Shkup, 24 nëntor 2023 – Në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, para dy ditësh kanë mbërritur disa dokumente të rëndësishme.
Bëhet fjalë për disa certifikata të gjendjes civile të vitit 1930, të lëshuara nga prefektura e Kamzës, të sjella nga Rozi Dako, stërmbesa e Sevastisë dhe e Kristo Dakos, ku dëshmohet përkatësia ortodokse shqiptare e kësaj familje, konkretisht e Sevastisë, Parashqevisë, Kristo e Robert Dako.
Pasi ia dorëzoi Skender Asanit, drejtorit të ITSHKSH këto dokumente, Rozi Dako deklaroi se më në fund po hiqen të gjitha dilemat dhe keqkuptimet rreth përkatësisë fetare të familjes së saj.
“Kjo është edhe një përgjigje ndaj të gjithë atyre që padrejtësisht tentuan ta deformojnë dhe përvetësojnë përkatësinë fetare të familjes sime.
Fatkeqësisht kisha greke dhe ajo bullgare si dhe qarqet e ndryshme politke e ideologjike të këtyre shteteve, në të kaluarën ishin munduar që ta zbehnin elementin ortodoks shqiptar, duke i imputuar artificalisht përkatësi të tjera kishtare e fetare. Ne nuk i takojmë as Kishës greke as Ekzarkisë bullgare, as Kishës Ungjillore, por i takojmë vetëm ortodoksisë shqiptare”, deklaroi Rozi Dako.
Këto dokumente e vulosin një të vërtetë që qëllimisht ka dashur të pluhuroset nga ambiciet asimiluese të disa qarqeve të caktuara, të cilat duke e përdorur autoritetin e familjes Qiriazi kanë dashur t’i realizojnë qëllimet e tyre.
Ortodoksia shqiptare e familjes Qiriazi derivon nga aspiratat iluministe të Rilindjes Kombëtare, e cila luftoi për një autoqefali të plotë, duke dëshmuar në këtë mënyrë se shqiptarët përkatësinë e tyre fetare ortodokse e kanë të lidhur ngushtë me çështjen kombëtare.