– Një letër Presidentin Wilson dhe drama e atyre njerëzve –
Sa larg është Kongresi i Lushnjës? – Është një pyetje që mund t’u bëhet shqiptarëve. Sa larg nga çfarë dhe nga cilët? Si kohë 99 vjet më parë. Si hapësirë, po të nisemi… nga ku? Nga Europa, nga ç’vend, nga Zvicra? Ka gjithë ato male përpara… ndërsa nga Amerika? Larg, shumë larg, është një oqean në mes, duhet të shkosh në Europë, në Mesdhe, në Ballkan, në brigjet e Adriatikut… Nga kryeqyteti i Shqipërisë, që pikërisht ky kongres caktoi Tiranën si të tillë, është 84.57 km. Në vijë ajrore shumë më pak.
Dhe mua do të më interesonte ajri, fryma. Se ishte kuvendi i një vendi të vogël mes rreziqesh të mëdha, që ëndërronin të ishin një Zvicër, të cilit SHBA i dha mbështjetjen e vet, aq jetike dhe ekzistenciale për kombin shqiptar. Po sa pranë frymës së atij kuvendi është kujtesa? Po shteti shqiptar dhe institucionet e tij? Po njerëzit?
Ndërsa Pavarësia e Shqipërisë dhe shpallja e shtetit modern shqiptar janë futur tashmë në shekullin e dytë të jetës së tyre, saktësisht në vitin e shtatë të tij, ndërkaq më 21 janar mbushen 99 vjet nga Kongresi jetik i Lushnjës ose “Pavarësia e Dytë e Shqipërisë”, siç është cilësuar.
Gjëndja e Shqipërisë në kohën e këtij Kongresi ishte e rëndë, alarmante, e rrëmujshme dhe e paqartë nga brenda; kërcënuese dhe tejet agresive nga jashtë. Ishin mprehur hanxharët si në një kasaphanë dhe po kërkonin të bënin copëtimin e dytë dhe përfundimtar të Shqipërisë.
Përfaqësues, të përzgjedhur apo të vetëcaktuar, nga të gjitha trevat e vëndit, kush e ndjente e mundëte, nga ata që kishin bërë emër, kryengritës a nëpunësa, që kishin qenë në Vlorë 8 mote më parë në ngritjen e Flamurit të Pavarësisë, që kishin punuar në perandorinë otomane apo kishin studiuar nëpër Europë, që kishin mërguar deri në Amerikë, nga ata që kishin bërë për vendin dhe kishin sakrifikuar, u nisën për në Lushnjë, me ndonjë makinë, nga ato të pakat që ishin atëhere, e ngadaltë si qerret, me kuaj, në këmbë, kaptonin male, çanin borën dhe baltën e dimrit, rreziqet nëpër shtigjet ku mund të gjendeshe befas mes ushtrive të huaja.
“Të mblidhemi në Lushnjë!” ishte thirrja. Qeveria heroike dhe halle madhe e Ismail Qemalit ishte shprishur. Lufta e Dytë Botërore kishte mabruar, por pasojat jo. E si u lajmëruan shqiptarët të mblidhen në Lushnjë? Si u përcoll lajmi 99 vjet më parë, në vendin më të varfër në Ballkanin e trazuar, ku mungonin universitetet, trenat, postat, media, institucionet, shteti vetë, etj, etj? Si kaloi lajmi nëpër ajër me ç’frymë?
Dhe erdhën, u bashkuan. S’i caktoi kush, veç ndërgjegjia dhe përgjegjësia. Thirrja nga thellësitë e zërave të Kombit. Pra, jo me vota të blera, por sipas bëmave sakrificave dhe arritjeve. Jo për të bërë pasuri, por përkundrazi, duke humbur nga e tyrja veç “të bënin Shqipëri”.
U mblodhën në Lushnjën e vogël, ende katund.
Qëllimi ishte që jo vetëm të gjykonin dhe të vendosnin se ç’duhej bërë në ato rrethana të rënda e me rrezikun mbi krye, jo vetëm të tyre, por të Shqipërisë, dhe të vepronin menjëherë, me diplomaci e luftë, duke përcaktuar aleatët, nëse do të kishte, pra ata që do të mund të ndihmonin në shpëtimin e Vëndit. Se gjysma e trojeve i ishin marrë dhe po kërkohej copëtimi dhe i kësaj që kishte mbetur.
