KONGRES’ I LUSHNJES. Kapitulli mâ i vështiri i kujtimeve të mija! I vështirë, sepse askund mâ tepër se këtu s’më bie me folë për veten t’eme, askund mâ fort se n’atë rasë s’â shque rol’i im politik, s’âsht mbulue me shpifje aqë të padenja e të pameritueme, asnji fasë e jetës s’eme politike s’ka pasun pasoja mâ të rânda për mue e për familjen t’eme. Brez’i parë i intelektualizmës shqiptare qi i shërbeu, secili me atë peshën e vet, lirís së kombit, deri në sendërtimin e ksaj, pat qênë krejt i bashkuem, se s’kishte gjâ ende për të damë. Por duel a s’duel Shqipnija mbë vete, nisën menjiherë me dalë përfushë edhe provat qi s’kishim qênë ende të pjekun e të denjë për tê, e jo veç popull’i thjeshtë, jo veç turma e padijshme, por edhe, e sidomos, intelektualët! Faktet qi i përkasin turmës, nuk na interesojnë ; gjithashtu ambicj’e nji Esad Toptani kuptohet lehtë. Por qi do t’u çonte nji Mitat Frashër, nji Faik Konicë, nji Mehdi Frashër, nji Abdyl Yp e nji Dervish Himë me i kthye shpinën Ismail Kemalit për atë Esat qi pak para i kishte dorzue Shkodrën Malit të Zi, mbas gjithë gjasave për ar e për me u bâmë princ, jo këtê, deri qi s’ishin pamë punët me sŷ të habitun, s’i a kishte marrë mêndja kuj! Mâ të rijt, mosh’e ime po i thomi, përgjithsisht qëndruen edhe do kohë në thjeshtín e përparshme. Kapën pushkën kundra komitave epirote e ushtarvet grekë të shëndrruem në komita, e kundra rebelve të Shqipnís së Mesme. Qênë këta, qi, mbas luftet, në kongresin e Durrsit zgjodhën nji prej tyne e e futën ministër në qeverín e përkohshme të Turkhan Pashës, dmth. mue.
Pushtetarët italjanë në Shqipní, ushtarakë e civila, s’kishin lanë kurrfarë fuqije efektive në dorë të qeverís shqiptare e të zyrtarve të saj. Siç e kam thânë, Roma as qi e pat dashun fare nji qeverí shqiptare, e mbasi kongresi e krijoi atë qeverí kundra deshirit e vullnetit të saj, tash oficerat e ndihmsat civilë italjanë bâjshin ç’u vinte për dore për t’a paralyzue çdo veprim administrativ t’onin. Se sa administratorë e psykologë të këqij janë mbandej italjanët përjashta vêndit të tyne, po âsht nji gjâ e dijtun prej gjithkuj. Kështu qi në krejt vêndin mbretnonte nji anarqí e plotë. Shto mbandej edhe reperkutimet e mbrapshtive të konferencës së Parisit mbi moralin e popullit t’onë dhe mendo se çë shesh i volitshëm ishte krijue në vênt për propagandën e ambicjozve t’untuem për poltrona ministrore. Nji frymë e tërbueme po vinte tue u përgatitun kundra qeverís s’onë. Fajin e gjithë të zezave e paskeshim na, të pazott me i dhânë atdheut autonomín e vet, me i sigurue kufijt e vet. Na, deshtas e padeshtas qênkshim bâmë vegla t’Italís pushtuese, imperialiste! T’asaj Italije qi vetëm pak muej parandej ishte pritun me gzim e brohorí të përgjithshme kudo në Shqipní, veç partís esadiste. Kjo turbullinë s’do t’u kthjellonte pa flí. Flija do t’ishte pa tjetër qeverij’e përkohshme. Të kishem mbetun në Paris, pjesa qi do të më përkitte mue në këtë flí do të kishte qênë baras me atê të gjithë shokve tjerë, në mos mâ e lehtë edhe se e shumkuj prej sish. Më kishte pasë pritun nji tjetër fat, mue mâ të rín e mâ t’afrin me protagonistat e lëvizjes qi po përgatitej, nji fat qi për shumë tituj të jetës s’eme të kalueme, të bashkuem me pozitën t’eme në Shqipní të Mesme, me nji emën të njohun në të tanë Shqipnín e me cilsít intelektuale qi s’i rrijshin mbas asnji politikani tjetër të vêndit t’onë, kishte shumë gjasë me më qitun në krye; përkundrazi, shumë faktorë kensorë (esencjalë) për sukcesin e nji politikani më mëngojshin, e kjo mëngesë më rrenoi atëherë, vazhdon me më salvue deri sod e ka për të më salvue deri te vorri. Anmik i oportunizmës, i hypokrizís, edhe politike, s’kam njohun tjetër taktikë në veprimet e mija, posë asaj qi më ka urdhnue ndërgjegja, karakteri e morali dhe patrijotizma; nji sinqeritet brutal faqe kujdo për ça kam dijtun për të drejtë, për të vërtetë e për dobí t’atdheut; më ka mëngue elasticiteti politik, më ka bâmë natyra me u thye, jo me u përkulë. E u theva.
Si erdhën në Paris edhe dy misa të qeverís, Mufid Libohova e Mehdi Frashëri, qi ndiheshin ndër mâ të zott për kulturë e për proví, u pa me udhë qi un t’u kthejshem në Shqipní. Mora me vete kopjet e akteve në të cilat pasqyrohej veprimtarij’e dokumentueme e jona sa kohë qi kishem qênë un në Paris, u ndala në Romë me to, i përktheva shqip dhe botova të parin libër të kuq. U shpërdanë kudo në Shqipní këta dokumenta. Por sa pare bân? Frika – sigurisht kishte edhe ksish -, mënija kundra Italís, qi, sikur të kishte dijtun me punue n’ato rrethana ndoshta do të kishte fitue mirnjohjen e shumicës së popullit shqiptar, ambicja e elementit intelektual, kishin marrë nji hov tepër të fortë për të qênë e mundun me u majtun në kambë qeverij’e përkohshme. Un ishem titullar’i ministrís së postelegrafave. Kur u ktheva në Durrës mora edhe zvêndsín e Mehdi Frashërit në punët e mbrêndshme. Por mâ fort se me administratën, i a hyna me u marrë me nji vepër persuasive në kontakte individuale me intelektualë qi m’a merrte mêndja se ishin shum’a pak frymzuesa të lëvizjes.
