Ndërtesa e komunës paralele serbe në Mitrovicë të Veriut.
Sandra Cvetkoviq
Që nga shpërthimi i krizës, në fund të majit në veri të Kosovës, autoritetet e përkohshme komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – që punojnë sipas sistemit të Serbisë dhe konsiderohen paralele nga autoritetet e Kosovës – janë duke punuar nga lokacione “alternative”.
Kjo është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë (REL) nga burime të ndryshme.
Se këto komuna janë duke funksionuar, mund të shihet gjithashtu edhe në faqet e tyre të internetit apo llogaritë e tyre në rrjetet sociale. Gjithashtu, gjatë gjithë kohës këto autoritetet të përkohshme japin tenderë për realizimin e projekteve të ndryshme infrastrukturore, të cilat mund të shihen në portalin e prokurimit publik në Serbi.
Këto organe, të cilat janë të paligjshme për autoritetet e Kosovës, deri tani kanë funksionuar paralelisht në objektet e njëjta me komunat e sistemit të Kosovës. Ato objekte janë të paqasshme për qytetarët, që nga 26 maji, kur kryetarët shqiptarë hynë në zyra me asistencën e policisë, gjë që u kundërshtua ashpër nga popullata lokale serbe.
Kryetarët shqiptarë të komunave që funksionojnë sipas sistemit të Kosovës, janë vazhdimisht në Leposaviq dhe Mitrovicën e Veriut, ndërsa ata në Zubin Potok dhe Zveçan punojnë nga lokacione alternative, në fshatrat e afërta, ku shqiptarët përbëjnë shumicën e popullatës.
Nga ana tjetër, departamente të ndryshme të strukturave komunale serbe, funksionojnë në objektet ku institucionet punojnë sipas sistemit të Serbisë. Për shembull, në objektin komunal “Mitrovica e Kosovës” në Mitrovicë të Veriut, ofrohen shërbime të caktuara për qytetarët e Zveçanit.
Komunat serbe nënshkruajnë kontrata dhe shpërndajnë ndihma financiare
Po ashtu, më 5 korrik, autoriteti i përkohshëm komunal në Leposaviq, i cili financohet nga buxheti i Serbisë, shpalli thirrje për ndihmë financiare për fëmijët.
Siç thuhet në ftesë, ndihmat ndahen nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, por qytetarët janë të ftuar që “për shkak të situatës aktuale” t’i dorëzojnë dokumentet e nevojshme në Qendrën për Punë Sociale në Leposaviq.
Kjo qendër, gjithashtu, funksionon në kuadër të sistemit të Serbisë.
Në ndërkohë, kryetari i Autoritetit të përkohshëm komunal të Zubin Potokut, Sërgjan Vulloviq, me ministrin e Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Martinoviq, nënshkruan marrëveshjen për ndarjen e mjeteve për projektin e rregullimit të një pjese të aksit rrugor Ujman – fshati Kovaçi.
Kjo kontratëkap vlerën rreth 8 milionë dinarë, që është afër 70.000 euro.
REL-i u përpoq të marrë deklaratë nga kryetarët e autoriteteve të përkohshme në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, lidhur me punën e tyre. Mirëpo, kryetarët e këtyre organeve të përkohshme komunale të Leposaviqit dhe Zveçanit, Zoran Todiq dhe Ivan Todosijeviq, nuk iu përgjigjën thirrjeve, ndërsa drejtuesi i organit të përkohshëm të Zubin Potokut, Sërgjan Vulloviq, tha se “nuk është i disponuar” për të bërë deklarata.
Dhënia e tenderit gjatë krizës në veri
Organet e përkohshme komunale apo kompanitë që funksionojnë në kuadër të vetëqeverisjeve lokale sipas sistemit serb në veri të Kosovës, nuk kanë ndalur dhënien e tenderëve për realizimin e projekteve të ndryshme.
Një prej tyre është “Realizimi i projektit për përmirësimin dhe rehabilitimit të deponisë komunale”.
Pas këtij projekti, me vlerë rreth 5 milionë dinarë ose rreth 50 mijë euro, qëndron Autoriteti i përkohshëm i Leposaviq, ndërsa tenderi i është dhënë kompanisë “RAD 028” nga Zveçani.
Pronar i kësaj kompanie është Radulle Steviq, i cila është në listën e zezë të SHBA-së.
E njëjta kompani, në fillim të qershorit, ka marrë tender nga Autoriteti i përkohshëm komunal në Zubin Potok, për ndërtimin e një shtëpie për një familje në fshatin Jasenovik i Epërm dhe për “prokurimin e transformatorëve për furnizimin me energji të njësive të banimit”.
