Në mëngjesin e vjeshtës në vresht
bëhet përsëritja e hardhive
në rrënjë,
e bistakëve në hardhi
dhe e dritës në kokrra.
.
Nata në shtëpinë e madhe është krejtësisht e bardhë,
drita përsëritet në çdo dritare.
.
Gjithë shirat që bien mbi tokë përsëriten
mbi pemë, mbi det.. mbi duar,
mbi sy, mbi fytyrë,
përsëriten pikat e shiut që përplasen mbi xhama.
.
Në mëngjesin e vjeshtës
bëhet përsëritja monotone e ditëve të mia,
të gjitha të njëllojta dhe krejtësisht të ndryshme.
.
Përsëritet thurja e trikos, përsëriten yjet në qiell,
përsëritet fjala “të dua!” në të gjitha gjuhët e botës.
Në çdo gjethe që lulëzon përsëritet pema,
dhe në çdo shtrat vdekjeje përsëritet dhimbja që ther.
.
Në mëngjesin e vjeshtës bëhet përsëritja e dëborës
herë lehtë -lehtë,
herë flokë –flokë,
përsëritet dëbora që tymnohet si mjegull
dhe shpërndahet gjithandej prej shkulmeve të erës.
.
Përsëritja e borës mbulon rrugët.
Fëmijët në oborr luajnë me topa bore
Në oborr fëmijët me topa bore luajnë,
Një plakë e moshuar kalon në rrugë,
Në rrugë kalon një plakë e moshuar.
Dhe nata mbulon shtëpinë e bardhë
.
Në mëngjesin e vjeshtës përsëritet drita në dritare.
Përsëriten bistakët në kokrra rrushi,
Përsëriten kokrrat e rrushit në dritë.
.
Të ecim gjithmonë drejt drejtësisë dhe mirësisë,
Të luftojmë gjithmonë për të drejtën dhe ndershmërinë,
Të fitojmë gjithmonë mbi të drejtën dhe të vërtetën.
.
Dhe lotët e tua të heshtura dhe buzëqeshja jote,
dhe dënesat e tua, e dashura ime,
përsëriten.
.
Përsëritet e qeshura jote
në dhëmbët e bardhë dhe të ndritshëm.
.
Në mëngjesin e vjeshtës, në vresht,
rresht më rresht përsëriten hardhitë
përsëriten bistakët,
kokrrat e rrushit në dritë,
drita në zëmrën time…
.
Dhe të mendosh, e dashur, çfarë mrekullie…
Dhe e papërsëritura përsëritet.
Komentet