedhin prej Dukatit të Vlorës, banorët e lagjes Gjilok të Dhërmi-ut krenohen se rrjedhin prej Kruje dhe kanë qenë ushtarë të Skënderbeut. Të tre katundet e dijnë edhe sot se kan far’e fisin e vet në Labri, në Progonat, në Nivicë të Kurveleshit dhe në katundet Velçë, Tragjas e tjera të Vlorës. Nga keto fakte rezulton pra në mënyrë të pa dyshimtë se të tria katundet janë origjinë shqiptare. Ato nuk mund të quhen jo minoritet i plotë si Çamërit t’onë në Greqi, por as edhe minoritet gjuhe e race. Për këto arsyet të tria katundet nuk mund t’ u aplikohet rregullorja e shkollave mnoritare greke. Ky vendim shtojmë se pajtohet me dëshirën e flakët të një pjese …të popullsisë së Himarës, Palasës e sidomos të Dhërmiut, e cila don vetëm shkolla shqipe…
Një ndërhyrje edhe si përnjohje
Rrok Zojzi, i konsideruar si babai i etnografisë institucionale shqiptare popullin shqiptar e quan të formuar nga dy grupe të mëdha krahinash etnografike: Toskëria dhe Gegëria dhe shkruan: “Me emnat “Gegë” dhe “Gegni”, si e quejnë veten dhe vendin e tyne banorët e veriut të Shqipnisë (ose “gegë” dhe “Gegëri”, si quhen nga banorët e jugut) kuptojmë ma të madhin nga dy grupet e krahinave etnografike që morën pjesë në formimin kombëtar të popullit shqiptar” [shih, Zojzi, Rrok; “Ndamja krahinore e popullit shqiptar”, IV, Kolana e botimeve etnografike; Tiranë: Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimeve të Artit; 2020, f. 37 (bot. 1, 1962) AH]. Pasi jep “organigramën” dhe bën zbërthimin e grupeve, krahinave e nënkrahinave apo krahinëzave etnografike të Gegërisë, Zojzi shkruan për Toskërinë si Grup i madh krahinash etnografike: “Me emnat “toskë” e “Toskëri”, si e quejnë veten dhe vendin e tyne banorët e jugut (ose “toskë” e “Toskni”, si quhen nga banorët e veriut) kuptojmë grupin e dytë të krahinave etnografike që muer pjesë në formimin kombëtar të popullit shqiptar” [shih, Zojzi, Rrok; vep. e cit.; f. 103: AH]. Gegëria, si grup përmbledh gjithë veriun e Shqipërisë, ndërsa Toskëria përmbledh gjithë jugun e Shqipëris, “përtej kufijve politik deri në kufirin etnik të popullit shqiptar, thellë në Greqi” [shih, Zojzi, Rrok; po aty.; f. 103: AH]. dhe mund të themi se lumi i Shkumbinit është vija e kufirit ndërmjet këtyre dy grupeve krahinash etnografike.
Pra,Toskët, ku futemi dhe ne, labët, myzeqarët, çamët (dhe si pjesë e së tërës labërore edhe himariotët) janë një nga dy nëngrupet kryesore dialektore të shqiptarëve (tjetri janë gegët) të dalluar nga karakteristikat e tyre kulturore, gjuhësore, sociale dhe fetare.
Himara është tokë shqiptare është një krahinë shqiptare si gjithë të tjerat, si Martaneshi, Çermenika, Mirdita, Dibra, Mati, Hasi, Dukagjini ose Leknia, Luma, Zadrima, Myzeqeja, Kurveleshi, Malësia e Madhe, Malësia e Vogël, Skrapari, Kolonja, (të më falni, por s’po bëj listim të të gjitha trevave shqiptare tani pa qenë nevoja). Nganjëherë them, përse e bëjnë kaq të ububushme Himarën qoftë Të nxehtit e vertikalitetit grek, apo qoftë dhe këta xhanushët tanë? Kush nuk e ndjen veten mirë në Himarë – hopa, udha e mbarë për atje ku ndihet si do vetë Perëndia… Ja ku është Korfuzi. Ja Athina… Ta lënë të qetë himariotin në shtëpi të tij, në punë të tij, në Himarën e tij, në Himarën tonë, në Shqipërinë e tij dhe tonën… Punë e madhe, me këta robër me “shtëmangie në mendore”, thoshte gjyshja ime, i ndrittë shpirti!