Kongresi i Lushnjës në 10 ditët e punimeve të tij, ribëri shtetin shqiptar, caktoi kryeqytetin, Tiranën, Kryeministrin dhe Qeverinë e tij për t’i dalë zot vendit, institucionet dhe detyrat.
Dhe u arrit mrekullia. Me përpjekje, sakrifica, përkushtim dhe mënçuri, mbi të gjitha nga fryma e përbashkët e të gjithave. Kjo i dha forcë që të siguronte mbrojtjen e Kongresit një emëri, pothuajse i panjohur, Sulë Zdrava, me luftëtarët e vet, me atë pushkë që kishte marrë pjesë dhe në Rrethimin e Shkodrës apo kishte mbrojtur Beratin nga andartët grekë.
Duke mos hyrë në zejen e historianit, për të mos thënë ato që tashmë janë arkivuar në historinë e Kongresit shpëtimtar të Lushnjë, ndërsa qeverive të tanishme u del si detyrë jo vetëm që t’i njohin thellë dhe t’i përkujtojnë, por t’i kthejnë në përvojë e mësime, unë dua të risjell këtu një letër, që më çudit me largpamësinë, dërguar në SHBA nga Lushnja e humbur e Shqipërisë së vogël e në rrezik Presdentit të SHBA.
LETËR NGA LUSHNJA NË WASHINGTON
Kryetari i Katundarisë së Lushnjës, gati një muaj pas mbarimit të Kongresit, më 17.3.1920, dërgon një letër në Washington. Dhe kujt? Presidentit të SHBA-së, Wilsonit.
Letër e mrekullueshme, e sinqertë, e qartë, me fjalë të zgjedhura, e ndjeshme, pa stërhollimet dinake kancelareske, e urtë dhe me dije, e bukur, vizionare për të ardhmen. Përfytyroj gjyshërit tanë të mbledhur rreth atij që shkruante, fjalët që thoshin me zë, hiq këtë fjalë, shto këtë, po si t’i drejtohemi? Kujdes këtu, mos e zgjat shumë “e-rej, se isht Presidenti më i madh i botës, lale”, etj, etj. Kërkonin njohje të Shqipërisë, mbështetje dhe ndalim të copëtimit të mëtejshëm.
Letra është e shkruar me dorë, me stilolaps mbase dhe pastaj është transkriptuar dhe gjendet në Arkivin e Shtetit. Meriton vëmendje shkencëtari. Orientimi i drejtë i shqiptarëve mes atij kaosi drejt SHBA-së. Ndjesia e fuqishme e atdhedashurisë, Shqipëria quhet Mëmë dhe dhimbja therëse për Kosovën dhe Çamërinë. Ja, teksti i saj i plotë, pa asnjë ndryshim dhe në drejtshkrim:
Shkëlqesisë së Tij Wilson, kryetar t’Amerikes
I shteteve të bashuem Vashington
Shqiptarët që kanë mbështun tanë shpresat e gjallnisë mbi shtyllën apostole të parimevet fisnike të Sh. S’Uaj, sot iu luten të të pranoni falenderjet e paraqituna përkundrejt zanit të nalt e mëshir madh që jeni tye kryer për shpërtimin e atdheut tyne.
I nalti kryetar, shpëtoni nji popull që asht m’i Vjetri në Ballkan e që ka drejtu vështrimet e shpëtimit t’Ekselenca Juaj dhe mo i lini me derdhë gjakun e me vdek përpara lakmimevet imperialiste të fqinjëvet veç sigurimin e kufijvet 1913-es, ju lutem me fuqinë e shpirtit mos pëlqeni as pak krasitje të pa arsyeshme si mbi Kosovë e Çamëri, mbi kufite natyrale ethnografike të sh. s’uej nuk munde me kjen të ndara nga Mëma e tyre Shqipni.
Ju lutemi në emër të popullit pranoni nderimet tona krejt besnike.