Si funksionojnë komunat e Kosovës në veri?
Kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, dhe ai i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, qëndrojnë çdo ditë në objektet komunale, prej nga kryejnë detyrat e tyre.
Megjithatë, për dallim nga Leposaviqi, në Mitrovicë të Veriut nuk ka protesta para objektit komunal, për shkak se ndërtesa është e ndarë fizikisht nga Autoriteti i përkohshëm komunal serb.
Nga ana tjetër, kryetarët e komunave të Zveçanit dhe Zubin Potokut, Ilir Peci dhe Izmir Zeqiri, punojnë nga zyrat komunale që gjenden në fshatrat e banuara me shqiptarë.
Janë emëruar anëtarë të kabineteve të tyre dhe drejtorë të departamenteve të ndryshme, por nuk mund t’u ofrohen shërbime qytetarëve në vetë objektet komunale – përveç në Mitrovicë të Veriut – për shkak se popullata lokale serbe po proteston çdo ditë para objekteve.
Gjithashtu, para objekteve komunale gjenden edhe pjesëtarët e KFOR-it.
Nenad Radosavleviq, i cili më 5 korrik është emëruar në pozitën e drejtorit të Drejtorisë për sport, rini dhe kulturë në komunën e Leposaviqit, sipas sistemit të Kosovës, vlerëson se më së shumti vuajnë “qytetarët e zakonshëm” nga fakti se vetëqeverisjet lokale nuk janë funksionale.
Ai shton se ka pranuar të marrë pjesë në punë, në mënyrë që të shfrytëzohet buxhet i planifikuar, derisa kriza në veri po vazhdon.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ai thekson se “është e tmerrshme që të gjithë i harrojnë njerëzit e thjeshtë, të cilët kanë nevojë për shërbimet e vetëqeverisjes lokale”.
Ndonëse, siç thotë ai, që nga emërimi i tij nuk ka pasur asnjë takim me kryetarin Hetemi dhe as nuk janë ndërmarrë hapa në funksionalizimin e dikasterit të tij, ai beson se në Prishtinë ka “vullnet të mirë” për t’iu përgjigjur kërkesave të tij.
“Mandati im është i kufizuar dhe i qartë, është deri në fund të vitit para zgjedhjeve të reja dhe ka të bëjë me normalizimin dhe hapjen e fondeve për përfituesit që kanë nevojë”, thotë ai.
Pse u rritën tensionet?
Pjesëtarët e komunitetit serb bojkotuan zgjedhjet e fundit lokale, të cilat u mbajtën më 23 prill, me ftesë të partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Listës Serbe. Si rezultati i atij bojkoti, kryetarët shqiptarë erdhën në pushtet në katër komuna me shumicë serbe në veri.
Kur ata ishin gati të fillonin punën, serbët vendas kundërshtuan, kështu që Policia e Kosovës ndërhyri. Që atëherë, serbët po protestojnë çdo ditë me kërkesën që Policia e Kosovës të tërhiqet dhe kryetarët e komunave të mos shkojnë në punë.
BE-ja bëri thirrje për shtensionim dhe kërkoi nga Prishtina zyrtare të shpallë zgjedhje të reja, ndërkaq nga Beogradi kërkoi të sigurojë pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve në atë proces.
Kërkesat e BE-së për Kosovën dhe Serbinë
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, më 22 qershor ka paraqitur kërkesat e bllokut evropian për Kosovën dhe Serbinë, lidhur me shtensionimin e situatës në veri:
Kosovës i kërkohet që menjëherë të pezullojë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri dhe që katër kryetarët komunalë përkohësisht të ushtrojnë detyrat e tyre në objekte alternative
Serbisë i kërkohet të sigurojë që protestuesit të tërhiqen nga ndërtesat komunale paralelisht me tërheqjen e Policisë së Kosovës
Të dyja shteteve u kërkohet shpallja e zgjedhjeve të parakohshme lokale, sa më shpejt që të jetë e mundur, në katër komunat në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës në to
Në të kaluarën, Beogradi ka luajtur rol kyç në pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e organizuara në Kosovë
Shefi i ekipit të Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë konfirmuar më 10 korrik se është arritur marrëveshja për hapat e parë drejt shtensionimit të situatës në veri.
Megjithatë, ata nuk specifikuan se për cilat hapa bëhet fjalë konkretisht.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më herët ka deklaruar se një nga hapat e parë është tërheqja e njëkohshme e Policisë së Kosovës dhe demonstruesve para ndërtesave komunale.