Nuk janë problem himariotët, as ata që vetidentifikohen grekë. Problem janë nacionalistë politikë, sidomos në Greqi, por që nuk mungojnë as në Shqipëri dhe i fryjnë zjarrin për të ndezur urrejtje midis dy vendeve gjeografikisht fqinjë, midis dy popujve historikisht miq, që i janë gjendur njëri-tjetrit në të mirë e në keqe, sidomos në ditë të hallit e natë të zezë. Kush harron këtë, le t’i rikthehet shfletimit të historisë përgjatë shekujve deri më sot. Edhe qorr qoftë, të kërkojë një të tijin që i ka sytë dhe t’ja dëftojë të vërtetën historike, ku nuk mund të mohohet dashamirësia, bujaria, mikpritja, sakrifica, durimi midis grekëve dhe shqiptarëve, si ballkanas e mesdhetarë, këtu në këto vise, që kur është formuar deti e toka me fushë e me mal…
Kujtesa jonë historike
Është e domosdoshme të njohim veten, historinë e gjeografinë tonë, vendlindjen, vendorigjinën, nga vijmë, çfarë udhëtimi jetësor kanë bërë të parët tanë, të njohim gjuhën tonë, identitetin tonë, kush jemi, si ndihemi vërtetësisht (edhe pse mund të jemi ballëlart apo ndonjëherë dhe kokulur, gjaku nuk mund të mohohet), si na kanë edukuar nëna dhe baba, të njohim pasurinë shpirtërore të katargjyshërve, strëgjyshërve gjurërve dhe prindërve tanë, pikëpamjet, zakonet, virtytet etj. që janë formuar historikisht në jetën e banorëve të trevës sonë dhe që ruhen, trashëgohen e zhvillohen më tej si një thesar i çmuar nga njëri brez në tjetrin, duke i prurë harmonishëm në sotmëri.
Jo vetëm përsa i përket ndarjes administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë, miratuar më 31 korrik 2014 me ligjin 115/2014, por edhe sipas traditës historike, sikurse banorët e Qeparoit, Kudhësit, Pilurit, Spilesë, Himarës Fshat, Vunoit (Iliasi është quajtur lagje e Vunoit), Dhërmiut, (Gjikela është quajtur lagje e Dhërmiut) si dhe Palasës, nën Llogora, sikurse banorët e Borshit, Piqerasit, Lukovës deri në Nivicë – Bubar janë himariotë para malit e buzë detit, edhe unë jam një himariot mbrapa malit e buzë lumit, sikurse çdo tërbaçiot tjetër, apo banorët e Vranishtit, Kuçit, Bolenës e Kallaratit. Gjithësej janë 23 fshatra, nga të cilët 6 jemi ne të Labërisë së Brendshme, të Lumit të Vlorës, në rrjedhën e sipërme të Lumit të Bardhë apo Shushicës, sikurse ka dhe një emërtim tjetër, po ashtu janë edhe Fterra e Çorraj. Përsëri jemi siç kemi qenë pjesë e Himarës historike, e cila është pjesë integrale e krahinës së madhe etnografike të Labërisë.
Edhe në të kaluarën ne, tërbaçiotët kemi pasur shkuarje të mirë, miqësi e shkëmbime me fshatrat buzë Bregut, sidomos me Dhërmiun e Palasën, Vranishti me Vunoin e kështu me radhë, ndërkohë që lagjja Bragjin e Qeparoit (Qeparoi fshat e ka origjinën nga lagjja Bragjin e Tërbaçit) [Lexoni librat: historikun e Tërbaçit “Tërbaçi në rrjedhat e kohës”, grup autorësh, Tiranë, Toena, 1998, librin “Bragjinajt e Qeparoit” të prof.dr. Jorgo Dhrami, Tiranë: PSH 2015, 2005] Me Bregasit, kemi qenë një shtëpi me dy çati, derë e tepsi, si i thonë një fjale të vjetër, por me tërë mend, miq e vëllezër për natë të zezë, të njohur në furtunat përgjatë historisë.