Kryetari Katundaris së Lushnjës
Lushnjë, më 17.3.1920
Po si ia çuan atë letër historike Presidentit Wilson? Shqip? Po kush e përktheu? Ç’do me thënë ‘Kryetar i Katundarisë’? A, qenka Kryetari i atëhershëm i Bashkisë, zoti Besim Nuri. Mes atij analfabetizmi të madh, varfërisë e malarjes e trallisjes kombëtare, si iu arrit kësaj largpamësie, me ç’mister dhe ç’engjëll i mbronte? Ja, një nga kronikat e kohës:
“…në fillim të vitit 1920 Wilsoni i irrituar refuzoi ta pranonte propozimin britanik, francez e italian për ndarjen e Shqipërisë në tri pjesë: Jugosllavia do të merrte veriun, Greqia jugun, kurse italianët do të kishin mandatin për ta qeverisur një shtet të vogël shqiptar që do të mbeste pas kësaj rrudhjeje. Vlora do të bëhej pjesë e Italisë. Britanikët dhe francezët po përpiqeshin ta arsyetonin planin e tyre duke thënë që “populli shqiptar kurrë s’ka qenë në gjendje ta themelojë një qeveri të veten”. Wilsoni fuqishëm refuzoi, siç tha vetë ai, “padrejtësinë” ndaj popullit shqiptar. Ai prej njerëzve vlerësohet që vetë i dha fund idesë së ndarjes dhe një mandate italiane që ka qenë në zemër të negociatave në Versajë. Bile edhe në atë kohë, përfaqësuesi i Qeverisë së Përkohshme Shqiptare në Shtetet e Bashkuara, shkruante në gazetën “New York Times” të 11 marsit: ‘Shpëtimi i vendit tim i mbetet borxh tërësisht veprimit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara’”…
Në kryeqytetin që caktoi Lushnja, në Tiranë, u ngrit më së fundmi në shtatorja e Presidentit Wilson në sheshin që iu dha emri i tij, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, por po në atë bronz meriton të derdhet dhe kjo letër-institucion dhe të vihet si memorial në Lushnjë, në sheshin para Bashkisë a para Shtëpisë së Kongresit, pse jo dhe në Muzeun Kombëtar në Tiranë.
FRYMA NË DRAMËN E KONGRESIT
Vetë Kongresi i Lushnjës është një dramë, por dhe për atë ka një dramë të shkruar, e një gjysmë shekulli më parë, por ende gati e panjohur, edhe pse e vetme, që sjell më së miri atë frymë e popull. Është vepër e dramaturgut Hekuran Zhiti, aktor në Teatrin e Estardës së Lushnjës, tashmë “Qytetar Nderi” i atij qytetit.
Drama “Të mblidhemi në Lushnjë” ishte menduar të vihej në skenë në kushtet e atëhershme, plot mangësi, por harrimi i saj i bën dhe më të mëdha mangësitë. Arriti të botohet postume nga editori “Uegen” me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit, ndërsa në gjimnazin e Lushnjë nxënësit e vunë në skenë për veten e tyre. Akt prekës, por vetëm kaq.
Vendi ynë vazhdon të harrojë shumë dhe të bëjë pak, shumë pak për ato që do të duheshin dhe konsumohet me tepri për ato që s’do të duheshin dhe aq, që janë kohëhumbëse, deri dhe të dëmshme si diktaturat, s’e kam fjalën për atë të madhen, që erdhi me dhunë botërore dhe u vendos në gjysmën e kontinentit të Europës, në Azi, Afrikë e deri në Amerikë dhe besojmë se iku përgjithmonë, por si pasojë e saj, prej arsenalit të saj, trashëgimisë dhe mendësisve e praktikave gëlojnë “diktaturat e vogla”, gjithsesi të hatashme, të institucionalizuara si varfëria dhe korrupsioni e për pasojë sherret, marrëzi e delire, një mediokritet kombëtar i pashëmbullt.
Si kundërveprim po sjellim këtu pak nga fryma e dramës, nga akti i tretë.
Në Kongres:
Salla me 10 ose 12 sërë karrikesh. Në krye një tryezë e madhe, në anë të saj një flamur kombëtar me shtizë dhe një portret i Skënderbeut në njërën dhe i Ismail Qemalit në anën tjetër. Kongresistët, disa me veshje karakteristike të Veriut dhe të Jugut dhe disa me kostume europiane, barsolina e gravata e çanta, janë shpërnarë në grupe, dy e nga tre, duke biseduar…
Lushnjarë e bashkë me ta e të tjerë të armatosur, Vathi, Bajrami, Vrenozi, Thimiu, etj., si roje rrinë pak larg, hyjnë dhe dalin.
ZËRA:
– …kam ardh mes borës, ujqve dhe ushtrisë serbe…
– E madhe shtëpia… e mblodhi Shqipërinë…
– …nuk kanë mbrritë të gjithë…
– …ku ishit mbrëmë?
– Këtu afër. Na kanë pritur me këngë. Këndonin me rradhé dhe dilnin bënin roje me pushkë jashtë shtépisé…
– …kush e kishte Korçën, grekërit apo fracezët?
