Nga Vincent W.J. Van Gerven Eoi, The Albanian Mechanism
Më 1 korrik 2021, platforma e artit bashkëkohor “Harabel” prezantoi një skulpturë të artistit kosovar Sislej Xhafa, të titulluar Bleta (“Bleta”), në landfillin e Sharrës, vend-depozitimi i mbetjeve bashkiake të Bashkisë së Tiranës. Skulptura e Xhafës supozohej të ishte e para nga një seri veprash arti publike që do ta transformonin këtë “pronë private” në një “park skulpture të artit bashkëkohor”. Historikisht, landfilli i Sharrës është vendi ku më 7 gusht 2016 një ekskavator shtypi 17-vjeçarin Ardit Gjoklaj, i cili ishte punësuar ilegalisht nga një impiant administrimi i mbetjeve në landfillin e operuar nga 3R, një kompani nga Peqini në pronësi të një funksionari të PS.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj e kishte promovuar publikisht impiantin e menaxhimit të mbetjeve si një mundësi shembullore punësimi për komunitetin, duke pretenduar se ajo respekton të gjitha standardet ligjore. Por kur u zbardhën rrethanat tragjike rreth vdekjes së Gjoklajt, raportimi në media për skandalin u shtyp në mënyrë agresive. Hetimi i 3R dhe pronarit të saj u mbyll. Kur u përball me këtë histori, “Harabel” komentoi në rrjetet sociale se “Sislej zgjodhi të instalonte veprën e tij në Zonën e Trajtimit të Mbetjeve të Tiranës, një vend shumë delikat të cilin ai e vizitoi dhe e zgjodhi vetë pa asnjë sugjerim paraprak nga “Harabel””.
“Harabel” është një fondacion jofitimprurës që “përqendrohet në promovimin e artit bashkëkohor” i themeluar në vitin 2018 nga artisti Driant Zeneli dhe “promotorja kulturore” Ajola Xoxa, një juriste e specializuar në ligjin e energjisë, e cila ndodh të jetë edhe bashkëshortja e kryebashkiakut Veliaj. Menjëherë pas themelimit të saj, Harabel filloi një sërë projektesh të profilit të lartë të artit publik, duke shfaqur artistë të njohur ndërkombëtarisht si Anri Sala (gjithashtu në bordin e Harabel), Adrian Paci dhe Xhafa. Me skenën e artit bashkëkohor në Tiranë që po lufton si në aspektin e financimit ashtu edhe në hapësirë, dhe duke pasur parasysh që as Zeneli, asokohe një emigrant, as Xoxa nuk ishin të rrënjosur fort në atë skenë, ngritja meteorike e Harabel ishte e jashtëzakonshme.
Në uebsajtin aktual të “Harabel”, Xoxa e liston veten si “bashkëthemeluese” dhe “drejtoreshë kreative”. Ajo është gjithashtu themeluese e Galerisë NAAN dhe Galerisë GurGur, ku “Harabel” ka organizuar ekspozita. Adresa zyrtare e “Harabelit” në Sky Toëer, në zemër të zonës së shtrenjtë të Bllokut të Tiranës, është në të njëjtën ndërtesë me praktikën ligjore të Xoxës, “The Partners”, dhe ish-drejtori i programit të Harabelit dhe koordinatori aktual ligjor, Xhoi Skënderasi, gjithashtu mbante një vend në bordin e Kompania botuese të Xoxës, “Botimet Enciklopedike”. Me fjalë të tjera, “Harabel” është shumë i lidhur me interesat e biznesit të Xoxës. Por si financohet kjo organizatë jofitimprurëse? Dhe si ka akses në parcelat kryesore të tokës për projektet e saj të artit publik?
Një dokument i publikuar së fundmi ofron një nga pjesët e munguara të enigmës. Kontrata parashikon që Xhafa do t’i “dhurojë” Harabelit veprën e tij “Bleta” dhe një kompani e quajtur “Integrated Energy BV SPV” do të instalojë dhe mirëmbajë veprën në pronën e saj për të paktën pesë vjet në emër të “Harabelit” dhe artistit. Ndërsa ky dokument shterron pyetjen se si “Harabel” i strukturon projektet e tij të artit publik, ky strukturim i veçantë ligjor ngre një sërë pyetjesh të tjera, më e dukshmja ndër to: Pse Integrated Energy BV SPV, një kompani private e krijuar për “menaxhimin, administrimin dhe realizimin të punimeve për ndërtimin e Zonës së Trajtimit të Mbetjeve Tiranë”, do të sigurojë pronën dhe mbështetje pa pagesë për krijimin e një parku skulpturash në periferi të Tiranës?