Pse them që u rikthyem në origjinë, në Himarën tonë historike? Megjithëse shtrirja territorial e emërtimit Himarë ka ndryshuar historikisht si nga pikëpamja administrative, ashtu dhe nga ajo etnografike, mund të theksojmë se në regjistrin Osman të viteve 1432-1433, Himara del si nahije e vilajetit të Kaninës. Për më tepër mund të shfletojmë librin e prof.dr. Rami Memushaj “Himara në dritën e të dhënave historike, gjuhësore dhe etnologjike”, Tiranë: Toena, 2004.
Vargmalet e Vetëtimës, vargmali i Çikës (Akrokeraunet) janë vija natyrore ndarëse dhe po aq bashkuese midis fshatarave të Himarës bregdetare dhe Himarës buzëlumore, Himarës breglumore e më gjerë Lumit të Vlorës në krahinën e madhe etnografike të Labërisë, që është pjesë e njërës nga dy ndarjet më të mëdha etnografike shqiptare – Toskërisë, krahas Gegërisë.
Pa u futur nëpër kapilarët e historisë, kujtojmë se, edhe me pushtimin e plotë të Shqipërisë, pas vdekjes së Skënderbeut malësorët himariotët ishin qëndrestarë kundër osmanëve dhe pjesa malore midis Vjosë dhe detit Jon mbeti e lirë për shkak të qëndresës së popullsisë.
Në botimin e nivelit akademik “Fjalor Enciklopedik Shqiptar”, [FESH] vëll. 2, Akademia e Shkencave Shqipërisë, Tiranë, 2008, f. 926-927 shkruhet: “Nga fundi i shek. XV u quajt Himarë gjithë pjesa Jugperëndimore e Shqipërisë, që përfshinte më shumë se 50 fshatra, me shtrirje midis detit Jon, në lindje të Bistricës e qafës së Muzinës, rrjedhjes së mesme të Drinos dhe të Vjosës (me përjashtim të Topalltisë dhe Myzeqesë)…
Nga pikëpamja etnografike (etnologjike) dhe historike krahina e sotme e Himarës lidhet me Labërinë, si një nënndarje etnografike e saj, me afri më të mëdha me Kurveleshin, nga i cilit ndahet prej vargut të Çikës. Në pikëpamje të zakoneve dhe traditave, Himara nuk dallon nga hinterlandi lab. Nga fusha e kulturës shpirtërore janë të përbashkëta kultet, besëtytnitë, ritet, e drejta zakonore, mënyra polifonike e të kënduarit, vallja e kënduar, vajtimi me ligje i grave, baladat, legjendat e përrallat etj. Nga fusha e kulturës material: veshjet tradicionale prej leshi si guna, sharku, llabania, linja, fustanella e tirqit; zhapat (opingat) prej lëkure të paregjur etj, të gjitha këto i gjejmë në të dyja krahët e vargmalit të Çikës. P.sh., kënga polifonike himarjote është një variant i modifikuar i këngës labe të Kurveleshit, po ashtu dhe vallja e kënduar.