Elementi mâ kryesori e aktivi i agjitatës ishte nji komitet i fshehët revolucjonar e terrorist qi kishte pjellë ajo situatë me emnin Krahu Kombtar e qi mâ vonë pat marrë famë me ofiqin Klika qi i patën ngjitun kundrështarët. Kishte për kryetar Ingj. Eshref Frashërin, mâ vonë kryetar parlamenti. Demagog i zgjuet, intrigant aktiv, anmik i betuem i çdo elementi gegë shum’a pak të shquem në politikë e sidomos i kishtarís katholike. Urrente e dronte mbi të gjithë Luigj Gurakuqin. Atê nji herë të vetme pata pasun fatin me e afrue për nji bisedim. Madje, për me folë të drejtën, pat ardhun tek un vetvetiu. Nuk mund t’a dij se me ç’mendim. E prita me gzim e shumë mirë, si nji patrijot të vërtetë qi besojshem se ishte. Nuk dijshem kurrgjâ ende për komitetin e tij, qi i kishte antarët 90% jugorë. As qi i a njihshem mirë deri atëherë karakterin, idét e ndiesít. I dhashë spjegime gjân’ e gjatë mbi situatën e jashtme të çashtjes s’onë e i shfaqa nevojën e nji bashkimi të gjithë atdhetarvet rreth qeverís, dërgata e së cilës në Paris ishte tue punue me gjithë shpirt për me shpëtue pavarsín e tansín toksore t’ Atdheut, sikurse e provonte vetë Libr’ i kuq. Duel e s’u pa mâ kurrë ke un. S’i kishte hŷmë asnji fjalë e ime në vesh. Vazhdoi në veprën e tij agjitatore. Edhe un vijova në rrugën t’eme, tue bisedue herë me nji herë me nji tjetër, gjithmonë në të njajtin drejtim qi kishem caktue. Këtu duhet të shënoj nji agjent të Intelligence Service-it, i njohun mirë prej intelektualvet shqiptarë, i shtimë gjithmonë si mik i Shqipnís, e qi ndoshta edhe ishte kshtu personalisht : e quejshin Eden, edhe atê, si ministrin e jashtëm të sodshëm edhe kishte gradën e nji konsulli pa konsullatë as në Shqipní as gjetí. Më duket se ka qênë në nji automobil me Prengë Bibë-Dodën kur e vranë këtê Cokajt në rrugë të Leshës e n’atë rasë qe plague edhe ai. Shetitte paiadamë posht’ e përpjetë gjithë Shqipnís. Pat ardhun edhe tek un, tinëz, nji mbramje në shtëpí. Fjalë të bukura sympatije për Shqipnín e frikë për fatin e saj, kritika prudente diplomatís italjane nga pikpamja shqiptare. As un s’mbajta asnji reservë faqe tij, fola mâ qartas se ai kundra Italís për politikën e damshme për vêndin t’onë qi ishte tue ndjekun. Rol’ i Edenit më bânte me mendue fort, se s’e kishem harrue qi agjenti mâ i gjallë ndër të huejt qi kishte nxitun rebelët e Shqipnís së Mesme kundra Princ Wiedit kishte qênë Gjeneral Philipsi, komandanti ingliz i trupave ndërkombtare në Shkodër. Por aso kohe, mâ tepër se politika inglize, ishte kundra nesh ajo e Italís. Deri Pashiqi qe bâmë atëherë projës i pamvarsís e i tansís toksore të Shqipnís, veç për mos me lânë Italín me mbetun në ndonji skânj të Balkanvet.
Prej të gjithë kontakteve qi pata gjatë nja dy muejsh ndoshta, m’u mbush mêndja qi qeverís s’onë s’i kishte mbetun mâ pikë prestigji kurrkund. Nji ndrrim ishte bâmë i domosdoshëm. Ndoshta nji ndrrim qeverije me njerëz pa ngjyrë politike të shqueme pak a shum’si italofila, siç u quejshin aso kohe disa si Mufid Libohova e Luigj Gurakuqi – un s’e kishem fitue ende këtë titull-, e, po t’ ishte e mundun, edhe mâ mirë me ndonji farë ngjyre antiitaljane, mund të bânte edhe nji ndëkim të favorshem për ne ndër qarqet ndërkombëtare të konferencës së paqës. Mue m’u mbush mêndja, po, për nji opurtunitet, madje për nji nevojë të këtilë. Mirpo për t’a vûmë në zbatim idén, kishte vështirsí gati të pakapërcyeshme. Qeverij’e Turkhanit ishte zgjedhun prej nji kongresi me nji mandat qi vetëm përpara nji kongresi tjetër mund të shkarkohej. Gjyms’e ministrave ishin në Paris, ku ishte tue u luejtun fat’i Atdheut, s’mund t’u thirrshin në Durrës. Këtu, zvëndës i kryetarit të qeverís ishte Mufid Beu, i kthyem nga Parisi, njeri kryeneç, qi i përbuzte agjitatorët, të cilët i quente tyrqisht hezelë-bezelë = rrugaça, e s’i mbushej mêndja se mund të kishte Shqipnija nji qeverí mâ përfaqsimtare e mâ të zonjën se atê qi përbâjshim na. Fejzi Beu, në mos kryeneçnín, kishte krejt mendsín e tij. Petër Poga ishte kryekëput nën ndikimin e Mufidit. Vetëm Sami Vrionin mund të bâjshem un ndoshta për vete. E dalim tash në Paris. Atje ndeshemi në shkambin mâ të fortin : te kryetari, Turkhan Pasha. Atje i vetmi qi do t’më besonte mue gati me sigurí ishte Gurakuqi ; me tê bashkë s’do të hiqshim keq me e bindun Bumçin, këtë prelat atdhetar e pa ambicje personale. Të tre, ndoshta-ndoshta mund të tërhiqshim edhe Mehdi Begun. Pra me nji probabilitet shum’a pak optimist, qeverija, me të Durrsit e të Parisit, do t’u dante në dý mendime të kundërta, njana lagje për me mbledhun nji kongres të ri e me dorzue mandatin, tjetra me qëndrue në fuqí dersa të merrte fund çâshtja shqiptare në konferencën e paqës. E n’anën e kundërt ishte kryetari. I ngilte anës s’onë nji rrugë : me i dhânë kryetarit dorhjeken e me shkue në shtëpí. Por t’u paraqitmen puna kështu, pale a do t’ishim edhe na të gjithë për dorhjeke në dorë të kryetarit atëherë! Se menjiherë do t’na dilte përpara objekcjoni i damit të nji krise shum’a pak të pahijshme e kushdi ç’tjetër mâ. Edhe un vetë ndaj prospektiva kso dore ngurrojshem. Do të kishem bâ sigurisht punë të mirë, nemose për shkrupull ndërgjegjeje, të kishem shkue deri në Paris për me va shtrue çâshtjen përpara shokve t’atjeshëm. Nuk e bâna. Arsyeja? Ishem zvêndës ministr’i mbrêndshëm e gjendja ishte tepër e turbull, siç do t’a shohim tash vrik; për me u largue duhej vêndim’ i shokve të Durrsit qi do t’ishte pa tjetër i kundërt ; tekembramja ishem edhe i paralizuem prej mendimit qi kurrsesi italjanët s’do t’a lejojshin mbledhjen e nji kongresi të ri legal, tue e dijtun mirfilli se s’do të dilte mirë për ta. E për kongres revolucjonar mue s’m’ishte mbushun mêndja ende. Mbeta. Dhe ndoshta gabova. Ndoshta me çdo kusht m’ishte dashun t’a bâjshem at’udhtim. Ndër shkaqet e ksaj pezullís (incertezza) s’eme duhet të shtoj nji qi âsht thjesht psykologjik : ishem mâ i riu i tanë shokvet, t’asi shokësh qi gati të gjithë kishin të ngulun në shpirtin e mendsín e tyne prestigjin e krenín e vlerës së moshës e të provís politike të tyne, në krahasim me mue. Sa ishin myslimanë, mbandej, ishin të gjithë edhe beglerë. Mufid Be Libohova qe përpjekun mjaft me intrigue në kongresin e Durrsit kundra zgjedhjes s’eme, sepse “tue qênë i biri i nji qehaje, s’gëzojshem nji prestigj të mjaftueshem në vênt për me u bâmë ministër”. Në Paris, notën t’onë qi protestonte në konferencën e paqës kundra zotnimit t’Italís mbi Vlonën, më kishin ngarkue shokët me i a çue un Turkhan Pashës për nënshkrim, se asnji tjetër s’donte të prishej me atê, i cili s’ndëgjonte me nënshkrue kurrgjâ qi i biente ndesh drejtpërdrejt Italís. Në këtë rasë, m’u desht me i bâ Pashës nji kërcnim të tërthortë, por mjaft të qartë, tue i thânë se ajo notë do t’i paraqitej me doemos atë ditë konferencës, e po mos t’a nënshkruente ai vetë do t’a nënshkruente nji tjetër. Tekembramja, u shtrëngue me e nënshkrue notën, por mue s’më foli mâ me gojë për nja nji muej e me shokë tjerë as emnin s’m’a përmente, por më quente “ce gamin-là”. Me gjithë 32 vjet qi kishem, për kolegët e mij beglerë, 20-40 vjet mâ të motshëm, un ishem nji “gamin”, nji kalamâ ende, e për të zezën t’eme mâ të madhe, edhe bir qehaje e jo beg. Me gjithë këto të mêta… themelore, me u çue un tash e me u mbushun mênden atyne se kishte ardhun koha me i lëshue selít e ministrivet, më dukej nji gjest tepër “impertinent”[1] e pa shpresë sukcesi.
