Koncerti instrumentalo-simfonik i orkestres së TKOB i kushtohej vetëm veprës së kompozitorit Dimitri Shostakovich.
Nga gjashtë koncertet e tij për instumenta, na u ofruau të dëgjonim koncertin nr 1 në la minor për violinë e orkestër op 77 nga violinisti Leonard Simaku, dhe koncertin nr 1 në do minor për piano trombë dhe orkester harqesh nga pianisti Kosti Deti, trombisti Xhino Daja ,dirigjent Simon Krecic.
Një mbrëmje me të vërtetë e niveleve elitare, ku publiku mori kënaqësi të tre fishtë nga veprat dhe interpretimet.
Koncerti për violinë, luhet për herë të dytë në skenat tona, pasi premiera është realizuar në vitin 2015 nga violinisti i mirënjohue Arben Kadesha shoqëruar nga orkestra simfonike e RTSH, nën drejtimin e dirigjentit Michalis Economou. Vlerësohet në literaturën violinistike si një nga më të vështirët, më virtuozi, më i shquari e më shpesh i luajturi.
Krijuar në vitin 1947 kompozitori ia dedikoi violinistit David Oistrakh.
Origjinaliteti manifestohet si nga formati i strukturuar, po aq edhe nga idetë e kryesisht nga gjuhes muzikore, krejtesisht novatore. Koncerti përbëhet nga katër kohë, që vihen në shërbim e lidhen ngushtë me trajtimin e temë së hebrenjve; vuajtjeve masive, gjatë e pas luftës së dytë botërore në Bashkimin Sovjetik, shprehur me gjëndje emocionale të ndera e nënvizime gati tragjike të “ betejave gri”.
Ky qëndrim i idealit humanist e grotesk të kompozitorit, maskohet me inteligjencë përmes kontrasteve të forta muzikore në vepër, me tone më jetësore pér t’iu shmangur persekutimeve politike të cilat e kanë ndjekur hap pas hapi nga regjimi komunist e sistemi i diktaturës staliniste.
Gjuha muzikore si tërësi e mjeteve shprehëse kombinon varietete teknikash e sisteme të ndryshme. E ndikuar edhe kjo nga folklori hebre ka një linjë melodike të thyer kromatike e harmoni dizonante në përshtatje me gjëndjen e nderë emocionale, por dhe groteske e me fuqi vizionare.
Violinisti Leonard Simaku, larguar në moshë relativisht të vogël nga Shqipëria ka studjuar e është diplomuar në Rumani. Aktualisht jeton dhe punon në Itali. Mendoj se interpreton për herë të parë në Shqipëri, në mos qofsha e gabuar.
Publiku e njohu si instrumantist të talentuar, shumë të përgatitur, me një profesionalizëm të përkorë, kulturë, thellësi mendimi dhe virtuozitet. Në sajë të këture karakteristikave interpretimi i tij pasqyroje jo vetem me vërtetësi idetë e veprës, por duke bërë një lojë sa racionale e po aq të frymëzuar e tërhoqi si manjet vëmendjen e publikut, i cili e duartrokiti gjatë. Komplimenta edhe për orkestrën dhe dirigjentin, që padyshim luajtën rolin e tyre në suksesin e arritur, duke i krijuar solistit komoditetin e duhur artistik.
Vepra e dytë, koncerti për piano, trombë dhe orkester harqesh u interpretua nga Kosti Deti, pianisti i mirënjohur në mjediset artistike brenda dhe jashtë vendit dhe trombistit të talentuar Xhino Daja,i emëruar në orkestrën e TKOB.
Është i pari nga dy koncertet për piano, më i vlerësuari, më brilanti e gjithashtu më i shquari. Kompozuar në vitin 1933 dallon menjeherë për origjinalitet në trajtimin e ideve artistike, ndonëse gjuha muzikore mban lidhje me traditën. Ajo përafron me idetë estetike të post-romantizmit.
Fryma lirike që përshkon gjithë koncertin gërshetohet me figura artistike dinamike gracioze, me karakter teknicist skercoz por edhe ketu ndihen melodi me nje ndjesi të hollë trishtimi me karakter psikologjik e filozofik.
Kisha vendosur të mos shprehesha më për interpretimet e Kosti Detit, ardhur nga Viena, pasi e kam bërë pothuajse deri në shterim në të gjitha performancat e tij.
Po, a është e mundur të heshtësh pasi e dëgjon? Sigurisht që jo. Talenti i tij bën pjesë në ato kualitete të veçantë artistësh ku loja, nuk mjaftohet vetëm me përfshirjen e duarve, trurit dhe shpirtit. Jo jo në të marrin pjesë të gjitha pjesët e trupit, ashtu krejt natyrshëm gati sikur luajnë rolin e tyre në aspektin figurativ e konkret në një përputhje të admirueshme me muzikën. Kaq e madhe është përfshirja e tij ndaj muzikës, kaq i thellë është përjetimi emocional , ndjeshmëria ndaj detajit në funksion të së tërës, sa që çdo qelizë e trupit gjallon e merr frymë, duke u bërë pjesë e tingujve. Si të gjithë muzikantët e këtij kalibri pianisti është shquar vite e vite më parë për fantazinë dhe imagjinatën e jashtëzoknshme, por me pjekurinë, përvojën e kulturën e përftuar nga studimet në Itali dhe vitet e fundit në Vjenë ka rafinuar tingullin në të gjitha dinamikat e tij, i ka dhënë atij shumësi ngjyrash timbrike, e në të gjitha rastet ai është muzikal, duke e ruajtur atë si mjetin kryesor të shprehjes artistike. Për të mos përmendur pastaj aftësinë virtuoze, që në organizimin racional e shpirtëror të veprës bëhet shpërthyese e merr forcën e nje tajfuni.
Komplimente të pakursyera edhe për trompistin, që dalloi për korektësinë, profesionalizmin, tingullin e bukur dhe aftësinë komunikuese mes dy solistëve dhe orkestrës, që në këtë vepër u paraqit në nivelin e saj më të mirë, si partnere e denjë e dy solistëve dhe me fleksibilitet artistik në unifikimin dhe përshtatjen me interpretuesit.
Duartrokitjet entusiaste dhe të zgjatura të publikut e ulën përsëri në piano pianistin, për të luajtur jashtë programit një pjesë bravurë. Pas interpretimit të së cilës publiku brohoriti në mënyrë frenetike – për minuta – bravooo….
Duke i uruar muzikantët njëkohëshëm i falenderojmë për këtë koncert të bukur me plot emocion të një niveli elitar.
10. 03. 2024