– Francezët për grekërit…
– Shiko Plakun e Butkës… legjendarin…
– … sa kohë që s’jemi parë? Qysh në Vlorë,
– …atë ditë kur u ngrit flamuri…
– A fillojmë, burra? Koha nuk pret…
– I përndershmi Sheh Karbunara do t’i bëjë një lutje Zotit, që të na bekojë… ogur i mirë… në mbrojtje nga të papriturat e shumta… ka kaq trazira…
(Të gjithë pa lëvizur nga vendi ngrijnë në heshtje dhe secili, sipas menyrës së vet, luten, dikush me kokën lart, me duart e bashkuara, me kryet ulur, ndonjë gjunjëzohet, mërmërisin, etj., në mes tyre Sheh Karbunara i statujtë duke krijuar kështu një si grup skulpturor sugjestionues, suprem…
– Përfaqësuesi i Lushnjës ta marrë fjalën… Zoti Vokopola nise…
PËRFAQËSUESI I LUSHNJËS- Në emër të Prefekturës së Lushnjës, Beratit e Skraparit ju uroj mirëseardhjen në Kongres. Nuk jemi këtu vetëm në shtëpinë e mikut tonë bujar, lushnjarit të nderuar Kaso Fuga, por dhe brenda mureve të historisë. Po nisim një betejë, sot më 21 Janar 1920, e mërkurë, që nuk do të harrohet, e ndjej… (emocionohet) Zini vendet… në këtë sallë… por dhe në ngjarjet që na presin…
Ia jap fjalën patriotit të flaktë, veprimtarit të palodhur kundër pushtimit otoman, mbështetësi kryesor i Ismail Qemalit, ministër në qeverinë e parë, Elbasan Pashës, i zbardhur në përpjekjet për çështjet e më mëdheut. Urdhëroni!
ELBASAN PASHA (I moshuar, me pak mjekërr të bardhë, i hollë, i thatë, me kravatë e qylaf, me zë të ngadaltë e pak të ngjirur.) Të dashur qytetarë, delegatë nga i gjithë vendi, ju që keni ardhur dhe ata që nuk kanë arritur ende, por dhe ata që nuk do të vijnë dot kurrë se janë vrarë për ideal, (duartrokitje të forta), luftëtarë, burra që më bëtë nderin ta çel këtë kuvend, vazhdim i atij të Lezhës me Skënderbeun dhe i atij të Prizrenit me Abdyl Frashërin me shokë, duke ju falenderuar me shpirt, shpall të hapura punimet. Së bashku të hapim udhën që do të ndjekim. Nëpër vazhdën e gjakut do të shkojmë ku na e do zemra e plasur që të arrijmë te ëndrra, atje ku na e do puna, sipas amanetit të të parave. Shqipëria është bërë një herë dhe nuk ka pse zhbëhet!
Duartrokitje.
Zotërinj, jeni të lodhur, e di, keni ardhur rrugë e pa rrugë, mespërmes pushtonjësve të Shqipërisë, kjo na ka vrarë më shumë se sa të tatëpjetat e shtigjet e humnerat, se nata me erë e bora, kemi ecur me mjete që prisheshin, kështu e lanë atdheun tonë, me karroca e kuaj e më këmbë, po u shplodhëm që gjetmë sho-shoqin e do të bëhemi me flatra kur të gjejmë dritën që na duhet.
Kam kërkesën që të nderojmë dëshmorin e kësaj ideje, bashkëpunëtorin tonë të ngushtë, Abdyl Ypin, që e vranë ca ditë më parë për të mos qënë këtu ai dhe të gjithë ne e ky Kongres të mos mbahej. Nëpërmjet tij duam të përulemi para gjithë të rënëve dhe martirëve të Kombit…
Të gjithë ngrihen më këmbë. Heshtje e thellë…
KRYETARI (i porsazgjedhur) – Të vazhdojmë më tej… të formojmë komisionet, që tani, të ndahen përfaqësonjësit në grupe dhe… Po emërojmë Sekretarin e Kuvendit, zotin Vokopola dhe për të këqyrur letërpërfaqësimet e delegatëve, pra një komision të posaçëm prej 5 vetash… Hë, të presim… për të mos pritur…
DELEGATI I MATIT– (ngrihet) Unë jam për sulm, i përndershmi Sheh!
ZËRA– Me shka, me çfarë?