M’u paraqit tekembramja nji fasë e re, fasa vêndimtare e situatës. M’u proponue prej nji grupi agjitatorësh (kështu jam tue i quejtun përgjithsisht ata qi i fryjshin zjarmit, prej çdo kategorije qi të kenë qênë e çdo farë qëllimi qi të kenë pasun) për me fitue bashkpunimin t’em në veprën e tyne. Ishin të tanë Kosovarë: Hysni Curri (i nipi i Bajramit, i cili vetë ishte ende në Vjenë), Rexhep Mitrovica a Bedri Peja ase të dy, s’e mbaj mênd mirë, Halim Gostivari (Drejtuer i përgjithshëm i Policís nën qeverín t’onë), Salih Vuçitërni e s’dij kush mâ. Këta të gjithë, direkt a indirekt, ishin të lidhun me Krahun Kombtar t’Eshref Frashërit. Currin e Vuçitërnin i kishem personalisht miq të vjetër. Me Kosovarët përgjithsisht kam pasë shkue mirë. Këta, tue theksue se kishin ardhun me folë me Mustafa Krujën e jo me nji ministër, mbasi më pyetën nëse mund të më flitshin lirisht me cilësín t’eme thjesht personale e patën përgjegje positive, më muerën besën qi bisedim’i ynë, edhe sikur mos të kishte asnji përfundim positiv, do të mbetej nji sekret absolut ndërmjet nesh ; m’u çelën: atdheu po ishte në buzë të greminës, vetëm patrijotët e vjetër e të vêndosun për çdo sakrificë mund t’a shpëtojshin, qeverija qi ishte në fuqí kishte humbun çdo pushtet moral si përmbrênda si përjashta, prandej e vetmja rrugë shpëtimi ishte ndërrim’i ksaj me elementa tjerë të pakomprometuem me anë të nji kongresi, legal në na lashin italjanët, të fshehët ku të mujshim me u mbledhun, në rasë të kundërt, Atdheu kishte nevojë për mue, aderim’i im e ndihma e ime për sendërtimin e ksaj vepre, shihej e domosdoshme. Kjo qe synthes’e bisedës së grupit. Të them të drejtën, edhe tash qi jam tue e kujtue atë skenë, edhe tash, mbas 31 vjeç, jam tue e ndie mallëngjimin qi më pat kapun në fund t’asaj bisede. S’ishte kuvëntarija, s’ishin fjalët e thekshme, qi më mallëgjyen, por vetë objekti i asaj bisede, rreziku i Atdheut qi ishte nji realitet për t’a pamë edhe i verbti; më preku tepër edhe besimi qi po tregohej ndaj mue, apeli qi po më bâhej për t’ecun në nji rrugë sakrifice të njohun prej meje qyshë djalë i ri. U mallëngjeva aqë, sa mos me qênë i zoti me u përgjegjun me fjalë, por me lot rrëké! Qamë të gjithë. Thashë po: “Nesër ap dorhjeken prej qeverís e bashkpunoj me jue!” Por shokët e rij m’u përgjegjën se ata ishin t’ auktorizuem me bisedue e vêndue me mue edhe gjithë planin e veprimit deri në mbledhjen e kongresit. Kërkuen pikë së pari qi un mos të dilshem prej qeverije, qëndrim’i im n’atë vênd, sidomos tue pasun në dorë edhe ministrín e mbrêndshme, do t’i shërbente çâshtjes shumë mâ tepër. Ky proponim më vênte mue në nji pozitë tejet delikate e me shokë, për të cilët “qëllimi ligjon mjetet”. Un s’mund të bashkpunojshem me nji palë shokë në qeverít e me nji palë tjerë për me rrëzue këtë qeverí, qoftë edhe për nji qëllim të shênjtë. Mbas nji shoshitjeje të gjatë të ksaj probleme incidentale, por qi për mue kishte nji randsí esencjale moraliteti, mbërrîme tekembramja në nji marrveshtje të plotë, të shkrueme e të nënshkrueme prej të gjithve (mjerisht s’mbaj mênd se kush ka qênë mâ tjetër veç katër personave të sipërshënueme e nëse ka qênë apo jo tjetërkush, por më duket se po). Sido qoftë, para se me tregue se ç’ishin termet e ksaj marrveshtjeje, më duhet me kthye edhe nji herë te gjêndj’e mbrêndshme e vêndit.
Element i ri në këtë gjêndje, veç sa kam thânë deri këtu, ishte veprimtarija e partizanve t’Esat Toptanit. Në të tânë Shqipnín e Mesme, fushë e male; kjo veprimtarí n’ato dit qi na, 5-6 patrijotë po nënshkruejshim nji beslidhje për shpëtimin e pamvarsís e të tânsís s’Atdheut t’onë, kishte marrë nji rrymë aqë të fortë qi me e bâmë edhe shumë mâ të madh rrezikun qi dojshim me përballue. Propaganda esadiste vlonte edhe mâ para, e përzieme me atê të nacjonalizmës, të cilën ajo e kishte për maskë, mû si komunizma e soçme. Por mbandej filloi me u shfaqun edhe mbë vete e me çeta t’armatisuna. Qe mâ fort nevoja e përballimit të këtij rreziku të ri qi i bânte shokët e rij të mij me ngulë kâmbë qi un të mos u largojshem prej qeverijet. Besojshin këta se n’at anarqí, veç un mund të bâjshem gjâ kundra esadistavet.
Tash pra marrveshtja qi u nënshkrue përfshinte këto pika: 1) Do të mblidhej nji kongres, para të cilit qeverij’e përkohshme do të paraqitej me spjegue veprimtarín e saj të deriatëhershme; 2) Kjo qeverí, tue pasë humbun çdo kredit si para popullit ashtu edhe ndër qarqet e hueja, do të zvëndsohej prej nji tjetre; 3) Për kryetár i qeverís së re do t’i paraqitej kongresit kandidatura e Nexhib Dragës; 4) Mustafa Kruja do të rrinte në qeverí të përkohshme sa kohë qi shërbim’i tij në tê do të shihej i nevojshëm për çâshtjen kombtare, do të përpiqej me mjetet e qeverís qi t’a shrrânjoste veprimtarín esadiste në Shqipní të Mesme dhe t’i bindte pushtetet italjane, kur do t’i vinte koha, për moskundrështimin e mbledhjes së kongresit; 6) Mustafa Kruja, kur të jetë koha e pjekun për mbledhjen e kongresit, do të përpiqet me i bindun shokët e qeverís së përkohshme qi t’a proponojë vetë mbledhjen e kongresit e të dorzojë mandatin e saj para tij, po s’e ndëgjuen, ka për të dhânë dorhjekjen.
Kjo qe, ad sensum,[2] marrveshtja e nënshkrueme ndoshta nja dy muej para kongresit të Lushnjes. Ç’u bâ mbandej e si u zbatue kjo marrveshtje?