E folmja e Himarës dhe e Bregdetit të Poshtëm përfshihen në të folmen e Bregut të Detit, që është një nëndialekt i labërishtes. Në disa veçori, e folmja e Himarës afron me të folmen e Kurveleshit, madje edhe me të folmen e Gjirokastrës e me çamërishten. Por – theksohet në enciklopedinë e Shqipërisë, që sipërcituam – në Himarë ka tre fshatra që flasin greqisht dhe shqip: Palasa, Dhërmiu dhe Himara (sot qytet). Greqishtja është përjapur në këto fshatar për arsye kulturore-arsimore, fetare e të marrëdhënieve tregtare me Korfuzin dhe ishujt grekë të Jonit [shih: FESH, vep. e cit., f. 972, zëri përgat.: Rami Memushaj, AH]
Në sy të realitetit
Rikthehemi në temën që po trajtojmë. Prof. Ardit Bido takoi banorët e fshatrave që kishte kërkuar dhe foli sy më sy, hapur dhe pa komplekse, duke e nisur maratonën e verifikimit të gjithë asaj pune kërkomore – studimore dhe shkencore në arkiva terren dhe laborator fillimisht me banorët sarandiotë e delvinjotë, si dhe me banorët e intelektualët konispolitë, në qytetin më jugor të Shqipërisë.
Në Konispol, Bido tha se aktualisht jemi në një luftë ekstremesh të debatit publik. Ai theksoi se në regjistër të gjendjes civile në gjithë Bashkinë Himarë janë 2.6% grekë, ndërsa në Konispol janë 7.4% grekë, kryesisht në Vrinë. Rikujtoi se këtu ka edhe vllehë që historikisht kanë patur një vetidentifikim grek dhe se kjo nuk është e pamatshme. “Qasja e dytë shkencore është që në bazë të çfarë ndihesh, këtu në Konispol ka nga 6.8% në 13% grekë, në Himarë nga ai 2.6% ato fiset e Himarës Fshat, shumicë apo Dhërmiut dhe Palasës pothuajse gjysma që vetidentifikohen historikisht si grekë shkojnë në 11.6% deri në 14.5 %. Dhe në një census normal këto janë shifrat, ne do shihnim në census se ku bie pika, brenda këtij diapazoni. Këtu ama futet implikimi politik”, u shpreh Bido, duke theksuar se këto në Konispol i dinë më mirë se kudo tjetër, sepse njerëzit janë shumë më të lidhur dhe të varur ekonomikisht nga matanë Qafë Botës që është po shqiptare, Çamëria, e mbetur në Greqi. Gjatë promovimit në krah të autorin të pranishëm ishin profesoresha znj. Bukurie Braho dhe historiani z. Astrit Tartari. Në forum të hapur diskutimi morën pjesë konispolatë, markaqotë e mursjotë. Nga profesoresha Braho ky tekst u vlerësua edhe si një ngjarje me vlera kulturore, shkencore dhe atdhetare për çështje shumë e rëndësishme kombëtare, që bëhet nga njerëz të guximshëm, ekspertë apo njerëz të studiuar, siç është studiuesi trim Ardit Bido, që të arrijnë në përfundime të tilla të mbështetura në fakte reale në një të vërtetë historike, duke lutuar dhe duke marrë informacione shumë të sakta duke i vendosur pikën mbi “i” një problemi shumë të rëndësishëm dhe aktual. Historiani Astrit Tartari lëvdëroi botimin e studimit “Beteja për 20 përqindëshin…”, duke thënë se ai shkon një hap më tej nga statistikat që janë bërë gjer më tani. “Janë marrë shumë historianë me statistika, unë mund të përmend Mit’hat Frashërin, profesor Selman Shemen e të tjerë janë marrë me çështje të tilla. Apo ka dhe dokumente të autorëve turq që janë marrë me statistika të detajuara për këtë problem. Por, ky libër shkon edhe më tutje, nuk është thjesht konstatues por trajtohet dhe në mënyrë teorike problem” tha historiani Tartari.
Bido vijoi udhëtimin burrërisht me banorët himariotë, vuniotë, piluriotë e borshiotë të shumicës që vetidentifikohen shqiptarë dhe të pakicës që vetidentifikohen grekë në kuvend popullor, apo bisedë publike, si i thonë këta të sotshmit mbi “20 përqindshin dhe betejën për të”, domosdoshmërisht në qytetin e Vlorës dhe për ta përmbyllur këtë kuvend qytetar me banorët konispolitë.