DELEGATI I MATIT- Me armën e diplomacisë, me diplomacinë e armëve.
DELEGATI IV- Konkretisht: burra, gra, djem e pleq, me spata e me hunj, me armët që kemi, të përzëmë armiqtë nga toka jonë. Të hedhim si leckë qeverinë e sotme, që nuk bën për sot. (Duartrokitje)
KRYETARI– Traktatin e Fshehtë të Londrës… Kongresi e hedh poshtë me vendosmëri duke përgatitur një protestë energjike për Konferencën e Parisit.
Kjo bëhet në emër të Asamblesë së Kombit në Lushnjë, kundra vendimeve të Francës, Anglisë, Italisë për copëtimin e Shqipërisë ndërmjet Italisë, Greqisë, Sërbisë e Malit të Zi. Rezolutën, na vjen një kërkesë, përfundoje kështu (lexon): Shqiptarët janë gati të bëjnë çdo lloj sakrifice dhe me e derdh pikën e fundit të gjakut të tyre kundra çdo veprimi, që mundet me vue në rrezik pamvarësinë dhe tërësinë e saj tokësore…
Ndizen drita ngadalë, salla e kuvendit, përfaqëuesit nëpër vende, kongresi vazhdon punën…
SHEH KARBUNARA– Të tregojmë që dimë të qeverisim. Shteti i pavarur shqiptar është realitet. Kështu kanë bërë dhe disa shtetet të tjera të robëruara, zotërinj, kështu Çekosllovakia, Finlanda, Polonia, Lituania… Edhe ne. Shtet i vjetër, qeveri e re!
ROJET E ARMATOSURA– Rroftë Qeveria e re!… (Duartrokitje)
NËNKRYETARI- Të përgatiten tekstet që do t’i dorëzohen Konferencës së Paqes në Paris dhe Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sugjerime!
PLAKU I BUTKËS – T’i drejtohemi Parlamentit italian, por jo me ton të butë, kështu m’u duk se dégjova, me lal e me lule ose me tryla si thotë myzeqari. Me spatët dardharit siç e përdorin nga Korça…
PËRFAQËSUESI I MATIT – Shkronjat duhet të bjenë erë barut!….
VRENOZI– Zoti ka urdhëruar këtë Kongres për të shpëtuar Shqipërinë.
DELEGATI IV – Populli është mbret vetë dhe s’ka nevojë për mbretër, sulltanë e perandorë.
KRYETARI– Të gjykojmë situatën ku ndodhemi.
DELEGATI II – Kongresi do përballet dhe do krijojë situatë vetë. Ne na shkon republika, republika, zotërinj dhe asgjë tjetër.
Zëra: republikë, po, po republikë… THOMAJ- Mbështetur nga shumë pëlqime, mendoj të kemi kryeministër zotin Sulejman Delvina.
DELEGATI I– Tani ai ndodhet jashtë shtetit, në Konferencën e Parisit, pra askush këtu nuk mendoi tjetrin pranë a vetveten.
DELEGATI II– Gjithmonë më i mirë është ai që mungon… (Të qeshura)
KRYETARI– S’është ashtu gjithmonë. Ne i dimë vlerat e mëdha të zotit Delvina, rrjedh nga një familje ndër më të njohura dhe më të famshme në të gjithë Jugun. Ka kryer gjimnazin e Janinës dhe mandej në Stamboll. Fakultetin e Mylqijes në kryeqendrën e Perandorisë Osmane dhe pas marrjes së diplomës, siç e dini, ai u caktua menjëherë atasheut në Ministrinë e Brendshme të Turqisë dhe më pas si sekretar në zyrën e dekreteve të Kryeministrisë. Po në ato vite, ai shërbeu si profesor i literaturës në Gallata Saraj, etj. Në Bibliotekë gjithmonë e gjeje me libra francezë, të kulturës dhe shkencës perëndimore, dihen dhe interesi i tij e adhurimi dhe mirënjohja për Amerikën…
DELEGAT II– Ai të vijë sa më shpejt.
Ministër i Punëve të Mbrendshme Delegatin e Matit, Zogun e maleve, trimin 25 vjeçar… po, po…
Ministër i Punëve të Jashtme z. Mehmet Bej Konica…
Ministër i Arsimit z. Sotir Peci…
Ministër i Drejtësisë z. Hoxhë Kadri Prizrenin… Zëvendës z. Hysen Bej Virjoni… Ministër Finance Z. Ndoc Çoba… Zëvendës z. Idhomen Kosturi…
Votohen. Duartrokitje…
KRYETARI– Tani nuk na mbetet gjë tjetër, veç të bëjë betimin Këshilli i Naltë dhe Qeveria e re dhe të gjithë delegatët për ato që marrim përsipër. (Heq flamurin me shtizë e del para tavolinës duke e mbajtur në dorë.) Urdhëroni, zotërinj, të bëjmë betimin më të lartë para Kombit.