Un, zvêndës ministri i mbrêndshëm, u vûna me mish e me shpirt me veprue kundra esadizmës me propagandë e me anë t’administratës. Nji ditë prej ditsh mbërrîn në Durrës nji lajm i tëmershëm : çetat esadiste kanë pushtue Krujën. Vetëm tre ministra gjinden në vêndet e tyne : Fejzi Alizoti, ministër i financavet, Petro Poga, ministër i drejtsís, e un! Mufid Libohova ka shkue në shtëpí të vet, Libohovë, për punë private e Sami Vrioni – qi ishte i dhândrri i Esatit – âsht në Fier, edhe ai në shtëpí të vet. Mblidhemi na tre qyqarët krye mbë krye, hajsmi në kshill ministruer! Ç’me bâmë? Rexhep Shalën e kemi prefekt në Durrës, ishte oficer karrjere, kishte famë për trim. E thërresim, i spjegojmë gjêndjen e i apim urdhën qi mbrênda 24 orësh të mbledhë krejt gjindarmërín e prefekturës e të marshojë kundra rebelavet për me shlirue Krujën. “Gati, Shkëlqesa!”, nji përshëndetje ushtarake dhe del. Mbas 24 orësh paraqitet tek un. “Të lumtë, Z. Prefekt, gati?”. Përgjegja âsht mâ e rreptë se lajmi qi patëm marrë nji ditë para: “Shkëlqesë, mjerisht në të tânë prefekturën asnji gjindarmë s’âsht i saktë, krejt t’infektuem prej esadizmet!” E kongjedoj e rrij e mendohem me krye në grusht vetë me vete. Mbrênda pak minutash planet e mija qênë të vêndosuna. Thërres menjiherë dy shokët tjerë. Këta gjêjnë përpara nji njeri të kthiellt qi i ka hjedhun zarët për veti, e gzohen. Por kur u kallzoj lajmin, u bâhet fytyra si futa. “Atbotë paskemi mbarue!” thotë Fejzi Beu. “Jo, ende!” i përgjigjem un qetsisht. Poga kishte dekun. Më shikojnë të dy të çuditun, tue kujtue se ishem tue u tallë. E pyes Alizotin: – Ç’pare ke në kasët? – 9. 000 lireta gjithsej! – vetëm 9. 000? – Vetëm! – A mund të m’i apsh mue ato të gjitha? – Gati, kur t’i duesh, por ç’do me bâmë me to? – Në më firmofshi të dy fuqí të plotë për me veprue si të shoh e si të dij n’emën të qeverís, me kët’ akt e me ato pak pare due me shkue në Krujë. – Të qênka mbushun mêndja me u bashkue me Esadistat edhe ti! – Do të përpiqem me i shpartallue, e po s’munda, do të vij këtu te ju, thërresim edhe dy shokët tjerë e vëndosim së bashku se ç’me bâmë mbandej. Pogës i erdh shpirti: – N’i a mbërrîfsh ti me bâmë këtë mrekullí, tha, “do të të shkruhet emri në historí me shkronja t’arta”! Qesha. – Të shkruejmë na nji herë at’akt që më duhet e të vejë Fejzi Beu e të na sjellë ato pak lireta të shkreta, e mbandej historija le t’a bâjë punën e vet si t’a meritojmë, u përgjegja un, dhe kapa kartë e pêndë e e redaktova vetë aktin.
Pare e akt në çantë, ngrêhem e shkoj te komandanti italjan për t’i kërkue nji auto. I tfillova situatën, por me përbuzje për tê e krejt qeverín e tij. Krejt ishin punët e tyne. M’a dha auton. Kur mbërrîna në Vorë me nji djalë të vetëm qi mbajshem gjithmonë me vete, ishte tue u errun. E qe ke na ra edhe makina në pan. Te roja italjane gjeta nji mekanik për me m’a ndrequn. Por nuk shihte mâ. U shtrëngova me e kalue natën atje, në makinën e prishun. Nesret mëngjes mbërrîna në shtëpí t’eme, mâ drejt me thânë te kushrîjt e mij, se bash familjen e kishem në Durrës.
E këtu po hjek dorë prej hollsísh romaneske. Po kallzoj vetëm ç’âsht kensore. Komandant i përgjithshëm i çetave esadiste ishte nji Krutan, oficer i Esatit, kushrî i Abaz Kupit, Osman Aga. Çetat e tija ishin krejt prej rrethit të Krujës e Thkellas. Osman Aga qêndrën e kishte bâmë në shtëpí të vet. Lokalet e qeverís ishin mbyllun, nëpunsit ishin ndrŷmë me urdhën, nëpër shtëpít e tyne. Porsa mbërrîna në qytet, çova e i thirra, i mora me vete e vojtsh e i vûna secilin në vênd të vet. Rrugës hasa në nji patrullë t’Osman Agës. Shefi ishte Krutan, edhe ai në fis të Kupajvet. Patrulla, tue më njohun, u rreshtue anës s’udhës e më nderoi! Qysh at’ças e pashë se beteja qe e fitueme. Qita menjiherë kasnecin kândekând pazarit për me lajmue popullin se zyrat e qeverís ishin çelë e se kush do të guxonte me i u sjellë për punë zyrtare Osman Agës do të quhej rebel e do të çohej në gjyq si i tilë.
Mbrênda nji jave, Osman Agës i mbetën pranë miqt mâ t’afrit e tjerët i a hoqa e i a nisa për shtëpijat e tyne. N’ato dit m’a mbërrîn në Krujë Hysni Curri e Zef Ndoc’i Spaçit me Ndue Palucën e do krenë tjerë mirditas. S’i kishem thërritun, por qe nji koinçidencë e bukur, se më rritën prestigjin ndër sŷ të pak rebelve t’isoluem qi kishin mbetun. Këta, bashkë me Abaz Kupin, hŷnë fjalmirë tek un qi të gjêjshem nji rrugë pajtimi me Osman Agën. Ishte shi kjo rrugë qi kishem ndër mênd edhe vetë. Nji darkë te Abaz Aga e me Osman Agën u rregullue puna mâ së miri: u nënshkrue nji protokoll prej të gjithve me këto baza: 1) Të gjithë Krutanët, qytet e katunde, janë vëllazën të padamë e do të lidhin nji besë për motmot si âsht zakon’i malevet. 2) Çâshtja e mbretit të Shqipnís âsht punë për Pushtetet e Mëdhá me e vêndosun, e në qoftë se ato do të dërgojnë Esat Pashën, na do t’a presim me gzim; 3) Besa e Krujës do të shtrihet deri në breg të Shkumbînit e ka me qênë e hapët për të gjitha krahinat e Veriut që do të deshrojnë me marrë pjesë.