Për të qenë në gjendje t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, duhet të kuptojmë se si Integrated Energy BV SPV e mori zotërim landfillin e Sharrës. Një nga burimet më të mira për ta bërë këtë është dosja për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj e përpiluar nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në korrik 2023. Kjo dosje, 320 faqe, jep një pasqyrë të detajuar të marrëdhënieve të biznesit të Ahmetajt që nga viti 2008, veçanërisht me ata persona që rezultojnë të jenë në krye të landfillit të Sharrës. Sasia e aktivitetit kriminal të dokumentuar në këtë dosje është marramendëse: ryshfet, korrupsion, intimidim të zyrtarëve, falsifikimi i dokumenteve, mashtrimi tatimor… lista është dërrmuese. Ajo që jap më poshtë është vetëm pjesa më e vogël, e thjeshtuar.
Pjesa jonë e historisë nis më 28 janar 2016, kur kryebashkiaku Veliaj i shkruan Ministrisë së Financave për “përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve urbane në qytetin e Tiranës”, duke pretenduar se ka përfunduar së fundmi një studim fizibiliteti për vendosjen e një koncesioni për menaxhimin e mbetjeve në Tiranë. Propozimi gjen rrugën në tavolinën e ministrit të Mjedisit Lefter Koka, i cili i përgjigjet pozitivisht kryebashkiakut Veliaj për planet e tij. Përgjigja e ministrit Koka i përcillet edhe biznesmenit Klodian Zoto: “Shiko këtë dhe më thuaj nëse je dakord”.
Në këtë pikë, Zoto dhe partneri i tij i biznesit Mirel Mërtiri tashmë kontrollojnë dy koncesione të tjera të menaxhimit të mbetjeve në Fier dhe Elbasan nëpërmjet një sërë kompanish të ndërlidhura me seli të gjitha në Sky Toëer. Tani, ata synojnë një tjetër koncesion, më të madhin deri tani: menaxhimin e mbetjeve të Tiranës në landfillin e Sharrës. Pasi u informua për nismën e kryebashkiakut Veliaj, kompania e paregjistruar Integrated Energy BV ndjek shembullin e inceneratorit të Elbasanit dhe i bën një ofertë të pakërkuar Ministrisë së Mjedisit për ndërtimin e një impianti të menaxhimit të mbetjeve pranë Tiranës. Mbi bazën e kësaj oferte, qeveria hap një procedurë tenderimi publik, ndërsa më 19 gusht 2016, kompania regjistrohet si Integrated Energy BV në Holandë me 50,000 euro kapital dhe me Zoton si një nga drejtorët. Pjesa tjetër e bordit është e mbushur me avokatë të ndryshëm të specializuar në krijimin e kompanive guaskë, një nga mjetet kryesore përmes të cilave qeveria holandeze lehtëson evazionin fiskal ndërkombëtar.
Integrated Energy BV është e përfshirë në mënyrë aktive në procedurën e hartimit të tenderit në të cilin ata synojnë të marrin pjesë dhe merr informacion për konkurrentët e saj nga Ministria e Mjedisit. Në një procedurë me të meta, Këshilli i Ministrave i jep më pas Integrated Energy BV një bonus 8% në vlerësimin e tenderit, praktikisht duke siguruar koncesionin për kompaninë. Më 31 gusht 2017, Integrated Energy BV SPV, e regjistruar një ditë më parë dhe në pronësi 100% të kompanisë holandeze guaskë Integrated Energy BV, i jepet koncesioni ekskluziv 30-vjeçar prej 130 milionë eurosh “për ndërtimin e një landfilli, inceneratori, dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese në Tiranë dhe prodhimi i energjisë elektrike” nga ministri Koka. Lehtësia e kësaj kontrate për koncesionarin është se ai paguhet për ton metrikë mbetjesh urbane, edhe nëse nuk ndërmerret asnjë nga punimet e premtuara ndërtimore. Ky fluks i mbetjeve urbane është në fakt i garantuar nga Bashkia e Tiranës, e cila angazhohet të paguajë diferencën në rast se fluksi bie nën një prag të paracaktuar.
Në shkelje të qartë të kontratës së koncesionit, ndërtimi i inceneratorit nuk fillon kurrë dhe disa gazetarë shqiptarë, duke përfshirë edhe mua, fillojnë të hetojnë koncesionet e shumta të Zotos dhe Mërtirit dhe marrëdhëniet e ndërlikuara mes kompanive të tyre të ndryshme. Në vitin 2020, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nis hetimin për koncesionet e menaxhimit të mbetjeve me kërkesë të opozitës.
Në mars 2022, SPAK lëshon urdhra arresti ndaj ish-ministrit Koka, Zotos dhe të tjerëve në hetimin e tyre për koncesionin e Fierit. Si përgjigje, Geogenix BV (emri i ri i kompanisë holandeze guaskë Integrated Energy BV) lëshon një deklaratë për shtyp duke pretenduar se ata kanë shkëputur të gjitha obligacionet me kompanitë e menaxhuara nga Zoto.