Delegatët ngrihen në këmbë ndërsa të zgjedhurit afrohen para flamurit.
SEKRETARI– (Lexon me zë të lartë) “Betohem n’Emën të Perëndis, tue dhanë besën shqiptare e fjalën e nderit përpara Mbledhjes së Kombit, se do t’i shërbej popullit dhe shtetit shqiptar drejtësisht dhe mproj ligjet dhe indipendencën e plotë të atdheut të shenjtë!”
TË ZGJEDHURIT – (Një zëri) Betohemi!
Duartrokitje. Kryetari u jep dorën. Delegatët ulen.
NJË ZË– Dua të shtoj dhe poetin e madh Gjergj Fishta! Le ta kenë si sekretar më vonë…
NJË ZË TJETËR: – Rroftë Poeti!
Duartrokitje prapë.
KRYETARI– Kongresi i Lushnjës është Pavarsia e Dytë e Atdheut!
SEKRETARI– Si kujtim nga ky Kongres kemi ca flamurë të vegjël si lulkuqet e fushave me grurë të Muzeqesë, vërini nga ana e zëmrës. Këta do t’i shpërndajmë kudo.
Shpërndan flamujt e vegjël.
NJËRI NGA DELEGATËT– Ja, kështu dua ta kem plagën në gjoks në luftë për atdhe…
ZËRA TË ASHPËR– Jeni të rrethuar… ndalni!… Kongres i paligjshëm… Dorëzohuni… do ju shpërndajmë me forcë…
Jehona e kërcënimeve përsëritet në gjuhë të tjera, italisht, greqisht, serbisht: ndalni… të rrethuar…
MINISTRI I BRENDSHËM SHQIPTAR– Largohuni! Kongresi shqiptar është mbledhur si vullnet i popullit dhe jo në mëshirë të ndokujt, ushtri qoftë a qeveri e huaj. Po ju them që mos u përzieni në punët tona, përndryshe do ju godasim. Ne nuk duam armiq, por bëni mirë të largoheni nga Lushnja… dhe nga Shqipëria. Ndryshe do ju përzëmë dhe me luftë. Unë, bashkë me forcat e mia të armatosura do të marrshojmë drejt Tiranës!
NJË ZË I ASHPËR– Kush jeni ju?
MINISTRI I BRENDSHËM– Ministri i Brendshëm i Qeverisë së vendit tim. Hapnu udhën!
ZËRI– Mos lëvizni.
MINISTRI I BRENDSHËM– Unë nuk njoh tjetër autoritet, përveç Kongresit të Lushnjës. Ju përdorni armët që keni në dorë, në guxofshi. (Të vetëve.) Përpara me mua!
Hingëllima kuajsh, trokëllima… Bie perdja.
* * *
Kështu mbyllet kjo dramë dhe duket sikur hingëllimat e shqetësuara të kuajve vazhdojnë, po ndryshe, pa kuaj e kalorsa dhe pa barra mbi shpinë, britma gjithandej, sidomos brenda në parlament, ndërsa trokëllimat janë kthyer dhe në flakje çizmesh, dosjesh, batare armësh, etj.
Sa larg është salla e gjorë e Kongresit të Lushnjës me atë të Parlamentit shqiptar sot? Po antarët midis tyre? Nëse do të mateshin me idetë, përgjegjësitë, moralin? Atë kongres e kemi lënë prapa apo ai na ka lënë prapa 99 vjet?
Pa ardhur viti i 100-të t’i rikthehemi atij betimi autentik, të lartë me besë e fe e nder e përkushtim, me drejtësi dhe ligje, se të gjithë tani e gjithmonë jemi para “Mbledhjes së Kombit”, ndërkaq si një mister në dramë ndihet fryma e shpëtimit, si e dërguar nga Zoti, nga përtej oqeanit, nga shteti më i fuqishëm në botë, SHBA, që shqiptarët të gëzojnë Atdhe dhe pavarësinë e tij të ndjejnë të shenjtë, po kështu dhe të shërbyerit popullit tënd.
Komentet