Themelat e kongresit të vêndosun në Durrës qenë hjedhun ; jitte tash me i çementue me zbatimin e besës së vêndosun në Krujë. Këtij zbatimi i u përvesha un pa e lânë hekurin me u ftohun. Burrë për tym grisha qytetin e Krujës e e betova për respektimin e protokollit të nënshkruem me Osman Kupin. Burrë për tym thirra në Krujë katundet e nënprefekturës damë në zona e i betova edhe ata. Për pak gjâ qeshë tue ngecun me krahinën e Kurbînit, qi përfshîn 16 copë katunde, disa të banueme prej myslimanësh, do tjera të përzieme me katholiq, e qi përbân pjesën mâ të fortën e distriktit ndërmjet Matës e bregut të lumit me kët’emën. Shkaktar pat qênë nji kriminel i mëndershëm i nji fshati mohamedan, emnit Osman Sinani. (Interesant ky emën : Osman khalifi i tretë qi pat shkaktue krisën mâ të rrezikshmen t’islamizmës, Osman themelues’i dynastís othomane, Osman komandant’ i bandavet esadiste, Osman tash nji kriminel i madh qi nuk desh me ua lânë tjerve barrën e deshtimit të nji vepre me qëllime aqë të nalta për të mirën e atdheut shqiptar.) Por këtë hendek mujta me e kapërcye me nji sukces të papritun. Pa u lidhun në nji blok acarit krejt nënprefektur’e Krujës, s’do të kishte pasun asnji fat me u zbatue plan’i im. Ndërsa un po u mundojshem me e ishullue (isolare) kriminelin e Vinjollit tue tërhjekun krenët e Kurbînit në qytet për kshillim, gjau n’atë krahinë nji incident providencjal : u plague nji i Delbinishtas, i vllai i Mons. Bjankut, kryepeshkopit të Durrsit. Pa bjerrë minutën, dërgova komandantin e gjindarmërís Abaz Kupin me nja 200 gjindarmë për me kapun fajtorin ase me i djegun shtëpín e konfiskue gjân e gjallë. Natyrisht fajtori ishte arratisun. Abaz Aga i djeg shtëpín e vên berret e tija përpara për Krujë. Me kët’akt të shpejtë, qëllim’i im ishte, mâ fort se nji veprim i zakonshëm policije, me i tregue Kurbînit se kishte pushtet e se ky s’ishte Osman Sinani. E shi ky vetë muer përsipër me më ndihmue edhe mâ mirë, tue dashun me provue të kundërtën. Mbledh nji çetë burrash të fortë kurbîjas dhe del me tê e zên nji grykë të keqe kah do të kalonte fuqija qeveritare me bagtín e konfiskueme. Kjo pritë, pa urtín e komandantit, do të kishte pasun pasoja tragjike. Pozit’e gjindarmërís ishte ndër mâ të vështirat. Nji oficer i stërvitun nën pushtimin austro-hungar në kohë të luftës ep nji urdhën: “Bajonnet auf!” Por Abaz Aga i ep dum menjiherë gjêndjes. E ndal urdhnin e Zef Mazrekut dhe kërkon me u marrë vesht me rebelët. E grish personalisht Osman Sinanin ndërmjet dý radhvet kundrështare. Osman Sinani s’bindet, “gjâj’ e Kurbînit s’ve’ në Krujë, or Abaz Kupi!” thotë, “e mbarojnë fjalët”. “I a pafsh hajrin ti ksaj pune, or Osman Sinani, e jo Kurbîni, tuk e ke gjân!” i a pret komandanti i pashkollë, por diplomat i urtë. Ulet në Laç e më telefonon mue në Krujë. I ap urdhën me u ndalë atje e me nji kushtrim ndër të gjithë krahinat tjera qi ishin betue e në qytet, mbrênda dý ditve i dërgoj 1.500 burra t’armatosun e udhzimet e mija. Kurbîni tronditet. Mblidhen edhe ata t’armatosun, por ksi shtegu janë ata qi e shtrëngojnë Osman Sinanin me u marrë vesht me qeverín. Abaz Aga i zbaton mjeshtrisht udhzimet e mija, i flet parís së Kurbînit me mâ të madhen urtí, i thotë se Mustafa Kruja donte me lidhun nji besë të përgjithshme për me shpëtue Shqipnín nga rreziqet e mëdhá qi po i u kërcnojshin, se Kurbîni, krahina mâ shqiptare e mâ trime e Krujës, duhej t’a kishte për nderë me marrë pjesë në këtë besë e se Qeverís shqiptare duhej t’i çohej ndera e urdhni në vênt tue i u dorzue gjâj’e t’arratisunit ase ky vetë. Parij’ e Kurbînit bindet, por Osman Sinani ka edhe frikë tash me u afrue. Abaz Aga i a gjên mënyrën me e hudhun edhe këtê me nji farë bese … elastike. Osmani ve’në shtabin e komandës me të dy vllaznit e tij. Komandanti e pret në kullën ku kishte zânë vênd vetë, dý të vllaznit janë në nji kullë tjetër. Në kuvênd rreth njâj votre, Abazi me Osmanin, me revole në brez ata dhe njerzit e Abazit qi hŷjnë e dalin paiadamë, hajsmi tue shërbye, ky në çasin e volitshëm i thotë Osmanit se për veti i a kishte falë fajin e grykës së malit, porse këtij i duhej të vente me tê deri në Krujë për t’u lamë edhe ndaj qeverín. Osmani e kupton edhe refuzon. Nji shênj i Abaz Agës i a lëshon dy burra të shëndoshë mbë shpinë qi e çarmatosin e e lidhin. Shtëpija ku ishin të vllaznit ishte e qarkueme. Kërkohet dorzim’ i tyne. Ata qëndrojnë bashkë me nji shoq qi kishin me vete, kërset pushka me ta, i epet zjarmi kullës me voj guri, dy të vllaznit e Osmanit me gjithë shoqin e tyne shtrëngohen me ramë në dorë gjallë e me dorzue armët. Sillen në Krujë të katër lidhun e Kurbîni, mâ e shumta sigurisht të kënaqun qi do të shpëtojshin prej nji krimineli ndër mâ të poshtrit qi kishte pamë vêndi, pret ditën me u ftue për betim të besës. Erdh tekembramja, e bes’e Krujës u plotsue. Nji gjyq ushtarak, i dënon tre vllaznit Sinani e shoqin e tyne, qi kishte luftue bashkë me ta kundra forcave qeveritare, për dekë; dënimi zbatohet atypraty.
Kruja tash ishte bâmë top (blok) rreth meje, nji provë të fuqís së vet, ajo besë e kishte dhânë në fushën e Gjonmit të Kurbînit. Esadizma virtualisht kishte dekun. Fuqí efektive mâ s’i kishin mbetun. Por Tirana, Shjaku, beglerë, agallarë, efendilerë qi kishin popullin në dorë, ishin me shumicë esadista. Veprim’i Krujës duhej shtrîmë edhe atje. Ky ishte kuptim’i protokollit të Krujës, qi besa do të shtrihej edhe n’ato distrike e deri në breg të Shkumbînit. Por mâ parë kishem ndër mênd me formue nji fuqí vullnetare të dishiplinueme nja 1000 vetësh prej Kruje. E ndërsa un po bâjshem projektet e përgatitjet e mija në Krujë, qe tek po m’a mbërrîjnë do lajme të çuditçme e të pabesueshme : klik’e Eshref Frashërit i a ka nisun tash nji propagande të fortë kundra meje e nji afrimi intim me elementat esadista gjithkund në Shqipní të Mesme, veç Krujës : un qênksha elementi mâ i rrezikshmi për Shqipnín, dashksham me krijue nji diktaturë personale me paret e për interesat imperjaliste t’Italís! Për t’i dalë para këtij rreziku, u dashkish bâmë nji orë e mâ parë kongresi me çdo mënyrë e mjet e kudo qi të jetë, me përjashtimin e Krujës. Po ndiej se edhe Ahmet Zogolli (kështu quhej aso kohe) qênka lidhun me atë klikë e n’atë programë, se Salih Vuçitërni, nji prej firmatarve të marrveshtjes së Durrsit, mik i vjetër edhe ai, si un, i Ahmet Begut, qênka në Mat pranë tij.