Në takimet e zhvilluara, Bido ka folur me gjuhën e gjallë të së vërtetës, por, detyrimisht, duke respektuar fjalorin zyrtar dhe standardet dipomatike.
Është hera e parë që u zhvillua një debat i hapur mbi këtë çështje të rëndësishme, e cila shfaqi një gjykim të drejtë e të thellë, si pjekuri mendore dhe fuqi të arsyes, ndërkohë që kërkon një lexim të qetë dhe me gjakftohtësi nga intelektualët, studiuesit dhe qytetarët që e kanë në dorë këtë vepër me vlera në marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërkohë për të ruajtur miqësinë midis dy popujve miq, të cilën duan ta shkatërrojnë rryma ekstremiste apo qarqe të ndryshme nacionaliste.
Me banorët e Bregut në shetitoren e Himarës, ai u ul siç i ka hije një burri të ri me mendje të qartë dhe shpirt të hapur. Në kuvendin e Spilesë theksoi se popullsia greqishtfolëse e tri fshatrave të zonës arrin në 19%, por numri i të vetidentifikuarëve si “grek” përllogaritet në shifrën 14,5%.
“Në këtë zonë janë tri fshatra greqishfolëse, Himara Fshat, Dhërmiu dhe Palasa, por nuk janë minoritare për një arsye shkencore. Sepse kanë tradita dhe doke të njëjta me Labërinë bregase. Ka popullsi 19% greqishtfolëse, por jo të gjithë janë grekë. Prej tyre, 14,5% janë me vetidentifikim grek. Kjo është analiza që bëj në libër dhe më vjen mirë që studiues të shumtë, shqiptarë dhe grekë, bien dakord në këtë pikë” – u shpreh Bido. Ai shtoi se përmes nacionalizmit politik tentohet të prodhohet një 20 % i paqenë, që do të kishte implikime politike afatgjata. “Ka një lëvizje politike që bën betejë për arritjen e 20%. Kjo lëvizje tenton të prodhojë artificialitet, një gënjeshtër. Është produkt politik, pasi kemi një ligj që do bënte që nga Llogaraja në Qafë Botë, të kishim tabela dygjuhëshe, flamuj grekë, shkolla dygjuhëshe. Struktura nacionaliste të shtetit grek, e kanë tërhequr politikën e shtetit grek për të prodhuar politika me implikime afatgjata. Nëse ndodh artificialiteti, do të prodhonte si efekt, që së pari ne do jemi në varësi të një shteti fqinj dhe aleat, që është Greqia. Dhe më kryesorja, do prishte kohezionin e komuniteteve të këtushme që jetojnë në harmoni, do përçante njerëzit që jetojnë vëllazërisht”, – theksoi Bido.
Nuk përbënte shqetësim për profesor Bidon fakti, që pas fjalës së tij, të pranishmit zhvilluan një debat të gjerë, nisur nga keqinterpretime publike mbi këtë studimin e autorit, sepse në fund të kuvendimit, edhe banorët “më të zjarrtë” të vetëdeklarimit si grekë, u njëmendësuan me tezat, idetë, të vërtetat e pakundërstueshme që përmend autori në vepër, realitetit parë në sy e duke folur sy më sy si burrat qëmoti.
Me dëlirësi dhe patjetër me një kënaqësi të motivuar, kur erdhi në kuvendimin e Vlorës, trajtoi dukurinë pështejllimet, ulje-ngritjet në takimin e Sipesë, por ndaloi tek fuqia e fjalës së vërtetë, tek forca e argumentit ndër sivëllezërit himariotë: “Unë bëra një ftesë të hapur pikërisht për këtë debat. – na sqaroi Bido. Dhe më erdhi mirë që ishin mbledhur në këtë bisedim të hapur himariotë, piluriotë, vuniotë, borshiotë, nga Çorraj. Më vjen mirë që erdhët me të tjera mendime, me mendimet që tentuan nacionalistët politikë për të përçarë, duke deformuar deklaratat e mia në mënyrë të strukturuar në rrjetet sociale dhe po e mbyllim duke rënë dakord.”
