Këshilltari i Posaçëm për Qipron, Espen Barth Eide, në një deklaratë dje u shpreh: “Nesër (sot) do të jetë një ditë historike. Cilido që të jetë rezultati, do të jetë historik
GJENEVË – Sot në Gjenevë të Zvicrës fillon konferenca ndërkombëtare në kuadër të negociatave për Qipron të cilat kishin rifilluar më 15 maj të vitit 2015 nën mbikëqyrjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Në konferencën historike e cila realizohet nën mikëpritjen e Zyrës së OKB-së në Gjenevë, do të marrin pjesë presidenti i Republikës Turke të Qipros Veriore (KKTC), Mustafa Akıncı dhe lideri i Qipros Greke, Nikos Anastasiadis, ndërkohë që në cilësi të shteteve garantuese marrin pjesë ministri i jashtëm i Turqisë Mevlüt Çavuşoğlu, ministri i jashtëm i Greqisë, Nikos Kocias dhe sekretari i Jashtëm i Britanisë, Boris Johnson.
Ndërkaq, Bashkimi Evropian (BE) në konferencë do të përfaqësohet në cilësinë e “mbikëqyrësit të posaçëm”, kurse hapjen e konferencës do ta bëjë sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Gutteres. Pika kryesore e konferencës do të jetë njëri nga gjashtë titujt e bisedimeve, “Siguria dhe garancitë”, ndërsa nuk do të flitet për çështjen e hartave.
Sipas deklaratës nga Zyra e OKB-së në Gjenevë, konferenca do të fillojë në orën 11:15 sipas orës zvicerane. Ndërkaq më pas, në orën 14:45, Gutteres do të mbajë konferencë për media i shoqëruar nga liderët qiprotë Akıncı dhe Anastasiadis.
Nga ana tjetër, presidenti Akıncı para konferencës do të zhvillojë takim me sekretarin e jashtëm britanik Johnson dhe ministrin e shtetit për Çështje Evropiane dhe Amerikane Alan Duncan.
Në kuadër të konferencës, policia e Gjenevës ka ndërmarrë masa të jashtëzakonshme të sigurisë rreth hoteleve ku po qëndrojnë delegacionet dhe përreth kompleksit të OKB-së.
Vëmendje po ashtu ka tërhequr edhe interesimi i madh i mediumeve ndërkombëtare për konferencën. Përfaqësues të mediave nga të gjitha anët e botës kanë ardhur për t’i ndjekur nga afër bisedimet, ndërkohë që është vërejtur se dhoma e shtypit në Zyrën e OKB-së në Gjenevë e ndarë enkas për gazetarët ka ngelur e pamjaftueshme.
“Cilido që të jetë rezultati, do të jetë historik”
Këshilltari i Posaçëm për Qipron i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Espen Barth Eide, në një deklaratë dje u shpreh: “Nesër (sot) do të jetë një ditë historike. Cilido që të jetë rezultati, do të jetë historik, sepse për herë të parë në këtë proces do të bashkohen fuqitë garantuese dhe liderët qipriotë në një vend”.
Negociatat në tri raunde në Zvicër
Palët, të cilët u takuan për herë të tretë në tre muajt e fundit në Zvicër gjatë ditës së hënë me ndërmjetësimin e Këshilltarit të Posaçëm për Qipron të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Espen Barth Eide, në ditën e parë të bisedimeve diskutuan në lidhje me “Pronat” dhe “Ndarjen e Qeverisë dhe Pushtetit”.
Më tej, në ditën e dytë të bisedimeve, palët në tryezë diskutuan për “Ndarjen Qeveri-Pushtet”, “Bashkimin Evropian” dhe “Ekonominë”. Në ditën e fundit të bisedimeve palët prezantuan hartat e tyre. Pas kontrollit të ekspertëve të hartave nga të dyja palët, të njëjtat u morën për ruajtje nga ana e OKB-së.
Ndryshe, negociatat për gjetjen e zgjidhjes për çështjen e Qipros dhe sjelljen e paqes dhe stabilitetit të përhershëm në ishull ishin realizuar në dy raunde në Mont Pelerin të Zvicrës, konkretisht në periudhën 7-11 dhe 20-21 të muajit nëntor. Bisedimet në Mont Pelerin kishin rezultuar të pasuksesshme në raundin e dytë për shkak të kërkesave të skajshme dhe qëndrimeve mospajtuese të palës greke.
Më 1 dhjetor liderët ishin takuar në ishull dhe kishin marrë vendimin për vazhdimin e bisedimeve dhe organizimin e një konference ndërkombëtare në lidhje me Qipron në muajin janar.
Negociatat për Qipron përbëhen nga gjashtë tituj kryesorë, edhe atë Ekonomia, Bashkimi Evropian, Pronat, Ndarja e qeverisë-pushtetit, Territori, si dhe Siguria dhe Garancionet.aa
Komentet