Pak ditë më parë Rossana Rossanda do të kishte mbushur 100 vite. Po të mbyll sytë mund të dëgjoj zërin e saj të qetë e të arsyeshëm, qeshjen e saj të lehtë dhe ironike. Jam e kënaqur që e pata njohur, siç mund të jesh i kënaqur kur ke njohur më të mirën e Vendit. Rossana kishte një kokë të hapur plot ajër e dritë e gjithmonë të përshkuar nga erëra të zhdërvjellta e të rrjedhshme. Nuk mjaftohej me mendime të përcaktuar por kërkonte gjithmonë diçka të re. Aftësia e saj për të arsyetuar ishte gjithmonë aty, syhapët për të vëzhguar e përimtuar realitetin. E kam njohur në një takim feministesh. E dinja se, si komuniste e orëve të para, kishte mosbesim në lëvizjen e grave, që simbas biblës në latinisht, ishte një shprehje e kapitalizmit borgjez. Por kërshëria e zgjuarsia e saj kanë fituar mbi paragjykimet e shpejt u ndjeva pranë si shqyrtimeve që bënim mbi historinë, si mbi vullnetin për të krijuar vlera të reja që lindnin nga vetëdija femërore e jo nga tradita e çmuar e Etërve. Nga ana tjetër ishte aftësia e saj për të kuptuar zhvillimin e historisë që e kishte shpënë në dënimin e e mësymjes së Hungarisë në 1956.
Diçka që i shëmbëllen mësymjes së Ukrainës sot. Veçse atëherë Evropa dhe Amerika nuk kanë lëvizur as edhe një gisht dhe kryengritja e guximëshme hungareze kundërsovjetike u shtyp mizorisht dhe demokrati Nagy u vra si një armik. Mënyra në të cilën Rossana përsijaste kuptimin e të qënit komunist besoj se i jepte bezdi atyre që besonin se besnikëria ishte më e rëndësishme se sa qartësia. Por komunizmi, nga një ideal i barazisë e i lirisë, ishte kthyer me Stalinin në një kapitalizëm kokëtrashë e të dhunshëm të Shtetit. Një regjim burokratik e totalitar që nuk lejonte mendimin kritik. Gjykimin e Rossandës, që sot e gjej profetik, mund t’a gjejmë në librin “Një rrugëtim i kotë”, në të cilin shpjegon se si komunizmi ka “mbaruar keq”. Kur idealet fashiten , popujt mund të hyjnë në një gjëndje plogështie dhe inercie që krijon paraliza politike e shoqërore. Pason një gjumë që pjell përbindësha, siç tregon Goya, një zbrazësirë që mbushet nga sjelljet më të vjetruara e mizore të njerëzve. Do të ftonja këdo që dëshëron të kuptojë më mirë atë që ndodh sot në botë të lexonte e të rilexonte “Vajza e shekullit të shkuar” dhe “Ky trup që më banon”, një përsiatje e thellë mbi raportin mes trupit dhe mendimit në kohë konsumesh e narçiçizmash. Trupi për mua , shkruan Rossana, “është ngjala e ndërgjegjes sime”. Nuk mund të thuhej më mirë se kështu.
“Corriere della Sera”, 27 maj 2024 Përktheu Eugjen Merlika