Patjetër që fjala e poetit dhe studiuesit Kristo Çipa pati peshën e duhur specifike, sepse vlerësoi bazën shkencore të botimit dhe apeloi për ta lexuar duke lënë mënjanë emocionet.
Në të gjitha takimet, Bido është shprehur se qarqe të caktuara nacionaliste greke po tentojnë që artificialisht të prodhojnë mbi 20% grekë në Himarë dhe Konispol. Sa për të qarë për të qeshur, por patjetrë për të vënë duart në kokë, që shteti ynë t’i verë gishtin kokës për çështje të tilla kapitale, jetike. Autori shtron pyetjen:
Sa grekë pretendon pala shqiptare dhe pala greke dhe sa vetëidentifikohen grekë në Himarë dhe Konispol? Rezulton statistikisht e pamundur të vetëidentifikohen si grekë më shumë se 14.5% në Himarë dhe 13% në Konispol nga 2.36% dhe 7.44% që njihen si minoritarë. Vetëdeklarimi i rremë në Xarrë në censusin 2011, si nisje e tentativës për tejkalimin e 20% grekë përmes presioneve, pensioneve dhe shtetësive, që të shpallet Himara dhe Konispoli bashki minoritare.
Në këtë studim, ai paraqet arsyet pse në Himarë dhe Konispol ka individë që vetëidentifikohen grekë dhe analizon të dhënat demografike për të prodhuar statistikat se sa ata janë. Për herë të parë, paraqiten të dhënat e kombësisë nga regjistri i gjendjes civile, si dhe numri minimal dhe maksimal i atyre që kanë kombësi shqiptare në regjistër por vetëidentifikohen grekë që nuk i kalojnë 15% në asnjë prej dy bashkive.
Bido paralajmëron për një plan grek për greqizimin e bashkive Himarë dhe Konispol, përmes vetëdeklarimit të rremë të mbi 20% të banorëve si grekë. Kjo do të bënte që nga Qafë Bota në Llogara të duhet të ngrihej flamuri grek krah atij shqiptar në institucionet shtetërore dhe greqishtja të bëhej gjuhë e dytë zyrtare me tabela e shkolla dygjuhëshe duke prodhuar një varësi afatgjatë të Shqipërisë nga Athina zyrtare. Ai analizon se si shteti grek ka një zhvendosje graduale nga viti 1991 në vitin 2012 me kahun e tezave të qarqeve nacionaliste që pretetendojnë “Vorio Epirin”, përmes mekanizmave si shtetësitë, pensionet dhe personazheve influentë si Fredi Beleri dhe kryepeshkopi Anastas Janullatos, e ka zhvilluar këtë strategji për censusin 2023.
Himara: 14,5% grekë është maksimumi i vetidentifikimit
Nga 23 fshatrat që përbëjnë Himarën, katër prej tyre: Himara, Dhërmiu, Gjileka dhe Palasa, në origjinë janë greqishtfolëse, që zakonisht kategorizohen në tri fshatra, ku Gjileka vlerësohet si lagje e Dhërmiut. Mirëpo, edhe në këtë rast, kemi të bëjmë me një fluiditet të identitetit etnik, teksa një pjesë e mirë e dokeve, zakoneve, traditave të këtyre fshatrave janë të njëjta me ato të Labërisë bregdetare. Vajet e ceremonive mortore janë në shqip. Po ashtu, ceremonitë e martesave dhe vdekjeve nuk kanë ndryshim nga fshatrat shqipfolëse përreth. Për më tepër, është e evidentuar që edhe pse një pjesë e fiseve të Himarës, Dhërmiut dhe Palasës, kanë origjinë greke nga Korfuzi e Stambolli, mjaft të tjera kanë origjinë nga Labëria apo nga zona të tjera të Shqipërisë, ndërkohë që fluiditeti i identitetit shfaqet edhe përpara lindjes së nacionalizmit në Ballkan.
