Koncerti Instrumentalo-Simfonik i Orkestrës Simfonike të TKOBAP- së sonte i tejkaloi pritshmëritë e publikut. Një program i përzgjedhur por më e rëndësishmja një interpretim profesional dhe artistik që la gjurmë të thella emocionale tek publiku.
Si kurrë më parë, orkestra nuk është impenjuar dhe s’ka realizuar një sukses të tillë. Pa asnjë hezitim niveli mund të krahasohej me orkestrat më të mira europiane. Padyshim kjo i dedikohet dirigjentit spanjoll Sergio Alapont, që me talentin dhe formimin profesional e kulturor mundi të frymëzojë e të bindë seicilin pjestar të orkestës të japë plot pasion dhe devotshmëri më të mirën e mundësive të tyre.
Koncerti filloi me Uverturën e operas Ruslani dhe Ljudmilla të kompozitorit Mikhail Glinka.
Entusiazmi si frymë e përgjithshme e veprës e rrëmbeu publikun që në notat e para dhe e mbajti të mbërthyer emocionalisht deri në fund, me virtuozizmin dhe qëndrimin estetik interpretativ. Ndaj duartrokitjet dhe bravot spontane s’kishin të mbaruar.
Po në këtë mënyrë u prit dhe loja e violonçelistit të talentuar Klaudio Zoto në interpretimin e Variacioneve Mbi Një Temë Rokoko – Pjotr Ilijiç Çajkovski.
Ndonëse ende në proces studimi universitar në Gjermani, Zoto veç talentit jo të zakontë, i cilësuar që në bangat e shkollës, pasqyroi në lojë pjekuri artistike, kulturë profesionale, aftësi teknike e mbi të gjitha ndjeshmëri e bindje të thellë emocionale. Me bukurinë e një tingulli të madh, gjithë ” tul” e tepër artistik ai krijoi situata kontraste emocionale në shërbim të karakterit në çdo variacion. Veçanërisht bukur shumë nzori në pah lirizmin romantik të veprës, ndërsa në variacionin e fundit aftësinë teknike virtuoze. Nja dy pasaktësi, sa për të vërtetuar se ishte i vërtetë, të ndjera vetëm nga profesionistët në sallë, nuk e zbehën aspak interpretimin. I mrekulluar publiku e riktheu, jashtë programit përsëri në skenë, për të luajtur bis Sarabandën e një prej suitave të Bach- ut.
Magjia ndodhi në interpretimin e Simfonisë nr.9, op. 95, Bota e Re të Antonin Dvorak, me kohët: Adagio-Allegro molto ( koha e parë), Largo ( koha e dytë) Molto vivace( koha e tretë) dhe Allegro con fuoco ( koha e katërt.
Këtu dirigjenti Alapont,që është vlerësuar nga kritika për qëndrimin pasionat, bindës,dhe frymëzues, duke e veçuar si një nga më në zë të brezit të tij, pasqyroi tërësinë e vlerave të shumta artistike e estetike. I formuar në konservatorët më me emër Valencia, Madrit, Mynih, diolomohet në Pescara me Cum Laude, për të vijuar në Kolegjin Mbretëror të Muzikës Stokholm, Bachakademi Shtutgard dhe në Kolegjin Bach Japoni.
Me një kurikulum të jashtëzakonshëm si dirigjent operash në vitin 2016, Alapont fiton çmimin e dirigjentit më të mirë në GBOSCAR- L’ eccellenca dell’ Opera, për interpretimin e operas Aida. Gjithashtu ka drejtuar orkestra simfonike në shumë vënde europiane.
E pra talenti dhe kjo përvojë kaq e pasur artistike muzikore vërtetë bëri magjinë me orkestrën e operas.
Nën duart e tij e blatoi atë si një trup të vetëm, duke i jetësuar idetë artistike me aq frymëzim, me aq sinqeritet artistik, me aq thjeshtësi , natyrshmëri dhe ngrohtësi, por dhe me forcë e dinamikë shprehëse sa i tejkaloi mundësitë e orkestrës.
Me sa kujdes, mendim të thellë e racionalizëm intelektual balancoi në mënyrë artistike valët e tensionimit e çtensionimit simfonik. Sa bukur nxori në pah lojën solistike të flautit në kohën e dytë, apo të kornit anglez në kohën e tretë, duke i dhënë tërë rëndësinë e duhur partit të tyre në rolin udhëheqës tematik, me sa elegancë e natyrshmëri gjarpëronin këto tema në sektorët e tjerë të orkestrës, me sa sens artistik dialogonin me njëri tjetrin dhe sa bukur luajti me ngjyrimet dinamike, herë shpërthyese e herë të qeta . Sa raport të drejtë ruajti me kulminacionet për të ardhur aq bukur në atë të kohës së katërt që vërtetë e ndezi fuqishëm emocionin si shprehje e madhështisë së Botës së re Amerikane.
Ndjemë kështu gjithë emocionet njerzore, lirizmin baritor, qetësinë e natës enderimtare pas një vrulli jetësor, nostagjinë nxitur nga dashuria, këngët, emocionin, ndjenjat dhe karakteristikat e njeriut të thjeshtë, gjithë potencialin e ideve të kësaj vepre të mrekullueshme.
Gjithmonë e më tepër bindem që publiku e ndjen dhe e ndjek me kënaqësi suksesin e vërtetë, ndaj dhe e shpërblen atë mes ovacionesh duartrokitjeje, sikundër ndodhi sonte.
Falederime të përzemërta solistit, orkestrës, dhe në mënyrë të veçantë dirigjentit.
Së fundmi dua të falenderoj edhe drejtorin për përkushtimin, përgjegjshmërinë, dhe klimën pozitive të krijuar në këtë institucion, që ndihet në disa veprimtari radhazi.
I. Dema 16 mars 2025