Këtu tash po shmangemi nji grimë për me folë mbi marrdhânet e mija të hershme me mbretin e sodshëm. Do të flas sa të mundem shkurt. E kam njohun mâ së pari në 1906 në nji kolegjë të Stambollit ku un, 19 vjeçar, bâjshem vjetën e fundit të lyceut e ai, 12-13 vjeçar, po niste klasët fillore. Studjoz, i urtë, i zgjuet, i veshun elegant, vetmidashës. Të dytën herë e kam pamë mbas gjashtë vjeç në Vlonë, ku erdh me nënshkrue vêndimet e kuvêndit kombtar, qi kishte shpallë pamvarsín e Shqipnís, tue çamë rrugë prej Matje e der atje nëpër Shqipnín e pushtueme prej Sërbvet, mbasi për këtë shkak s’kishte mundun me mbërrîmë me kohë për me marrë pjesë n’atë kuvênd. Në 14 pat ardhun në Krujë me Matjanët e vet, ku u gjindshem edhe un, për t’i ndihmue Princ Wiedit kur këtê e kishin rrethue rebelët në Durrës. Prishja e fuqís së Prengë Bibë-Dodës n’ Ishem prej rebelvet, e shtrëngoi edhe atê me kthye prej Kruje në Mat pa mujtun me bâ kurrgjâ. N’atë tërhjekje e pata shoqnue edhe un. U ndalem nja nji javë dit në Qafë Shtamë, ndërmjet Krujës e Matës, pikë strategjike me rândsí për t’u kthye me u ramë rebelvet mbë shpinë, ku pritshim municjon e pare prej Durrsi nëpër Lesh. Nji javë dit bashkë, pa u damë asnjiherë, më dha nji rasë të bukur me e studjue në moshën e tij të pjekun, 20-21 vjeçar. Përshtypj’e ime qe jashtzakonisht e mirë për tê. Nji herë, s’e harroj kurrë – po më flitte për Matjanët. Më thotë: “S’do të kishte popull mâ të mirë, sikur mos t’a prishnin krenët; në mujsha me e shpëtue prej ndëkimit të këtyne, qi s’mendojnë veçse interesat personale, mund t’a sjellë si të due vetë.” M’u bâ sikur m’u ngjall përpara nji miniaturë e Luigjit XIV! Salih Vuçitërni qi kishte çue në Durrës, kthehet fill e në Burgajet, te “sarajet” me pare po, siç e pata marrë vesht mâ vonë, si qeshë kthye në Durrës, por për municjon na çoi fjalë në Qafë-Shtamë se s’ kishte pasun Durrsi me çue. Atje u damë, un mora rrugën për Lesh e Shëngjin, për me shkue në Durrës, e ai me të vett për Burgajet të Matës. Me 3 shtatuer, Princi, qeverija e sa nacjonalista ishim në Durrës u lëshuem qytetin rebelvet e u mbarkuem për Italí. Mbas pesë javësh banimi në Bari, me 10 napoljona në xhep, un mora vaporin për Shëngjin e prej andej dola në Thkellë. E lajmova Ahmet Begun me nji letër. Ky m’u përgjegj me të shpejtë me fjalë shumë miqsore tue më grishun mik në shtëpí të vet. Ndêjta atje katër muej. Dit’ e natë me tê, e tepër me thânë se pata kohë mjaft me i a njohun shpirtin mâ së miri. Gjeta atje edhe 4-5 nacjonalista tjerë t’arratisun. Ndër kaqë, atje poshtë, në zonën rebele, ishin bâmë ndryshime : vêndin e Princ Wiedit kishte kthye prej Evrope e e kishte zânë Esati; por edhe ky ishte prishun shpejt me rebelët e kishte mbetun i rrethuem në Durrës, si i pari. Nji ditë vëndos shtabi intelektual i arratisun në Burgajet, me të zon’e shtëpisë Ahmet Begun, qi ky të hynte në kontakt me rebelët, për me pamë athue mund t’i sillshim n’arsye për nji luftë të përbashkët kundra Esatit për Shqipnín. E dijshim se ata ishin tue luftue me flamurin tyrk e për këtê. Por kush e din? Gjâ s’ishim tue bjerrë. Po të pranojshin me hŷmë në të përpjekun me begun e Matës, nji herë me letra e mbrapa edhe me njerëz, mbi bazën e proponueme, ndoshta frik’e nji fitimi t’Esatit, me të cilin ishin përgjakun, mund t’i bânte mâ pak arroganta. Tentativa shkoi kot. Tirana s’u denjue as me i u përgjegjun Begut. Letra e shkrueme, tyrqisht, prej këtij ka nji anekdot kuptimtar për inteligjencën e le savoir-faire [3] të tij. 4-5 intelektualë qi ishim aty, na njihte mirë. Na ngarkoi me shkrue nga nji kopje secili, për me zgjedhun mbandej atê qi ishte shkrue mâ mirë; nji farë konkursi. U kënduen të gjitha. Njâni, si e kishte në dorë të veten, e shkleu tue thânë se “po i a bânte flí” asaj s’emes. Kështu edhe nji i dytë e nji i tretë. Jesin dý kopje gjithsej, e imja dhe ajo e Hafiz Ali Korçës, nji hoxhë nacjonalist i njohun mirë në Shqipní. Këto të dyja mbetën për të folë vetë Ahmet Begu tash për to, se tre tjerët e kishin thânë fjalën e tyne e ishin për t’emen. Ai, për mos me e fye hoxhën, i cili kishte tepër besim në pêndën e vet, thotë: “Mue më pëlqen mâ fort shkres’ e Hafiz Efendiut, por tue qênë me nji stil tepër të naltë, drue se s’kanë për të mujtun me e marrë vesht në Tiranë, prandej po dërgojmë atê të Z.it Kruja; veçse njikohsisht do t’i lutem Hafiz Efendiut qi t’vetën t’i a falë arqivës s’eme si model styli, se me të vërtetë ka nji pêndë të mrekullueshme”. Nji ditë ishem vetëm për vetëm me Abdyrrahmanin. Ky, qi e kishte rritun Begun e mund të quhej si interpret i gjithë ndiesivet e i mendimeve të tija, malsuer fort i zgjuet, po më bân do krahasime shumë interesante. Thotë: “Katër burra ka Shqipnija qi mund t’a sundojnë. I pari âsht i mêndshëm sa s’ka, por pa taraf; i dyti âsht tradhtuer; i treti katholik, pra i par’i nji pakice të vogël të popullit shqiptar… Edhe e mbyll bisedën këtu. Sigurisht ka pritun qi t’a plotsojshem un, me konsekvencën logjike qi dilte. Por heshta edhe un, s’e kishem aspak ndër mênd me ramë në lak të njâj malsori, as me i bâmë lajka kuj, as me punue, aso kohe e për shumë e shumë vjet ende për nji mbret shqiptar e mysliman. Kët’uscita insidiosa [4] të Lalës, e krahasova menjiherë me frasën gjenjale të të zott qi kishem ende në vesh prej Qafë-Shtamës, e prej asaj kohe, 1914-15 s’pata prâjtun tue i a çelë sŷt kujdo mbi planet e padyshueshme t’atij, qi dijti me i vûmë në zbatim me methodat mâ të rafinuemet. U bâ mbret, e Zoti bâftë me e gzue bir mbas biri thronin e Shqipnís, se për populin t’onë s’ka paqë pa monarqí e se monarqí Shqipnija s’mundet me pasun mâ, veçse me tê, e veç ai i a din fén Shqiptarit. Në 1915 rrojshem ende në qiellin e kulluet të nji ideali të thjeshtë, e deri në 1919; parambrâmja e kongresit të Lushnjes m’uli në tokë, por gjithnji si të dejun prej atij idealit, të dënuem me vozitun kundra rrymës për t’a kthye “atê qi ishte, n’atê qi m’a donte shpirti t’ishte”. Kur m’u çelën sŷt e fillova me pamë e me njohun për ditë mâ mirë realitetin shqiptar, rryma më kishte vûmë përpara tue më përplasun breg mbë breg e shkâmb më shkâmb, pa më lânë fije brinje pa thye. Në 1922 Hamdi Herri erdh e m’ofroi në Tiranë krahun e kriminelit Isuf Reçi për me vramë Ahmet Zogun, shi nj’atë krah qi dý vjet mâ vonë do të përdorej kundra jetës s’Avni Rustemit : e përzûna. Në 1925 a ‘26, n’amnistín e parë qi bâni kryetar’ i republikës shqiptare, luftova me u mbushun mênden në Bari e Brindisi shokve t’arratís me u kthye në Shqipní të gjithë, mbasi s’më ndezi kështu, kshillova gjithkê më pyeti individualisht me shkue e u vûmë lealisht në shërbim t’Atdheut nën atë regjim qi ishte. Kur Mbreti Zog pat mbërrîmë në Vjenë, para se t’i bâjshin atentatin e deshtuem, refugjatët shqiptarë t’atij kryeqyteti, Qamil Xhani nga Kavaja qe gati me shkue prej Jugoslavije e me u sprovue për të njâjtën gjâ, e un, i pyetun me anën e Djevat Korçës, e ndalova. Në 1935, kur Mbreti emnoi kabinetin e Mehdi Frashërit, shetita vênd për vênd për t’u mbushun mênden prap refugjatvet se kishte ardhun koha me i dhânë fund aventurës s’onë e me kthye kryeulët, si të falimentuem, në shërbim t’Atdheut nën atë mbret.. Erdh 39-a, e për këtê duhet nji kapitull i gjatë për me bisedue. Në 43, qe për mue kthesa vêndimtare e e preme : u shpalla zogist. Nuk them qi kam gjetun un të vërtetën e s’ka tjetër, larg meje nji pretendim i këtilë. Jo veç në politikë, por n’asnji send s’i ap të drejtë kuj me pretendue se veç e tija âsht rruga e drejtë. Kishte me qênë për njerín, si me dashun të grabisë nji cilsí qi i përket vetëm Perëndís. Njeriu i urtë bindet, beson ngultas në nji gjâ për vete, edhe, tue qênë vetë sinqerisht e thellsisht i bindun për tê, ka edhe të drejtë e detyrë me u a predikue tjervet, por aqë.