Shteti shqiptar nuk i ka njohur asnjëherë si fshatra minoritare këto tri fshatra, pikërisht për shkak të origjinës së evidentueshme shqiptare të një pjese të mirë të fiseve të atyshme, si dhe të ekzistencës së dokeve e zakoneve shqiptare. Si në çdo zonë me fluiditet të identitetit etnik, është krejt e zakonshme që brenda të njëjtave fise, të kemi degë me qëndrime diametralisht të kundërta. Kështu, brenda fisit Marko gjejmë atdhetarin shqiptar, kalorësin rebel të lirisë Petro Marko, por edhe nacionalistë grekë. Brenda fisit Beleri gjejmë edhe zëdhënësin e palës progreke, Fredi Beleri, edhe zërin e këngëve patriotike e lirike të variantit himarjot të këngëve labe, Katina Beleri.
Konispoli: 13% grekë është maksimumi i vetidentifikimit
Bashkia e Konispolit që qëndron në jug të Shqipërisë, në kufirin me Greqinë, dhe përbëhet nga shqiptarë të Çamërisë, ndahet në tri njësi administrative: Konispol, Markat dhe Xarrë. Nga këto, ish-Komuna Xarrë ka katër vendbanime me shumicë ortodokse: Xarrë, Mursi, Vrinë dhe Shkallë dhe një me shumicë katolike të krijuar pas viteve ’90 nga të ardhurit nga veriu i vendit, Shëndellinë. Ndërkaq, në ish-Bashkinë Konispol, krah qytetit, është fshati Çiflik me shumicë shqiptare dhe pak grekë e vlleh. Në këto fshatra, historikisht popullsia ka qenë tërësisht shqiptare, teksa si grekët, ashtu edhe kuçovllehtë, janë vendosur pas viteve ’50.
Nisur nga sa më sipër, shifra maksimale e vetidentifikimit grek në Bashkinë e Konispolit është 13%, nga një popullsi me origjinë greke 7,5% dhe vllahe me identitet fluid në masën 7,5-9,5%, përkundrejt pretendimit shqiptar se është 7,44% dhe pretendimit grek se është 30,1%.
Mirënjohja
Ardit Bido shpreh mirënjohjen: Pak herë ndihet njeriu aq i emocionuar sa kur sheh se fjalët e tij, në një përurim të një vepre akademike, përçohen te zona e origjinës nga aq shumë miq, shokë e dashamirës sa përmbushen sallat plotë. Ndaj, nga zemra e me përulje, dua të falenderoj ata qindra bashkëqytetarët e mi në Delvinë, Sarandë, Himarë, Konispol dhe Vlorë, që ma bën zemrën mal me praninë e tyre dhe fjalët e ngrohta.
Falënderoj të gjithë ata intelektualë të qyteteve të pesë bashkive të jugut, që më shoqëruan në debatin publik, duke dhënë recensën e tyre për këtë punim: Esmeralda Kolanecin, Thoma Ceron, Fatbardha Ballacin, Luan Lazen, Ilirjan Haxhiun, Gjergji Manon, Hekuran Halilin, Ermir Hoxhën, Kristo Çipën, Astrit Tatarin, Bukurie Brahon, Odise Çaçin, Bardhosh Gaçen e këdo tjetër që ndërhyri në këtë diskutim konstruktiv.
Në fund të fundit, siç u vërejt dhe gjatë kuvendimeve popullore, “Beteja për 20 përqindshin” është një ftesë për një reflektim të thellë dhe racional nga populli dhe politika.
Në fakt, mirënjohja si virtyt është reciproke, sespe edhe ia shprehim me shpirt, zemër e mendje mirënjohjen tonë të thellë për këtë punë të mirë, të bukur e të dobishme, për këtë vepër shkencore, që sa na zgjuan nga gjumi e na hap sytë, na bën nder si Atdhe, si vend, për të qenë me dinjitet në krah të vendeve të qytetëruara të familjes së madhe europiane, me mentore dashamirësen më të madhe të shqiptarëve, SHBA.
MSc. Albert HABAZAJ,
Drejtor i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë,
Vlorë, e mërkurë, 08.11.2023