Në Shqipëri komuniteti mysliman shprehu shqetësim për deklaratën e kryeministrit Edi Rama për “transformimin e qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda kryeqytetit shqiptar”.
Në një reagim zyrtar, ky komunitet kujton që në fillim se ai është “përfaqësuesi i vetëm dhe zyrtar i fesë Islame në Shqipëri”, ndërsa thekson se “kjo nismë për të cilën jemi njohur përmes medias është e pakonsultuar me komunitetet fetare, të cilat për të tilla raste kanë ngritur edhe një institucion të veçantë, të lavdëruar nga të gjitha vendet Perëndimore, siç është Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë”.
Sipas zotit Rama, shteti Sovran i Bektashinjve do të ishte “një qendër e re moderimi, tolerance e bashkëjetese të paqtë”. Por Komuniteti mysliman vë në dukje se ai është “shumicë në Republikën e Shqipërisë dhe një ndër kontribuesit kryesor të dialogut e harmonisë fetare në vend”, të cilën e vlerëson si “kontribut i secilit dhe i të gjithëve bashkë”. Prandaj sipas këtij Komuniteti “në këtë kuptim, vendi ynë nuk ndodhet përballë ndonjë rreziku të prishjes së harmonisë e dialogut, përkundrazi, nisma të tilla mund të jenë një precedent i rrezikshëm për të ardhmen e vendit”.
Komuniteti mysliman thekson gjithashtu është “institucioni nën obrellën e të cilit kanë qenë dhe do të vijojnë të jenë të përfaqësuara të gjitha tarikatet derivate”, dhe “sigurojmë besimtarët myslimanë në Republikën e Shqipërisë se do t’i përfaqësojmë ata dhe çdo besimtar të cilitdo tarikati, ashtu siç kemi bërë deri më sot, edhe në vijim”. Deklarata mbyllet me paralajmërimin se “ne do të vijojmë ta ndjekim me vëmendje këtë çështje dhe do të ndërmarrim hapat e nevojshme konform Kushtetutës dhe ligjeve të vendit tonë”.
Idenë e tij për një Shtet Sovran të urdhërit të bektashinjve, zoti Rama e hodhi fillimist në një intervistë për gazetën amerikane New York Times, ndërsa të dielën e deklaroi publikisht dhe në fjalën e tij në takimin “Samiti i të ardhmes”, i mbajtur në Asamblenë e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Selia Botërore e Bektashinjve i bëri menjëherë jehonë idesë së tij duke folur për një “nismë të jashtëzakonshme” që sipas saj do të sjellë “një epokë të re për tolerancën fetare globale dhe promovimin e paqes”.
Madje në një deklaratë të shpërndarë të dielën nga Selia botërore e bektashinjve në Tiranë, ofroheshin dhe detaje se si do të funksiononte ky Shtet, duke shpjegohet se me këtë nismë Urdhëri bektashi “do të fitojë sovranitet të ngjashëm me Vatikanin, duke e lejuar atë të qeverisë në mënyrë autonome çështjet fetare dhe administrative… Si ent shpirtëror, shtetësia në shtetin e ri sovran të Urdhrit Bektashi do të kufizohet vetëm tek anëtarët e klerit dhe individët e angazhuar në administrimin e shtetit. Qeverisja e shtetit do të udhëhiqet nga udhëheqja shpirtërore e Urdhrit, me Kryegjyshin (Dedebaba) dhe një këshill që do të mbikëqyrë funksionet fetare dhe administrative”. Ndërsa dhe adresa e emailit për mediat që duan të kontaktojnë për këtë çështje, tanimë është @bektashistate.org (shteti bektashi).
Nga ana tjetër, nisma e kryeministrit ka ndezur dhe debate nga pikëpamja ligjore, duke qenë se dhënia e sovranitetit për Shtetin bektashi bie ndesh me Kushtetutën shqiptare e cila parashikon në Nenin 1 të saj se “Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm”.