Mbaroi parenthesa e gjatë. Tash po kthehemi te them’e kongresit. Marr e i shkruej nji letër, jo Ahmet Zogut, por Salih Vuçitërnit qi ishte pranë tij në Mat e qi më kishte tradhtue, së pakut tue mos ardhun me më folë drejtpëdrejt se ç’po vlonte nën dhe në kundrështim me marrveshtjen qi kishte nënshkrue edhe ai vetë në shtëpí t’eme në Durrës. Përgjegj’e tij s’e mohon faktin, madje më pohon se kongresi do të mblidhej së shpejti në Lushnje, pa më thânë kurrgjâ – et pour cause,[5] kishte me thânë Frêngu – se ç’kishin qênë arsyet e këtij vêndimi të ngutshëm e të papritun, në kundrështim të plotë me vêndimet e Durrsit; e tue më kshillue si mik edhe n’ emën t’Ahmet Begut qi të merrshem pjesë edhe un. Mbas besës së shtrëngueme në Krujë, m’a merr mêndja se kurrkush s’do të kishte mujtun me shkue n’atë kongres mâ hijshëm e mâ i fuqishëm se un. E do të kishte qênë mâ e bukura mënyrë me marrë gjak prej atyne – Eshref e klikarë tjerë – qi krejt këtë manovër e kishin ngrehun kundra meje. Por, ofshé!, jam pjestar i nji qeverije të dënueme a priori[6] e s’kam as kohë me u dalë hakut shokve të mij siç ishte vêndosun edhe në marrveshtjen e Durrsit. Duhej, pra me i tradhtue, me marrë pjesë në nji kongres qi do t’i rrëzonte ata tue shtimë ndoshta vetëm mue – si shpërblim t’asaj tradhtije, do të thuhej – në qeverín e re qi do të formonte. Refuzova me i a vûmë vetes këtë njollë morale. Si politikan, historija ndoshta mund të më dënojë për këtë shkrupull, por mue më mjafton qi të më dënojë për këtë faj qi kam, për në qoftë faj, e jo për tjetër, jo qi desha të bâhem diktator e aqë mâ pak si vegël t’Italís. Se sa kam qênë un vegël e Italís gjatë gjithë jetës s’eme politike, e tregojnë mâ së miri vetë shkrimet e shtetistave italjanë : Ciano e Umiltà, qi kam pamë deri tash.
Përgjegj’e ime Vuçitërnit në Mat, qe e preme. Me gjithë këtê, për hir të së vërtetës, duhet të pohoj edhe këtê, qi Ahmet Zogu, tue udhtue për Lushnje më shkroi edhe vetë me dorë e firmë të vet nji letër prej Tirane, tue m’u lutun qi un mos të mëngojshem n’ atë kongres. Më propononte n’atë letër me çue e me më marrë edhe njerzit e vet. Ky proponim sigurisht ka qênë bâmë me qëllim miqësuer, por mue, me kallzue të drejtën, më pat therë pak në sedër. Më dukej çudë qi ai mos t’a njihte pozitën t’eme në Krujë, sidomos n’ato rrethana. Shpesh herë ndodh qi njeriu tue dashun me vû vetulla, të nxjerrë sŷtë. Edhe kjo frasë e shkrueme me qëllim të mirë, siç e besoj sod edhe vetë, mue më ka shtŷmë në gjeste krenije pa vênd. Do të merret vesht tash vrik se në cilat. Në mos e fyeshme, më pat qênë dukun së paku altezzosa[7], gjâ qi mue më ka vramë e më vret gjithmonë. Pranë ksaj duhet të përmênd edhe nji frasë tjetër t’asaj letre. Tue qênë se un i kishem shkrue Vuçitërnit se nuk shihshem në këtë kongres të ngutshëm veçse ambicje për karrika, hiqu ti qi t’ulem un, Ahmet Begu më siguronte në letren e tij se jo vetëm s’do të kërkonte për vete kurrfarë karrike, por qi nuk do të pranonte edhe sikur t’a lutshin. Se sa e mbajti këtë fjalë, e diftoi mbandej puna. Mund të jetë qi në mênden e tij, ai sigurim kishte për kusht qi të shkojshem edhe un në kongres, apo ai u gjet atje përpara kâmbënguljesh qi s’mujti me i prapsun. Veçse tek un u shtue edhe nji shkak i dytë ashprimi me tê.
Kongresi u mblodh në Lushnje pa kurrfarë pengimi prej kurrkah. Italjanët lasciarono fare[8]: ata qi i përbuzshin, i kishin pasë njohun mâ mirë se un! Të gjitha qytetet e Shqipnís morën pjesë, posë Krujës. Dy kolegët e mij qyqarë qi kishin mbetun në Durrës u trêmbën e më thirrën edhe mue atje. E drejta, edhe s’më kishte mbetun mâ punë në Krujë. Ato dit, pak para se t’u mblidhte kongresi qe bâmë edhe nji krim në Durrës, qe vramë Abdyl Ypi. Rrethanat ishin krej të mbara për me i mbetun ai krim qeverís. Ç’nuk u tha? Un kishem dërgue njerëz prej Kruje për t’a vramë, sepse kishte qênë kundrështar i Qeverís e propagandist i fortë i kongresit të Lushnjes, jo po i a kishte bâmë të zezën Fejzi Beu. Auktori ase auktorët e atij krimi, gjyqit i kanë mbetun, atë ditë e sod, të panjohun. Miqt e mij qi u kapën mâ vonë prej qeverís së re e u gjykuen po nën atë qeverí duelën të pafajshëm. Por n’atë ajrí të elektrizueme prej propagandës, un e Fejzi Beu kemi mbetun gjithmonë nën padín e kundrështarëve t’anë. Dy shokët e mij në Durrës i kishte trêmbun, pra, edhe kjo çâshtje.
E dij qi ti interesohe me dijtun se kush pat marrë pjesë n’atë kongres prej Shkodre. Mbaj mênd me sigurí qi ka qênë Ndoc Çoba prej katholiqvet e, besoj, asnji prej klerit. Mysliman nuk dij. Natyrisht akt’ i parë i kongresit të Lushnjes qe mallkim’ i tradhtorvet, dmth i qeverís së Durrsit, e i gjaksorve të patrijotit të madh të vramë për me ndalue mbledhjen e atij kongresi e sa minuta pushim për shpirtin e martyrit. Shpallja solemne e pamvarsís e tânsís së Shqipnís, por kjo me nji cen (difetto) qi deri tash s’i ka ramë ndër mênd askuj me e kritikue, për historí nemose: âsht përmêndun shprehimisht “Shqipnij’ e 1913- s”, ça na “tradhtorët” s’e kemi bâ asnji herë, por kemi kërkue në çdo akt zyrtar kufîjt ethnikë të Shqipnís dhe kemi luftue për ta me prova historike e statistike. Qeverín e re e ke te Giannini, se, në mos u gabofsha, ai i ka emnat e të gjithë ministrave shqiptarë qi kanë shkue e ardhun. Kongresi caktoi Tiranën për kryeqytet, emnoi nji Kshill të Naltë e nji kshill legjislativ qi e quejti senat. Qeverij’ e re me Ahmet Zogun në krye, me gjithë qi kryeministër nominal qe Sulejman Delvina, e dy kshilltarët e naltë myslimanë ishin atje, u nis për Tiranë me bujë të madhe. Në Shjak, bânë trimat italjanë sikur me dashun t’i ndalin; po kur Ahmet Zogu u deklaroi se po mos t’u epshin rrugë me të mirë, ata do t’a çilshin vetë me forcë, atëherë i përshëndetën me nji cordiale buon viaggio[9]!
