Presidenti i SHBA-ve Xhorxh Bush donte ta njihte pavarësinë e Kosovës qysh në vitin 2007, por kishte shtyrë këtë afat për shkak se francezët edhe gjermanët zvarritnin punë, duke shpresuar se Rusia do të ndërronte mendje, thuhet në librin më të ri të ish-sekretares amerikane të Shtetit, Kondoliza Rajs, “Nuk ka nder më të madh”, i cili është botuar ditë më parë në Nju Jork.
Ish-numri një i diplomacisë amerikane në këtë libër përshkruan periudhën e negociatave për statusin e Kosovës. Ajo shkruan se kah fundi i verës së vitit 2007 kosovarët po shqetësoheshin gjithnjë e më shumë rreth statusit.
“Unë bëra trysni tek evropianët që të vepronin dhe qëllimi ynë ishte ta njohim shtetin e ri bashkë me ta dhe me sa më shumë vende të tjera. Francezët dhe gjermanët zvarritnin punë, duke shpresuar se Moska do të ndërronte mendjen. Kur në mes të qershorit Franca kërkoi edhe një muaj shtyrje, presidenti Bush u zemërua pamasë. Presidenti e thirri Putinin dhe ai iu përgjigj njëjtë me atë që më kishte thënë edhe mua Lavrov. “Ne pranojmë çdo gjë që pranojnë serbët,” kishte thënë Putin””, shkruan Rajs në librin e saj.
Ajo përkujton se pas samitit të G8 në Gjermani, presidenti Bush në një konferencë për media në Romë bëri thirrje për pavarësinë e Kosovës, ndërsa të nesërmen në Shqipëri përsëriti mbështetjen e tij për pavarësinë dhe planin e ish-presidentit finlandez Marti Ahtisari.
“Vetëm edhe një muaj,” më tha presidenti dhe pastaj do ta njohim Kosovën, qoftë edhe të vetëm nëse duhet ta bëjmë. Unë ju kam premtuar dhe këtë duhet ta përmbushim”, shkruan Rajs në librin e saj.
Më vonë presidenti Bush ishte pajtuar me shtyrjen edhe për 120 ditë, por me kusht që kjo do të ishte shtyrja e fundit, ndërsa më 18 shkurt të vitit 2008, SHBA zyrtarisht njohu Kosovën ashtu siç bënë edhe shumë shtete të tjera evropiane.
Komentet