Më 25 shtator 2023, Gjykata Speciale për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dënon Kokën me 6 vjet e 8 muaj burg për çështjen e Fierit. Bllako merr 2 vjet e 8 muaj dhe Zoto 8 vjet. Një muaj më vonë, më 5 tetor 2023, Koka merr një dënim shtesë me 5 vjet e 8 muaj burg për çështjen e Elbasanit. Mërtiri dhe Zoto marrin të dy 6 vjet e 8 muaj.
Ndërkohë vijon hetimi i SPAK për koncesionin e Tiranës. Në gusht 2023, landfilli i Sharrës dhe të gjitha pronat e tjera të Integrated Energy BV SPV konfiskohen dhe në dhjetor lëshohet një grup i ri urdhërarrestesh.
Kur një gazetare investigative bën publike, në bazë të dosjes së Ahmetajt, se ishte kryebashkiaku Veliaj që nisi procedurën e koncesionit, ai e sulmon duke e quajtur “vrasëse me pagesë”. Ai mohon publikisht të ketë ndonjë lidhje të ngushtë me koncesionin, duke pretenduar se ai thjesht “ka për detyrë të sjellë mbeturinat në landfill”.
Kryebashkiaku Veliaj thirret nga SPAK për të dëshmuar për çështjen më 30 prill 2024, lidhur me rolin e tij në fillimin e procedurës së koncesionit dhe përfshirjen e vartësve të tij të drejtpërdrejtë në mashtrimin dhe falsifikimin e dokumenteve në procesin e hartimit dhe miratimit të saj.
Le të kthehemi tani te prezantimi i Ajola Xoxës për punën e Sislej Xhafës në pronën e Integrated Energy BV SPV: Pse një kompani e menaxhimit të mbetjeve do të ishte e interesuar të sponsorizonte karrierën e vanitetit kuratorial të bashkëshortes së kryebashkiakut?
Siç mund të jetë bërë e qartë nga ngjarjet rreth bëmave të Zotos dhe Mërtirit dhe rastet e shumta të SPAK-ut që i shfaqin ata në lidhje korruptive me një mori politikanësh dhe burokratësh të Partisë Socialiste, si në nivel lokal ashtu edhe në atë kombëtar, çdo akt është transaksional. Pra, nuk do të ishte e paarsyeshme të mendohej se edhe sponsorizimi i tyre për eventet artistike të Harabelit ka motive të fshehta, vetëm një ndër episode në një shkëmbim të ndërsjelltë favoresh mes bashkisë së Veliajt dhe biznesmenëve.
Ndaj, ndoshta, pasi kemi paraqitur një rrëfim faktik, mund të përfundojmë me një spekulim të shkurtër: Siç dëshmohet nga dosja e Ahmetaj, Integrated Energy BV SPV iu dha koncesioni i Sharrës falë nismës dhe mbështetjes së kryebashkiakut Veliaj, bashkia e të cilit është gjithashtu përgjegjëse për pagesat për Integrated Energy BV SPV për një periudhë 30 vjeçare. Në këmbim, kompania bëri gjestin e vogël të mbështetjes së karrierës së sapolindur kuratoriale të gruas së kryebashkiakut duke sponsorizuar një park skulpture në landfillin që menaxhon. Në të gjithë këtë, artisti Sislej Xhafa, i cili kishte zgjedhur në mënyrë spontane vendin “pa asnjë sugjerim paraprak”, siguronte një fasadë respekti, ndërsa në praktikë lehtësoi artshpëlarjen e një koncesioni të menaxhuar në tokë të larë me gjak dhe në kurriz të qytetarëve të Tiranës, të cilët tashmë po përballen me një rritje të madhe të kostove të grumbullimit të mbetjeve.
Në fund të fundit, paratë që qarkulluan nëpërmjet “fondacionit jofitimprurës” të Xoxës, Harabel dhe hapësirave të saj të galerisë janë të papërfillshme brenda peizazhit më të gjerë të shpronësimeve, privatizimeve dhe koncesioneve shqiptare. Por parimi që del prej kësaj është padyshim trajta e modus operandit të qeverisë, e cila që në fillimet e saj ka përvetësuar në mënyrë aktive disa forma të natyrës kulturore për t’i shërbyer nevojave të saj propagandistike, duke shpërqendruar vëmendjen e publikut në punën e saj të brendshme.
Integrated Energy BV SPV, Harabel dhe Sislej Xhafa u ftuan t’i përgjigjen pretendimeve në këtë artikull, por refuzuan.
Përkthimi nga Politiko.al