Për pak dit mbas Kongresit të Lushnjes, Shqipnija pati dý qeverí, tue mos e njehun atê të Shkodrës : nji në Tiranë e nji në Durrës. Nji misjon qi erdh nga Tirana për të marrë në dorzim Durrsin, e kthyem me duer thatë. Bâmë marrí, se ajo rrugë s’dilte mâ, kjo ishte e sigurtë. Dy shokët qi kishin desertue, Mufidi me Samín, s’qênë kthye kurrmâ. I pari, për fat të keq, qe edhe përpjekun atje në Jugë me i bindun Italjanët qi t’i vêjshin nën urdhën nji bataljon milicije shqiptare qi kishin, për me shkue vetë e me shpartallue me tê kongresin. Mâ vonë në nji librec të botuem me titull Politika e ime e ka pohue vetë Mufidi këtê, edhe me krení e tue shfrye kundra komandës italjane qi s’i ndëgjoi. Ka qênë kryeneç i fortë, aristokrat krenar, trim e brutalisht i sinqertë. Tekembramja, nji misjoni të dytë qi erdh me fjalë mâ të buta, tue na prekun tash në patrijotizëm, i dorzuem qeverín e shkuem secili në shtëpí të vet. Më duket se Fejzi Alizoti qe nisun për Italí; un, me gjithë qi e kishem familjen në Durrës, s’guxova mâ me qëndrue atje, por u nisa për Krujë: i pari akt qi ka nënshkrue Mbreti Zog në karrjerën e tij politike si ministër i mbrêndshëm, vetëm mue më ka cilsue, me emën, si tradhtuer. S’guxova mâ as me çamë rrugës së drejtë Shjak-Vorë-Krujë, por mora vaporin e dola në Shëngjin. I paralajmuem prej meje, atje po më pritte Zef Ndoci me 70 Mirditas, në Milot Abaz Kupi me 100 Kruetanë të mij.
Tash, summa summarum[10] ( a thuhet kështu?), qe gjykim’i im historik mbi Kongresin e Lushnjes: mue personalisht më ká bâmë mâ të madhin dam qi kam psue në jetën t’eme politike : u tradhtova në nji mënyrë të padenjë e tepër të poshtër ; futa kryet në gërshânë për të njâjtin qëllim e me pakte të qarta, të shkrueme e të nënshkrueme, e mandej u bâna flí e smirës së politikanvet pa shkrupull, flí padinash qi më kanë persekutue gjithë jetën. U thera e u feva rândë, e idhsina e këtij fakti e e padinave qi s’më janë damë asnji herë do të ketë ashprue temperamentin t’em politik e në luftimet e mbrêndshme partizane, të më ketë cenue kthjelltín e gjykimit të ftohët. Pa këto, ndoshta do të kishem bâmë nji jetë politike mâ të qetë e do të kishem vuejtun mâ pak. Do të kishem pasun sigurisht mâ pak anmiq e prandej edhe mâ pak shpifje, të cilat nuk mbesin pa efekt as para gjyqit të historís. Më bâni anmik, së paku pa kohë, me nji njeri qi e kishem mik, due me thânë me Ahmet Zogun. Edhe ksaj gjâje i a kam pamë sherrin mjaft.
Porse qeverij’ e Turkhan Pashës atë shuplakë e pat meritue edhe fort. Populli shqiptar nji gjest të atilë duhej t’a bânte. Shqipnîn e shpëtuen rrethanat ndërkombëtare, për këtê s’ka pikë dyshimi, sikurse po rrethanat ndërkombëtare e patën krijue, e jo na. Por nuk mund të provohet se Kongresi i Lushnjes s’i ka influencue deri diku ato rrethana. Nji gjâ âsht për mue gati e sigurtë: pa kongresin e Lushnjes s’do të kishte gjamë mrekullij’ e Vlonës. Kongres’ i Lushnjes, në vênd të nji qeverije të përkohshme, i dha Shtetit nji qeverí të rregullt me të tri organet e pushtetit. Këto janë dobitë e atij kongresi nga pikpamja kombtare. Por edhe dâmet qi ka bâmë s’kanë qênë mâ të vogla për mënyrën me të cilën u bâ. Âsht ai kongres qi ngjalli n’intelektualët e Jugës, me të tana pasojat nefaste, bindjen se ata vetëm kanë aftësí e prandej të drejtën me e dirigjue Shtetin. Me pretekst qi të zhdukshin influencat personale të krenve të Gegnís, qofshin kishtarë katholiq, beglerë, kapidana, intelektualë tjerë; edhe si un e Luigj Gurakuqi, bij të popullit, protagonistat e atij kongresi mbollën në Shqipní farën e klikave në vênd të partive e tarafeve të natyrshme, qi kishte krijue vetë historija e organizimi shoqnuer i popullit. Luigj Gurakuqi duhej luftue, “se ishte i zoti të ngrerë mbë këmbë 3 000 malsorë”; Mustafa Kruja duhej eleminue me çdo kusht, sepse âsht i zoti të lidhë në nji blok të vetëm me fjalë të gojës nji herë nji nënprefekturë e mbandej ndoshta të tanë Gegnín, me malsorë, krenë e bajraktarë; kleri katholik duhej luftue, sepse ka në dorë, drejt e tërthuer, njiqind e sa mijë malsorë e sepse pengon formimin e nji Shteti laik. Baba i të gjitha këtyne ideve e parimeve të bukura âsht kongresi i Lushnjes, fara e grindjes Gegë e Toskë u mbuell nëpër atë kongres ; der atë ditë s’eksistonte te patrijotët shqiptarë veçse ideja shqiptare. Pasojat e ksaj politike dihen. Nji kongres, po e përsris, ishte bâmë i domosdoshëm, por thjesht me frymë kombtare, pa mbrapamendime personale e krahinore ; vetëm ashtu do të kishte dhânë ai fryte shumë mâ të bukura e pa ato ferra qi la përmbrapa e qi kanë çjerrë e lamë me gjak trupin e kombit. Kush mundet me thânë se far’e komunizmës në Shqipní nuk u mbuell prej kongresit të Lushnjes, për mënyrën e me idét qi u bâ?
I dashuni mik, me këtë kapitull Të kam dhânë çelsin e historís politike shqiptare ashtu siç e shoh e e gjykoj un vetë. Mund të jemë i gabuem, mund të kemë harrue a mbajtun mênd keq ndonji pikë ndër hollsina qi s’e prek e s’e cenon themelin; por të jeshë i sigurtë se me qëllim s’kam ndryshue asnjë gërmë. Për Tý mund të gjinden mbrênda pika t’errta, se e kam shkrue ashtu si më ka ardhun, sikur të gjitha shkrimet tjera të mâparshme, pa kopje natyrisht, e pa kujdes hartimi, pa kujdes gjuhe. Jam gati me të dhânë tfillime suplementare për çdo pikë qi mos Të duket mjaft e kthiellët si këtu, ashtu edhe ndër shkrime të përparshme. Përmbas këndej nuk dij se kur mund të kap mâ me Të shkrue ndonji kapitull të posaçëm të historís shqiptare qi kam jetue vetë. Por, sikur krejt sa Të kam shkrue deri tash e kanë shkaktue pyetjet e Tuja, ashtu ndoshta edhe mbas këndej ke me më provokue Ti vetë.
Kam këndue në fletoren Flamuri, organ i Ballit Kombtar, n. i 28 Nândorit, nji “sintezë” (un shkruej synthesë, në fjalë të hueja mbaj orthografín e rrâjës, pos’ atje ku kjo s’i përshtatet shqiptimit të gjuhës s’onë, ç’nevojë me i italjanizue?) historike, prej ish-kolegut t’and, Prof. Atanas Gegaj: Plot me anakronizma e inesattezze[11], sigurisht nga pakujdesija, nga përtimi me studjue e vênd-vênd edhe nga zelli kombtar ase partizan. Nuk shkruhet historija ashtu!
Me kaq përshëndetje të përzemërta.
Mustafa
[1] It. : i paturp
[2] Lat. : jo fjalë për fjalë, por kuptimi
[3] Fren. : takt, aftësí, zgjuarsí
[4] It. : dalje e rrezikshme
[5] Freng. : me arsye, jo pa shkak
[6] Lat. : ajo qi ishte, pa diskutim
[7] It. : mendjemadhe, fodulle
[8] It. : e lanë me u bâ
[9] It. : udh e mbarë e përzemërt
[10] Lat. : si përfundim
[11] It. : pasaktësi
Komentet